Hilë Mosi, patriot dhe demokrat

hile mosi, hil mosi
Hilë Mosi, i biri i Mark Mosit, lindi në Shkodër më 22 prill 1883. Hila qe ndër atdhetarët dhe patriotët më të vlefshëm që nga mbarimi i shekullit të XIX, të cilët luftuan për idenë kombëtare. Poet luftëtar e publicist, patriot dhe demokrat, figurë politike e njohur e periudhës para e pas Pavarësisë. Pjesë e brezit të dytë të Rilindasve Shqiptarë.

Hilë Mosi i filloi mësimet në shkollën italiane, të cilat i vijoi në shkollën teknike tregtare dhe në Kolegjin Saverjan të Jezuitvet e më vonë ndoqi degën e mësuesisë në Shkollën Normale të Klagenfurtit (Austri). Duke ndjekur shembullin e prindit, që në moshë të re, iu kushtua propagandës kombëtare e duke u gjetur në Vjenë, në 1902 me shokë tjerë shqiptarë nën kryesinë e Gjergj Pekmezit bashkëpunoi në shoqërinë letrare "Dija", e cila mot për mot botoi një kalendar, dhe nxorri një fletore me emër "Vllaznija". Qysh prej asokohe Hila filloi të shkruante me pseudonimin Sakoli proza dhe vjersha atdhetare. Me t'u kthyer në Shqipëri, fillon të marrë pjesë në lëvizjet kombëtare duke u bashkuar me komitët e Mihal Gramenos në Korçë. Punonte, gjithashtu, të botonte gazetën e re "Shqiptari" bashkë me ikanakët nga Struga, Ibrahim Mehmet Naxhin dhe Dervish Himën, dhe Eqrem bej Vlorën.

Mbasi u shpall Kushtetuta e Turqve të Rinj në vitin 1908, u kthye në Shkodër, ku themeloi shoqërinë "Gegnija" e më vonë qe përfaqsues i saj në Kongresin e Manastirit bashkë me Fishten, Mjeden, Gurakuqin dhe Logorecin. Ishte dhe anëtar veprimtar i Komitetit te Kryengritjes së Malësisë së Veriut (1909-1912), ku luftoi edhe me armë në dorë në krah me Risto Siliqin.
Në vitin 1913 mori piesë në kongresin e Triestës.
Në vitin 1914 formoi shoqërinë "Klubi Lidhja Kombtare" në Shkodër, së cilës ishte Kryetari.

Gjatë pushtimit austriak në Shkodër (1916-1918) bëhet për pak kohë drejtor i policisë në Shkodër, qe pjesë i Komisisë Letrare, të cilën detyrë e vijoi edhe më vonë kur Shkodra u bashkua me qeverinë e Tiranës mbas lirimit të vet nga ushtritë franceze.

Më 16 shkurt 1919 shoqëritë e Shkodrës "Mustafa Pasha" dhe "Vaso Pasha" u bashkuan dhe sajuan shoqërinë e vetme me emrin "Vllaznija", e cila ishte një ndër shoqëritë më të organizuara të Shqipërisë dhe që me veprimtarinë e vet letrare, teatrore, muzikore dhe sportive pati një meritë të madhe për zgjimin e rinisë shqiptare, sidomos me botimin për tre vjet me radhë të së përkohëshmes "Agimi". Hilë Mosi ishte kryetar i kësaj shoqërie për një kohë të gjatë dhe me artikujt e përkthimet e veta të ndryshme e zbukuroi organin e shoqërisë. Në këto përkthime është për t'u përmendë studimi historik mbi Vlorën e kohës së mesme, të nxjerrur nga vepra e historianit Kostandin Jireçek-ut, i cili bashkë me Milan Šufflay dhe Tallotzi-n mblodhën dokumentat e historisë së Shqipërisë dhe i botuan në dy vëllime të mëdha me titull "Acta et Diplomata res Albaniæ Mediæ illustrantia".

Jeta e Hilë Mosit është një shembull i gjallë atdhedashurije, zelli, veprimtarije dhe vetmohimi për qellime kombtare: e dëshmojnë shoqëritë e themeluara me nismërinë e tij, të përkohëshmet dhe fletoret që nxori ai vetë, ose që i përkrahi me bashkëpunimin e vet. Jeta e tij qe një jetë ravëgimi, dhe kudo që zuri vend, edhe për pak kohë, u pa menjëherë vepra e tij shoqërore dhe letrare, e frymëzuar përherë prej një shpirti dinamik dhe prej dëshirës të zjarrtë për t'u liruar nga zgjedha e huaj. U përshkua nëpër shumë lëvizje politike duke përballuar trimërisht pengime dhe kundërshtime të mëdha. I shërbeu kombit edhe me veprimtarinë e vet të parreshtur si zyrtar shteti: si mis i Komisisë Letrare të Shkodrës, si deputet, prefekt, si Drejtor i Përgjithshëm i Sigurimit botues, si Ministër i Arsimit.

