Astrit Hafizi

astrit hafizi vllaznia shkoder
Astrit Hafizi lindi në Shkodër më 15 shtator 1953. Futbollist i njohur, kampion, fitues kupash, ish-trajner i Kombëtares së Shqipërisë.

Nëpër Shkodër me Hafizin


- Nga Fatos Baxhaku / Gazeta "Shqip"

Në udhëtimin e kësaj jave do ta ndiejmë veten më të qetë. Nuk do të na duhet, sikurse na ndodh rëndom, që të pyesim shumë vetë e të jemi në kërkim të gjërave që nuk i kemi parë ndonjëherë. Kësaj radhe kemi me vete një udhërrëfyes, të specializuar madje. Jemi nisur për në Shkodër në shoqërinë e njërit prej shkodranëve më të njohur, Astrit Hafizit, futbollistit të njohur të Shkëndisë e Vllaznisë, kampion, fitues kupash, ish-trajner i Kombëtares së Shqipërisë. Hafizi jeton në Tiranë që prej 1995. Këtë herë ai shkon në Shkodër, jo për punë, por thjesht për t'u çmallur me njerëzit dhe me qytetin e tij të lindjes.

Në anë të Drinit mbërrijmë "nadje heret", kështu i thonë shkodranët mëngjesit. Teksa pimë një kafe të shpejtë përballë lumit më të madh të Shqipërisë na kujtohet se sa i furishëm ishte kjo rrjedhë, sot e paqtë, vetëm para disa muajsh. "Atje matanë ishte vendi ku bëhej plazh në lumë. Disa vinin me autobus, por shumica me biçikletën e pandashme - nis të kujtojë Astriti - atje ku sot ai muri prej guri ka qenë një si shesh i madh ku rrinin plazhistat. Akoma më rrënqethet trupi kur kujtoj se sa i ftohtë ishte uji i Drinit".

Në Shirokë me portierin e vjetër.


"O Astrit Hafizi, o ty ta marrsha t'keqen. Mirë se na ke ardhë. A t'ju qes nji kafe?". Këtë shprehje do ta dëgjojmë thuajse kudo, në anë të lumit, ndër cepa portash të vjetra, ndër oborre plot lule të rrethuar nga mure të lartë, në kioska të thjeshta ku mblidhen tifozët e zjarrtë... Kështu na ndodh sapo mbërrijmë në Shirokë. Më shumë se fshat Shiroka e peshkatarëve në anë të Liqenit të Shkodrës është konsideruar gjithherë si një lagje e qytetit. Prej saj kanë dalë klerikë të lartë, mjekë, muzikantë, mësues. "Udhërrëfyesin" tonë me Shirokën e lidhin plot kujtime. Ndalojmë para një godine dykatëshe, thuajse të rrënuar. Era, që fryn nga liqeni, luan me kanatat pa xhama e gjysmë të kalbura. Nuk e kemi të vështirë të kujtojmë stilin e dikurshëm të kabinave shtetërore ku njerëzit ndërroheshin çdo dy javë gjatë beharit. "Këtu grumbulloheshim para ndeshjeve të rëndësishme - thotë Astriti - para ndeshjeve ndërkombëtare, finaleve ose atyre me skuadrat e forta, të kryeqytetit sidomos. Disiplina ishte e fortë. Duhej të stërviteshim e të mbanim regjim të rreptë. Nuk na lejohej kontakti me tifozët. Duhej të ishim krejt të qetë. Nuk kishim ndonjë komoditet kush e di se çfarë. Një banjë në fund të korridorit dhe ato krevatet prej marinarësh. Por më vika keq që është katandisur kështu. Kam shumë kujtime që lidhen me Shirokën e veçanërisht me këtë godinë". Astriti nuk ka kohë të trishtohet gjatë. Një burrë i veshur me tutat e Vllaznisë e thërret që nga matanë rrugës. Ai është Paulin Ndoja, një tjetër legjendë e futbollit shkodran. Paulini ka qenë portier. Deri vonë stërviste portierët e Vllaznisë. Të dy, Hafizi dhe Ndoja, kanë qenë kolegë si trajnerë të Vllaznisë. Në anë të liqenit përshëndetjet e para kalojnë shumë shpejt. Pastaj biseda shkon shpejt e shpejt te gjendja e skuadrës. Një humbje e fundit është konsideruar nga të gjithë tifozët si shumë e çuditshme dhe aspak dinjitoze. Të dy miqtë e vjetër kujtojnë emra, skema, data... dhe të dy përsërisin shpesh thuajse në një gojë: Eh, si shkoi kjo punë kështu!

