Historia e hershme e familjes Gjylbegaj

Kur Bushatllijve u duhej të vinin plotësisht nën sundim pashallëkun e Shkodrës, për të shtrirë më vonë pushtetin në gjithë Ballkanin Veri Perëndimor, iu desh të përplaseshin edhe me një prej familjeve më të rëndësishme të Shkodrës. Të njohurit si Gjylbegajt apo Gramshejt, u thyen nga Mehmet Bushatlliu dhe iu desh të linin Shkodrën derisa pashallëku i madh u rrëzua dhe ata shpejt do të ktheheshin në një nga familjet më në zë të Shkodrës, duke i dhënë Shqipërisë një sërë komandantësh ushtarakë dhe liderësh politikë.

Historia e hershme

Familja e Gjylbegramshejve është ndër të paktat familje feudale në Shkodër, pasardhës të të cilëve vazhdojnë të jetojnë në këtë qytet, pavarësisht se ka mjaft që janë të shpërndarë në Shqipëri apo dhe në botë. Kjo familje, në rrjedhat e kohës është ndarë në dy pjesë, në atë Gjylbegaj dhe Gramshej, mbiemra që pjesëtarët e kësaj familjeje i kanë përdorur veçmas në dy epoka. Kështu deri sa zgjati pushtimi turk ato përdorën llagapin Gramshej, si në akte zyrtare ashtu dhe në korrespondenca tregtare, ndërsa pas pavarësisë, një pjesë e tyre përdorën llagapin Gjylbegaj. Duke iu referuar historiografisë dhe dokumenteve kadastrore, kjo familje feudale ka pasur shtrirje deri në Zadrimë të Lezhës, në Mirditë dhe në një pjesë të Dukagjinit, pikërisht zonën e Korthpulës, ndërsa kanë lidhje dhe me Begollajt e Pejës.
Disa studime të autorëve si S. Naçi dhe Dom Ndoc Nikaj, tregojnë se ushtritë e feudalëve si Tahir e Musa Begu (të parët e Gjylbegajve) kanë luftuar me ushtrinë e Mehmet Pashë Bushatliut në vitin 1770, luftë të cilën ato e humbën dhe në të cilën mbeti i vrarë Hysen Begu dhe u var nipi i tij Jusuf Begu. Me kalimin e viteve, familja u vendos në lagjen Qaf Hardhi në qytetin e Shkodrës, pikërisht pas rënies së pashallëkut të Shkodrës.

Rikthimi në Shkodër

Thuhet se pinjolli i parë i familjes Gjylbegaj, që erdhi dhe u vendos në Shkodër, pas rënies së Bushatllijve, ishte në moshë të re dhe hyri fshehurazi në qytet. Në lagjen ku u vendosën, Gjylbegajt ndërtuan dhe disa vepra bamirësie që u janë njohur deri vonë si toponime, si: "Pusi i Gjylbegajve" dhe "Ura e Gjylbegajve". Në këtë lagje ato kishin një banesë të vogël dhe merreshin me grumbullimin e kripës duke e tregtuar atë, ndërsa më pas nisën të grumbullojnë dhe lesh për eksport. Bijtë e Gjyl Begut u shpërngulën dhe blenë një shtëpi tek Çinari i Hoxhë Dheut, ku jetojnë dhe sot pasardhës të tyre. Gjylbegajt kanë pasur një degë që ka jetuar në Bushat, por pas konflikit me Bushatllinjtë është shpërngulur, duke lënë si gjurmë në atë zonë një zbulim të para disa dekatave që sipas toponimit quhej banjoja e Gjylbegajve dhe lidhej me "Kronin (kroin) e Çelepisë" nga ku furnizohej me ujë.

Kryengritjet

Vendosja në Shkodër i përket fundit të shekullit të XVIII-të, kur pinjollë të kësaj familjeje qenë aktiv në lëvizjet politike e të armatosura të kohës, duke lënë emër në historinë e qytetit të lashtë të Shkodrës. Sulejman Gjylbegu (Gramshi) ka marrë pjesë në kryengritjen e Hamz Kazazit në vitin 1835 kundër Hafiz Pashës ku dhe është plagosur. Ai thuhet se mbi kalë dilte e mblidhte njerëz në Pazar duke i bindur të mbyllnin dyqanet dhe të merrnin armët për të luftuar dhe mos pranuar që të dërgoheshin vullnetarë shkodranë në luftë përkrah Turqisë. Djali i tij, Hysen Begu, merr pjesë në luftën e Miletit, në vitin 1878, bashkë me xhaxhanë e tij, Molla Begun, dhe kushëririn Sela Begun. Por me gjithë se në një kohë luftash familja Gjylbegu merrej kryesisht me tregti, disa me grumbullim leshi e disa me grumbullim lëkurësh për eksport. Një pjesë tjetër e tyre u mor me tregti manifakture (pëlhurash) përveç tokave që kishin. Hysen Begu dhe trashëgimtarët e tij, deri para 1944 janë konsideruar si latifondistët e parë të rrethit të Shkodrës.

