Kafja e Madhe, Shkodër

Kafja e Madhe Shkoder
Kafja e Madhe është një nga legjendat referenciale urbane të qytetit të Shkodrës. Por, ajo tash sa kohë, është e mbyllur në pritje të zgjidhjes së mosmarrëveshjes së njerëzve të saj. Që gjithsesi duhet të vlerësohen për një fakt; që nuk duan t'ia ndryshojnë destinacionin. Rreth saj po zhvillohet edhe Shkodra si qëmoti, me shpresën për të rikthyer sharmin e dikurshëm "Dashnores së shekujve".

Të sapofejuar. Të bukur. Ai, veshur me një kostum të errët dhe me kravatën që nuk e hiqte asnjëherë. Ajo e brishtë, e derdhur krejt në krahun e tij. Të druajtur, atë ditë bënin xhiron e parë të paqtë të dashurisë së tyre. Ai shtyu me kujdes derën... nga ku jashtë derdheshin meloditë e qeta të një potpurie qytetare vendase. Vajzën e re po e mbyste emri, mjedisi me mobilimin e rëndë, njerëzit... frika e dashurisë së saj... Pak sekonda zgjati e gjitha kjo. Orkestra, që e kishte kapur hezitimin e çiftit të ri, pinjoll i familjeve të njohura të qytetit, nuk kishte pasur nevojë për urdhër. Një melodi mirëseardhje iu blatua aty-për-aty çiftit nga Kafja e Madhe.
Kështu funksiononte Kafja e Madhe. E thjeshtë. Intime. Me një mobilim të rëndë, që vitet ia çorën pak nga pak. Aty mblidheshin shkodranët dhe ata që donin të preknin Shkodrën. Të huajt, diplomatë, ushtarakë, intelektualë, qytetarë... miq. Tek-tuk dhe malcuerë. Enosi, një nga pronarët e saj, në vitin 1989, kur kalonte në xhiron qytetëse me shokët dhe kur futesh ndonjëherë në Kafen e Madhe, por nga vitet gjithmonë e më të vogël, nuk e dinte asnjëherë sesa andralla do u sillte kjo Kafe më vonë. Në fakt, nuk e dinte fare se ishte pronë e familjes së tij. Po, çfarë i duhej?! Komunistët i kishin sheshuar të gjitha. Shumë vite më vonë, tash në shtëpinë e tij vetëm 120 metra larg Kafes së Madhe, i vjen për të qeshur me paradokset e jetës. Jetën vetë. Është gjëja më e lehtë që në Shkodër të gjesh Kafen e Madhe, që tashmë është e mbyllur dhe si një sfinks i vetmuar, qëndron gati në qendër të Piacës. Por, edhe gjëja më e vështirë, nëse do të largohesh dhe nuk do të shkosh aty. E kërkojnë të huajt, më shpesh. Prej kohësh agjencitë turistike të Malit të Zi dhe Kroacisë, e kanë futur si destinacionin e detyrueshëm të udhëtimit të tyre.
Në një ditë vjeshte, të shoqëruar nga Ridvani, gazetari dhe tash zëdhënësi i Bashkisë, pasi i drejtohemi për ta ri-fotografuar Kafen e Madhe, kemi përfunduar te një nga trashëgimtarët e saj aktivë: Enos Mozalin. Në Shkodër ka shumë gjëra të mëdha: Arra e Madhe, Stadiumi i Madh, Kisha e Madhe, Kafja e Madhe, Rruga e Madhe, ngaqë shkodranët vdesin për gjigando-maninë. Ja u kanë lënë paraardhësit, ata që e mbrojtën si pakkush nga turqit; ja kanë lënë Bushatllinjtë; më të vonshmit pastaj, falë asaj tregtie të begatë, që i dhanë namin në kohë. E kudo, në të gjitha kronikat ishte ajo: "Kafja e Madhe".
Bash, aty ku mblidhen të gjithë arteret e qytetit. Tashmë i gjithë zhurmon nga një zhvillim, më i mirë, veç Kafes së Madhe që hesht. Nuk bëzan. Sepse në fakt s'mundet. Pas viteve '90, kur trashëgimtarët e saj rimorën pronësinë mbi të, ajo u bë kafe, restorant... por edhe u përshtat për lojëra fati.
"Na duhej të mbijetonin dhe të fuqizoheshim, për të marrë pronat e tjera", - shpjegon Enosi, 50 vjeçar, në një shtëpi të mobiluar bukur dhe pjesë e pronave të familjes.

