Katedralja Katolike e Shkodrës

kisha katedrale e madhe shkoder
Katedralja Katolike e Shkodrës, e quajtur edhe Kisha e Madhe, ndërtuar në tokën e dhuruar për këtë qëllim nga Palok Krandja, është kushtuar Shën Shtjefnit, i pari Martir.

Gjatë shekujve të parë të pushtimit turk, Ipeshkvijtë e Shkodrës ishin të detyruar të banonin jashtë qytetit, pa një seli brenda mureve të qytetit. I pari ipeshkëv që u vendos në Shkodër më 1742 qe Imzot Pal Pema Kamsi (1742-1771), që gëzonte mbështetjen e farefisit të tij të madh e të fuqishëm, i cili i përballonte trimërisht mujshitë e turqve.

Besimtarët shkodranë kërkuan që të ndërtohej një kishë Katedrale. Prandaj Sulltanit në Stamboll iu dërgua kërkesa për lejen, e cila u dha me një ferman (dekret) të vitit 1851.

Punimet filluan pas shtatë vjetësh, më 7 prill 1858, në praninë e Guvernatorit të Shkodrës Ali Pasha. Kjo vonesë duket se erdhi prej faktit se kishte nevojë për para që të filloheshin punimet, sipas projektit të një arkitekti austriak, emri i të cilit nuk ka arritur deri në ditët tona.

Pas leximit të fermanit të Sulltanit nga ana e Guvernatorit, u vendosën piketat, u bekua guri i parë nga Imzot Ivan Topič dhe u hapën themelet. Në ceremoni ishin të pranishëm: famullitari Dom Engjëll Radoja me meshtarët bashkëpunëtorë, Trupi konsullor i akredituar, Ipeshkvijtë e dioqezave sufragane, kleri shekullar, rregulltarët, seminaristët dhe personalitetet e populli. Kisha Katedrale e Shkodrës u quajt Kisha e Madhe sepse, në kohën e ndërtimit, ishte njëra prej kishave më të mëdha të Ballkanit. Ndërtimi i saj kaloi nëpër disa etapa. Pullazi i ndërtuar në fillim me trarë druri u zëvendësua më pas nga traveta metalike. Tavani u ndërtua me katrorë në trajtë kutie, sipas projektimit të Kolë Idromenos. Inaugurimi i Katedrales u bë në 1865 kur Kryeipeshkëv ishte Imzot Luigj Çurçia.

Në vitet 1912-1913 bëhet "Rrethimi i Shkodrës" prej ushtrisë malazeze.
Gjatë mbrojtjes heroike, 183 ditore, u shënuan mbi 3500 të vrarë e të vdekur, disa mijëra të plagosur apo të sëmurë si dhe një shkatërrim të mbi 60 % të qytetit. Por që i kishin siguruar Shkodrës dhe komandantit Hasan Riza Pasha një emër te madh në kronikat europiane.

Katedralja, megjithëse shihej qartë se ishte një ndërtesë kulti u bë objektiv i goditjeve të artiljerive malazeze. Aty kishte gjetur strehim një numër i madh qytetarësh, ndër të cilët shumë gra e fëmijë, që, duke mos qenë të sigurtë në banesat e tyre, mbi të cilat binin vazhdimisht predha, kishin menduar se, meqenëse malazeztë ishin të krishterë, do ta kursenin atë vend të shenjtë. Mjerisht predhat e goditën katedralen dhe dëmtuan veçanërisht anën juglindore e shkaktuan djegien e kumbonares.

shkoder kisha katedrale
Katedralja e Shkodrës bombarduar nga malazeztë

Fushata anti-fetare, gjatë diktaturës komuniste, e vitit 1967 solli në mbylljen e të gjitha kishave në Shqipëri. Disa u shkatërruan, të tjerat u shndërruan në salla shfaqjesh apo magazina, ndërsa Katedralja e Shkodrës u shndërrua në Pallat Sporti. Aty, në vitin 1973, u zhvillua Kongresi i grave komuniste.

Rënia e murit të Berlinit dhe shëmbja e komunizmit sovjetik solli një frymë lirie edhe në Shqipëri.
Më 7 mars 1991 u rihap Katedralja nga Atë Aleks Baqli ofm. Mesha e parë u kryesua nga Dom Zef Simoni me meshtarë të tjerë dhe të mijëra besimtarëve. Ishte e pranishme edhe Nënë Tereza e Kalkutës.

