Luigj Gurakuqi

luigj gurakuqi
Luigj Gurakuqi lindi në Shkodër, më 19 shkurt 1879; nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet, deputet, Hero i Popullit shqiptar.

Luigj Gurakuqi është një nga personalitetet më të shquara të lëvizjes sonë kombëtare, arsimore e kulturore në fundin e Rilindjes Kombëtare dhe të fillimeve të Pavarësisë. Një figurë poliedrike e madhore: Luigj Gurakuqi ishte politikan e diplomat, shtetar i shquar, gjuhëtar, poet e prozator, estet e kritik letrar, pedagog e tekstolog, ekonomist e financier, orator, njeri i kulturës dhe i shkencës, i fjalës dhe i veprimit, i pendës dhe i pushkës; në shkrimet e tij përdorte emrat e pendës Jakin Shkodra e Lekë Gruda. Mbi të gjitha ai ishte patriot i madh, atdhetar i flaktë, bashkëthemelues i shtetit shqiptar të epokës moderne. Nga ana tjetër, L. Gurakuqi, si rrallë kush, përjetoi ngjarjet më kulmore të jetës së vendit në çerekun e parë të shekullit tonë. Në shumicën prej tyre qe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë, madje ndër organizatorët e drejtuesit kryesor të tyre.

U rrit në gjirin e një familje tregtare të kulturuar shkodrane, nga prindërit Pjetër e Leze Gurakuqi. Me edukimin e tij u mor në mënyrë të veçantë i ati. Pjetër Gurakuqi ishte një tregtar me kulturë relativisht të ngritur, me një rreth të gjërë shokësh e miqsh në mes tregtarëve e intelektualëve të Shkodrës, me një jetë aktive në pazarin e qytetit dhe me marrdhënie tregtare me Venedikun e Milanon. Shtëpia e këtij tregtari të kulturuar e të shëtitur gumëzhinte nga hyrjet e daljet e njerëzve që vinin të diskutonin hallet e kohës e të merrnin vesh lajmet e botës. I ndodhur përherë pranë të atit, dëgjonte me vëmendje bisedat e diskutimet për ngjarje të së kaluarës dhe të ditës, për luftërat heroike të popullit kundër pushtuesit otoman dhe grabitqarëve ballkanik dhe për burrat që i udhëhoqen ato. Duke kujtuar këto vite, Gurakuqi student do të shkruante:

"Më çohet mall me kenë në shpi e me ndigjue baben tue kallzue, si përpara, në ngjarjet e Pashallarvet të Shkodres, trimnitë e malcorvet e luftat e Malit te Zi, sende qi kishte ndî prej t'et e që edhe ai vetë shume kish pa".

Luigj Gurakuqi vritet me tre plumba më 2 mars 1925, në Bari (Itali).

COMMENTS