Hamdi Bushati

Hamdi Bushati Hamdi
Hamdi Bushati lindi në Shkodër, në vitin 1896, dhe u rrit në një familje të njohur shkodrane. Është një ndër personalitet më të shquara të arsimit shqiptar, i njohur dhe për aktivitetin e tij produktiv si historian, grumbullues e studiues folklori.

I mbetur jetim në moshën 3-vjeçare, pati fatin të kishte tutor dajën e vet, Muharrem Gjylbegun, patriotin e nderuar që pat ngritur flamurin kombëtar në Shkodër, me 28 nëntor 1913. Fëmijërinë dhe rininë e parë i kaloi në shkollat e kohës: ushtaraken e qytetit (Mejtepi Ruzhdije Asqerie). Pas pushimeve verore u regjistrua në gjimnazin civil. Lufta Ballkanike ia ndërpreu përfundimin e shkolles. Gjatë viteve 1914-16 ndoqi një kurs të hapur nga Italia për t'u mësuar italishten të rinjve myslimanë. Vazhdoi shkollen tregtare deri sa u mbyll. Më pas ndoqi kolegjin saverian. Çdo herë si nxënës i dalluar, i vlersuar shumë mirë e me çmime. Më pas nuk iu nda studimit vetiak dhe gjuhëve të huaja. Vetëm në sferën e gjuhëve të huaja mund të shënojmë se në gjimnazin civil turk studioheshin tri të tilla (2 të lindjes dhe 1 të përendimit) kurse në kolegjen e jezuitëve dy klasike e dy të gjalla. I rëndësishëm ka qenë ndikimi i mjedisit familjar kryesisht i vëllezërve të tij më të mëdhenj, Visho e Xhemal. Në këtë familje lexohej rregullisht shtypi i kohës, shqiptar e përparimtar turk. Diskutoheshin e komentoheshin gjërësisht ngjarjet e ditës të lidhura me Shqipërinë. "Qysh në këtë kohë - shkruan Hamdiu - nisa të kuptoj rëndësinë e çështjes kombëtare". Elementë fanatikë që ishin në kundërshtim me nacionalizmin shqiptar, mbajtën një qëndrim jo miqsor ndaj vëllezërve Bushati, pikërisht për idetë e tyre atdhedashëse dhe për faktin që ata përkrahnin pa rezerva idenë e shkollimit në gjuhën amtare. Në vitin 1917, me thirrjen që ua drejtoi të rinjve, Drejtori i Përgjithshëm i Arsimit, Luigj Gurakuqi, ndoqi kursin e shpejtë pedagogjik për përgatitjen e mësuesve, që drejtohej nga Gaspër Beltoja. Në moshën 21-vjeçare filloi karrierën e mësuesisë që do ta vazhdojë me ndërprerje për 14 vjet.

Deri më 1921 figuron mësues i shkollës fillore Rus-Haslikej, pastaj vazhdon në Shkollën e Parrucës me drejtor Abaz Golemi. Gjatë viteve 1920-1921 pat një shkëputje, sepse shkoi vullnetar në Luftën e Koplikut ku, për arsye shëndetsore u mbajt si sekretar i dytë pranë shtabit kryesor.

Në vitin 1925 transferohet në Lushnje si ish-opozitar, por ndalohet në Tiranë, ku punon për dy vjet në një shkollë plotore, duke dhënë njëkohësisht dhe frëngjishten në Medresenë e Lartë. Në vitet 1926-1927 emërohet drejtor i shkollës së Perashit, nga ku jep dorëheqjen për t'u rikthyer në fushen e arsimit në periudhën 1940-1945.