Kafja Madhe Shkoder
Pak parantezë... Pak minuta më parë, i kemi parë indiferentë vendasit, kur po fotografojmë elementët arkitektonikë të Kafes së Madhe. E dinë se krenaria e tyre ia vlen. Për një të ardhur nuk ka asgjë, që të mbetet në mëndje. Një ndërtesë e thjeshtë, e ndërtuar aty nga fundi i Luftës së Parë Botërore nga një arkitekt italian në stilin liberty. E paqme. Serioze. Një Dionis i gdhendur para, poshtë një ballkoni. Një çift kolonash, imitacion dorik. Harkada. Grila, jo të vjetër dhe shenja të afisheve të ngjitura shkujdesur. Brënda: Errësirë. Rrëmujë. E gjitha, vendosur në harmoni me rrugën, që ka konceptuar Idromeno. Ridvani, i bën me shenjë Polit, një pikë, ku dikur ka fotografuar dhe Marubi. Poli merret me elementët arkitektonikë dhe na hedh vështrime si mbrojtëse, pse quhet e madhe. Nga andej ku vjen ai, ky i duket një si biçim inn-i modern. Fotografon elementin e Dionisit, kornizat dhe kolonat. Me kujdes dhe një pllakë të inkasuar para. Ndalet një moment tek dryni i ri, që nuk i shkon asfare ndërtesës. Fiksohet sërish te pllaka dhe kaq. I bëjmë me shenjë dhe nisemi. Po na pret Enosi. Pak minuta më parë, Lorenc Luka, kryetari i ri i bashkisë i shmanget pak çështjes së mbylljes së Kafes. Nga ai dimë pak, por jo shumë. Fatkeqësisht jo të gjithë trashëgimtarët janë në një mëndje. Njëri prej tyre e ka shitur një pjesë të pronës së tij. Ne kemi qëndruar në rolin e pritësit, por kuptohet se në një kohë të shkurtër do të kërkojmë të merren masa sepse është objekt me vlera monumentale. Por kjo s'duhet të jetë vetëm nga bashkia, por edhe nga IMK-ja. Duhet të jenë disa kondicione në ligj, të përcaktuara mirë për shfrytëzimin për administrimin e tyre që do të thotë se këto prona mos të mbesin për gjithë kohën të mbyllura me pretendimin e pronarëve, por duhet të kenë një lloj detyrimi dhe nga institucionet shtetërore".

Trashëgimtarët

Enosin, një burrë simpatik dhe me një sjellje disi të stërholluar, pasojë e një edukate brezash, na ka pritur para Koloseumit. Na e tregon thjesht historinë e fisit të tij, që në fakt është e denjë për një vëllim më vete. Pinjollët e familjeve të njohura, gjithmonë flasin pak. Është nipi i Filomena Lukës, gruas që i ra në pajë nga familja e saj trashëgimia e Kafes së Madhe. Ajo ishte martuar me Gulielm Lukën. Si për një ironi të rrethanave, të dy kishin mbiemër të njëjtë pa lidhje. Në vitin 1920, ngrehinën e Kafes e kishte filluar së ndërtuari Familja Ashiku. Lukajt e blenë godinën të papërfunduar. Çifti i lumtur solli në jetë vajza dhe njëra syresh u martua me një nga njerëzit e familjes Muzali. Enosi me duar me shpjegon se: "Familja Muzali e ka prejardhjen e nga disa ishuj të Greqisë dhe katragjyshi im ka mbaruar shkollën në Stamboll. Ka mbaruar për farmaci. Ka ardhur në Shkodër më 1876, si doktor i ushtrisë turke me gradën gjeneral. Ka hapur Barnatoren e parë në Shkodër. E kam dhe në fotografi. Këtë e ka ndjek dhe stërgjyshi dhe gjyshi kurse baba ka ndryshuar. Ai ka mbaruar në Rumani për veteriner. Unë kam mbaruar për shkencat biologjike për biologji". Pas vitit '90, kur doli dokumentacioni i këtij objekti të rëndësishëm, ata iu drejtuan autoriteteve të Rikthimit të pronave dhe faktikisht sot pronësinë mbi të e kanë disa pjesëtarë të kësaj familje. "Ajjj, dun me e djeg", - kujtoj fjalët e një gazetari vendas, - e kanë kall gjoja se kish ra zjarr, por erdhën një fije zjarrfikësit dhe e shpëtun. Dun me ndërtu një pallat t'madh", - më ka thënë gati në konspiracion.

