Pashko Vasa - O Moj Shqypni

pashko vasa o moj shqypi
O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush të ka qit me krye n' hi?
Ti ke pas ken nji zoj e rand,
Burrat e dheut të thirrshin nan.
Ke pasë shum t' mira e begati,
Me varza t' bukra e me djelm t' ri,
Gja e vend shum, ara e bashtina,
Me arm të bardha, me pushk ltina,
Me burra trima, me gra t' dlira
Ti ndër gjith shoqet ke ken ma e mira.

Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i Shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka ken për luft e n' luft ka dekun
E dhunë mrapa kurr s' i ka metun.
Kur ka lidh besën burri i Shqypnis,
I ka shti dridhën gjith Rumelis;
Ndër lufta t' rrebta gjithkund ka ra,
Me faqe t' bardh gjithmon asht da.

Por sot, Shqypni, pa m' thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem për dhe!
Shkon, bota sipri, me kamb, e shklet
E nji fjal t' ambël kurrkush s' ia flet.
Si mal me bor, si fush me lule,
Ke pas ken veshun, sot je me crule
E nuk t' ka metun as emn as bes,
Vet e ke prishun për faqe t' zez.

Shqyptar, me vllazën jeni t' u vra,
Ndër nji qind çeta jeni shpërnda;
Sa thon kam fe, sa thon kam din,
Njeni: jam turk, tjetri: latin
Do thon: Jam grek, shkje disa tjer,
Por jeni vllazën, t' gjith more t' mjer!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju da e me ju vorfnue.
Vjen njeri i huej e ju rri n' votër,
Me ju turpnue me grue e me motër;
E për sa pare qi do t' fitoni,
Besen e t' parëve t' gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t' huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.

Kjani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zok ndër leqe!
Kjani ju trima, bashk me ne,
Se ra Shqypnija me faqe n' dhe,
E s' i ka metun as buk as mish,
As zjarm në votër, as drit, as pish,
As gjak në faqe, as nder ndër shok,
Por asht rrëxue e bamun trok!

Mblidhnju ju varza, mblidhnju ju gra,
Me ata sy t' bukur q' dini me kja,
Eni t' vajtojm Shqypnin e mjer
Qi met e shkret pa emn, pa nder,
Ka met e vej si grue pa burr,
Ka met si nan, qi s' pat djal kurr!

Kujt i ban zemra me e lan me dek,
Kët far trimneshet qi sot asht mek?
Ket nan të dashtun a do ta lam,
Qi njeri i huej ta shklas me kamb?

Jo, jo! Kët marre askush s' e do,
Kët faqe t' zez gjithkush e dro!
Para se t' hupet kështu Shqypnija,
Me pushk në dor le t' des trimnija!

Çonju, shqyptar, prej gjumit çonju,
Të gjith si vllazën n' nji bes shtërngonju,
E mos shikjoni kish e xhamija,
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!

Qysh prej Tivarit deri n' Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap edhe rrezë,
Asht toka e jona, t' part na e kan lan,
Kush mos na e preki, se desim t' tan!
Desim si burrat qi diqne motit,
E mos turpnohna përpara Zotit!

COMMENTS