Marie Logoreci, pioniere e kinematografisë shqiptare

marie logoreci
Marie Çurçia Logoreci lindi më 23 shtator 1920 në Shkodër. I ati Palok Çurçia ishte zejtar kurse e ëma Roza, shtëpiake.

Të vogël Marien e thirrën Tushi. Tushi bëri shkollën femërore të "Motrave Stigmatine", një shkollë që përmbante në programin mësimor edhe lëndë fetare fakultative. Në këtë shkollë si dhe më vonë në gjimnaz filluan të duken prirjet e para. Ajo vizaton bukur, këndon dhe më vonë fillon t'a shoqërojë veten me mandolinë ose kitarë, nuk i pëlqen matematika dhe lënda e Besimit. Por kënga e vizatimi ishin pasioni i moshës. Fatmirësisht ruhen rreth 20 vizatime të asaj kohe në të cilat dëshmon një shpirt të butë e delikat dhe një raport fin me objektin që vizaton; dashuria, syri i mprehtë e vëzhgues, harmonia e ngjyrave dhe fantazia në vizatim të bëjnë të mendosh vetëm për talent. Në këtë moshë ajo për një kohë të shkurtër mësoi gjuhët italiane e malazeze, por ajo që ndikoi fuqimisht në shpirtin e saj dhe që la gjurmë përjetë ishte njohja që në vogli me zakonet, traditat dhe eposin e veriut nëpërmjet malësorëve që butnin në shtëpinë e të atit. Njohja dhe më vonë studimi i këtyre zakoneve, mjedisit, folklorit e etnografisë u bë një pasion i ri për Tushin. Ajo u largua nga Shkodra në vitin 1937, në moshën 17-vjeçare, duke marrë me vete nga familja përveç frymës atdhetare, talentin, dashurinë për folklorin, mandolinën e saj dhe emrin e shkurtër Tushi që e shoqëroi gjatë gjithë jetës në familje e të afërm.

Maria u martua në Tiranë me Kolë Logorecin i cili në atë kohë ishte kthyer nga Vjena ku kishte mbaruar studimet e mesme e të larta për ekonomi. Pranë "Miqve të muzikës" kishte ndjekur për pesë vjet mësimet për instrumentin e dashur të Vjenës, violinën. Ai ishte ekonomist shumë i zoti dhe brenda disa vjetësh u bë Shef i Buxhetit të Shtetit dhe mori titullin më të lartë të kohës në Shqipëri "Kalorës i urdhërit të Skënderbeut". Kola ishte djali i madh i atdhetarit e gjuhëtarit Mati Logoreci (Mësues i Popullit) një nga figurat e njohura të shoqërisë së kohës. Ai rridhte nga familja e njohur e Logorecëve që përmendet që në vitin 1300 me emrin Logoreseos. Në shtëpinë e Logorecëve Maria ra në kontakt me shoqërinë e kohës me bisedat e Matisë me Gjergj Fishtën, Ernest Koliqin, Çabejin, Xhuvanin dhe me bisedat për Luigj Gurakuqin, e Ndre Mjedën (të cilin Matia e kishte djalë halle). Në këtë mjedis pasioni i Maries gjeti terren që të zhvillohej dhe bota e saj shpirtërore e intelektuale u bë më e gjerë. Ajo filloi të mësojë nga i shoqi gjermanisht. Në pasionet e saj u fut edhe biçikleta. Bënte shëtitje duke shkuar me të shoqin me biçikleta shpesh në Durrës, por edhe deri në Shkodër.

Jeta artistike e Marie Logorecit nisi si këngëtare në Radio Tirana në vitin 1945 ku këndoi si soliste, drejtpërdrejtë në mikrofon, në emisione 20 minutëshe, këngë popullore të Shkodrës, të Shqipërisë së mesme dhe këngë partizane. Ndërkohë ndoqi një kurs njëvjeçarë për kanto që u hap pranë Liceut Artistik në Tiranë, me pedagoge Jorgjia Trujën (Artiste e Popullit). Filloi të këndojë gjithashtu në koncerte që organizoheshin në kryeqytet në raste të ndryshme.

