Ernest Koliqi (1903-1975)

ernest koliqi ernesto
Ernest Koliqi lindi më 20 maj 1903, në Shkodër, në nji familje me origjinë nga Dukagjini, e rënë në Anamal, e mandej në Shirokë të Shkodërs. Djali i Shanit dhe i Age Simonit, me vëlla Mikel Koliqin, i pari kardinal shqiptar, Viktorin, Guljelmin, Lecin, e motra Margerita dhe Terezina. Është themelues i tregimit tonë modern, ndërkohë dhe poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, madje dhe dramaturg, gjithsesi dhe veprimtar i shquar në fushën e politikës, të kulturës së politikës dhe të politikës së kulturës, gjithmonë kombëtare, të gjysmës së parë të shekullit XX. Familja në zanafillë kishte mbiemnin Kolaj, por nga tregtia e vazhdueshme me Malin e Zi i mbet Koliqi nga nji periudhë e mbrapa. Ndoqi mësimet e para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve.

Në vitin 1918 i ati, e dërgon për të studjuar në Itali. Studion në Kolegjin Jezuit Arici në Breshia. Atje Koliqi me disa bashkënxënës themelon gazetën "Noi giovani" (Ne të rinjtë), ku dhe boton poezitë e para në italisht.

Në vitin 1921 kthehet në Shqipëri dhe ristudjon shqipen me themel, mentori i tij Emzot Luigj Bumçi e prezanton me përfaqsuest ma premtues të brezit kulturor, si Kolë Thaçi, Kolë Kamsi, Lazër Shantoja, e Karl Gurakuqi. Në një konkurs për himnin kombëtar, mes krijuesve te rinj e jo të rinj, merr pjesë edhe Ernesti i cili vlerësohet me çmim të parë nga një juri e përbërë prej emrash të shquar si: Gj. Fishta, F. Noli, M. Frashëri, L. Gurakuqi.

Në vitin 1923 themelon së bashku me patër Anton Harapi dhe Nush Topalli, revisten "Ora e Maleve".

Në vitin 1924 bën pjesë në Shoqërinë patriotike "Bashkimi", e krijuar nga Avni Rustemi. E thërret Luigj Gurakuqi në Tiranë si sekretar personal. Më vonë bëhet sekretar i Ministrisë së Brendshme. I nxitur nga L. Gurakuqi dhe miqtë e tij, dërgon në shtyp poemthin dramatik "Kushtrimi i Skëndërbeut". Kjo vepër i dha shpresën për të hyrë përgjithmonë në botën e letrave shqipe. Për shkak të lidhjeve të tij të reja politike, detyrohet t'emigrojë për pesë vjet në Tuzla, Bosnje, për t'i shpëtuar ndonjë goditje nga forcat zogiste, pas revolucionit të dështuar të Nolit.

Në vitin 1929, i ndikuar nga ky rreth shqiptarësh, Koliqi shkruan vëllimin me tregime "Hija e maleve", vëllim i cili e pagëzon edhe si krijuesin e prozës moderne shqiptare. Me një stil të mrekullueshëm narrativ, ai arrin të paraqesë në këtë botim një sërë episodesh të jetës malësore nën ndikimin e rregullave të ashpra të Lekë Dukagjinit por pa munguar edhe skenat e jetës qytetare shkodrane. Me këtë vëllim ai mirëpritet të kthehet në qarqet letrare në Shqipëri.

Në vitin 1930 Mbretëria shqiptare e fal Koliqin dhe e emëron mësues të thjeshtë gjimnazi. Që nga ai vit ishte mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë ku i jep mësim mes të tjerëve edhe Petro Markos; dhe në gjimnazin e shtetit në Shkodër ku i jep mësim Lazër Radit, i porositur nga Mustafa Kruja me mbledhë librat e bibliotekës së tij që qe shpërnda ndër françeskanë e jezuitë. Derisa shtrëngohet, sërish për arsye politike, të largohet në Itali.

Në vitin 1932 botoi vëllimin e parë të antologjisë "Poetët e mëdhenj të Italisë" (me një parathënie nga Fishta), një antologji me 280 faqe që u përdor menjëherë si tekst letërsie në gjimnazin klerik të Shkodrës dhe përmban katër poetët më të mëdhenj të Italisë: Aligierin, Petrarkën, Arioston, Tasson.