Vendlindja: Parrucë

Parruca është një ndër lagjet më të mëdha e më të njohura të Shkodrës. Historianët thonë se është themeluar diku aty rreth viteve '70 të shekullit XVIII nga pasardhësit e një agai, Sali Parrucës. Mbiemri i tyre i mbeti më pas të gjithë lagjes. Është një zonë që ka një histori të gjatë e të komplikuar. Tani është vështirë të gjesh shtëpi të vjetra, nga ato tipiket shkodrane. Ato fshihen pas pallateve që u ndërtuan në vitet '60-'70. Njëra prej tyre është edhe shtëpia ku në 1953 lindi Astrit Hafizi, fëmija i parë i Shuaip Hafizit. Vetëm pak metra mbas xhamisë së re në Parrucë nisin në fillim kërkimet për shtëpinë dhe pastaj për çelësin. Astriti e ka të vështirë të orientohet në lagjen e ndryshuar. Por njerëzit e njohin dhe e ndihmojnë. Pas një telefonate mbërrin edhe çelësi. Dera prej hekuri hapet me mundim dhe para nesh shfaqet... një gërmadhë. Shtëpisë së lindjes i ka mbetur vetëm fasada. Astriti sillet një copë herë në mes të gërmadhave që dikur ishin shtëpia e tij e lindjes. "Këtu kam lindur unë - thotë - kjo shtëpi dikur e një familjeje të njohur e të kamur ishte shtetëzuar. Jetonim disa familje bashkë. Këtu kam jetuar deri në moshën 13-vjeçare". Nga oborri i shtëpisë së rrënuar dallohen fare qartë minaretë e xhamisë së Parrucës. "Për herë të parë futboll kam luajtur në oborrin e asaj xhamie - vazhdon Hafizi - mbaj mend që kapërceja një mur guri dhe hidhesha matanë. Sa e sa herë më ka qortuar mamaja. Kishte frikë se mos lija detyrat pa bërë. Pastaj ju mund ta merrni me mend se si ishim kur mbaronte loja. Vetëm sytë na dukeshin në fytyrë".

Ca më lart, mbrapa shëtitores, që vendasit këmbëngulin ta thërrasin me emrin e vjetër "Piaca", Astriti bën me dorë nga një pallat gjashtëkatësh që lartësohet bashkë me dy të tjerë pas një parku që ka nisur të tkurret nga ndërtimet. "Duhet të kem qenë 13 vjeç kur kemi ardhur këtu. Mbaj mend që në rrugë improvizonim dy porta dhe luanim gjatë. Asokohe nuk kishte makina. Ndalonim vetëm kur kalonte makina e Sekretarit të Parë. Vetëm kur kthehej ai në shtëpi e ndërprisnim lojën. Makinë tjetër nuk mbaj mend të ketë kaluar në këtë rrugë. Pastaj, atje ku shihni sot Kishën Ortodokse, u ndërtua një fushë basketbolli e volejbolli. Kësaj i thonim Fusha e Zezë, sepse ishte me qymyr të shtypur. Këtu bëheshim për faqe të zezë. Nga kjo lagje kam ikur fare fëmijë për të vazhduar shkollën në Tiranë dhe jam kthyer në 1972. Në këtë pallat kam kaluar pjesën më të madhe të moshës me të cilën lidhet pjesa më e rëndësishme e karrierës time si futbollist". Ne rrimë e vrasim mendjen një copë herë se ku mund të luajnë sot fëmijët e lagjes. Mbi rrugën ku dikur kalonte vetëm makina e Sekretarit tani nuk pushojnë makinat. Fusha e Zezë është bërë kishë...

