Tërmeti 1979, Enver Hoxha shpall Shkodrën Hero i Punës Socialiste

Si u strehuan 100 mijë banorë pas pesë muajsh punë vullnetare. Vizita e Enver Hoxhës në Bahçallëk më 19 tetor 1979: "T'i gëzoni shtëpitë që ua ndërtoi shteti socialist"

enver hoxha muho asllani ramiz alija
Atë të dielë prilli të vitit 1979 shumica e njerëzve krejt të shkujdesur ose po pinin kafenë e mëngjesit ose vazhdonin të flinin ende në shtretërit e tyre. Ishte data 15 dhe pikërisht në orën 07:19 minuta, një dridhje marramendëse që vinte nga nëntoka rrafshoi në pak sekonda kulmet e çative. Ishte tërmeti. Instituti sizmiologjik regjistroi intesitetn, rreth 8 ballë. Megjithëse me epiqendër Veriun e Shqipërisë, valët e tij u ndien fort deri në Tiranë e më poshtë. Por më shumë se kudo këto lëkundje u ndjenë në zonën e poshtme të lumit Buna. Ata që risjellin në mendje imazhet e asaj dite kujtojnë se si u shkatërruan e dëmtuan rëndë shumë zona të banuara.

Duke kujtuar situatën e vështirë të prillit 1979, Muho Asllani ish-sekretar i parë i Komitetit të Partisë të Shkodrës tregon për "Gazeta Shekulli" se si u bë mobilizimi i forcave, të cilat bënë të mundur në kohë rekord, zhdukjen e pasojave të tërmetit, pa ndihma nga vendet e tjera.

Si e kujtoni atë ditë kur tërmeti më shumë se kudo goditi Shkodrën?

Kujtoj se për një çast u lëkund fort toka, u lëkundën kodrat, u lëkunden malet tona, shtëpi e fshatra të tëra u rrafshuan. Megjithatë mund të them se nuk u lëkund shqiptari. Ai qëndroi fort në këmbë, ashtu siç ka qëndruar kurdoherë përpara rrebesheve që e kanë kërcënuar, ashtu siç ka qendruar kur armiqtë janë përpjekur të prekin kufijtë e atdheut tonë shumë të dashur. Dhembja për ata që tërmeti u ndërpreu jetën e tyre, në këtë ngjarje, ishte shumë e madhe, humbjet llogariteshin në qindra miliona lekë. Por historia, luftërat e betejat e kishin mësuar shqiptarin ta kthejë dhimbjen në forcë, fatkeqësinë në guxim, hidhërimin në burrëri. Ndërkohë që tërmeti e kishte bërë të vetën, fjalën e morëm ne, njerëzit e punës dhe të guximit, që të luftonim me fatkeqësinë e të punonim ditë e natë, për të dalë fitimtarë.

Si u motivuan njerëzit për t'u hedhur në aksion?

Ishte një telegram i KQ-së të Partisë dhe Këshillit të Ministrave drejtuar popullsisë së rretheve të dëmtuara, që i bënte thirrje të gjithë popullit shqiptar për kushtrim e mobilizim. Kështu u ngritën të gjithë në këmbë për të zhdukur pasojat e tërmetit, për të kthyer normalitetin në çdo familje, në çdo objekt e kudo dhe për të realizuar detyrat e kohës.

Sa u impenjuan krerët e shtetit në eleminimin e pasojave të këtij tërmeti?

Në zonat e tërmetit erdhën shokët e Byrosë Politike të Partisë, të Këshillit të Ministrave e shumë kuadro të tjerë nga Qendra, të cilët bënin takime, biseda të përzemërta, ngushëllonin familjarët e të vrarëve, jepnin porosi e plotësonin kërkesat e aksionistëve. Këto këshilla e porosi, ktheheshin në një forcë të brendshme dhe më të fuqishme se tërmeti, të cilat i mobilizonin njerëzit e i frymëzonin ato, e bënin plakun të ri e të riut i jepnin krah. Komunistët, këshilltarët, të gjithë kuadrot, njerëzit e zgjedhur e të emëruar, si në kohë lufte, shkonin fshat më fshat e shtëpi më shtëpi, jepnin udhëzime, ndihmonin të plagosurit, siguronin fëmijet, hynin përmes rrënojave, për të shpëtuar pleqtë e sëmurë, fëmijët, për të nxjerrë të plagosurit pa llogaritur se mbi ta nga momenti në moment mund të shëmbeshin muret, tavanet e çatitë e varura të shtëpive nga lëkundjet më të vogla pas tërmetit prej 8 ballësh që ishte më i rëndi në Ballkan gjatë 175 viteve të fundit.