Në vitin 1993, pasi përfundoi restaurimi i saj, u vunë përsëri në vendin e tyre qoftë shtatorja që paraqet Shën Mhillin i cili shporon djallin, vepër e çmuar në dru e Kolë Idromenos, qoftë njëra prej dy kupave të mermerta të ujit të bekuar, dhuratë e Familjes Pema.

Më 25 prill 1993, Ati i Shenjtë, Papa Gjon Pali II, në vizitën e tij historike, vizita e parë e një Pape në Shqipëri, në praninë edhe të së Lumes Nënë Tereza e Kalkutës, kremtoi Meshën e Shenjtë dhe shuguroi katër ipeshkvijtë e parë të Kishës Katolike në Shqipërinë e ringjallur: Imzot Frano Illia, Kryeipeshkëv Metropolit i Shkodrës dhe Administrator Apostolik i Lezhës, i Sapës dhe i Abacisë së Oroshit, Imzot Rrok Mirdita, Kryeipeshkëv i Durrës-Tiranës, Imzot Robert Ashta, Ipeshkëv i Pultit dhe Imzot Zef Simoni, Ipeshkëv Ndihmës i Shkodrës.

Parathanie e shkurtë e disa ndodhjeve më me rëndësi në Katedrale të Shkodrës rreth 100 vjetëve.

Dhjetë vjet mbas kryerjes dhe bekimit të Katedrales nga Arqipeshkëvi Metropolit Imzot Karlo Pooten, një ngjarje e kobshme ndodhi brenda saj; një malsor nga Pulti, një ditë të diel në mëngjes, ndërsa ishte ndejë duke parë meshë, vegon gjaksin e tij që po kungohej te lteri i të Shejtnueshmes Trini, i del para te parmakët e lterit të madh dhe shtie mbi te t'u e vra dekun në tokë, dhe e përcjellë këtë gjest tragjik me fjalët: "Vend ma të mirë e vakt (kohë) ma të mirë se për ty me marrë gjakun tem nuk ka!" Populli u lëshue me e mbytë, por i zmbrapsi tue thanë se kishte marrë gjakun. Nuk dihet mandej se si përfundoi puna e tij, fakti është se kisha ndej mbyllë për tri vjet e u riçel mbasi erdhi leja nga Selia e Shejtë për një bekim të dytë; për këtë arsye shifen kryqat përjashta mureve të kishës. Mjerisht nuk ka qenë mundur të gjendet emni i vrasësit si dhe ai i të vdekurit. Atë Marin Sirdani tregon se deri vonë u shifte ndër vorreza të Rëmajit, përmbi vorr të të vramit, një kryq i gdhendun në dru ku paraqitej skena e hatashme.

Në vitin 1861 filloi me u lutë Moji i Zojës te lteri i Shën Mërisë Magdalenë, ku vendosej fugurja e pikëzueme nga Michael Vitner, piktor polak, i cili prej 1.II.1859 deri më 14.X.1859 ndej në Genacan për të punue. Fugurja asht punue e ruejtun në një suazë argjendi, stilit gotik; fugurja e Zojës së Shkodrës, pru nga jashtë prej familjes Serreqi, nuk dihet se si ka humbë. Kjo e tashmja që nderohet në lter të madh asht punue e ardhun në kohë të Imzot Jak Serreqit, kur ishte famullitar.
Me 12 korrik 1862, filloi me hy zakoni me përcjellë fëmijët e vdekun nder vorreza.
Rreth vitit 1876 fillon e përmendet kori i Katedrales me mjeshtër Shan Curanin. Kori pësoi ndryshime, por koristat që mbahen mend se kanë këndue vazhdimisht në Katedrale janë këta: Pjetër Hila, Tut Kraja, Kolë Pistulli, Kolë (Vogli), Naraçi, Gjon Gjergj Ashiku, Sima i Zef Simonit, Ndoc Pashkja, Gjokë Palokë Deda, Zef e Gjon Mala, Mati Harapi, Shtjefen Jakova, Lulash Ndoja, Ndoc Mëhilli, Kola i Lul Elezit, Gjon Mikel Ashiku, Patusha i Kolë Gjonej, Cuk Daci, Gjergj Shaperkata, Zef Koçobashi, Cuk Kola, Ndoc Lufi, Lulash Mirdita, Filip Mala, Pashko Simon Galugja, të cilët ishin njëherë të Kongregacionit të Zojës Nunciatë dhe në raste të mëdha e përforcojshin korin e Katedrales i cili ishte i përbamë prej këtyne kangëtarëve: Ton Galigaçi, bariton me famë të madhe. Këtë e patën çue në Romë, ku këndoi në një arqibazilikë të Shën Pjetrit, ditën e festës, tue lanë pa mend ndigjuesit e pranishëm që ishin nga të katër anët e dheut dhe i qe ofrue vendi si bariton në theatrin "Scala" të Milanit, por i madhngjyem nga vendlindja, kthei në Shkodër e vdiq në mjerim të madh nga T.B.C. Kangëtarë të përmendun të Kishës së Madhe qenë Mark Dija, Kolë Kurti, Mati Staka, Gjon Toni, Mark Kushi, Kolë Raboshta, Kolë Ndokë Vasija, Pjetër e Zef Rrok Sheldija, Zef Bazhdari, Kelë Martini, Palok e Lec Gjushi, Tefë Gera, Filip Hilë Nuku, Kolë Plani, Ndoci i Kishës, Kolë Çuni, Jak Gurashi, Mati e Pjetër Halili, Pjetër Boriçi, Ndoc Shala, Gjon Bombardoni, Gjon Cepi e Gjon Martini i cili po për shumë vjet ndihmoi tue i ra muzikës ndër ditë të dielle e festa divocionit.