U zgjodh deputet i Shkodrës, në Parlamentin Shqiptar nga viti 1920 në 1924. Senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920. Gjatë kësaj periudhe shërbeu gjithashtu si anëtar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve.
Gjatë qeverisë së Fan S. Nolit, 1924, Hila u emërua Prefekt i Korçës dhe i Gjirokastrës. Mbas rënies së kësaj qeverie, ai u arratis.
Në 1927, Mosi u kthye ne Shqipëri pas amnistisë së dhënë nga Ahmet Zogu dhe u bë Ministër i Punëve Publike; pastaj Prefekt i Korçës; mandej inspektor i Oborrit Mbretëror; pastaj prap Prefekt i Korçës; andej si Drejtor i Përgjithshëm i Sigurimit; përsëri Prefekt në Korçë.
Në vitin 1930 bëhet Ministër i Arsimit, në kabinetin e mëparshëm Pandeli Vangjeli. Gjatë kësaj kohe qeveritë shqiptare shfaqnin prirjet për shtetëzimin e shkollave, politikë kjo e cila ra ndesh me françeskanët në Shkodër që mbronin liceun "Illyricum". Në polemikat e shtypit të kohës, mes Hilë Mosit e Atë Anton Harapit tek Hylli i Dritës, u detyrua Fishta t'i shkruante një polemikë klasike që në sintezë i thoshte "Gabove Hilë!"; siç mbante edhe titullin. Polemikë të cilën, bashkë me vepren "Bujari", Mosi s'e kapërdiu.

Postin si ministër e mbajti deri në vdekje, më 21 shkurt 1933 në Tiranë. Varrimi i tij u bë në Shkodër, ku Mirash lvanaj, në ëmër të Qeverisë, bëri një fjalim të shkëlqyer, duke theksuar virtytet e atij.

Z. lvanaj fjalimin e tij e mbaroi kështu:

"... Ti shkove, o Hilë, tue mjerue e familjen t'ënde, tue lanë nji tjetër vend të shprazët në mes të veteranëve, qi janë aristokracija e luftarëve shqiptarë. Ti shkove, o Hilë, pa e pritë ditën në të cilën do të kryhet vepra madhshtore e Mbretit t'onë, ditën në të cilën çdo shqiptar ka me kenë nji ushtri e pathyeshme e çdo shkamb i maleve t'ona, e çdo pllambë e tokës s'onë nji fortecë e pa-pushtueshme. N'emën të Qeverisë Mbretnore po t'ap përshëndetjen e fundit.
Pushofsh në paq, i mpshtjellun me ket tokë të bekueme të cilën aq fort e deshte."


Veprimtaria letrare.

Hilë Mosi ka qenë edhe një nga shkrimtarët e vjershëtorët e vendit. Që në moshën e re nisi të shkruante nëpër fletore shqipe vjersha dhe aty-këtu edhe proza; kështu, gjithnjë nxënës n' Austri, bashkëveproi rregullisht në të përkohëshmen "Albania" të Faik Konicës me pseudonimet Zog Sakoli, Sakoli, Zog Dushmani, Lirijasi, Speci etj., gjithashtu edhe ndër të përkohëshmet e kohës si "Drita" e Sofies, "Kombi" i Bostonit, "Albania" e Beogradit, "L' Albania" e Dervish Himës, "Shpnesa e Shqypnis" e Raguzës, "Diturija" e Lumo Skëndos, "Lirija e Selanikut", "Vllaznija" e Vjenës, "Lidhja Orthodokse" e Korçës, "Shqiptari" i Stambollit, i së cilës qe kryeredaktor, "Agimi" i Shkodrës etj. Në vitin 1913 themeloi dhe drejtoi, bashkë me Karl Sumën dhe Risto Siliqin, fletoren e përdyjavëshme "Shqypnija e Ré", e cila e vijoi botimin deri në plasjen e Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1913 botoi në Trieste një grumbull poezishë me emrin "Zâni i Atdheut", vjersha atdhetare të përpiluara, më të shumtën, mbas frymës popullore, ku qëndron si faktor i parë malli për atdhe. Në këtë përmbledhje Mosi këndon Shqipërinë kur kjo vuante, dhe kur coptohej prej diplomacisë së pamëshirshme evropiane, për të ngopur lakmitë e shteteve fqinje. Vepërza "Lotët e Dashunis", e botuar në vitin 1916 përfshin një tubë lirikash me lëndë të ndryshme dhe me masa vargu gjithfarësh; një pjesë e këtyre janë origjinale, të tjerat janë përkthime të lira autorësh gjermanë si Goethe, Schiller, Heine, Koerner, Lessing etj. Këtij vëllimi i bëri një botim të dytë me titullin "Lule Prendvere" duke i shtuar vjersha dhe balada të reja dhe duke përmirësuar të parat.

Në një vëllim të vogël përmblodhi në vitin 1924 nën titullin "Kangët Shqipe" disa prej vjershave të veta dhe të shokëve të vet që këndoheshin prej kryengritësve nëpër malet shqiptare në luftat kundra Turqisë, ndër të cilat mori pjesë edhe ai vetë në malet e Shkodrës dhe të Korçës. Edhe si përkthyes penda e këtij shkrimtari njihet nëpër "Cubat" (1928) vepër e Frederik Schiller-it, të cilën e ka punuar lirisht duke ia përshtatë gjendjes shqiptare; nëpër "Filja" dramë tri aktesh nga Theodor Koerner-i, duke e sjellur ngjarjen në Kurbin rreth kullës së Kapitan Gjekajt; nëpër komeditë e Goldonit: "Shërbëtori i dy zotnive" e "Dy Shërbëtorët". Poezitë e Hilë Mosit me përmbajtje kombëtare nuk kanë një vlerë aq të madhe artistike, por të gjitha janë të veshura me ndiesi të holla atdhetare, familjare e shoqërore, dhe meritojnë të çmohen për zgjedhjen e shprehjeve dhe për kumbimin melankolik e të thekshëm. Një meritim të veçantë për historinë e letërsisë shqiptare ka Hila për poezinë prej 138 vargjesh me titullin "Natyra" (Albania, Vit X. nr. 10-11-12, 1906, fq. 188-1919) në të cilën takohet prova më e parë e përshtatjes së heksametrit në shqipen, provë e cila ka dhënë një përfundim të pëlqyeshëm.

COMMENTS