Po solidariteti mes vetë njerëzve në çfarë shkalle ishte?

I madh e i vogël u ngritën në këmbë, u hodhën në sulm klasa jonë punëtore, fshatarësia kooperativiste, rinia, pionieret, inteligjenca, ushtarakët të cilët me shpejtësi të rrufeshme dërguan vullnetarët dhe ndihma materiale në zonat e dëmtuara. Të gjithë u gjendën menjëherë pranë vëllezërve e motrave të tyre në ato çaste fatkeqësie të shkaktuara nga natyra. Në këtë gatishmëri e mobilizim të lartë spikati dhe një herë ai solidaritet i mrekullueshëm socialist që kishte kalitur Partia e Enver Hoxhës tek njerëzit tanë.

Ju mendoni se ky solidaritet bëhet dhe për një ideal politik?

Di të them që pak orë pas tërmetit, njerëz të ndryshëm banorë të Shkodrës, vinin në Komitetin e Partisë dhe thoshin: "Jemi gati me dy tri vetë të rritur të familjes të shkojmë ku të shihet e arsyeshme për të ndihmuar në zhdukjen e pasojave të tërmetit", në tryezë linin adresën e shtëpisë dhe të qendrës së punës. "Jam plak dhe i sëmurë, - tha Bahri Xhabija, një komunist i 8 Nëntorit të vitit 1941. - Takati nuk më premton që të kontribuoj në ndonjë gjë, atje në frontin kryesor, por, ja, kam marrë me vehte librezën e pensionit, shënoni numrin dhe emrin dhe mbani lekët e një muaji". "Unë e di, - vazhdoi ai, - se të gjitha ndërtimet do të bëhen me shpenzimet e shtetit, po mua kështu ma tha zemra ime komuniste". Erdhi në Komitetin e Partisë pensionisti Haki Duro, Heroi i Punës Socialiste, shofer i palodhur, e tha: "E ndjej se mund ta mbaj përsëri timonin, shikojeni kërkesën time, megjithëse në moshë nuk do t'iu turpëroj". Erdhën shumë njerëz të tillë, të rinj e të reja, burra e gra të të gjitha moshave, nga i gjithë rrethi e nga e gjithë Shqipëria. Vinin në këmbë, hipur mbi automjete, me tren e me ç'të mundnin, të organizuar e individ për të marrë pjesë në aksionin e madh për likuidimin e pasojave të tërmetit, sepse e ndienin detyrë të madhe ndaj shoqërisë e popullit. Gjithçka dukej në kaos, por njerëzit e ruanin gjakftohtësinë dhe optimizmin.

Po repartet e tjera të ushtrisë apo të Mbrojtjes Civile sa të gatshme ishin?

Nga të katër anët e Shqipërisë vinin automjete, kamion të ngarkuar me ushtarë, e specialistë, çadra e materiale të tjera, sipas planit të hartuar nga shtabi për likuidimin e pasojave të tërmetit, zbrisnin në oborrin e shtëpive të dëmtuara, ngrinin çadra me shpejtësi, futnin brenda fëmijet dhe pleqtë, sepse binte edhe shi, e pa arritur mirë të njihen, as t'ua mësojnë emrat njëri-tjetrit, përshëndeteshin si të ishin miq të vjetër, si të ishin pjestarë të një familje e pastaj, ashtu me nxitim vazhdonin rrugën për në shtëpi e fshatra të tjerë.

Ndërkohë kishte njerëz të vrarë e të plagosur. Si u veprua me ndihmën e shpejtë?