Me axhën në Perash.

Nga Parruca shkojmë në Perash. Kjo është një tjetër lagje e madhe e Shkodrës së vjetër. Është e banuar nga myslimanë e katolikë. Thuhet se emri i saj vjen nga një i quajtur Pera, një ortodoks që ishte vendosur ndër të parët (mbase aty nga mesi i shekullit XVI) në këtë pjesë ende të pabanuar të Shkodrës mesjetare. Të ardhurit e tjerë të të dy besimeve nuk ia ndërruan emrin lagjes që quhet edhe sot e kësaj dite Perash e që ndahet në dy pjesë: Perashi i Madh dhe Perashi i Vogël. Pikërisht diku afër qendrës, ku ngrihet monumenti i Isa Boletinit, banon Ejup Hafizi, xhaxhai i Astritit, që në Shkodër thirret "axha". "Të ndjek, të ndjek në televizor dhe çmallem" i thotë xhaxhai nipit. "Ky është ndër njerëzit që më ka qëndruar më afër gjatë gjithë karrierës time. Ky edhe im atë. Por ndërsa babai ishte më i rreptë kur nuk luaja mirë, ose kur humbja në ndonjë rast, axha Jup gjithmonë më ka qetësuar, është treguar më i butë. Ishte si me thanë një lloj ekuilibruesi". Të dy përloten teksa kujtojnë babanë e ndjerë të Astritit. I lemë për pak kohë vetëm teksa bisedojnë për gjëra të së shkuarës dhe të sotmes.

Miqtë e vjetër.

Më vonë do ta kuptojmë përse njerëzit e takojnë Astritin jo vetëm me mall e me respekt. Takimet e tyre na kanë lënë edhe një shije tjetër. Në sytë e tyre duket edhe një fije shprese, sidomos kur pyesin: ke dalë për punë këndej, apo për qejf? Më vonë do të mësojmë se po atë ditë presidenti i Vllaznisë kishte shkarkuar trajnerët. Për koincidencë Hafizi kishte mbërritur në Shkodër të njëjtën ditë. Ja përse ajo fije shprese në sytë e njerëzve. Shumëkush kujtoi se ai do të kthehej në krye të Vllaznisë.

Një copë herë e kalojmë në stadiumin "Loro Boriçi" të Shkodrës. Këtu Astriti takon Agim Medien, një shok i vjetër i shkollës dhe i futbollit, aktualisht sekretari klubit "Vllaznia". Në stadiumin e zbrazur Astriti na tregon foto të vjetra: Këtu me Austrinë e Vjenës, këtu kur fituam Kupën në finale me Kavajën, këtu me Tiranën kur la futbollin Petrit Dibra, këtu kur kam qenë me ekipet e moshës fare i vogël...

Dikush prej nesh vihet në portë në rolin e portierit. Astriti gjuan nga pika e njëmbëdhjetëmetërshit dhe topi përfundon në trekëndësh. "Edhe Buffon të ishe nuk do ta prisje", bën shaka ai. "Mirë, mirë, hëngra gol, por të paktën ma shënoi Astrit Hafizi, jo kushdo!, mundohet të justifikohet portieri ynë i turpëruar.