Drejtues kori për shumë vjet kje Dom Zef Puka deri sa në vitin 1933 ia lëshoi vendin Dom Mikel Koliqit që me sa fëmijë e djelmoça themeloi korin e qujetun "Schola Cantorum".

Gjatë vjetëve të fundit drejtuan kantorinë: Tonin Harapi, Martin Trushi, Sandër Çefa, Gjon Simoni e, që prej vjetit 1953 Ndoc Nogaj, i cili e vazhdon edhe sot.

Banda e Katedrales, themeluar nga Palokë Kurti, ndersa qe famullitar i qytetit Imzot Jak Serreqi, drejtohej nga mjeshtri Frano Ndoja që jepte koncert për të gjithë ne e dielle pasdreke n'oborr të kishës, përcjellte proçesionin e Korpit të Krishtit e të Zojës së Shkodrës. Udhëheqësi i tyne qe Dom Zef Puka, i cili drejtonte korin e kishës.

Bandistat që vijuene për shumë kohë qënë këta: Filip Lorja, Gjon Paci, Tefë Prela, Filip Gjadri, Pjetër Boriçi Cin Boriçi, me kornetë: Mati Halili, Shuk Boriçi me bombardin, Shtjefen Gaspri, Cuku i Lazer Dinos, Lush Tafrruku, Gaspër Gjeka i Tazes, Marku i Zef Mar Ndout, me buria: Kolë Çuni, Gaspër Rroku, Pjetër Rrok Cepi, Simon Sekuj gjenik (sakso): Simon Sekuj, Zef Sekuj, Cuk Beltoja, Pjetër Ndue Boriçi, me trompon: Ndokë Çuni, Ndoc Shala; me grankasë, Roman Sprager, me eufonia, Zef Guga e Pjetër Halili me bass, Gjon Shllaku me bateri, Shukë Martini e Tomë Fr. Toma, me çapare, Gaspër Begu me trumpetë, Luigji i Palokë Ndojës e Nush Cepi me buria, Jak e Shan Ndoci me bombardino, ky i fundit i binte edhe saksit bashkë me Kolë Mark Preçin, Pjeter Kiri me eufonio, Loro Koja me saks.

Banda kishte ndejën përmbi dugajë të Shan Dedës në Serreq, ku mblidheshin per mësim e prova në mbramje, ma vonë mbi dugajët e Serreqit pësuen përmirësime, banda qe bartë e çue në rrugëzën Berdicaj, kundruell ish- Kuvendit të Stigmatinevet, së cilës i pat mbetë emni Rruga e Daullës; aty qëndroi deri në vitin 1923 kur një pjesë e kësaj bande kaloi në varësinë e Bashkisë së Shkodrës.

Sa qe banda nën drejtimin e Palokë Kurtit epte koncert vetëm një herë në muej e nder festa të mëdha fetare, por nën drejtimin e Frano Ndojës, gjatë stinës së verës, për çdo të dielle pasdreke, banda gëzonte ndigjuesit me jonet e saj deri në orët e para të mbramjes.

Sakristanët e Katedrales e kishin ndejën aty ku mblidheshin bandistat, sipri dugajës së Shan Dedës e cila thirrej shtëpia e sakristanëvet.