Gjatë viteve 1933-34 jep dorëheqjen nga arsimi dhe regjistrohet në Universitetin e Padovës për të vazhduar studimet. Edhe pse me punë në Padova, Koliqi nuk i shkëput lidhjet me Shqipërinë. Bashkëpunon me redaksinë e të përjavshmes kulturore "Illyria". Gjitha vjershat e veta i përmbledh në vëllimin "Gjurmat e stinëve" ku paraqiten me një frymë krejt të re skenat e jetës shkodrane dhe gjejmë të pasqyruar shpirtin e poetit të ndjeshëm me ndjesina atdhedashurore. Ndërsa, autodafeja e vendosur në krye të këtij libri vlerësohet si një ndër aktet më të rëndësishme në fushë të mendimit estetik shqiptar. Në një sërë botimesh periodike dhe veprash të tij, Koliqi afirmohet si një talent i letërsisë shqiptare.

Në vitin 1935, pas suksesit të vëllimit të parë me tregime, boton një libër me 16 novela me titull "Tregtar flamujsh" me lëndë të nxjerrë nga mënyra e jetesës së popullit tonë, sidomos të atij të qytetit të Shkodrës. Ngjarjet dhe problematikat sociale që prekin veprën gjithnjë i nënshtrohen një analize të thellë psikologjike. Ky vëllim novelash, siç vëren Miaser Dibra (Drejtore e Institutit Antropologjise Kulturore dhe i Studimit te Artit), i përket një shkalle pjekurie më të madhe të autorit. Po këtë vit boton edhe poemthin në prozë "Quattuor".

Në vitin 1936 emërohet Lektor i Shqipes pranë Universitetit të Padovës që drejtohej nga K.Taliavini. Boton vëllimin e dytë të antologjisë "Poetët e mëdhenj të Italisë" (me parathënie nga Karlo Taliavini). Ky vëllim përfshin vjersha të përkthyera të katër poetëve italianë: Parini, Monti, Foskolo, Manxoni. Personalisht çmonte Giosuè Carducci, Giovanni Pascoli, dhe Gabriele D'Annunzio. Edhe vëllimi i tretë ishte i përgatitur por nuk u botua.

Në vitin 1937, në moshën 34-vjeçare, kryen studimet (5-vjeçare) në Padova me tezën "Epica popolare albanese" ("Epika popullore shqiptare"), tezë doktorate e cila u vlerësua nga shumë albanologë si Norbert Jokl, Maximilian Lambertz etj, që u mbërrit me ndihmën e disa këngëve që ia dha Atë Bernardin Palaj.

Në vitin 1939 emërohet titullar i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin "La Sapienza" në Romë por nuk do të rrijë gjatë pasi po këtë vit nis punën si ministër arsimi në qeverinë shqiptare. Me të marrë në dorë ministrinë e arsimit, ai mblodhi rreth vetes njerëzit e kulturës, shkrimtarët më të shquar dhe i vihet përpilimit e botimit të teksteve shkollore.

Gjatë kohës që Ernest Koliqi ishte ministër u arrit:
  1. Botimi i historisë së letërsisë, me kritere të shëndosha, në dyvëllimshin "Shkrimtarët shqiptarë"(1941), nën kujdesin e Namik Resulit e K. Gurakuqit.
  2. Botimi i të parës antologji në shqip: "Bota shqiptare"(1943).
  3. Mbledhja e folklorit për të plotësuar veprën "Visaret e kombit"(vëllim me materiale nga folklori ynë.)
  4. Thirrja në Tiranë e Kongresit Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare në vitin 1940 (Instituti i Studimeve Shqiptare me qendër në Tiranë, pararendës i Akademisë së Shkencave).
  5. Botimi i vëllimeve "Rreze dritë", "Te pragu i jetës", "Studime e tekste".
  6. Themeloi e drejtoi të përkohshmen "Shkëndija".
  7. Hapja e shkollave shqipe në Kosovë; hapi edhe një shkollë të mesme në Prishtinë dhe mundësoi dërgimin e studentëve nga Kosova me bursë në Itali dhe Austri.
Duhet thënë se produktiviteti në kohën e Ernestit mbetet punë e pamohueshme.
Në këtë periudhë ka bashkëpunuar gjithashtu me revistat "Hylli i Dritës" e françeskanëve, "Leka" e jezuitëve, "Përpjekja shqiptare" e Branko Merxhanit, "Minerva", "Besa" etj.

Në korrik të 1940 themeloi e drejtoi të përmuajshmen letrare-artistike "Shkëndija", në Tiranë.

Në shtatorin e vitit 1941, Ministri i Arsimit Ernest Koliqi se bashku me 400 arsimtarë normalistë dhe të shkollës amerikane "Harry Fultz", shkuan në Kosovë, trojet shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, si dhe në Çamëri. Një akt i tillë ka qenë dhe mbetet përjetësisht sublim se ai dha frutet e veta në hapjen e shkollave shqipe, në hapjen e dëshirës për të mësuar dhe rrënjosur shqipen në të gjitha trojet shqiptare.