Biçikletat nuk rreshtin edhe në anë të Liqenit. Këtu mbas Bexhistenit (pazarit të mbyllur), nën hijen e Rozafës së lashtë takojmë Ramazan Rragamin, lojtar e trajner i famshëm i Vllaznisë. Të dy miqtë kanë luajtur vetëm një herë bashkë, por kur ishin kundërshtarë. Rragami me Vllazninë dhe Hafizi me fanellën e Vllaznisë. Të dy i lidh një miqësi dhe bashkëpunim i gjatë, por ka edhe më shumë se kaq. Kur Rragami la futbollin në 1975, fanellën e tij me numër 5 e mori Hafizi. Të dy miqtë bisedojnë për futbollin, për shëndetin e miqve dhe të shokëve, për punët. Rragami e çdramatizon disi situatën e Vllaznisë. "Nuk duhet me u mërzitë kaq fort - thotë mjeshtri - futbolli i ka edhe këto. Ajo që më shqetëson më shumë mua është fakti që sot lojtarët nuk janë të lidhur me qytetin. Kur luanim ne dikur nxirrnim në fushë shpirtin e krejt Shkodrës. Ne ishim shumë të lidhur me njerëzit, me dëshirat dhe hallet e tyre, me humorin e tyre. Në një farë kuptimi një futbollist nuk është vetëm një sportist dhe aq. Ai duhet të jetë në radhë të parë edhe një figurë sociale dhe qytetare. Kjo nuk ndodh. Futbollistët tanë nuk e njohin tifozerinë, në një kohë që kanë në krah një qytet të mrekullueshëm që kurrë nuk i ndahet stadiumit".

Te trajneri i parë.

Diku andej nga rruga e stacionit të trenit, afër godinës ku dikur ishte Dega e Punëve të Brendshme, sillemi një copë herë vërdallë me Astritin. Një labirinth rrugicash mes pallateve të reja na e pengon pamjen. "Kisha qejf me ju tregu fushën e parë të madhe ku kam luajtur me ekipet e Pallatit të Pionierit", thotë Astriti. Më kot mundohemi. Fusha nuk po gjendet. Atëherë na vjen në ndihmë njëri prej banorëve. "Po fusha nuk asht ma mor Astrit, ça kujtove ti! A e shef ate godinën e madhe atje? Atje ka kenë fusha ku keni pas lujtë ju. Tesh asht ba nji kuvend murgeshash". Fusha nuk është më, atëherë Astriti kërkon të takojë trainerin e tij të parë. Ky quhet Zydi Bakalli, mbi të 80-at. Është pikërisht ky që përzgjidhte talentet që më pas do të bëheshin të famshëm me Vllazninë. Hyjmë edhe një herë në Shkodrën e vjetër, përgjatë rrugicave të gurta. Trajneri ka ndryshuar shtëpi kështu që na duhet të shkojmë në një lagje që quhet "Fusha e Çakajve". Kjo është një lagje me shtëpi të ulëta të mbushura plot lule. Në rrugicat e saj fëmijët luajnë futboll më të patrazuar se "djemtë e pallateve". Emri i saj nuk ka lidhjen me çakallin, kafshën grabitqare, sikurse të shkon fillimisht ndërmend. Kjo lagje e ka marrë emrin nga fisi që e pat themeluar shekuj përpara. Ky fis quhej Çaku.
Mësuesi i vjetër përlotet kur sheh nxënësin në derën e tij. "Ma ke shtu jetën - thotë i prekur - deri tesh kurrkush nuk më kishte kujtu".

Futbolli njësoj si buka.

"Mos u çuditni. Kjo ka qenë shtëpia e Musa Jukës, ish-ministrit të Brendshëm të Zogut". Besnik Çinari, aktori i njohur i Estradës së Shkodrës mundohet të na e largojë habinë, ndërsa hyjmë në oborrin e tij gjigand të mbushur me pemë e lule. "Besa", sikurse e thërrasin të gjithë në Shkodër, është ndër ata tifozë që e kanë ndjekur Vllazninë kudo. "Sa herë na kanë rrahë e na kanë çu n'polici. Na nuk hekshim dorë. Ktu n'Shkodër futbolli asht njisoj si buka. Ky qytet nuk mundet me jetu pa te. Vetëm se zemrën që kanë pasë Astriti dhe ata të brezit të tij nuk po e shofim ma. T'vjen marre kur shef neshje si ajo e fundit". Jetë e mot në Shkodër futbolli është trajtuar një pjesë fort e rëndësishme e jetës qytetare, njësoj si muzika, teatri, estrada, piktura. "A e dini pse Shkodra asht kaq e ndjeshme ndaj futbollit? - na pyet Besa - sepse ktu kurr nuk asht da prej pjesës tjetër të kulturës. Sporti, futbolli nuk janë gjana të dorës së dytë, sikurse mund të thotë ndonjë, janë pjesë, dhe e rëndësishme fort madje e krejt kulturës". Besa nuk ka se si të mos e mbyllë bisedën me humor. "A e dini se ça bërtiti njeni prej tribunet? Në nji moment thuajse krejt tifozat ishin të pakënaqun me portierin Grima. Hiqe, hiqe, bërtitshin. Kur ra qetsi u kujtu njeni e tha: Po ti hiqe more zoto. Ne kena heke Heronjte e Vigut e s'po mujtkena me hekë nji Grimë!".