Në vitin 1947 bëri pjesë si soliste në korin e përgjithshëm të Shtetit me të cilin bëri turne edhe jashtë vendit.

Duke parë aftësinë interpretuese të Maries kur këndonte i propozuan të punonte në Teatrin Popullor. Ky kalim ishte i vështirë edhe për Marien dhe për mjedisin. Por familja e emancipuar dhe i shoqi Kola luajti një rol të madh, jo vetëm duke qenë dakort, por edhe duke e ndihmuar, duke e liruar nga shumë punë që ajo të ecte përpara, të zhvillonte talentin e saj.

Kështu në Nëntor të vitit 1947 për Marien u hap perdja e jetës së vërtetë skenike, ajo tashmë ishte aktore e Teatrit Popullor. Rruga e saj skenike kaloi me perpjekje, por me kënaqësinë e përmbushjes së pasionit dhe suksesit. Por kjo rrugë u pengua nga vështirësitë familjare nga vdekja e të shoqit, Kolës, dhe detyrimet që e vetme t'i plotësonte gjithçka të birit; që ai në atë kohë të formimit të personalitetit e karakterit të mos ndjente zbrazëtinë që normalisht shkakton mungesa e njërit nga prindërit.

Maria ishte shumë sistematike, gjithmonë e ngarkuar me punë por gjente kohë që të merrej me kopshtin, me lulet e shumta, me pëllumbat, qentë e macet, të gatuante, të përgatitej për shfaqjen, të lexonte apo të dëgjonte muzikë. Nuk thoshte kurrë "u lodha". Gjithmonë e shihje t'i bënte gjërat shpejt, plot energji e temperament, sa dhe kur ecte dukej sikur vraponte. Kishte një kujtesë që të mahniste, ajo mbante mend vargjet e legjendave tona, faqe të tëra nga Iliada e Odisea, siç mbante mend tekstet e shfaqjeve që ishin dhënë 30 vjet më parë.

Marie Logoreci ka mbetur në kujtesën e atyre që e kanë njohur ashtu siç ka qenë, e qeshur, e thjeshtë, e sinqertë, e gjallë e plot jetë; një grua me njohuri të gjithanëshme me të cilën kishe dëshirë të bisedoje për çdo gjë e të kërkoje një mendim, një këshillë. Maria ishte në harmoni të plotë me temperamentin dhe specifikën e të gjitha tipareve të natyrës së saj, që kanë gjetur forcën e shprehjes, thellësinë psikologjike dhe pjekurinë artistike në artin e saj.

Me punën e saj krijuese Marie Logoreci na ka dhënë një galeri të pasur figurash që nuk harrohen për skalitjen me mjeshtri, për forcën shprehëse e realizmin. Gama e roleve të interpretuara nga Maria është e gjerë dhe e pasur në tipa e karaktere të afërt e të kundërt. Mjeshtëria interpretative dhe forca e saj emocionale janë shtrirë që nga anët më të ndritshme të shpirtit njerëzor deri në skajet më të errëta. Kujtojmë Alisa Lengton, borgjezen kapriçoze, konservatore, të kamufluar e raciste te "Rrënjët e thella"; Kristina Padera, hipokriten e djallëzuar, kreun e kompllotistëve tek "Komplloti i të dënuarve"; Gertruda, mbretëreshën që lufton me vetveten pa rrugëdalje te "Hamleti"; Fatimja, gruan e regjur me intrigat e oborrit, sa servile aq arrogante, te "Halili dhe Hajria"; Bernarda Alba, gruan e zezë me fuqi të ftohtë e tronditëse.