Në një letër dërguar më 16 tetor 1941 nga ministri i arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare Ernest Koliqi drejtuar konsullit shqiptar Nikollë Rrota në Vjenë thuhet se ka angazhuar N. Jokli si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 franga ari.

Nga viti 1942-43 ishte kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare dhe largohet nga Ministria e Arsimit duke lënë pasues Xh. Kortshën. Martohet me arsimtaren Vangjelije Vuçani dhe patën dy fëmijë: Mark dhe Elizabeta. Në pragun e dështimit t'Italís fashiste, zëvendëson Terenc Toçin në krye të Këshillit të Lartë Fashist/Partisë Fashiste.

Në vitin 1944 largohet në Itali, i dënuar nga qeveria e re komuniste, si bashkëpunëtor i fashizmit. Vepra e tij letrare u ndalua edhe pse nuk përmbante asfarë shenje a parashenje politike.

"L'Albanie Libre" është një e përkohshme e sapo dalë në Romë me të cilën Koliqi fillon bashkëpunimin. Ndër të shumtat shkrime, këtu nis të botojë, nga viti 1954 deri më 1961, studimin krahasues "Dy shkollat letrare shkodrane - e Etënve jezuitë dhe e Etënve françeskanë". Në këtë studim vërehet përpjekja për të hartuar një histori të mirëfilltë të letërsisë shqiptare, jashtë ngjyrave ideologjike.

Më 2 shtator 1957, me dekret të Presidentit të Republikës së Italisë, për njohje të prestigjit, Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e Universitetit të Romës, nderohet duke u bërë Institut i Studimeve Shqiptare.

Në Firence boton vëllimin "Poesia popolare albanese" (Poezia popullore shqiptare) ku spikat si studiues i merituar i traditave artistike dhe folkloristike të atdheut të tij Shqipërisë. Vëllimi ka tekste shqip e përkthime në italisht.

Themelon "Shêjzat" (Le Pleiadi), që ishte e përkohshmja kryesore letraro-kulturore e asokohe që e drejtoi për 18 vjet. Jo vetëm shpaloste letërsín bashkohore në botën shqipfolëse, por gjithashtu i dha za letërsís arbëneshe dhe vazhdoi me lavrue autorët e paraluftës, shumë prej të cilëvet të vdekun e pjesa tjetër n'emigrim, që denigroheshin aq shumë nga kritika komuniste e Tiranës. Koliqi kështu shërbeu si nji za i largët kundërshtues i shkatërrimit kultural të Shqipnís nga rendi Stalinian i vendosun. Prej veprimtarís së tij, letrare e politike, u sulmue nga autoritetet shqiptare e pas-luftës si përfaqsuesi kryesor i letërsís borgjeze, reaksionare e fashiste.

Në vitin 1959 boton vëllimin "Kangjellat e Rilindjes" (I canti della Rinascita) me përkthimin në italisht, kushtuar arbëreshëve të Italisë, ku i nxit ata të ruajnë gjuhën e zakonet e të kenë besim në pavdekësinë e fisit.

Në vitin 1960 boton romanin "Shija e bukës së mbrûme" për të cilin Koliqi vetë shprehet: "Ky tregim parashtron edhe përpiqet imtësisht të hulumtojë dramin shpirtnuer të nji të riut shqiptar flakrue jashta atdheut nga pasojat e së dytës luftë botnore.
Boton studimin "Gabriele D'Annunzio e gli Albanesi" (Gabriel D'Anuncio dhe Shqiptarët).

Në vitin 1963 boton "Antologia della lirica albanese" (Antologjia e lirikës shqiptare) ku për herë të parë paraqiten në një gjuhë europiane përkthimet e lirikat më të mira të autorëve shqiptarë të vjetër e të rinj ku theksohen autorët kosovarë me qëllim që të njihen më mirë. Riboton "Shtatë Pasqyrat e Narçizit" (që e kishte botuar së pari në fletoren Gazeta Shqiptare në Bari më 1936) ku paraqiten shtatë copa proze poetike që përshkruajnë gjendjen shpirtërore të shkrimtarit.

Në vitin 1965 del në dritë "Albania", një monografi italisht, botuar në "Enciclopedia dei popoli d'Europa", Milano, ku paraqet një pasqyrë të gjërë mbi Shqipërinë si në pikëpamjen gjeografike, ashtu edhe letrare e historike.

Më 4 Maj 1969 i vdes bashkëshortja Vangjelija. Zhdukja e saj i shkaktoi një mungesë të pazëvëndësueshme e ndoshta shpejtoi edhe humbjen e tij.