Pjesëtarë të familjes morën pjesë aktive në Luftën Nacional Çlirimtare

beqir gjylbegu gjylbegaj
Beqir Gjylbegaj ka qenë i njohur pasi ishte në xhandarmërinë e Kongresit të Lushnjes, madje thuhet se nën komandën e tij kontrolli i qeverisë së dalë nga ky kongres u shtri deri në Pogradec. Beqir Gjylbegu ishte përkah Fan Nolit në revolucionin e qershorit 1924, dhe më pas u internua nga Ahmet Zogu, në Krajë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai ishte për një kohë të shkurtër nënprefekt në Ulqin, më pas u bashkua me lëvizjen nacional çlirimtare.

naim gjylbegu hero i popullit
Gjatë Luftës së Dytë Botërore nga kjo familje pati dy dëshmorë, Eljaz Gjylbegun, dëshmor i vrarë në Prishtinë, vëllai i Beqir Gjylbegut dhe Naim Gjylbegun, Hero i Popullit, një prej 5 herojve të Vigut, nip i Beqir Gjylbegut. Beqir Gjylbegaj, në vitet '50-të ishte kryetar i komitetit ekzekutiv të Sarandës, si dhe deputet i kuvendit popullor deri në vitin 1972.

Muharrem Gjylbegaj, njeriu që shpalli 2 herë pavarësinë në Shkodër


muharrem gjylbegu kryetar bashkie shkoder
Historia e një qyteti si Shkodra, e mbushur me revolta e kryengritje, rrethime e rirrethime, u ka dhënë mundësinë shumë atdhetarëve, të futen në faqet e historisë së luftrave shqiptare për pavarësi. Një më të rëndësishmit, është njeriu që ngriti flamurin e pavarësisë më 1913, një vit pasi Shqipëria kishte shpallur mëvetësinë, ndërsa Shkodra iu dorëzua tradhtisht malazezve. Njeriu që i dha "pavarësinë" Shkodrës më 1913, ishte Muharrem Gjylbegu, kryetari i bashkisë së kryeqendrës së veriut të Shqipërisë.

ngritja e flamurit ne bashkine shkoder 1914
Pavarësia e parë: Më 1910, Muharrem Gjylbegu hyn në skenën politike si kryetari bashkisë së Shkodrës, duke lënë një emër të mirë në të gjitha shtresat e popullsisë. Përpara se të zgjidhej kryetar bashkie, ai ishte tregtar pëlhurash që bënte rrugën e Stambolit, Selanikut e Manastirit, aktivitet këtë që më pas ia la djemve dhe vëllait së tij. Ai qëndroi në detyrë deri në vitin 1916 dhe pati fatin që të ngrejë me dorën e tij, për herë të parë në qytetin e Shkorës, flamurin e pavarësisë më 28 nëntor 1913 në ballkonin e bashkisë së qytetit. Duke qenë se më 1912, Shkodra ishte e rrethuar, në njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë, Muharrem Gjylbegu i kërkoi qeverisë ndërkombëtare që administronte qytetin që të ngrihej flamuri i pavarësisë në Shkodër, tek ballkoni i ndërtesës së bashkisë. Kjo u prit me një manifestim masiv nga populli i Shkodrës, i cili ende nuk kishte mundur të shihte shqiponjën dykrenore të valëvitej në qytet.

ngritja e flamurit ne kalane rozafa shkoder
Pavarësia e dytë: Pasi Shkodra ishte përcaktuar se do të qëndronte brenda kufijve të Shqipërisë, caktimi i të cilave i kishin dhënë pjesën më të madhe të liqenit malazezve Gjylbegu që vazhdonte të ishte kryetar i bashkisë së qytetit dhe që kishte ndihmuar atë sa mundej gjatë rrethimit, vendosi të ngrinte flamurin në Rozafatin e lashtë. Ngritja e flamurit shqiptar nga Muharrem Gjylbegu në kalanë e Rozafës, në mars 1914, u përshëndet me 101 të shtëna topi të vendosur në kodrat e Tepes. Të dy këto "pavarësi" të vogla por të shënuara për jetën politike të Shkodrës, gjetën pasqyrim dhe në shtypin e kronikat e kohës. Muharem Gjylbegu u rizgjodh kryetar bashkie dhe hapi shkollën e parë popullore zyrtare. Ajo u mobilua me të gjitha mjetet mësimore nga bashkia dhe ishte zanafilla e shkollës kombëtare në Shkodër.

