Marin Barleti

marin barleti barletius barlezio
Marin Barleti (lat. Marinus Barletius, it. Marino Barlezio) lindi rreth vitit 1460 në Shkodër dhe vdiq rreth viteve 1512-1513, ishte humanist i shquar, historian, i pari autor i njohur dhe një nga më të mëdhenjtë e letërsisë së vjetër shqiptare, teolog dhe prift katolik. Për jetën e tij dihet fort pak. Fare i ri, më 1478, mori pjesë me armë në luftën për rrethimin e parë nga i forcave osmane. Heroizmi i bashkatdhetarëve i mbeti në sy e në mendje, derisa e përjetësoi në veprat e tij historike kushtuar luftrave për të mbrojtur atdheun "nga kujtimi i të cilit, - shkruan ai, - tani përtërihem si për mrekulli, por edhe për të cilin s'mund të shkruaj pa lot në sy". Rënia e Shkodrës, që ishte një nga kalatë e fundit të qëndresës shqiptare pas vdekjes së Skënderbeut, e detyroi Barletin, si shumë të tjerë, të mërgonte në Venedik me 1504.

Këtu plotësoi kulturën e tij humaniste dhe u bë një njohës i thellë i letërsisë klasike dhe i gjuhës latine, në të cilën shkruajti veprat e veta; filloi të japë leksione dhe në atë periudhë gjindeshin aty edhe Marin Beçikemi dhe Mihal Trivoli. Në mjedisin e të mërguarve të shumtë shqiptarë, mjaft nga të cilët kishin qenë bashkëluftëtarë të Skënderbeut, fitoi njohuri të gjera për epokën e heroit dhe luftën e madhe të popullit shqiptar për liri, të cilat i zgjeroi edhe me të dhënat e literaturës.

"Rrethimi i Shkodrës" (De obsidione Scodrensi, Venedik 1504) jep historinë dramatike të luftës për jetë a vdekje të banorëve të qytetit të rrethuar për një vit nga osmanët në vitin 1478-79. I mbështetur në shënimet e kujtimet e veta si dhe të pjesëmarrësve të tjerë, libri jep një tregim të saktë të ngjarjeve politike-ushtarake, por sidomos të aspektit të brendshëm, të vetëdijes së lartë patriotike të banorëve të qytetit. Shkruar në latinisht dhe e botuar në Romë rreth viteve 1508-10. Kjo vepër në kohën e vet u ribotua latinisht tri herë dhe u përkthye në disa gjuhë evropiane. U përkthye në anglisht për herë të parë në vitin 2012 si The Siege of Shkodra.

Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut ("Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarvm principis", botuar në Romë midis viteve 1508 dhe 1510). Është vepra madhore e Marin Barletit. Ajo e tregon autorin si një shkrimtar të nivelit të lartë dhe si historian që përpiqet të ndërtojë kuadrin e saktë të jetës së heroit dhe, me gjithë vështirësitë objektive për të siguruar burimet, jep njohuri të gjera për «Ç'ka ngjarë në shek.XV dhe çfarë zhvillimi ka pasur në atë kohë shoqëria jonë, fshatarësia shqiptare, jo vetëm nga ana historike, por edhe nga ana kulturore, ekonomike dhe drejtime të tjera». Autori mbron të drejtën e një populli për të jetuar i lirë, himnizon njeriun dhe forcën e tij, heroizmin njerëzor dhe dashurinë e natyrshme për trojet e të parëve. Duke qenë një vepër historike, libri i Barletit ka rëndësinë për të dhënat dhe faktet që sjell. Pa këtë vepër historiografisë për Skënderbeun do t'i mungonin burimet e para, që e kanë ushqyer dhe vazhdojnë t'a ushqejnë edhe sot. Në disa raste, i rrëmbyer nga entuziazmi që i shkakton kujtimi i ngjarjeve heroike që përshkruan edhe urrejtja për pushtuesin, Barleti i zmadhon ngjarjet e, sidomos ndryshon shifrat e pjesëmarrësve në luftime. Por, prapëseprapë, në thelb dhe në frymën e saj të përgjithshme vepra i përmbahet së vërtetës historike. "Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut" është, në rradhë të parë, një vepër historike, por e shkruar nga një dorë mjeshtri. Stili i gjallë dhe elegant me të cilin e ka shkruar Barleti, e bëjnë atë një vepër edhe me vlerë letrare. Këto vlera qëndrojnë në gjuhën e pasur dhe në figuracionin e pasur, në mjeshtërinë plastike të vizatimit të figurës së Skënderbeut, në frymën patetike dhe vrullin tronditës që përshkon tregimin, si dhe në bukurinë, gjerësine dhe lehtësinë e frazës. Vepra e Barletit përshkruan historinë e luftrave heroike të shqiptarëve, të udhëhequr nga Skënderbeu, kundër hordhive osmane. Atë e përshkon nga fillimi në fund ndjenja atdhetare, krenaria e autorit për vetitë luftarake të popullit të vet, dashuria dhe adhurimi për heroin, që i dha emrin një epoke të tërë në historinë e popullit shqiptar. Vlera më e çmuar që gjen Barleti te bashkatdhetarët e vet, është dashuria për lirinë, për trojet amtare, vendosmëria për të dhënë edhe jetën për mbrojtjen e tyre. Nuk ka gjë më të çmuar për njeriun sesa atdheu, nuk ka detyrë më të shenjtë sesa lufta për ta mbrojtur atë nga i huaji. Kjo është një nga idetë e mëdha të veprës. "Kryeni detyrën ndaj atdheut, për të cilin asnjëherë nuk duhet kujtuar se është derdhur gjak, se është luftuar sa duhet, sepse dashuria për të ia kalon çdo dashurie tjetër", shkruan Barleti. Vepra u bë burim i një literature të gjerë për heroin tonë kombëtar, të shkruar në gjuhë të ndryshme të botës, që nga italishtja, spanjishtja, rusishtja, frengjishtja, greqishtja e deri në japonisht. Fan Noli ka shkruar me të drejtë se vepra e Barletit "fitoi këndonjës anembanë botës dhe e bëri të pavdekshëm kujtimin e Skënderbeut në Evropë". Popullariteti i madh që gëzoi vepra shpjegohet me dy arsye: e para lidhet me subjektin që trajton, me figurën e Skënderbeut, e cila u bë e njohur dhe legjendare qysh në kohën e vet; e dyta qëndron në forcën dhe bukurinë e stilit me të cilin ajo është shkruar, një stil që të rrëmben.

Duke folur për qëndresën e shqiptarëve gjatë shekullit XV, Barleti ka vënë në qendër të veprës së vet protagonistin dhe heroin e saj qendror Gjergj Kastriotin. Kjo figurë është vizatuar me dashuri e ngjyra të gjalla; ajo është dhënë me tiparet që ia njeh historia, pra gjithmonë në frymën e humanizmit e të konceptit humanist për njeriun dhe luftëtarin e lirisë.
Barleti e jep Skënderbeun si personifikim të heroit që mishëron forcën e njeriut, aftësinë dhe bukurinë fizike e morale të kësaj krijese të mrekullueshme, sipas botëkuptimit humanist. Figura e tij del madhështore, si një hero legjendar, simbol i çlirimtarit dhe i mbrojtësit të lirisë, prijës i një populli luftëtar e trim, të dashuruar deri në dhembje me trojet e veta dhe me lirinë.
Luftëtar i ashpër dhe prijës me një zemër të madhe njerëzore, madhështor dhe legjendar - e tillë të mbetet në mendje figura e heroi, skalitur si me daltë nga pena e Barletit.