I mëkuar me dashurinë për atdheun dhe qytetin e tij të lindjes, me punën e dijen, ai që në moshë të re u formua si intelektual duke studiuar në shkollat më të njohura të Shkodrës dhe jashtë saj, në Romë e Paris, ai arriti një profeksionim të elementëve kryesore të shkencave të ndryshme. Përveç kontributit të tij të madh në fushën e arsimit shqiptar, ai studion në mënyrë audodidakte, grumbullon dhe gërmon në arkiva të ndryshëm, dëshifron dorëshkrime të vjetra, përkthen documenta, mbledh fakte e dëshmi verbale nga pjesëmarrës në ngjarje të ndryshme. Zotërimi prej tij mjaft mirë i turqishtes së vjetër, por dhe i asaj të resë, i italishtes e frëngjishtes, si dhe njohja e mirë e arabishtes e gjermanishtes, i dha mundësi të njihej me botimet e huaja për historinë kombëtarer e lokale. Tepër aktiv në punën kërkimore, dhe i ngazhuar në jetën intelektuale të elitës së qytetit të Shkodrës, Hamdi Bushati jep një kontribut të madh si mësues, historian, përkthyes, e studiues. Si mësues dhe drejtues shkolle ai shquhet për përgatitjen me përkushtim të brezave të tërë nxënësish, hartimin e mjaft teksteve shkollore dhe studimin e historisë së shkollës dhe mendimit pedagogjik shqiptar. Si historian, ai boton nëpër organet e shtypit të kohës, artikuj e studime si "Gjenealogjia e Bushatlinjve", botuar në revistën "Dituria", punimin "Lufta e Miletit" të botuar në vitin 1928 në "Kalendari Kombtar", e mjaft studime e punime të tjera që u përfshinë më pas në kryeveprën e tij "Shkodra dhe Motet".

Si përkthyes ai përveç dokumenteve të shumta në turqisht, si dhe mbishkrimeve mbi objekte kulti, përktheu dhe vepra të plota siç janë "Fjalori Historik" dhe "Fjalori Etnografik" nga "Enciklopedia" e Sami Frashërit, "Psikologjia" e Hasan Tahsinit, "Xhibali" e J. Davvenport, "Mbrojta e Shkodrës" nga Nazif-Karamentin, etj. Ai pasuroi bibliotekën e tij personale me vepra të larmishme si fjalorë, gramatika e manuale gjuhësore të gjuhëve që njihte, me vepra letrare e historike, me krijime folklorike etj.

Vepra e tij kryesore "Shkodra dhe motet", me dy vëllime dhe një suplement shtesë e botuar në vitin ë 1998 është unikale në llojin e vet. Ndërsa në vitin 2003 u botua vepra tjetër historike e Hamdi Bushatit, "Bushatllinjtë".

"Shkodra dhe motet", është një vepër enciklopedike që tregon më së miri madhështinë e qytetit të Shkodrës, vlerat e historike e kulturore, figurat e ndritura. Ajo është enciklopedia më e plotë e botuar apo dhe e shkruar deri tani, për qytetin e lashtë të Rozafës. Në rreth 1500 faqet e dy vëllimeve, për të cilat autori punoi gati 60 vjet dhe që u arrit të botohet 15 vjet pas vdekjes së tij, nën kujdesin e djalit të tij Nexhmi Bushati, pasqyrohet më së miri madhështia e këtij qyteti, familjet shkodrane, niveli ekonomik, kulturor, arsimor, i tyre, zakonet e doket, historia e figurat e saj. Në faqet e kësaj vepre, autori jep shumë gjëra për qytetin e tij. Historia, shtrirja gjeografike, humori, të dhëna topografie, arkeologjike, etnografie, urbanistike, sociologjike, gjuhësore, etj.

Më 1945, Hamdi Bushati burgoset politikisht por i jepet pafajësia.
Më 1950 largohet nga arsimi e punon si punëtor krahu.
Më 1954-1960 internohet politikisht.
Nga viti 1960 e deri kur vdiq, në vitin 1983, iu kushtua punës shkencore por iu mohua pensioni.

Vepra e tij shkencore e historike u botua pas ardhjes së demokracisë nga djali i tij Nexhmi Bushati, i cili e pasuroi me të dhëna të tjera gjithçka kishte ruajtur e trashëguar nga babai i tij.

Gjatë gjithë periudhave historike, Bushatlinjtë kanë dhënë kontribut të madh për zhvillimin politik, ekonomik e shoqëror të Shkodrës. Që në periudhat e hershme të pashallekut të tyre, ato ndërtuan disa ura si mjete komunikimi siç janë Ura e Mesit në Postribë, Xhamia e Plumbit në Shkodër, Ura e Tamarës në Kelmend, Ura e Vezirit në Kukës, Bexhisteni në Shkodër ku kishte me qindra njësi tregtimi, Ura e Moraçës në Mal të Zi etj.

COMMENTS