Pse u bë e madhe dhe si ka qenë

Enosi qesh kur ia themi. Por, ne e dimë, që në Shqipëri të gjitha ndodhin. Do t'them pse ishte e madhe, sqaron. "Ka emrin e madh që pas Luftës së Parë. Ka një konstruksion të stilit austro-hungarez si lokalet e Vjenës së asaj periudhe të Habsburgëve. Ka qenë koha dhe konstruksionin e saj e realizoi Kolë Idromeno. Kishte hapësirë të madhe, si askush tjetër këtu dhe ishte e fisme". Në fakt Habsburgët kishin dhënë shpirt, por për shkodranët kanë qëndruar.
Si iu imponua qytetit, - e pyesim. "Për arsye se në atë kohë ishte me luksozja. Mblidhej gjithë elita. Kishte komfortin e kohës dhe kishte shumë hapësirë. Kështu iu afrua qytetarëve shkodranë. Interiori ka qenë me pasqyra. Ka pasur një seri tavolinash. Ka pasur një bilardo në një vend anësor. Dhe, pjesa tjetër ka qenë një bar i madh. Vetëm ka qenë kafe. Mandej dhe janë përdorur dhe pijet alkoolike. Ishte një sallë e madhe që të serviret kafe. Në Kafen e Madhe shkonin shtresat e mesme dhe të larta. Ishte një luks për qytetin e Shkodrës. Vinin dhe studentët që vinin nga jashtë. Mbase prej atyre dhe famës që i dhanë ata Kafja u njoh me këtë emër. Ata ia shtuan famën, kudo që ishin".
Në vite, Kafja ishte në qendër të qytetit dhe pjesë themelore e kulturës, artit dhe e politikës. Shkodrës duket se i ka humbur diçka me mungesën e Kafes. Që më 1960 është quajtur Monument kulture dhe sistemi komunist i ka dhënë një farë respekti, por që gjithsesi, nuk e kaloi atë të Kafes së dikurshme. "Pastaj pas marrjes në pronësi kemi dashur ta kthejmë në identitet, por me vështirësitë ekonomike kishte shumë probleme. Bëmë disa ndryshime por pa e prishur identitetin e saj. Nuk kemi dashur ta shesim ose ta modifikojmë. Se është krenari. Unë kam qenë rigoroz as të mos shitet dhe as të mos transformohet", thotë Enosi, që pret nga shteti që ta ndihmojë. Në fakt, një nga pinjollët e ka shitur pjesën e vet dhe kjo është edhe ajo, që ata nuk e zgjidhin më dot prej vitesh.
"Pas '90 e kemi dhënë me qira. Ishte faza e parë dhe na duhej të forcoheshim. Ishte për probleme ekonomike. Ka qenë një periudhë e shkurtër 1992-1993. Në fillim lojëra fati pastaj restorant për të plotësuar objektiva të tjera. Asnjëherë nuk kemi dashur ta transformojmë"... Nuk ka mbetur ndonjë gjë brenda, për të cilën mund të kthehesh në kafe, ndërsa duket se e gjitha i shkon pak një thënie e Peter Ustinovit, më 1966: Qyteti i Shkodres është një koleksion shtëpish anemike, të ulëta, të rrënuara që janë të rrethuara nga rrugë me gjurmë të largëta asfalti. Kudo ka shumë pluhur. Kokrrizat e tij e bëjnë vetë rrugën e tyre të patrazuar. Ky imazh na ndjek dhe ne me Enosin, që na përcjell deri jashtë. Kafja e Madhe sërish hesht, ndërsa Dugajët e Reja po restaurohen për t'u kthyer në identitet. Deri atëherë ka kohë. Ne largohemi... Vjeshta ka rënë mbi qytet dhe mbi vetminë e kamotshme të Kafes së Madhe.
Çifti u largua vonë atë natë. Kishte qenë e bukur dita e tyre te Kafja e Madhe. Gruas i mbeti si talisman edhe shumë vjet dhe pas vdekjes së burrit imazhi i asaj dite të Kafes së Madhe. Ia vlente jeta qoftë dhe për një ditë të vetme, nderimi i saj.

Nga Ben Andoni

COMMENTS