Sakristanët ma të përmendunit gjatë këtyne 100 vjeteve qenë: Filip Gjonaj, mbas tij erdhi Gjon Viçi, i veshun me fistana, dollamë të kuqe, enteri të ngrime, tanuz të rrasun për kokë, ndër ditë në shej, mjes dimnit vishte brakesha të kuqe cohe ase shallvarë; mbas tij erdhi Leka i Kishës i veshun me brakesha e Toni i Kishës që gjatë shërbimit vishej me veladon, prej këtij doli edhe fjala e popullit që sakristanat i thirrte "Lajka i Kishës", vijuen me sherbye me radhë, Deda i Kishës, civil, Tomë Pistulli, i cili me rastin e bombardimit u vra gishtash, Gjon Barbullushi, të dy civila. Për do kohë shërbyen si të tillë edhe Ndoc Shala e Gjon Bombardoni. Mbrapa erdhën Kolë e Nush Mazi që e mbajtën për 40 vjet rresht. Mbas tyne shërbei nga viti 1944 deri në vitin 1954. Fr. Frano Ljarja i cili u dallue per stolinë e kishës nder kremte të mëdha, edhe Zef Simoni që asht edhe sot. Tash pesë vjet drejton i palodhshëm rregullimin e punimet e kishës kleriku Ndoc Simon Nogaj.

Sakristanët kishin per të drejtë me i primë çdo proçesioni tue dhanë shej herë pas here në tingullin e një kumbone doracake.

Kur Arqipeshkvi do të delte në Katedrale për të meshue Pontifikalisht, atij i printe Koçobashi dhe biri i tij Tuk Koçobashi. Ky filloi me u zhdukë mbas vitit 1925.

Proçesionet.

Ditën e Shën Pjetrit dhe të Shën Palit, e të Shelbuemit, Shëna Krygjës, ditën e Shën Shtjefnit e të Shën Lorencit, proçesioni bahej mbrenda kishe, ndersa ai i Zojës së Shkodrës, i Korpit të Krishtit rreth oborrit të kishës në mbasdreke, proçesioni i rrezikojve bahej po rreth kishe veç në oret e para të mëngjesit.

Proçesioni i Korpit të Krishtit zhvillohej kështu: prinë me kumbonë sakristani, mbas tij vajzat e shkollës stigmatine veshë shumica me kostume kombëtare mbas kompania e Zojës Rruzare e kishës së Arrës së Madhe. Kongregacioni i Zojës Nunciatë, Terciarët e Françeskanëvet, kompania e Shën Filip Jakob, shoqnia e Shëna Rrokut nga Shiroka, Kompania e Eukaristisë, e Zojës së Shkodrës, e Shën Jozefit, e Shëna Ndout abat, e Shën Shtjefnit e Shën Pjetrit dhe Pal, e Korpit të Krishtit, truporja e Zojës, mbushë me dupa, flori e manduhije, bartë nga Pashk Harusha, Shani i Loro Çefës, Karlo Shiroka, nën të cilin rrinte Imzot Arqipeshkëv me të Shenjtnueshmin, rrethue nga kleri, fill mbas baldikinit ecëshin veshë në uniformë të madhe, trupi konsullor i akredituem nder të cilët ai Austro-Hungarisë, i Francës, i Anglisë, i Italisë, i Malit të Zi, i Greqisë, i Serbisë dhe i Rusisë. Mbas tyne vijshin kafazat ose rojet konsullore, të veshun me kostume kombëtare, si çakçirë, xhamadana me ar, jelekë, shallvarë të kuq ose bojë vene, të armatosun e të pashëm sa t'i lypish.

Ndiqte vargu i pafund i popullit, shumica gra, pleq e plaka.

Rreth vitit 1910, morën pjesë edhe nxanësat e shkollës françeskane me flamurin e tyne tipik, ku spikatte ngjyra kombëtare kuq e zi, nxënësit e Kolegjës Saveriane, jetimat e Salezianëve, etj, etj.