Në vitin 1970 riboton poemthin "Simfonia e Shqipeve" (që e kishte botuar për herë të parë në fletoren Gazeta Shqiptare në Bari më 1936), që është si një testament poetik që nënvizon trashëgiminë kombëtare, lashtësinë dhe traditat e popullit. Kjo vepër ka për argument lartësimin e kohës së kaluar të fisit tonë.

Në vitin 1972 botohet vëllimi "Saggi di Letteratura Albanese", Firenze. Është një përmbledhje e mirë shkrimesh e konferencash përpunuar gjatë disa vjetëve.

Në vitin 1973 vazhdon të përkthejë në italisht pjesë nga Lahuta e Malcís, këngët II-III-IV-V (punë kjo e nisur që në vitin 1961 kur përktheu këngën XXVI; më 1971 këngët XII-XIII-XIV dhe XV).

Ernest Koliqi vdiq në shtëpinë e tij në Romë më 15 janar 1975 dhe u varros po në këtë qytet me datën 18, i nderuar nga i gjithë komuniteti shqiptar n'emigrim, por i mohuar nga vendi i tij. Në ceremoninë e asaj dite kishin ardhur personalitete të ndryshëm, kolegë, shqiptarë, arbëreshë, miq të ardhur nga vende të ndryshme.


Mirënjohjet: Medalje arit e Shoqnis "Dante Aligheri", Ylli i artë për Meritë të Shkollës, Akademik ordinar i Akademisë Tiberiane, Akademik Nderi i Akademisë Teatine të Kietit për Shkencat, Antar i Akademisë së Abrucit për Shkencat dhe Artet, Antar efektiv i Akademisë së Mesdheut, Antar Nderi i Qendrës Ndërkombëtare për Studimet shqiptare, Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit Kosovë.

*****

Një letërkëmbim i viteve '50 mes Ernest Koliqit dhe bashkëpunëtorit të tij, Karl Gurakuqi.


Pensione Flora, Asiago (Provinca Vicenza), 18-VII-1952

I dashur Karl,

S'ka tri dit qi erdha këtu me familje. Jam si gjymsë i ftuem prej Lodo Pistullit, kushrinit t'em, qi banon në nji qytet afër: në Bassano del Grappa. Vend i freskët Asiago, rrethue me male plot halë. Erë rrëshine ndiehet n'ajr e mushkënit zgjanohen. I solla fëmijt këtu m'u prinë në shëndet e shpresoj se nji muej ndejë në kët rrafshnaltë do t'u bâjë mirë. Ka 20-ta e gushtit do të kthëthej në Romë.