Nga të parë që u nisën në frontin e betejës, për t'u gjendur pranë të plagosurve, ishin punonjësit e sektorit të shëndetësisë, që me punën e përkushtimin e tyre shpëtuan shumë jetë njerëzish. Në spital u vendos çdo gjë në gatishmëri. Çadrat e qendrave shëndetësore e të ndihmës së shpejtë u ngritën në çdo fshat. Qindra njerëz shfaqën gatishmërinë e tyre për të dhuruar gjak për të plagosurit. Në zonat e dëmtuara filloi vaksinimi i popullsisë.

Aksionistët e Lushnjes u martuan në Shkodër...

Duke kujtuar ato muaj të vrrullshme aksioni, Muho Asllani thotë se; në ato ditë vetmohuese, kur mbarë atdheu, jetonte me situatën e rëndë që krijoi tërmeti dhe me zotimin për të zhdukur sa më parë pasojat e tij, punonjësit e rrethit të Shkodrës merrnin forca të reja, merrnin energji të reja, nga ky solidaritet i fuqishëm. "Ata punonin ditë e natë për të plotësuar edhe normat e detyrimet e shokëve që kishin shkuar në zonat e dëmtuara, pra për të realizuar edhe planin në të gjithë sektorët e ekonomisë. Për zhdukjen e pasojave të tërmetit u ngrit në këmbë e gjithë Shqipëria. Të gjithë specialistët, e kolektivit shembullor, të Institutit të studimeve e Projektimeve Nr.l me drejtorin Sokrat Mosko, lanë për një kohë në heshtje, plotësimin e grafikëve e projektimeve të planit dhe plotësoi me sukses e para afatit projektet e ndërtimit të objekteve e banesave familjare për zhdukjen e pasojave të tërmetit. Të gjithë në ato çaste të vrullit revolucionar, donin të radhiteshin në kolonat e vullnetarëve e të tregonin me krenari legjitime, gjatë gjithë jetës së tyre, se kanë punuar pa u lodhur në Shkodër e rrethe të tjera dhe atje kanë zënë miq e shokë të rinj. Disa të rinj nga Lushnja e ndonjë rreth tjetër erdhën beqarë u kthyen në zonat e fshatrat e tyre të martuar. Erdhën aksionist, të organizuar në brigadë e sektor nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Lushnja, Fieri, Vlora, Berati, Gramshi, Gjirokastra, Saranda, etj. Të gjithë në përgjithësi punuan mirë, i kryen para kohe detyrat e ngarkuara. Por veçanërisht shokët e Durrësit ishin më të organizuar dhe drejtoheshin nga një shtab simpatik e luftarak që përbëhej nga Agim Këlliçi, Musa Shehu, Qazim Toptaga, Qemal Mançe, Pandi Dalani etj, që ishin të përkushtuar, punuan me ndërgjegje e disiplinë të lartë, me ritëm në çdo kohë dhe i realizuan detyrat para afatit të caktuar", - rrëfen Muho Asllani.

Krerët e shtetit përurojnë shtëpitë e reja të banimit.

Duke folur për vizitën e Enver Hoxhës menjëherë pas lajmit për përfundimin e punimeve që zhdukën pasojat e tërmetit, Muho Asllani kujton:

"Kurrë ndonjëherë, në asnjë vend të botës, ku kanë rënë e bien tërmete, nuk ishte parë që, brenda 5 muajve, të ndërtohen aq shtëpi banimi, pra të ristrehohen në shtëpi shumë më të mira se ç'i kishin, afër 100 mijë banorë. Të gjitha këto shtëpi të bukura e funksionale i morën falas nga shteti socialist, u bënë pronë personale e familjeve që u strehuan në to. Shoku Enver Hoxha në mitingun e madh të Barçallëkut më 19 tetor 1979 veç të tjerave tha:

Vëllezër e motra të Shkodrës, përfundimi me sukses të plotë i të gjitha ndërtimeve që u dëmtuan rëndë nga tërmeti i fortë i 15 Prillit 1979 është për të gjithë popullin, për Partinë dhe për mua një gëzim i papërshkruar. Ju uroj t'i gëzoni shtëpitë e reja, të kaloni në to një jetë të lumtur e të bukur, në familjet tuaja, me fëmijët tuaj".

Pastaj shoku Enver komunikoi se Presidiumi i Kuvendit Popullor i jep Shkodrës titullin e lartë; "Hero i Punës Socialiste".

COMMENTS