Në vitin 1913, në proçesion mori pjesë një detashment austriak që zbrazën, nder tre ndalimet, nga një batare pushkë. Në vitin 1917, proçesioni doli jashtë mureve të oborrit të kishës tue u përshkue nder rrugët: Serreq, Dugajët e Reja, Rruga e Fretenve e Katedrale, lterët për ndalesë qenë: i pari te shtepia e Periklit, në Serreq, i dyti te qoshja e Dugajëve të Reja, i treti nder oborr të Kishës Françeskane, dhe nder tre pushimet u shprazen nga një batare pushke. Ky zakon u ndoq edhe nga qeveria shqiptare deri në vitin 1926. Më 1923 proçesioni u zgjanue tue pershkue rrugët Serreq, Dugajët e Reja, Fushë Qelë, rruga e Spitalit, Perash. Lterët e ndalimeve u ndertuene: i pari te Dugajët e Reja, i dyti në Fushë Qelë, bri shtëpisë së Gjon Ujkës dhe i treti, kundruell rrugicës së kishës së Jezuitëve. Në Perash e kështu vazhdoi deri më 1943. Për dy vjet tjera, në vend të rrugës së Spitalit, proçesioni u suell kah Bulevardi i Ri. Tashti bahet ne e dielle mbas dite, në ditën e mbrame të katerdhetë orëvet, më frelëtarë rreth oborrit të katedrales.

Dy proçesione të jashtëzakonshme e të madhnueshme u banë në vitin 1901, nga qela e vjetër, dhe më 29.VI.1931 nga qela e re, me rastin e bartjes për në Katedrale të trupit të Shën Prospërit, të cilin e pat veshë e maskue si asht sot Inxh. Kolë Idromeno. Në këtë rast u leçit se kremtja e këtij shejti ishte vendosë me u lutë të dytën të dielle të korrikut, e cila ma vonë qe lanë për disa vjet.

Me rastin 400-vjetorit të festës së Shën Luigjit, më 16.I.1927 qe ba një proçesion që kaloi çdo tjetër, proçesioni, me kler, shoqni fetare, kulturale, studentë, nxënës, popull, përshkoi rrugët: Serreq, Ballabane, Rus Katolik, Dugajët e Reja, Fushës Qelë, Rruga 28 Nandori, Perash, Serreq dhe truporja e Shejtit që vu sipri një gajtheri të naltë tërheqë nga 12 kuaj.

Më 2.X.1927, me rastin e 700-vjetorit të Shën Françeskut, proçesioni ndoq intinerarin, që bani ai i Korpit të Krishtit në vitin 1917. I madhnueshëm kje edhe proçesioni në kremtimin e 700-vjetorit të Shën Andout me 14.III. 1932.

Tri ishin shoqninat fetare që kishin privilegj me përgatitë lterët nder nda lesa: ajo e Zojës Rruzare e Kongregacionit Nunciatë dhe ai i Terciarëvet.

Një proçesion prej Kishës së Madhe deri te Kisha e Zojës bri kalaje qe bamë në vitin 1896 ku moren pjesë një shumicë dermuese e popullit per protestën kundër ndalimit të frenkuentimit që sundimtari turk kishte dhanë për kishën e Zojës, ata që morën pjesë, vajtën të armatosun e të vendosun me u perleshë me ushtri turke, por per urti të disave, nuk doli gja e keqe dhe sundimtari nuk e çoi ma gjatë. Prap një proçesion tjetër u ba në vitin 1911, sikur e deshmon Atë Shtjefen Zadrima. Edhe në vitin 1931 proçesioni me flamurë fetarë e kombëtarë që xuni fill në Katedrale drejtue për në Shejtnore të Zojës, qe një protestë ndaj qeverisë fashiste e cila kishte vu kusht me e krye kishën per me vendosë një rrasë perkujtimore se gjoja populli s'e kishte goditë, por ajo. Mirë po faktet treguen ndryshe, sepse populli nuk u kursye me dhanë ndihmesat e kisha u mbarue me pjesëmarrjen vullnetare e edhe vetë vëllazenve myslimanë që kontribuen në këtë ndërtesë. Proçesioni ditën e Zojës së Këshillit të Mirë nga Katedralja e te Shejtnorja vazhdoi deri në vitin 1947.

Një proçesion i madh qe bamë natën e 8.XII.1954, me rastin e 100- vjetorit të shpalljes me dogmen të xanunit Pafaj të Virgjinës Mëri, rreth oborrit të Katedrales dhe çelebrimin e meshës Pontifikale nga Imzot Ernest Maria Çoba.

Meshët.

Meshën e famullisë në ditët e dielle ishte zakon me e pague Shoqninat. Rendi i meshëve në përgjithësi ishte ky: Mesha e parë fill mbas kumbonës së mëngjesit, mandej në orën 6, mesha e vajzave me predk, mesha e dytë, në orën 8 dhe ajo e famullisë përcjellë me predk e koro, në orën 10 për të gjithë të dielle. Ma vonë u shtuen edhe mesha e fëmijëve e ndonjë tjeter. Ditë jave meshët fillojshin në orën 5 ose 5.30 dhe përfundojshin në orën 7, ma vonë u shtye mesha e mbrame në orën 8.

