Pashko Vasa - Vaso Pasha Shkodrani

Ndër pionierët e parë të rilindjes kombëtare, që me shkrime të çmueshme zgjuan ndër zemra të vëllezërve të tyre dashurinë për Atdhe e për gjuhë dhe i vunë të parin gur themeli pavarësisë shqiptare, është edhe Pashko Vasa, i njohur gjithandej me emrin Vaso Pasha Shkodrani.

Jeta e këtij atdhetari kreshnik është një simbol heroizmi e patriotizmi jo vetëm për vendin e vet, por edhe për tokën italiane, për liri të së cilës mori pjesë si vullnetar më 1849 në kryengritjen e Venedikut.

Pashko Vasa, Vaso Pasha Shkodrani
Pashko Vasa lindi në Shkodër më 17 shtator 1825. Prindërit e tij ishin Hilë Vasa (Hila i Gjokë Vasës me origjinë nga Mirdita) e Drande (Rozë) Gjergja. Motra e tij do ishte e ëma e Imzot Luigj Bumçit. Të parët e fisit të tij, nga i ati, kishin lëvizur nga Mirdita dhe ishin vendosur në Shkodër.

Pashko Vasa që në vogëli shfaqi një mendje të hollë, një vullnet të fortë e një prirje për studime. Mësimet e para i kreu në vendlindje por kohën e rinisë nuk e kaloi nëpër bankat e shkollës. Zuri shumë nga aftësitë e veta.

Në vitin 1847 e gjejmë nëpunës në konsullatën britanike në Shkodër. Këtu iu dha rasti të formojë edhe më tepër kulturën e tij. Rrinte në mbrëmje deri vonë në zyrë duke punuar e studiuar. Përfitoi shumë nga punët zyrtare që i binin në dorë, zgjeroi njohuritë në tregti dhe në të drejtat ndërkombëtare e me anë të leximeve të pandërprera të veprave klasike të letërsisë italiane e franceze mësoi të flasë e të shkruajë mirë në italisht e frëngjisht.

Në vitin 1848 erdhën në Shkodër disa italianë të cilët ndiqeshin për arsye politike nga qeveria e Burbonëve. Konsullata Britanike ishte një strehë e sigurt për këta të arratisur, aty gjetën mbrojtje dhe ndihma. Pashko Vasa u bë një shok i tyre i pandarë. Bisedat e thekshme mbi vuajtjet e përpjekjet e popullit italian për liri përkitën zemrën e këtij djaloshi e ngjallën tek ai urrejtje kundra qeverive despotike që shkelin të drejtat e shenjta të kombeve. Po në atë vit populli i Venedikut rroku armët, dëboi austriakët e shpalli Republikën, duke formuar një Qeveri të Përkohshme nën udhëheqje të statistit Daniele Manin. Pashko Vasa me entuziazëm iu përgjigj zërit të këtij populli; la vendin e vet dhe prindërit, e iku të luftojë për lirinë e Venedikut. Për merita e zotësi, në shërbim të kësaj çështje, e emërojnë Oficer i Ushtrisë së shtetit. Më 4 maj 1849, së bashku me legjionarët italianë, luftoi me heroizëm në Marghera. Për trimërinë e shfaqur në këtë betejë u shpërblye me medalje.

Në Venedik Vaso Pasha gëzoi shumë miqësira. Kishte takime me krerët e lëvizjes kombëtare e me atdhetarin dhe shkrimtarin e njohur Nicolò Tommaseo, i cili ishte atëkohë Ministër i Arsimit i Qeverisë së Përkohshme. Në familjen e Kontit Annibale Vimercati është pritur dhe është ftuar për darkë si një mik i ngushtë.

Mbas pesë muaj qëndresë qyteti i Venedikut, lodhur më tepër prej urie e nga kolera, ra përsëri në duart e austriakëve. Kryengritësit italianë dolën me armë në dorë; oficerëve të huaj iu ishte dhënë urdhër që të lënë qytetin brenda 24 orëve.

« Austriakët hynë përsëri në Venedik me 28 gusht e unë u nisa me disa shokë të tjerë për Ankonë me ndjet qi prej këndej me vojtë në Stamboll » - shkruan Pashko Vasa në "La mia prigionia", f. 150.

Mbas një udhëtimi të gjatë e me plot peripeci mbërriti në Konstandinopojë (me këtë emër është njohur Stambolli deri në mes të shekullit të njëzetë), që në atë kohë ishte kryeqyteti i Turqis (Ankara u zgjodh si kryeqytet më 29 tetor 1923). Pashko Vasa u gjend krejt i vetëm në atë qytet të madh, nuk njihte asnjë njeri. Ditët e para i kaloi me shumë vështirësi, vuajti edhe për bukën e gojës, por nuk u ligështua shpirtërisht. Pas pak kohe gjeti një vend pune në një shoqëri që merrej me tramvajet. Më vonë gjeti një punë më të mirë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Qeverisë Turke. Në rangje të ndryshme të këtij dikasteri me rëndësi, Vaso Pasha u shqua për zotësi të veçanta e si një person me kulturë të gjerë. Sulltan Hamidi, duke e çmuar si burrë të ndershëm, me karakter dhe të aftë për administratë e qeverisje, në vitin 1883 emëroi Pashko Vasën guvernator të plotfuqishëm në Liban. Atje jetoi deri në vdekje, në vitin 1892. Eshtrat e tij u sollën në Atdhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Vaso Pasha, ndonëse jetoi shumë kohë larg vendit të vet, në zemër ndiej shqiptar i vërtetë. Asnjëherë nuk i harroi traditat, kulturën dhe tokën shqiptare. Thuhet se njëherë e thirri Sulltani dhe i tha se donte ta çonte Vali në Kosovë, ku gjendja ishte pak e turbullt, iu përgjigj: « Madhëri, jam një nëpunës i Perandorisë e mundohem t'i shërbej me zell të sinqertë; por jam Shqiptar e nëse më detyron Madhëria e Juaj të shkoj atje, më shtrëngon të bëj një tradhti: do të tradhtoj Perandorinë ose do të tradhtoj atdheun tim ». Sulltani nuk e zgjati më dhe e nderoi për besnikëri e burrëri.