Përmbledhje e jetës së papëve dhe perandorëve (Compendium vitarum pontificum et imperatorum, Venedik 1553).
Është vepra e vetme e Marin Barleti që nuk ka të bëjë me historinë Shqiptare, përveç parafjalës-kushtesë për Pjetër Engjëllin, një nga bashkëluftëtarët kryesorë të Skënderbeut, i cili e pat nxitur dhe ndihmuar autorin në punën e tij. Vepra i përket Marin Barleti vetëm për pjesën që arrin deri në vitin 1512, kurse vazhdimi është prej një dore tjetër. Është pikërisht kjo datë që na lejon të caktojmë datën e vdekjes së Barletit rreth këtij viti. Libri pati një botim të dytë në vitin 1555, në Venedik. Nga botimi i parë s'ka mbetur asnjë kopje.

Pavarësisht nga një varg dobësish që janë karakteristike në përgjithësi për historiografinë humaniste, siç është fryma panegjirike, fjalimet ekzaltuese që u vihen në gojë heronjve, imitimi i autorëve klasikë deri në hollësitë, pavarësisht nga pasaktësitë kronologjike dhe mungesa e të dhënave për faza e ngjarje të tëra, veprat e Marin Barletit qëndrojnë si një burim i dorës së parë e të pazëvendësueshmt për historinë e shek.XV të Shqipërisë, si dhe të Evropës Juglindore. Krahasimi me të dhënat dokumentare që kemi në dorë sot, na jep të drejtë të themi se nuk qëndrojnë kurrësesi vlerësimet negative të bëra në të kaluarën për vlerën e Marin Barleti si burim. Koncepti i lartë i Marin Barletit për historinë e vërteton atë si një mendimtar të shquar, tek i cili kleriku zhduket prapa humanistit; historia për të ishte fryt i veprimit të njerëzve dhe jo të fuqive hyjnore. Veprën e vet ai e mendonte si një përmendore që ia kushtonte luftës për liri të atdheut dhe popullit të vet; ajo nuk do të kishte një funksion thjesht estetik, por do t'i shërbente së vërtetës, si mësuese e jetës, që do t'i mësonte njerëzit për «të hapur sytë e për të drejtuar si duhet punët e njerëzimit». "Historia e Skënderbeut" e Barletit u bë burimi më i rëndësishëm, nga ku patriotët shqiptarë mësonin historinë e luftërave të lavdishme të popullit tonë nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe frymëzoheshin për përpjekjet e tyre për shpëtimin dhe lirinë e Shqipërisë. Me librin e tij Marin Barleti qëndron në fillimet e letërsisë shqiptare, e cila e nis udhën e saj me një vepër të përmasave të mëdha. Kjo vepër është shkruar në latinisht, që asokohe ishte gjuha e kulturës në Evropë, por ajo i përket kulturës shqiptare, jo vetëm se është shkruar nga një shqiptar, por se është bota shqiptare që i ka dhënë jetë këtij argumenti madhështor të kulturës së hershme të këtij populli të lashtë.

Skënderbeu - nga Ludvig Holberg


-Nga vëllimi "Historia e heronjve" të baronit danez Ludvig Holberg (1684-1754)

"Dikur para pushtimit të Konstandinopolit dhe rënies së principatave lindore, qeveriste në Epir një prijës me emrin Gjon Kastrioti, i cili kishte katër djem, ku më i riu quhej Gjergj, heroi, jetën e të cilit do përshkruaj...

Kur Sulltan Murati turk pushtoi thuajse të gjitha vendet rreth Greqisë, iu desh edhe Gjon Kastriotit të nënshtrohej dhe të japë peng birin e tij Gjergjin së bashku me vëllezërit e tij. Murati i bëri ata synet sipas mënyrës turke dhe Gjergjit i dha menjëherë një emër tjetër, pikërisht Skënderbeg, që do të thotë Aleksandri i Madh, ku tregohet, se çfarë përshtypjeje kishte krijuar ai për këtë epiriot të ri, dhe ai nuk gaboi. Pasi Gjergji mësoi në fëmijërinë e tij me një shpejtësi të admirueshme shkenca dhe gjuhë të ndryshme, çuditërisht turqisht, arabisht, greqisht, italisht dhe ilirisht; dhe kur erdhi pak më tepër në moshë la të kuptojë se s'kishte dëshirë më të vogël për të nxënë ushtrimet ushtarake, kështu që i dha Sulltanit sinjale të tilla dhe ai e bëri atë menjëherë Sanxhak, që ka vlerë thuajse të barabartë me një Pasha. Në moshën 19-vjeçare ai ndoqi luftën në Azi, dhe pas një kohe të shkurtër atij iu dha komanda e një ushtrie; nga ku ai provoi të tregonte një guxim e kurajo të tillë, saqë emri i tij u bë i njohur gjithkund.