Tashti zakonisht meshët janë me këtë orar. Ditët e dielle e të kremte të urdhnueme dhe ditë jave prej 1.IV. deri me 9.XI. mesha e parë fillon në orën 5 nga 10.XI. deri me 31.III. në orën 5.30.

Meshët tjera, ditë dielle e të kremte të urdhnueme janë në orën 6, mesha prelatore, në oren 7.30 e 8.30. Në oren 10 Mesha e këndueme. (Ndër të gjitha meshët qysh prej vitit 1954). Në ditët e dielle bahet Katekizmi. Nësa përpara predikohej Homelia në meshët e orës së 6 dhe 10.

Qysh më 10 nanduer 1957 u vu edhe një Meshë në mbasdite me katekizem ase pangjerik.

Ditë jave, në orën 6, mesha prelatore me kujtim të divocioneve të ndryshme dhe të shejtit të ditës dhe Bekimi. Fill mbas epej me u puthë Rrelikja.

Meshët tjera në oren 7.30 e 8. Nder festa devocioni edhe në oren 8.30.

Përveç meshës së zakonshme të mesnatës, natën e Këshnellavet, me rastin e shpalljes së vitit shejt, 1900 në kishën Katedrale u dha mesha pontifikale në mesnatë edhe për Motmot të Ri, edhe me 1.X.1927 në rastin e 700-vjetorit të Shën Françeskut.

Mandej me 8.XII. 1954, me rastin e 100-vjetorit të Zojës së Paperlyeme, të shtunden e madhe, 1957, dhe me 29.VI.1957, me rastin e bekimit të gurit të themelit të lterit të ri të Katedrales, mesha pontifikale u tha në mbramje nga Imzot Ernest M. Çoba.

Meshë Pontifikale në mbramje u thanë: me 30 kallnduer 1955, me rastin e vdekjes së Imzot Pjetër Demës dhe me 11.XI. 1956, me rastin e vdekjes së dijetarit të K.K.Sh. Imzot Benardin Shllaku.

Kremtimet.

Një zbukurim i madhnueshëm i shtëpiavet, lagjevet, sheshevet qe bamë për 50-vjetorin e shpalljes së Zojës së Paperlyeme dhe në këtë rast u dalluen për tejkalim madhnie për atë kohë Kuvendi i Stigmatineve, Shtëpia e Pjetër Koliqit, Lacës së Zef Simonit, Vëllaznit Prela, Pjetër Darragjati e në Rus, Gjon Mark Shllaku me të vëllanë.
Atë natë, për herë të parë, banda e Katedrales përshkoi rrugët e qytetit, primë me kandila nën udhëheqjen e konsullit të Austrisë, shoqnue prej kafazave të tij.
Oborri i Kishës qe ndriçue me mija-mija dritash dhe truporja e Zojës shumë e madhe, punue nga Kolë Idromeno, qe ndriçue me kandila sa me u pamë larg.
Megjithëse për të çdo kremte të Zojës së Shkodrës, kisha dhe oborri zbukuroheshin e ndriçoheshin ma se miri, por një ndriçim e lëshim fishekzjarresh, sikurse u pa me 1913, rrallëherë asht vërejtë ndër ne.
Me rastin e 50-vjetorit të ipeshkëvisë së Leonit XIII, Kisha e Madhe pati nji zbukurim të jashtëzakonshëm dhe në meshën Pontifikale asistuen për herë të parë Valiu i Shkodres, Trupi Konsullor dhe Prengë Bibë Doda me kostum fantastik të Bibë Dodës, përveç një morie populli, fshatarë e malësorë nga të gjitha krahinat. Në këtë ceremoni moren pjesë të gjithë ipeshkvijtë dhe arqipeshkëvijtë e Shqipënisë.
Edhe në vdekjen e Leonit XIII kisha qe veshë në të zi gjithkah, ndertue një katafalk madhështuer që pothuejse përkiste në tavan, vepër e inxhinier Kolë Idromenos dhe pjesëmarrja e popullit qe e panumërueshme.
Edhe me rastin e vdekjes së Perandorit Frano Zefi I të Austrisë me shpenzime të Komandës Ushtarake pushtuese, kisha që veshë krejtësisht në të zi dhe katafalku qe i njëjtë për nga madhështia, sikurse për vdekjen e Leonit XIII. Herë mbas here, për raste vdekjesh papësh të sa ipeshkëvijve dhe arqipeshkvijve Kisha u vesh në të zeza e katafalk mjedis.
Një zbukurim i jashtëzakonshëm përbrenda kishe qe bamë me rastin e 400-vjetorit të Shën Luigjit dhe për 700-vjetorin e Shën Françeskut.