Muharrem Gjylbegu diti t'i shërbente qytetit në momentet e tij më të vështira e më të rrezikshme, sidomos në vitin 1912, kur Shkodra ishte nën sulmin e predhave serbo-malazeze. Ai përpiqej t'i siguronte bukën popullit të qytetit të rrethuar dhe shkonte vetë nëpër fshatra për të siguruar drithëra për qytetin dhe pse rrezikonte të binte rob në duart e armikut. Muharrem Gjylbegu, në krye të bashkisë së Shkodrës, pati fituar nderimin dhe respektin e përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Shkodër dhe të komandantit turk Hasan Riza Pasha. Qytetarët e tre besimeve fetare kishin simpati për kryetarin e bashkisë.

Në pushtimin austriak të Shkodrës në vitin 1916, ai rrëzohet nga pushteti, pasi nuk pranoi të vepronte ushtarakisht kundër interesave të popullit. Në demostratën e popullit të qytetit të Shkodrës dhe rrethinave të tij, kundër masave të marra nga komanda austriake e Shkodrës, Muharrem Gjylbegu ishte pjesëtar i grupit organizator, u arrestua dhe u dënua me një vit burgim. Ai vdiq më 1943 duke u përcjellënga shumë qytetarë të Shkodrës, ndërsa vdekja e aktiviteti i tij në dobi të barazisë e lirisë së atdheut, gjetën pasqyrim në shtypin e kohës.

Hamit Gjylbegu, njeriu me plisin ku shkruhej "Jam Shqiptar"


hamit gjulbegu shkodrani me plis ku shkruhej jam shqiptar
Një tjetër figurë e nderuar e dalë nga familja e Gjylbegëve është dhe Hamit Gjylbegu, kapiten i ushtrisë shqiptare, i diplomuar në Akademinë Ushtarake të Stambollit, i përkushtuar ndaj çështjes kombëtare që kur ishte student. Lindi më 1886 dhe Lufta Ballkanike e zuri në shërbim në ushtrinë e Janinës. Kur ishte student në Stamboll dhe vinte për pushime verore në Shkodër, gjatë udhëtimit vajtje e ardhje mbante në kokë një qeleshe të bardhë ku ishte shkruar "Jam shqiptar". Duke qenë oficer i aftë, turqit i ofruan qëndrimin atje në gardën mbretërore, por ai nuk pranoi dhe u kthye në Shqipëri. Ai shërbeu kudo ku i kërkohej dhe në Luftën e Koplikut në vitin 1920 u dallua për trimëri dhe si strateg. Kontribuon në Komitetin e Kosovës dhe përkrah qeverinë e Fan Nolit.

Ragip Gjylbegaj, personi që i fali biblotekën universitetit italian


ragip gjylbegu gjylbegaj
Një figurë e nderuar e kësaj familjeje është dhe mësuesi i dalluar Ragip Gjylbegaj. Deri në vitin 1944 ai ishte mësues filloreje. Pas çlirimit ka qenë inspektor e drejtor shkolle në qytetin e Shkodrës, i dalluar si për aftësitë mësimdhënëse ashtu dhe organizimin si nëpunës jashtëshkollor. Në shkollën e Parrucës, krijoi bandën shkollore e cila u pajis me uniformën përkatëse dhe arriti të japë koncerte e programe artistike jashtë qytetit, madje dhe jashtë vendit. Ka pasur pasion bibliotekat dhe në bibliotekën e tij personale ka pasur koleksione të plota gazetash e periodikësh shqiptarë. Në vitin 1995, biblioteka e tij mjaft e pasur u bë pronë e universitetit të Kozencës në Itali, dhe është baza e sektorit të albanologjisë së këtij universiteti.

dr ilir gjylbegu gjylbegaj
Të tjerë pjesëtarë të kësaj familjeje kanë dhënë kontributin e tyre në jetën shoqërore të qytetit e të vendit, siç është Skënder Gjylbegu mësues, apo mjekët obstetër dhe pediatër, Ilir e Xhavit Gjylbegu, mjaft të njohur jo vetëm në Shkodër, por dhe në Tiranë.

Nga Anila Dushi, 23 korrik 2007
Një tjetër figurë e kësaj familjeje është dhe këngëtarja jonë e dashur Rosela Gjylbegu, e cila me zërin e saj të veçantë na jep gjithmonë diçka magjike.

COMMENTS