Edhe un kishem nevojë për pushim në qetësi e në bjeshkë. Jeta plot kuçkarike e Romës më ka lodhë. Kundërshtarët s'po na lanë m'u marrë me punë t'onë, por na perzihen gjithkund. Nuk u mjaftojnë rrogat e majme në dollarë, apartamentat luksoza qi s'i kanë pa as n'ândër, mikeshat të cilave u bajnë sevda e u blejnë gjoje në vend qi me ndihmue vllazënt në skam, por na versulen me terbim a thue se u kemi nxânë dritën e diellit. E pave numrin e fundit të Flamurit? Kapidanin, Kolë Bibën, Cordinianon e shkretë, t'an e dekun t'Ismailit, mue na sulmojnë poshtërsisht. I shpallin botës se jem qenë fashista! Po kush e ka mohue? Qellimi asht tjetërkund: me i a mbushë menden të huejvet të fuqishëm se 7 prilli asht nji krim i kryem nga Gjon, nji Kolë, nji Ernest: nga katolikët. Përmendin Shefqet Verlacin pse i biri bashkëpunon me ne. Mos të qindronte me ne, do t'a zgjidhshin edhe ate fajesh si Mustafa Kruen qi i u perul Zogut, Hasan Dostin pse u nëshkrue në Ball, si njiqind të tjerë qi u kërtylen në të mira në kohën e Italis dhe sot i biejnë mohit. Përpiqen kopilin e trathtis me na e lanë në derë të katolicizmit. E përkrahsa në kët shtrembënim të historis kanë mjerisht edhe do priftën katolikë kryekcyem. Druen se heroizmi i krahinave katolike, në kohën më të mënersheme qi kaloi vendi ynë, mos të miret se er parasysh nga të huejët. Atëherë përpiqen me hjedhë baltë mbi prisat e atynë krahinave, Kapidanin e Mirditës dhe Kol Binën, qi e kanë fitue me gjak të njerzvet të tyne të drejtën me qenë në prijsi të çdo veprimtaris kombtare. Nuk lëvizë ma ndër shkodranë ai dell krenar qi e ndriti emnin e qytetit t'onë dikur. Përndryshej do t'u çonte dikush me protestue. Kishte m'u lypun qi Kapidanit e Kolë Bibës, çdo Shkodran e Shqiptar i ndershëm t'i shkruejshin, tue stigmatizue veprën ç'njerëzore të Ballit e tue pohue energjikisht qi kush prekë ata prisa prekë në nderë të maleve, përbuzë flijen e qindra fatosave antikomunistë, mohon burrnin e fisnikërin e rracës s'onë, qi ata me plot të drejtë simbolizojnë e përfaqësojnë. Po atyre horave së... nuk do t'u ecin gjithmonë kungulli mbi uj. Kjo veper e fundme në vetvete, tregon ligështin se pozitave të tynë pranë të Huejvet qi i mbështesin. Këtyne (të huejvet-shënim i redaksisë); kanë nevojë me iu kujtue se na jem qene kundërshtarët e demokracis. Shifet se ballistat agrarë janë në dijeni se Blokut (Bllokut Kombëtar Indipendent-shënim i redaksisë) po i naltohen akcjonet. Sidoqoftë, telegramet dergue Musolinit janë qene me qindra e jo vetëm tre. Ai i Kapidanit, mbasandej, dihet se asht falsifikue prej Giro-s. Kapidani n' Asemble, qi u mblodh me 12 prill 1939, qe i vetmi qi me guxim i qortoi Italjanët për fjalë të hangme. Tha, mjesa të gjithë prisnim heshteshin, se fjalët ishin qenë me zevendësue Zogun me nji Princ të Shtëpis Savoja. Po të kishte nënshkrue Kapidani në kallnduer 1939 kërkesën për Viktor Emmanuelin në fron të Shqipnis, si mujte në prill me përmendë premtimin e nji Princi? Në kallnduer 1939, Duçeja nuk e kishte çpikë ende formulen e bashkimit të kunoravve!

Telegrami i em asht autentik, por i drejtuem Duçes me 13 prill, mbas zbarkimit të trupave italjane (7 prill), mbas vendimit t'Asamblesë me i ofrue kunoren e Skanderbeut Mbretit të Italis (12 prill). Prandaj un konfirmohem në gjendje të krijueme, s'kërkoi as ndrrime as ndërhymje. Telegrame si i emi janë nisun me mija nga Shqipnija: prej çdo Bashkije e prej çdo njeriu në nji funkcjon pak si të lartë.

Ata qi shkruejnë kundra nesh, të gjithë kanë veshë divizën fashiste dhe i kanë shërbye regjimit, sot të shamë, deri në ditën e tij të fundit. Asnjani nuk dha dorhjekje. Patriotizmi i tyne filloi kur në Stalingrad Hitleri ngeli. Deri n'at ditë, na u lëvyrshin e na brohoritshin.

Ti e din mirfilli se na këta i kemi pasun në dorë me i asgjansue; përkundrazi u kemi ba nderna, i kemi gradue, ndihmue me bursa e me shpërblime të jashtëzakonshme. Shifi, tashti si siellen me ne! Mbahen si fituesa të luftës, ndersa Enveri po e shqynë kombin t'onë, Enveri qi e muer fuqin me ndihmën e këtynë patriotave të mëdhenj! Na, s'paku, bame Shqipnin e Madhe: ngjati pak vjet, po ai fakt i madhnueshëm do të jesi si preçëdent në histori të Ballkanit. Ata shka bane? U kruhet fundi i shpinës në deshir të nji kulltuku. Plasen m'u ulë në nji shkamb sundimi. Kalojnë mbi kufomen e t'et për me arrijtë në nji post ministri!
Po me P. Cordignano-n e shkrete, tash qi ka dekë e hy në dhe, ç'kanë? Ajo punë, q'i ndjeri bani, u harrue. Pse m'ngjallë? Nji artikull, qoftë edhe i pavend, nuk mund të rrzojë vlerën e sa e sa vëllimeve të çmueshme qi pasunojnë studimet albanologjike dhe zdrisin thesarin e kultures shqiptare. Le qi s'kanë ndiesi në zemër, as për të gjallë as për të dekun, pra nuk u kanë mbetë dy fije tru në kaptinë: të tillë shkrime na ulin para të huejvet dhe lanë gjurmë të damshme në shpirtnat të Shqyptarvet. Ty si të duken këto punë?

Nderime Hannit. Të fala Gilbertit dhe djelmvet aty.
Ty të përqafoj
Ernesti

COMMENTS