Kush e ka parë, nuk u emocionua e nuk fshiu një lot të fshehtë nga interpretimi i Maries në Loken te "Toka jonë". Kështu në veprat e Shekspirit, Molierit, Lorkës, Gorkit etj., si dhe në veprat kombëtare të Kolë Jakovës, Ndrekë Lucës etj., numri i personazheve të interpretuara dhe numri i madh i figurave artistike të krijuara nga ajo, na japin në tërësi portretin e plotë të kësaj artisteje të shquar. Porteti i saj është veçanërisht shprehës, me tipare të qarta individuale, me ngjyrim të veçantë, me një harmoni të papërsëritshme të brendshme e të jashtme. Karakteri dramatik, ekspresiviteti i lëvizjeve dhe tipareve, temperamenti i flaktë, kanë gjetur shprehje të plotë në të gjithë qënien dhe në vokalin e saj. Ajo di t'i imponojë spektatorit figurën artistike me të gjitha mjetet e arsenalit të saj aktoresk që nga pasuria intonative e zërit, deri te natyra dinamike e ekspresive e tipareve. Ajo ka arritur ta njohë deri në virtuozitet forcën akustike të zërit dhe veprimin e saj mbi spektatorin. Puna e gjatë si aktore e bëri që t'i lindë interesi edhe ndaj regjisë. Aktiviteti i saj si regjisore është i suksesshëm por modest e nuk zë vend me rëndësi në krijimtarinë e saj, por tregon për interesat e saj të gjera, shpirtin krijues që nuk e humbi gjallërinë as nga vitet.

Maria ishte edhe pioniere e kinematografisë shqiptare. Ajo ishte interpretuese në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër, në 12 filma të Kinostudios dhe Televizionit. Interpretimi i Marie Logorecit në film ruan deri në njëfarë mase tiparet e interpretimit skenik. Rolet e para në kinematografi sigurisht kanë patur vështirësitë e veta, gjë që ajo e ka vënë në dukje duke folur për interpretimin e saj në film. Është e kuptueshme, se ishin hapat e para të kinematografisë sonë, aktorët e teatrit sillnin një farë teatraliteti në interptretim, megjithatë heroinat e krijuara nga Maria në film, janë figura të individualizuara, çka ruajnë vlerën e tyre në historinë e filmit shqiptar në raport me kohën.

Maria mbeti një aktore e madhe e skenës. Ajo krijoi artin e saj. Duke qenë vrojtuese e mprehtë e jetës së popullit arriti të mbledhë polenin jetësor e ta hedhë në veprën e saj artistike duke i dhënë spektatorit shpirtin e njeriut, dhembjen, protestën, revoltën, urrejtjen, cinizmin, hipokrizinë, dinakërinë, etj... atë që është esenca e rolit, atë magji që shkakton një art të vërtetë. Gjuha e saj artistike është ekspresive dhe me kolor, mjetet skenike që ka aplikuar Maria, janë realizuar prej saj me mjeshtëri duke vënë vulën e vet të interpretimit, atë që ishte personale të Maria.

Rolet më të suksesshëm të saj janë: Xhesi te "Çështja ruse", Alisa Lengton te "Rrënjë të thella", Kristina Padera tek "Komploti i të dënuarve", Fatimja te "Halili dhe Hajrija", Aljona Patrovna te "Gjashtë dashnorët", Lokja te "Toka jonë", Nëna Xhun te "Muri i madh pakapërcyeshëm", Mara te "Përkolgjinajt", Plaka te "Çatia e të gjithëve", Nëna te "Cuca e maleve", Gjela te "Përmbytja e madhe", Ledi Milford te "Intrigë e dashuri", Tringa te "Shtatë shaljanët", Gertruda te "Hamleti", Bernarda Alba te "Shtëpia e Bernarda Albës", Tadrahova te "Morali i zonjës Dulska", etj.

Marie Logoreci vdiq në Tiranë në vilen e saj nga një atak kardiak më 19 qershor 1988. Përveç urdhrave dhe medaljeve të ndryshme mban edhe titullin e lartë "Artiste e Popullit".

Përditësim, 23 shtator 2015: Marie Logoreci nderohet (pas vdekjes) nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Bujar Nishani, me Dekoratën "Nderi i Kombit" me këtë motivacion:

"Në vlerësim të interpretimeve mjeshtërore e të paharrueshme të gruas dhe nënës shqiptare, duke skalitur me realizëm një galeri mbresëlënëse e simbolike portretesh në skenat teatrale, dhe të kontributit thelbësor e të pamohueshëm të saj si një nga themelueset dhe pionieret e kinematografisë sonë".

COMMENTS