Fototeka Kombëtare Marubi, Shkodër

Fototeka Marubi, Shkodër
Në vitin 1856, italiani Pietro Marubbi themeloi në Shkodër studion e parë të fotografisë në Shqipëri: Foto-Studio "Marubbi". Pas vdekjes së mjeshtrit Pjetër Marubi, i cili njihet si autori i fotografisë së parë Shqipëtare, studion do ta trashëgonte djali i birësuar i familjes Kodheli nga fshati i Zadrimës, Keli (Mikel). Ai më pas do të thirrej nga njerëzit e qytetit si Keli i Marubit dhe kështu ai do të quhej përgjithmonë Kel Marubi, në nder të mjeshtrit të madh.

Duke trashëguar studion dhe mbiemrin e mjeshtrit, në vitin 1907 Kel Marubi do ta shqiptarizonte emrin e studios duke e quajtur atë "Dritëshkroja Marubbi". Pas vdekjes së Kelit "Dritëshkroja Marubbi" do të drejtohej nga i biri i tij Gegë Marubi, i cili kishte mbaruar studimet për fotografi në shkollën e parë të filmit dhe fotografisë të Vëllezërve Lumierë në Francë. Gega, i fundit i dinastisë Marubi, ishte mjeshtër i portretit dhe i peisazhit me infra të kuqe. Ishte i pari ai që përdori këtë proces të zhvillimit të fotografisë, pasi e mësoi në Francë.

Fototeka Marubi do të krijohej si një sektor i Muzeut Historik të qytetit të Shkodrës në vitin 1970, pasi Gegë Marubi i dhuroi shtetit arkivin e tij personal prej tre brezash, me rreth 150 mijë negativë.

Këtë nismë e përkrahën dhe fotografë të tjerë shkodranë:

- Shan Pici që filloi të punojë nga viti 1924 dhe deri 1962 në Lezhë. Ai i dhuroi shtetit rreth 70 mijë negativë të formatit 18x24 deri 4x6 në pllaka xhami dhe në filma celuloidi. Shani, siç e quante populli, ishte fotografi i Malësive. Në materialin që ai dhuroi, ka tema të ndryshme si: peijsazhi i tij i famshëm, urbanistika, etnografia, pazari, sporti e shumë tema të tjera të rëndësishme.

- Dedë Jakova ishte një fotograf tjetër shkodran që i dhuroi shtetit rreth 50 mijë negativë, në xham dhe celoloid, me format 10x15 deri 6x9. Dedë Jakova ishte fotografi i rinisë. Kështu e quante populli i Shkodrës. Ai ishte dhe si fotoreporter për kohën dhe e zhvilloi veprimtarinë e tij nga viti 1930 dhe deri 1959. Në fondin e tij zbulojmë një larmi temash si histori, etnografi, urbanistikë, teatër e shumë të tjera të rëndësishme.

- Pjetër Rraboshta, që dhuroi rreth 3 mijë negative, quhet ndryshe edhe fotografi i fëmijëve dhe i manifestimeve të ndryshme që janë bërë në qytetin e Shkodrës në vitet nga 1959 deri në vitin 1975. Materiali i tij është në filma "Laika", 24x36 mm.

- Angjelin Nënshati është vazhduesi i fotografëve të traditës shkodrane. Ai dhuroi rreth 25 mijë poza. Materiali i tij është i fiksuar në filma "Laika", 24x36 mm, dhe fillon në vitin 1959 deri në vitin 1984. Në fondin e tij ka tema të ndryshme si manifestime shkollore, arsimore, sportive, mjeksore, etj.

Në vitin 2003, Fototeka "Marubi" do të shkëputej nga vartësia e Muzeut Historik të qytetit dhe duke kaluar kështu nën vartësinë e Ministrisë së Kulturës me statusin e institucionit kombëtar, Fototeka Kombëtare Marubi. Sot ajo mban emrin Muzeu Kombëtar i Fotografisë "Marubi" dhe mbetet i vetmi institucioni përfaqësues i artit të fotografisë në Shqipëri, dhe në të ruajnë fondet e tyre fotografike: Pietro Marubbi, Mati Kodheli, Kel Marubi, Gegë Marubi, Bernardina Marubi, Kolë Idromeno, Shan Pici, Kolë Maca, Dedë Jakova, Pjetër Rraboshta, Angjelin Nënshati, vëllezërit Mehmet dhe Osman Kallfa, etj.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë "Marubi", ruan rreth 500.000 negativë të fotografëve më të njohur, prej të cilavë rreth 150,000 negativë janë të tre brezave Marubi. Fotografi që dëshmojnë jetën, historinë, traditat dhe kulturën e këtij qyteti por edhe të Shqipërisë gjatë një periudhe më shumë se 100-vjeçare.

Në këtë arkiv gjenden negativë nga të gjitha formatet, që nga 30x40 dhe deri te 6x9 në pllaka xhami, nga viti 1858 deri në vitin 1959. Ky, është një nga arkivat më të pasur të Ballkanit. Në të mund të gjesh negativë me tema të ndryshme dhe figura po kaq të shumëllojshme, si pashallarë, vezirë, oficerë turq dhe deri konsuj të kombësive të ndryshme, italianë, francezë, austriakë, anglezë, rusë, grekë, serbë, figura nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore dhe figura shqipëtarësh të rëndësishm si Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Azem e Shote Galica dhe shumë figura të tjera të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Gjithashtu në arkiv mund të gjesh negativë me tema nga etnografia, urbanistika, monumentet e kulturës, historia, pazari, lundrimi në Bunë etj.

Marubbi, Shkodra

COMMENTS