Bernardin Palaj

Rrëfimi i 69-vjeçarit Luigj Palok Gjergji, lidhur me dajën e tij, At Bernardin Palaj, një nga studiuesit më të mëdhenj të Eposit të Kreshnikëve të Veriut. Histori e dhimbshme e klerikut katolik që u diplomua në Austri dhe punoi për 20 vjet në mbledhjen e folklorit në Veriun e Shqipërisë. Vdiq në torturat e Sigurimit më 2 dhjetor 1946, kur qeveria komuniste e Enver Hoxhës propagandonte zgjedhjet e lira dhe demokratike.

bernardin palaj
"Bernardin Palaj u lind më 22 tetor të vitit 1894 në fshatin Shllak të Dukagjinit, prej nga është dhe origjina e hershme e familjes së tij. Babai i tij, Gjon Palaj, ishte një rrobaqepës tepër i njohur në të gjithë atë zonë dhe njihej si një nga besimtarët më të devotshëm të fesë katolike. Ndërsa e ëma e tij, Maka, ishte një grua shtëpiake që i ngryste ditët e saj duke u marrë me punët e shtëpisë dhe endjen në avëlmend. Bernardini ishte i pari i fëmijëve dhe pas tij vinin dhe dy vëllezër e një motër. I vëllai i madh i Bernardinit, rreth vitit 1925 iku nga Shqipëria dhe mërgoi për në SHBA, ku u martua me një vajzë me origjinë australiane. Ai deri në fund të jetës së tij banoi në Brooklyn, ku kishte në pronësi një hotel me emrin "Juvenilja" dhe një faramci të madhe ku i punonte e shoqja. Ndërsa i vëllai i vogël i Bernardinit, Gjon Palaj, mori zanatin e të jatit të tij, duke u bërë një rrobaqepës i famshëm. Pjesën më të madhe të jetës së tij e deri në vitin 1948 kur u nda nga jeta, Gjoni e kaloi në Tiranë duke punuar si rrobaqepës tek i famëshmi, Gjon Laca, që e kishte puntorinë e tij në shtëpinë e Kacelëve. Ndërsa motra e Bernardinit, Nusha, ka jetuar vazhdimisht në qytetin e Shkodrës dhe është njohur si mjeke popullore. Nusha vdiq në vitin 1953 dhe ajo la dy djem dhe tre vajza, njëra nga të cilat, Liza Gjergji, është nëna ime", - dëshmon Luigj Gjergji mbi familjen e Atë Bernardin Palajt, të cilin e nëna e tij, Liza Gjergji, e kishte dajë.

Nga Austria në Dukagjin.

Mësimet e para të fillores dhe të shkollës unike, Bernardini i mori pranë Kolegjit të Françeskanëve në qytetin e Shkodrës, ku pasi doli me rezultate të shkëlqyera, u dërgua për të ndjekur më tej studimet pranë Liceut Teologjik në Salzburg të Austrisë. Pasi e mbaroi atë Lice me rezultate shumë të mira, ai ndoqi më tej studimet e larta pranë Fakultetit Teologjik në qytetin e Insbrukut. Pas marrjes së diplomës, Bernardini u kthye në Shqipëri dhe në vitin 1911 ai u dorzua si frat pranë Kuvendit të Franceskanëve në qytetit e Shkodrës. Pasi qëndroi për disa vjet pranë atij Kuvendi, në vitin 1918, Bernardinit iu dha e drejta e meshtarit duke u dorzuar si prift dhe pas asaj kohe ai shkoi për të shërbyer në disa nga famullitë e fshatrave më të thella të Malësisë së mbi-Shkodrës. Aty nga viti 1920, Bernardini u caktua si profesor i gjuhës shqipe dhe latinishtes pranë Gjimnazit "Iliricum" të qytetit të Shkodrës dhe në atë kolegj ai bashkëpunoi ngushtë me drejtorin e saj, Padër Gjergj Fishtën, i cili e nxiti atë në fushën e studimeve mbi doket zakonore dhe folklorin e Veriut të Shqipërisë. Atë punë kërkimore dhe studjuese, At Bernardini e vazhdoi gjatë gjithë atyre viteve që shërbeu si profesor pranë gjimnazit "Iliricum", duke bashkëpunuar ngushtë dhe me mikun e tij, At Donat Kurtin, me të cilin ai herë pas here ndërmerte ekspedita kërkimore në fshatrat më të thellë të trevave të Veriut. Në ato zona të largëta ai bashkëpunoi ngushtë edhe me rreth 40 famullitarë, të cilëve iu linte detyra për mbledhjen e Eposit të Kreshnikëve të Veriut dhe dokeve e zakoneve të ndryshme të atyre fshatrave ku shërbenin ata. Po kështu përveç asaj pune të vazhdueshme kërkimore në terren që i zgjati për afro 20 vjet me rradhë, At Bernardini u mor edhe me anën studimore të Eposit të Kreshnikëve dhe aty nga viti 1940 ai filloi botimin e tyre. Në atë kohë ai së bashku me mikun dhe bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, At Donat Kurtin, botuan në katër vëllime, librin "Këngë kreshnikësh dhe legjenda", i cili pati një jehonë të madhe dhe u vlerësua shumë nga personalitetet e letrave të asaj kohe, si Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Padër Anton Harapi, Dosti etj, të cilët e quajtën atë vëllim: "Iliada shqiptare". Pas kësaj në vitin 1942 At Bernardini filloi botimin e studimeve të tij në revistën "Hylli i Dritës" me studimin: "Doke e kanu në Dukagjin", e cila vijoi në disa numra rradhazi, gjë e cila u botua edhe në Romë në vitin 1944. Një pjesë e madhe e studimeve të At Bernardinit, u botuan në vitin 1943 edhe në tekste të ndryshme shkollore.