Lagja Dërgut ka një histori të gjatë. Në historinë osmane përmendet në krah të Timurit të famshëm një fis me emrin Dërguti. Në Turqi, pranë qytetit Ajdin, ndodhet ende një banim i quajtur Dërgut. Thuhet se themeluesit e kësaj lagjeje të madhe janë ndër të parët anadollas që u vendosën këtu pas pushtimit osman të Shkodrës më 1479. Edhe në lagjen e mbushur me shtëpi karakteristike kanë nisur të ngrenë krye vende-vende pallatet e lartë. Në Dërgut, në shtëpinë e tij, takojmë Gëzim Krujën, aktorin e njohur të humorit, edhe ky tifoz me namë i Vllaznisë. Hafizi e Kruja ruajnë një miqësi të fortë që prej shumë kohësh. Të dy bashkë kujtojnë kohët e shkuara, kur çdo të shtunë në radhën e parë të estradës ishte ekipi i futbollit. Një ditë më pas, të dielën ishin humoristët shkodranë, tifozë të pashoq, në radhën e parë të tribunës.

Shëtitja jonë nëpër Shkodër mbaron sërish në Parrucë. Këtu, në dyqanin e tyre të stërmbushur me foto futbolli, prej vitesh të tëra punojnë dy këpucarët-tifozë: Shaba dhe Shyqi. Këta mjeshtra rregullonin e mirëmbanin dikur këpucët e lojtarëve të Vllaznisë, pastaj në fushë shihnin rezultatin e punës së tyre. Të dy janë nga ata që e kanë ndjekur nga pas Vllazninë që prej shumë kohësh. "T'marrsha t'kqen Astrit Hafizi - ka brofur në këmbë kur e ka parë Astrin në derën e dyqanit - m'duket se ke ardhe me lajm t'mirë. Vllazninë e kena dobt. A pe se ça u ba me Durrsin. Edhe me ke se! Ne në Durres na kane rrahë. Vetëm falemners disa familjeve që na kanë pshtu. E kta shkojnë e ia lanë atyne. Kjo asht marre! A po e merr ti Vllazninë? Ti munesh me e rregullu. Ti ke dhanë shpirtin për njat skuadër...". Si shumë të tjerë Shaba i mirë trishtohet kur Astriti u shpjegon se nuk ka ardhur për këtë punë. "Ani, ani - thotë duke buzëqeshur me shpirt - u gzume shumë që t'pame. Na kishte marrë fort malli".

Një histori e gjatë...


"... Në fundin e shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX aktivitetet sportive në Shkodër organizoheshin në bazë lagjeje, ndër sheshe: vrapime me kuaj, not, vrapime në natyrë e lojra të tjera popullore. Më vonë këtyre veprimtarive u shtohen loja "top e kambë", pra futbolli, atletika, çiklizmi, basketbolli që u zhvilluan në bazë shoqërish sportive.

