Pashko Vasa - O Moj Shqypni

pashko vasa o moj shqypi
O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush të ka qit me krye n'hi?
Ti ke pas ken nji zoj e rand,
Burrat e dheut të thirrshin nan.
Ke pasë shum t'mira e begati,
Me varza t'bukra e me djelm t'ri,
Gja e vend shum, ara e bashtina,
Me arm të bardha, me pushk ltina,
Me burra trima, me gra t'dlira
Ti ndër gjith shoqet ke ken ma e mira.

Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i Shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka ken për luft e n'luft ka dekun
E dhunë mrapa kurr s'i ka metun.
Kur ka lidh besën burri i Shqypnis,
I ka shti dridhën gjith Rumelis;
Ndër lufta t'rrebta gjithkund ka ra,
Me faqe t'bardh gjithmon asht da.

Por sot, Shqypni, pa m'thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem për dhe!
Shkon, bota sipri, me kamb, e shklet
E nji fjal t'ambël kurrkush s'ia flet.
Si mal me bor, si fush me lule,
Ke pas ken veshun, sot je me crule
E nuk t'ka metun as emn as bes,
Vet e ke prishun për faqe t'zez.

Shqyptar, me vllazën jeni t'u vra,
Ndër nji qind çeta jeni shpërnda;
Sa thon kam fe, sa thon kam din,
Njeni: jam turk, tjetri: latin
Do thon: Jam grek, shkje disa tjer,
Por jeni vllazën, t'gjith more t'mjer!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju da e me ju vorfnue.
Vjen njeri i huej e ju rri n'votër,
Me ju turpnue me grue e me motër;
E për sa pare qi do t'fitoni,
Besen e t'parëve t'gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t'huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.

Kjani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zok ndër leqe!
Kjani ju trima, bashk me ne,
Se ra Shqypnija me faqe n'dhe,
E s'i ka metun as buk as mish,
As zjarm në votër, as drit, as pish,
As gjak në faqe, as nder ndër shok,
Por asht rrëxue e bamun trok!

Mblidhnju ju varza, mblidhnju ju gra,
Me ata sy t'bukur q'dini me kja,
Eni t'vajtojm Shqypnin e mjer
Qi met e shkret pa emn, pa nder,
Ka met e vej si grue pa burr,
Ka met si nan, qi s'pat djal kurr!

Kujt i ban zemra me e lan me dek,
Kët far trimneshet qi sot asht mek?
Ket nan të dashtun a do ta lam,
Qi njeri i huej ta shklas me kamb?

Jo, jo! Kët marre askush s'e do,
Kët faqe t'zez gjithkush e dro!
Para se t'hupet kështu Shqypnija,
Me pushk në dor le t'des trimnija!

Çonju, shqyptar, prej gjumit çonju,
Të gjith si vllazën n'nji bes shtërngonju,
E mos shikjoni kish e xhamija,
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!

Qysh prej Tivarit deri n'Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap edhe rrezë,
Asht toka e jona, t'part na e kan lan,
Kush mos na e preki, se desim t'tan!
Desim si burrat qi diqne motit,
E mos turpnohna përpara Zotit!

COMMENTS