Kumbonët.

Tri kumbonë që pati Kisha para vitit 1912, ajo ma e vogla, gjindet tashti në shejtnoren e Rozafatit, të tjerat me djegien e kompanielit ranë të thyeme. Me 19 mars 1923 për kujdes të Imzot Pjetër Gjurës atë kohë famullitar i qytetit, kje ba pagëzimi i pesë kumbonëve të reja pru nga Italia të shkrime në fonderinë e inxhinier Françesko de Doli në Vittoria Veneto dhe kushtuen 28.609 lireta. E para peshon 608.300kg. me emnin Jezu Maria, e dyta 426.500kg. e quejtun Zef e Shtjefen, e treta ka peshue 307.700 e thirrë Mëri Magdalenë e Kolë, e katërta peshon 246.700kg. me emnin Pjetër e Pal, e pesta peshonte 175.800kg. e thirrë me emnin Eleuter e Vlash. Për të paren Kolë Kakarriqi dha 1400 lireta, për të dyten, Pashko Ashiku e Balto Çoba dhanë 500 lireta, për të tretën Lazër Pistulli e Nush Topalli, për të katërten dr. Gjon Saraçi e Kel Pali, e për të pestën Lin Luka (i vogli) e Rrok Daberdaku të cilët paguen nga pesë napolona flori. Gjina e Ejell Çobes, (e shoqja e Luigj Pistullit) dhuroi 37 napolona flori. Populli qiti në kashë 1200 lireta dhe 750 koronë serm.
Kisha deri në vitin 1922 ishte e shtrueme me dërrasa, por në atë vjetë, për kujdes të Imzot Pjetër Gjurës, qe shtrue në pllaka, sikurse i ka sot nën drejtimin e Kolë Idromenos.
Bankat e para, fill mbas mbarimit të kumbonares, i goditi Mati Daberdaku dhe disa u vunë edhe më 1923.
Në vitin 1942 kisha qe lye perbrenda.
Në pranverë të vitit 1956, në përgatitje të kremtimit të 100-vjetorit të themelimit, për kujdes të Imzot Ernest M. Çoba, nisi pikëzimi i mbarë kishës, me dekorime shumëngjyrëshe punue nga Injac Dema, Pjetër Deda dhe Tish Staka dhe të shtyllavet ku u paraqiten episodet e ndryshme të Testamentit të Vjetër e të Ri.
Testamenti i Ri u pikëzue nga Injac Dema, klerik i arkidioqezës së Durrësit, ndersa Testamenti i Vjetër u pikëzue prej Aleks Baqlit, Pjerin Sheldija, Benardin e Ferdinand Paci, Cin Lezhja, Tish Staka dhe pjesë më të madhe Gjovalin Saraçi. Gungën ku paraqiten të ikunit e Zojës së Këshillit të Mirë, me qemer e pikëzoi Atë Leon Kabashi me ndihmës Injac Demën. Përballë lterit të madh janë pikëzue katër Profetët e Mëdhaj, Izaija nga Pjerin Sheldija, nësa tre të tjerët profetë nga Dom Ndrekë Krroqi. Në fund të kishës janë tue u pikëzue nga Zef Vata pjesët kryesore të katekizmit.
Qysh me dt.29.VI.1958 u bekue guri i themelimit të lterit të madh të ri, ekzekutue simbas projektit të artistit Kolë Idromeno, punue para 60 vjetësh në miniaturë drunit, por mjerisht ka humbë, por vetëm se asht gjetë nder xhama fotografikë të të ndjerit Kolë.
Punimet e lterit, vepër e punueme prej Kolë Idromenos, i drejtoi me një përpikmëri të përsosun Dom Nikollë Mazrreku, ndersa muratorët ma të mirët e qytetit Mark Mirashi (i vogël), Kolë Pali e Ndoc Zefi punojnë në mbramje me shumë shije artistike, tue i vu patinaturen me gjeso. Punuen për disa kohë edhe Mark Mirashi (i madhi) e Filip Ndoja. Në ndërtimin e mureve punoi me ndergjegje edhe Ndue Çeta, etj. Krejt kujdesin e materialeve e të llogarinave e ka Ndoc Nogaj, i cili asht tue e stolisë lterin me ngjyrë ari (sikurse e kanë lypë edhe lterët e tjerë).
Kryqin e ka thadrue në dru Tonin Daija, nësa 2 ejllit e mesit i ka punue artisti i ri Rudolf Daka, 4 Ungjilltarët janë tue i punue skulptorët Mark Mirashi e Simon Harapi të cilët janë tue punue edhe një pjesë të dekorevet, ndersa pjesën tjeter e ka punue Stefan Mara.
Tabernakullin e lterit të madh mermerit e ka punue Fr. Zef Pllumi O.F.M. Lteri asht i stilit gotik, nësa kisha asht e stilit romanik. Lteri vërtetë madhështor arrin në 11.50m dhe i gjithë populli i entuziazmuem nga bukuria e tij, vazhdoi tue dhanë kontributin e vet.
Gjithashtu për kujtimin e qindvjetorit të bekimit të gurit të parë, prof. Simon Rrota punoi pikturën e cila gjindet e varun në anën e djathtë të lterit të madh.