Në Stamboll Pashko Vasa nisi të punojë për gjuhë e për atdhe. Bashkë me Sami Frashërin, Koto Hoxhin, Joan (Jani) Vreton e të tjerë atdhetarë toskë e me bashkëqytetarët e vet Ndoc Xhuxha, Nikollë e Gjon Bonati themeluan në vitin 1879 me miratim të Sulltanit shoqërinë "Drita", me qëllim që të përhapej mësimi i gjuhës shqipe nëpërmjet librave dhe shkollave. Në abetarin, që u botua në atë vit e që është pema e parë e kësaj shoqërie, gjendet një prozë e bukur me titull "Shqypnija e Shqyptarët" e shkruar në një shqipe të pastër e të thjeshtë.

Me këngën popullore "O moj Shqypni" që e shkroi në një kohë kur Shqipëria ishte nën sundimin robërues osman, e në të cilën u këndon kohërave të lume dhe vajton fatin e mjerë të atdheut, Pashko Vasa ndezi në shumë zemra të atdhetarëve ndjesi fisnike atdhedashurie dhe i nxiti të punojnë për gjuhën shqipe e për liri të Shqipërisë.

Në italisht ka botuar një përmbledhje me vjersha me titull "Rose e spine" dhe librin "La mia prigionia" ku përshkruan rrethimin e Venedikut. Botimet në frëngjisht janë: "Gramatika shqipe", që është gjithnjë i vlershëm për studiuesit e gjuhës, e libri "E verteta mbi Shqipnin dhe Shqiptarët", vepër që ka më tepër vlerë si dokument historik i periudhës së Lidhjes së Prizrenit.
Për këtë vepër Pashko Vasa ka meritë të madhe, pse ishte një ndër të parët Shqiptarë që i bëri të njohur shteteve të Evropës vuajtjet dhe të drejtat e kombit tonë dhe i tërhoqi vërejtjen mbi çështjen shqiptare.
Zë vend bashkë me këto punime edhe libri "Bardha e Temalit" të cilin e botoi në Paris me pseudonim Albanus Albano.

Botimet e Pashko Vasës


"Shqypnia e Shqyptarët" - gjendet në librin "Alfabetare e gjuhës shqipe", botuar në Kostandinopojë në vitin 1879; 8°; f. 136. Këtë shkrim e botoi edhe Prof. D. Gaspër Jakova në veprën "Gramatica della lingua albanese" - f. 148-165 - dhe u përkthye në italisht nga Milo Shini (Terenc Tocci) "L'Albania e gli Albanesi", botuar në Corigliano Calabro në vitin 1916; 8°; f. 32.

"Rose e spine" - Përmbledhje me vjersha në italish, botuar në vitin 1873 në Konstandinopojë.

"Bardha e Temalit" - Botuar në Paris në vitin 1890, f. 336.

"La mia prigionia" - Episod historik i rrethimit të Venecias, botuar në Konstandinopojë në vitin 1850, f. 150.

"ËTUDE SUR L'ALBANIE ET LES ALBANAIS" - Botuar në Konstandinopojë në vitin 1879; 8°; f. 113.
Po atë vit kjo vepër u botua edhe në Paris me këtë titull: "La verité sur l'Albanie et les Albanais - Etude historique et critique par Wassa Effendi, fonctionnaire chrétien albanais" - Paris; 1879; 8°; f. 103. Kjo vepër historike është përkthyer në disa gjuhë si: gjermanisht, turqisht e shqip.

"Albanien und albanesen" Eine historische Studie - Botuar në Berlin në vitin 1879; 8°; f. 68.

"Arnaudlluk ve arnautllar" Muharriri seadetlu Vassa efendi hazëretlleri Myterxhimi A. D. Veli - Botuar në Stamboll në vitin 1937; f. 148. Përkthyesi i librit nga frëngjishtja është Ali Danish bej Prishtina.

"E VERTETA MBI SHQIPNINË DHE SHQIPTARËT" - Botuar në Tiranë në vitin 1935, përkthyer nga Mehdi Frashëri.

"GRAMMAIRE ALBANAISE" à l'usage de ceux qui dèsirent apprendre cette langue sans l'aide d'un maître. par P. V. - Botuar në Londër në vitin 1887; 8°; f. 8-169.

COMMENTS