Vdekja në qelitë e Sigurimit.

Pas vitit 1944, At Bernardini jetoi sa në Shkodër aq dhe në Tiranë, ku vinte shpesh për të botuar punimet e tija shkencore në Institutin e Studimeve Shqiptare me të cilin kishte bashkëpunuar që nga koha e Luftës. Punimet shkencore të tij u vlerësuan mjaft edhe pas mbarimit të Luftës, ku një nga studjueset më të famëshme të Eposit shqiptar, rusja Denisckaja, në një studim të sajin shprehej me superlativa për të duke thënë: "At Palaj është njohësi më i thellë i maleve tona". Mirpo puna e gjatë kërkimore e studimore që At Bernardin Palaj kishte nisur që në fillimin e viteve 1920, nuk mundi të vazhdonte më tej, sepse ashtu si pjesa më e madhe e klerikëve katolikë edhe ai u godit nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Aty nga data 22 tetor e vitit 1946, vetëm një ditë pasi At Bernardini ishte kthyer nga Tirana ku bashkë me disa klerikë të tjerë katolkë ishin thirrur në një takim nga Enver Hoxha, atë e arrestuan dhe e mbyllën në një nga dhomat e Kuvendit të Françeskanëve të cilin Sigurimi e kishte kthyer në burg. Gjatë asaj kohe që ai mbahej i arrestuar aty, u torturua në mënyrën më mizore dhe asnjë nga familja jonë nuk mundi që ta takonte dot. Më datën 2 dhjetor të vitit 1946, ne na lajmëruan që të shkonim tek Kuvendi për ta parë dhe aty vajtëm: unë me nënën, Nushën, Lizën dhe gjyshen. Ne nuk na lejuan që të futeshim brenda oborrit të Kuvendit, por na hapën paksa portën e jashtëme dhe nga aty pamë trupin e Bernardinit të plandosur përdhe me veladonin gjithë gjak të ngjitur për trup. Njerzit e Sigurimit na thanë se ai kishte pasur vdekje natyrale dhe na dhanë disa plaçka e sende të tija personale krejt të parëndësishme. Por e vërteta qëndronte krejt ndryshe, sepse vdekja e tij kishte ardhur nga torturat dhe sëmundja e tetanozit që i ishte shpifur atij ato ditë nga teli me gjëmba që i kishin lidhur duart. Ne kërkuam që të merrnim me vete kufomën e tij për ta varrosur, por ata nuk na e dhanë e pas disa minutash na përzunë nga aty. Që nga ajo ditë ne nuk mësuam dot asnjë të dhënë se ku e kishin varrosur trupin e tij, por pas pesë vjetësh, u hap fjala se At Bernardinin së bashku me gjashtë klerikë të tjerë që i kishin mbytur në tortura, i kishin varrosur në gropën e gëlqeres aty në një skaj të Kuvendit Françeskan. Po kështu krahas këtij lajmi ne na thanë se trupi i At Palajt ishte groposur në një vënd me trupin e Dom Lazër Shantojës, brenda murit rrethues të Kuvendit. Por të gjithë këto ishin vetëm fjalë nga njerëz dashamirës, sepse faktikisht eshtrat e At Bernardinit familja jonë nuk ka mundur t'i gjej dot edhe sot e kësaj dite.

Nga Dashnor Kaloçi

COMMENTS