Elhaida Dani

elhaida dani
Elhaida Dani ka lindur më 17 shkurt 1993 në Shkodër. Ajo filloi të shfaqet në televizionin kombëtar në vitin 2008, pasi mori pjesë në Kënga Magjike me këngën e saj "Fjala e fundit".

Në vitin 2009, ajo auditioned për versionin shqiptar të Akademisë Star dhe fitoi shfaqjen. Pastaj vazhdoi të këndonte në garat e ndryshme muzikore në Ballkan. Në vitin 2011 ajo mori pjesë në Sunčane Skale, mbajtur në Mal të Zi me "Si asnjëherë", dhe fitoi kategorinë e të rinjve të shfaqjes. Më vonë atë vit, ajo fitoi dy gara në Bullgari dhe Rumani. Ajo gjithashtu mori pjesë në edicionin e 50 të Festivali i Këngës me "Mijëra vite".

Në fillim të vitit 2012, shkroi "S'je më", dhe fitoi shfaqjen më të madhe muzikore "Top Fest". Pas kthimit në Shqipëri, këngën e parë që ajo këndoi ishte "Ya nabi salam alayka" e Maher Zainit në Medrese Haxhi Sheh Shamia të Shkodrës. Atje mbante shaminë.

Elhaida Dani dhe Shkodra
Nga Fadil Kraja/Gazeta "Nacional", 12 maj 2013

I mbërthyer para ekranit të televizorit dridhesha i tëri dhe një kënaqësi e veçantë më përshkonte gjithë qënien time. Në atë konkurim këngëtarësh, talentesh të jashtëzakonshëm dhe të përmasave ndërkombëtare që shpaloste një kanal prestigjioz i televizionit italian, merrte pjesë edhe një shqiptare... një shkodrane. Konkuronte Elhaida Dani. Këndoi aq bukur, aq me profesionalizëm dhe me patos, sa juria, e tëra ndezi pulsantin e kuq të fitores dhe u ngrit në këmbë e entusiazmuar. E nuk ishte një juri dosido. Aty ishin figura me famë botërore në lëmin e muzikës dhe të artit si Rafaella Carra, këngëtare dhe shoumene e njohur në të gjithë botën dhe kompozitori e këngëtari tjetër i famshëm, Ricardo Cocciante, që u bë i stërnjohur në mbarë botën me shfaqjen muzikore fenomenale "Notre dame de Paris"... Ishte po ky këngëtar të cilin Elaida zgjodhi për të vazhduar konkurimin e mëtejshëm, në ekipin e tij.
Ndjeja krenari... krenari të ligjshme, si shqiptar dhe në veçanti si shkodran. Elaida këndoi edhe për ne aty... konkuroi edhe për ne në atë program. Dhe, për të katërtën javë radhazi fiton, lë prapa konkurentë shumë të mirë dhe shumë të përgatitur. Ngjitet lart... gjithnjë e më lart Elhaida jonë. Dhe më përshkojnë mornica emocioni, kur pas çdo fitoreje ajo vrapon tek prindërit, i përqafon nënën dhe babain, që aty, pas kuintave, të kapur dorë për dore përjetojnë ankthin e pritjes së vendimit të jurisë. Dy prindër të mirë, njerëz të thjeshtë, dy shkodranë të lumtur për bijën e tyre që po nderon jo veç ata, por edhe Shkodrën, edhe Shqipërinë.
Duke jetuar me emocionet që më dha Elhaida, nuk e di pse Shkodra erdh dhe u bë më e madhe para meje... Jo... Nuk e kam fjalën për anën folklorike, nacionaliste apo lokaliste (për këtë të fundit na tallin ne, shkodranëve). E kam fjalën tek djepi i Shkodrës që nuk pushon së përkunduri kaq e kaq talente të shquar në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Shumë pak kush e di se vetëm këto dy vitet e fundit, orkestra frymore e Shkodrës, banda, siç i themi ne, e drejtuar nga mjeshtri Kujtim Alia, fitoi çmimin e parë në një festival ndërkombëtar në Itali. Pra, u shpall orkestra frymore më e mirë e Europës. Shumë pak e dijnë se shkrimtarët shkodranë Skënder Temali e Ridvan Dibra, me krijimet e tyre, kanë fituar çmime nderi në konkurset ndërkombëtare në Itali, se në festivalin mbarëkombëtar të teatrit shqiptar, zhvilluar në Ferizaj të Kosovës, aktorët shkodranë Merita Smaja dhe Arben Spahija, fituan çmime të para duke konkuruar midis tridhjetë trupave teatrore. Ashtu si, pak e dijnë se aktorja tjetër Rita Gjeka solli vitin e kaluar në Shkodër çmimin e parë si aktorja më e mirë e festivalit prestigjioz ndërkombëtar të aktrimit, "Apollon 2012".
Do të numëroja edhe suksese të tjera të krijuesve dhe artistëve shkodranë që nderojnë qytetin e tyre, pra na nderojnë ne, shkodranëve.
Dhe të vjen për të qeshur e për të qarë kur mendon se sa në kontrast janë këta fitues të mëdhenj, këta krijues e artistë të jashtëzakonshëm me një realitet të hidhur... A e di ti moj Elhaida Dani, moj artiste e madhe, se këshilli bashkiak i Shkodrës është i vetmi në Shqipëri, e përsëris, i VETMI, ku prej disa legjislaturash nuk ka në gjirin e vet së paku një, e përsëris, së paku një krijues apo artist? A e di ti, moj Elhaida, se komisionin e kulturës dhe artit në këtë këshill bashkiak e drejton një njeri i cili thonë se... shet celularë!? Ai mund të jetë njeri i mirë dhe i vlefshëm në fusha të tjera, por ty nuk të duartroket, moj Elhaida, se nuk të njeh...
Sidoqoftë, ti mos u mërzit, Elhaida! Shiko përpara, gjithnjë përpara, sepse qindra dhe mijëra shkodranë e shqiptarë të duartrokasin. Kurse mua... ma ke bërë zemrën mal!

COMMENTS