Kur ai pas shumë fitoreve u kthye përsëri në Adrianopol, ku ishtë selia e Sulltanit turk, u bë një dyluftim krenarie nga një shqiptar, i cili për t'i lënë njerëzit të shihnin fuqinë dhe burrërinë e tij, sfidoi një nga njerëzit e Sulltanit. Por askush s'kishte dëshirë të kishte të bënte me këtë shqiptar të egër, përjashto Skënderbeun, i cili guxoi të shkonte, dhe me lehtësi fitoi në këtë beteje të madhe.

...(pas dezertimit të Skënderbeut dhe dështimit të osmanëve herë pas here)...

E gjithë bota po çuditej për fuqinë e Turqisë, që kaq shpesh e kishte tronditur Evropën dhe Azinë, të thyhej nga një provincë e vogël; një shembull i çuditshëm se si cilësitë dhe zotësitë e një njeriu, të një vendi të vetëm mund të bënin. Murati e vuri re tani se çfarë rëndësie kishte fakti që Skënderbeu ishte armiku i tij, ndaj dhe vendosi ta drejtonte luftën në një mënyrë tjetër, që s'e kishte bërë më parë, dhe krijoi idenë se në personin e Skënderbeut ai kishte të bënte me të gjithë krishtërimin dhe njëkohësisht Persinë, në mënyrë që të mos ishte vetëm e nevojshme të krijonte një ushtri të madhe, por edhe ta drejtonte atë vetë.

... Kur Skënderbeu ishte pranë vdekjes, shtrirë dhe me temperaturë të lartë, ndodhi një sulm i ri turk. U hodh përpjetë nga krevati dhe deshi të armatosej përsëri sipas zakonit, por pafuqia s'e la ta bënte diçka të tillë, prandaj dhe u shtri në krevat dhe vdiq pak kohë më pas. Mund të thuhet për këtë burrë, se ai ishte heroi më i madh, dhe askush, as në historinë e vjetër dhe as në atë të re nuk mund të krahasohet me të. Pasi asgjë nuk është më e çuditshme se sa të shohësh një princ të vogël me një grusht njerëzisht të drejtojë luftën kundër dy monarkëve, nga të cilët Persia, Egjipti dhe e gjithë Evropa u dridhën dhe u tmerruan. Ai i shkatërroi plotësisht 20 ushtri të fuqishme, vetë shumicën e komandantëve dhe luftëtarëve, që e sfiduan atë, me dorën e vet. Dhe shkruesit e kohës dëshmojnë, se në këto konflikte ai ka vrarë rreth 3000 vetë me shpatën e tij, gjë që është më shumë se ç'mund të thuhet për çdo njeri tjetër mbi tokë. Zotësia dhe burrëria e tij u shoqërua nga mëshira dhe butësia. Ai kishte një zell të veçantë për besimin kristian dhe kjo duket nga të gjithë letrat e tij, se ai i dha vetes titullin: Gjergj Kastrioti, Luftëtari i Krishtit. Historia e tij është përshkruar nga shumë, por e përkryer është historia e një epirioti, Marin Barletit, në 13 vëllime, të cilët unë i kam ndjekur nga afër. I njëjti Barlet dëshmon se qëkur turqit e pushtuan atë qytet, ku ai ishte i varrosur, nxorrën eshtrat e tij nga varri e i ndanë copa-copa dhe i përdorën ato si relike të shenjta duke i varur rreth qafës e duke kujtuar se fati dhe bekimi do i ndiqte më pas.

Me një fjalë mund të thuhet: Skënderbeu ishte luftëtari, prijësi dhe njëkohësisht heroi më i madh në histori."

COMMENTS