Futbolli: Në vitin 1908 është zhvilluar ndeshja e parë e futbollit simbas rregullave ndërkombëtare nën drejtimin e jezuitit austriak A.Rutter. Ndeshja e parë ndërkombëtare kujtohet ajo e vitit 1913 në mes "Indipendenca" dhe ushtrisë austro-hungareze. Organizator dhe kapiten i kësaj skuadre ishte Palokë Nika, të tjerë futbollistë Kolë Hila, Kol Prekalori, Palok Kini, Pashko Fishta, Gac Ashta, Luigj Haleplani etj. Në vitin 1919 krijohet shoqëria "Vllaznija". Më 23.5.1920 "Vllaznija" luan me regjimentin italian. Përsëri organizator e kapiten skuadre ishte Palok Nika, Muhamet Halili, Kol Prekalori etj. Më 1921 ndeshet me skuadrën e Tiranës e më 1922 me atë të Cetinës. Pas vitit 1922 "Vllaznija" shkrihet dhe futbolli luhet në shoqëritë e lagjeve: "Juventus", "Student-Shkodra", "Taraboshi", "Djelmënia shkodrane", "Gjergj Kastrioti", "Lekë Dukagjini", "Hasan Riza", "Malet tona", etj. Veçohen Paç Kovaçi, Frederik Shiroka, Lec Ndreka, Gac Gurashi, Ahmet Ashikja, Luigj Shala, Anton Mazreku, Leni Koliqi, Bahri Kopliku, Rifat Rroji, Refik Shpuza, Qamil Golemi, Qerim Kecaj, Pjetër Gjoka etj...

Atletika: Nis me garën e vrapimit më 1920 në rrugët e qytetit me itinerar: Kafe Park (Kafe e Madhe)-Bardhej. Morën pjesë 9 vetë. Fitues doli Zef Dajçi. Më 13 qershor 1920 gara e vrapimit të 4200 metra fitohet nga Kol Gjoni dhe po atë ditë ecja sportive 4200 metra ka fitues Palok Nikën. Më 4 korrik 1920 nën kujdestarinë e Luigj Gurakuqit, organizohet vrapimi 8 kilometra ku fitues del sërish Palokë Nika. Në Olimpiadën Ndërkombëtare të Zetës (Mali i Zi), në korrik të 1925, marrin pjesë disa sportistë shkodranë dhe fitojnë tre vende të parë: në garën 100-200 metra Ahmet Ashikja, në kërcim së larti Bahri Kopliku dhe në shtytje gjyleje Nikolla Verbica.

Çiklizmi: Gara e parë në këtë lloj sporti mban datën 2 korrik 1920. Ajo është zhvilluar në rrugën Shkodër-Tiranë, 120 kilometra e gjatë. Morën pjesë Gasper Dabërdaku, Loro Nika, Halit Golemi, Ndoc Tivari. Çiklistët u pritën nga kryeministri Sulejman Delvina. Më 1925 organizohet rrethi i parë çiklistik kombëtar, bile i pari në Europë për amatorët...

Basketbolli: Historikisht kjo lojë u luajt në Shkodër më 1920. Në konviktin "Malet tona" u formua skuadra e parë. Këtë lojë e solli Qazim Dervishi e më vonë u luajt në Gjimnazin e Shtetit, te jezuitët, françeskanët etj.

Hipizmi: Kemi shkruar për 'binxhinjtë' (kalorësit e shquar) dhe garat e tyre. Me interes të madh është iniciativa e guximshme e Hasan Xhabisë (Koplikej) për të udhëtuar me kuaj deri në Mekë (Qabe), duke vendosur një rekord në vitin 1734 për hipizmin shqiptar. Si garë e parë në këtë lloj sporti regjistrohet në vitin 1910. Deri në vitin 1930 ato zhvillohen me katër vetë në rrugët: Kryepazar - Tophanë - Garuc, Kryepazar - Kulla e Ali Begut - Parrucë, Fusha e Bunës - Ara e Pashës. Veçohen Maliq Llazani, Bisho Cena, Salo Dani, Ymer Visha, Cuf Spahija, Shaban Myrtja, Sulë Pallosha etj.

Arbitra: Në të parët (1924) janë: Qamil Çaku, Palokë Nika, Musa Kopliku, Muahmet Halili, Faik Tuzi, të cilët arbitruan jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Mal të Zi. Musa Kopliku ishte arbitri i parë ndërkombëtar.

Gazetat sportive:
Palokë Nika botoi për dy vjet (1925-1926) gazetën 'Sporti'.
Musa Kopliku botoi gazetën 'Shkëndia' të shkruar me dorë...

COMMENTS