Filip Shiroka

filip shiroka shkoder
Filip Shiroka lindi më 1859 në Shkodër. Në vendlindje përfundoi shkollën françeskane, ku njëri nga mësuesit e tij ishte poeti arbëresh Leonardo De Martino (1830-1923), ndikimi i të cilit ndjehet në vargjet e Shirokës. Poema e parë e botuar ishte All'Albania all'armi, all'armi! (Në Shqipëri, në armë, në armë !), një poezi me theks luftarak kombëtar kushtuar mbrojtjes së Ulqinit kur fuqitë e mëdha, pasi dështuan t'i jepnin Malit të Zi, Hotin e Grudën, vendosën t'ia kompensojnë me Ulqinin e Tivarin, pa vlera të veçanta letrare, e cila u shkrua në Italisht dhe u publikua në Obsservatore Cattolico të Milanos më 1878; ashtu si miku i tij nga i njëjti qytet Pashko Vasa, ai do të shkonte për të ndjekur studimet e larta në Itali. Si shumë intelektualë shqiptarë të shekullit të 19-të, Filip Shiroka e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij jashtë Shqipërisë.

Më 1880, pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ai u vendos në Egjipt dhe Liban ku punoi si inxhinier në konstruksionin e hekurudhave. Aty kaloi pjesën më të madhe të jetës, u lidh me lëvizjen e emigrantëve shqiptarë dhe filloi të shkruante vjersha. Disa vjet punoi në Bejrut të Libanit, me përkrahjen e Pashko Vasës. Me Çajupin e lidhte një miqësi e ngushtë. Vjershat e tij, të shkruara në vitet 1896-1903 u botuan në gazetat shqiptare të kohës, kryesisht në "Albania" të drejtuar nga Faik Konica. Ato u përmblodhën më vonë nga historiani i njohur Dom Ndoc Nikaj dhe u botuan në vëllimin me titullin "Zani i zemrës", Tiranë 1933. Shiroka është autor i së paku 60 poemave, tri tregimeve të shkurta, artikujve dhe disa përkthimeve, veçanërisht të veprave për liturgjinë katolike. Pseudonimet e tij letrare do të ishtin "Ulqinaku" dhe "Gegë Postripa", ky i fundit i preferuar përkundër përzgjedhjes që kishte bërë Luigj Gurakuqi, i cili në poezitë e tij nënshkruante me pseudonimin "Lekë Gruda".

Tema në veprën e poetit Filip Shiroka ishte ajo e atdhedashurisë, krenarisë kombëtare për të kaluarën dhe shpirtin liridashës të shqiptarëve. Në poezitë "Burri", "Gjergj Kastrioti", "Shypnia", Shiroka bëri thirrje hapur për çlirimin e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Në poezitë e tij më të mira, që i kushtohen mallit për atdhe, Shiroka mediton mbi fatin e tij dhe atë të atdheut. Melankolia dhe humori i hollë i përshtaten tepër Shirokës, që me vjershat e këtij lloji sjell një notë vetjake në poezinë tonë te Rilindjes. Poezitë më të njohura janë "Shko dallëndyshe" dhe "Dallëndyshe eja". Ai ishte poet me ndjenja të holla, një krijues lirik i lindur e krejt i natyrshëm, një mjeshtër i gjuhës, i shprehjeve të ëmbla dhe të pastërta si kristali, e për këtë ai zë një vënd të nderuar në historinë e Letërsisë Shqipe.

Filip Shiroka vdiq në Bejrut të Libanit më 1935 me mall e dashuri për atdheun, me dëshirën që të varroset në Varrezat e Rrmajit ku kishte varrin e babës e nënës së dashtun. Eshtrat e tij, u sollën në Atdhe dhe u rivarrosën në qytetin e Shkodrës rreth një cerek shekulli pas vdekjes së poetit në një ceremoni ku morën pjesë mijra qytetarë shkodranë admirues të poetit zëembël të "Dallendyshes".

Msimet e harapit - Filip Shiroka


Mos thuej se asht i vorfen nja' q' kane vdekun
Prindet, dhe i vobet keq n' rruge ka mbetun;

Por ka mbete i vorfen nj' ai qi ne rini
As urti s' ka msuemun kurr, as dituni.

Se gjaku as gjinija djalin s' e nalton,
Por veprat e mira ata veç e çmojne:

N' daç me t' nderue, djal, t' nderon veç urtija,
E n' daç me t' naltuemun, t' nalton ditunija.

Mos thuej kurr pse paske t' holla je zotni,
Ty aret e bashtinat nuk t' japin madhni:

Zotni per me t' thirrun duhet te jesh bujar
E zemra edhe gjuha duhet t' pikojne ar.

Oh! mos te genjeje mendja kot me n'a u madhshtu
Ne qofte se katundi kryetar t' ka vu:

Drejtesi po s' pate, emen s' ke as ndere,
Se m'je si rrshiqi i mbushun me ere;

E lisin ma t' naltin ma shum e tundin
Ernat, dhe goglat me pa-hir j' a shkundin.

Dhe deka asht per t' drejtin ndere e bukuri,
Ma e bukur se dita e marteses s' ti.

***

Oh mos thuej, çupe, je e re, mos thuej, je e bukur,
Se çmimin ma shum nuk e ke, veç sa nji flutur!

Por çupen e bukur urtija e lulzon,
Edhe para botes bukuri m' i shton.

E çupa puntore?... Ajo veç ka shum ndere,
Se ajo asht si dielli qi ndrite ne prandvere,

Ajo asht si zana qi gazmend i nep
Gjinis s' saj e nji dit edhe burrit t' vet.

Grueja!.. oh grues Zoti n' a i ka thane,
Me j' u ba ndime burrit e fmive t' vet nane;

Nuk njehet per grue ajo qe per ftyre
E hup kohen e vet m' u hieshue n' pasqyre,

E çupa edhe gruaja per me ken e urte,
T' ult do t' a kene zanin e gjuhen e shkurte;

Sepse gjuha e femnes nji pushtet t' madh ka
Zemrat me i pajtuemun a me i djege, me i vra...

Femna ka mjalten qe fik idhnimin
Edhe n' mest t' anmiqven' n' a sjell dashtnimin;

Por... ka edhe helmin ne gjuhen e vet,
E ne gjuh ka zjarmin qi ndez nji gjytet!...

Pra, vesha as mbatha femnen s' e nalton,
As pektat e arta turpin nuk e mblojne:

Shkrolat e lulzueme dinarin s'e çmon,
Veç ari kulluemun ai vjeftim i shton.

1922

COMMENTS