Google Doodle

Google Doodle
Punonjësi i kompanisë Google, Ryan Germic, thotë se dizenjot Doodle vlerësohen në bazë të kriterit tematik.
Nga pikëpamja e marketingut kompania jashtëzakonisht fitimprurëse për kërkime në internet, Google, dallohet nga të tjerat edhe për shkak të logos së saj Google në një faqe të bardhë në ekran. Kjo zgjedhje e thjeshtë, është në përputhje me synimin e kompanisë si një mjet kërkimi në internet dhe jo si një medium lajmesh ose faqesh argëtuese. Faqja kryesore asnjëherë nuk ndryshon, përveç rasteve kur ajo zëvendësohet nga vizatime artistike, të ashtuquajturat Doodle, kur logoja Google fshihet brenda këtyre gjetjeve stilistikore.

Përdoruesit e programit kërkimor Google herë pas here vënë re një logo të ndryshuar, të posaçme, për të shënuar festa të ndryshme, si Viti i ri, apo përvjetore më të panjohura. Vitin e kaluar, pas mbledhjes se mbi 50 mijë nënshkrimeve nga të rinj shqiptarë, me 28 nëntor Google bëri një logo me flamurin e Shqipërisë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.

Këto gjetje artistike për logon e firmës Google mund të sjellë më shumë përdorues në faqen e saj. Por Ryan Germic, përgjegjës për to, thotë se vlera e tyre për kompaninë nuk gjendet në një plan tradicional biznesi.

"Ne jemi këtu për të befasuar, për të krijuar kënaqësi në mesin e përdoruesve tanë dhe për t'i dhënë një element njerëzor programit Google".

Ndryshe nga aspektet tjera të biznesit të Google që vazhdimisht analizon të dhënat dhe përdorimin e tyre, zoti Germic thotë se Doodles vlerësohen në bazë të kriterit tematik.

"Ne ndjekim aktivitetet në rrjetet sociale dhe në shtyp për të parë nëse dizenjot tona i bëjnë njerëzit të qeshin. Pra ne përpiqemi të krijojmë më shumë një lidhje emocionale sesa nxitjen e më shumë klikimeve".

Albania Independence Day Doodle

Jennifer Hom, punonjëse në projektin Doodles, thotë se ekipi i saj krijon çdo vit mbi 300 dizenjo të logos ose Doodles në shumë gjuhë të ndryshme, por i shmang temat politike ose ato të debatueshme.

"Idetë për logon Doodle kanë burime të ndryshme dhe përpiqen të pasqyrojnë proçese ndërvepruese. Ne thjeshtë mendojmë për gjërat novatore, artistike dhe të pazakonta, pra diçka që është e përshtatshme për Google".

Inxhinieri Khris Hom, krijon imazhe vizatimore nga krijimet e artistëve. Ai thotë se fillimisht iu bashkua ekipit si pjesë e një programi për kultivimin e krijimtarisë dhe rritjen e kompanisë.

"Përfshirja ime në fillim ishte pjesë e një projekti që mbulonte 20 për qind të punës sime në kompani, një fenomen i zakonshëm në Google, ku inxhinierët mund të shfrytëzojnë një ditë në javë ose 20 për qind të kohës së tyre të punës në çfarëdo që u pëlqen atyre. Kështu unë fillova të merrem me zhvillimin e imazheve vizatimorë, dhe dikush nga ekipi Doodle e pa punën time dhe kërkoi që ato të hidheshin në faqen tonë të internetit. Që atëherë puna ime me imazhet vizatimorë ka qenë një kënaqësi e veçantë".

Burimi: zeriamerikes.com

COMMENTS