Kompanitë e Katedrales.

Në vitin 1764 filloi themelimi i kompanive të Katedrales së Shkodrës. Në vitin 1851 numri i tyne arriti në 18, ku secila kompani përmblidhte një tubë anëtarësh, në mbrojtje të një shejti, ditën e të cilit mblidheshin të tanë bashkë me e kremtue.
Kompanitë patën lidhje të ngushta shpirtnore dhe përveç fryteve fetare patën edhe anën ekonomike sepse në të dhanunat e pjestarvet u formue një kapital me gjalleshdren (fajden) e të cilit me muejtë me u thanë një meshë për të dekun ose për të gjallë sikur të ishte dishiri ose njeti i dhanësit.
Secila kompani pati kryetarët thirrë pleq që njiherit ishin administratorët e pasunisë dhe kryejshin të gjitha detyrët, si p.sh. vendimin e të hollave të nxjerrunit e përvitshëm, dhanien e meshave, kujdesin për pasuni të leujtshme dhe të paluejtshme etj.
Por ndër kohët e vona, shumica e pleqve patën nisë me shpërdorue besimin dhe kështu kapitalet filluene me marrë teposhtë. Këtij administrimi iu shtuene edhe ngatrresat që ndodhen në vendin tonë kështu që anëtarët qenë gati krejt të shpërndarë.
Kah viti 1926, Arqipeshkëvi i Shkodres pati formue një komision për shqyrtimin e tyne, dhe komisioni gjet gjallë vetëm dy-tre kompani administrue fare mirë kurse të tjerat të ligshtueme e krejt të vdekuna.
Kur u themeluene kompanitë secili që shfaqte dëshirën me u ba anëtar, ishte i detyruem me derdhë një kapital të caktuem aq sa gjysma e fajdes të mjaftonte me thanë një meshë të përvitshme e gjysa tjetër do të përdorej për shtesë kapitali dhe lulëzim të kishave.

Në vitin 1891 pranë Katedrales, nën kryesinë e Arqipeshkëvit, e tamam me datën 14 tetuer, u mblodh një grup shkodranësh i përbërë prej Z.Z. Loro Gasper Çoba, Luigj Shiroka, Nushi i Kolë Gjokë Serreqit, Gjon Muzhani, Pashkë Kakarriqi, Zef Bumçi, Kolë Çuçija, Pjetër Nika, Ton Muzhani, si dhe përtrine shoqninë e themeluene.

Më 3 dhjetor 1867, vendosen që të derdhej prej anëtarëve nga një kapital, me fajden të cilit, t'i vihej në ndihmë grave të reja, bijave të vorfëna, pleqve dhe plakave të mbetun mbrendë, dhe nevojtarëve invalidë për punë.
Si llogaritar qe konfirmuar Pjetër Çoba, i cili deri asokohe kishte administruar më së miri kapitalin e shoqërisë.

Rendi i kompanive të Katedrales.

Shoqnia e Korpit të Krishtit themelue, me 20.V.1780
Shoqnia e Zojës së Shkodrës, themelue me 25.II.1779
Shoqnia e Shën Ndout themelue, me 13.VIII.1764
Shoqnia e Shën Mërisë Magdalenë, themelue me 15.IX.1769
Shoqnia e Shën Kollit, themelue me 26.III.1775
Shoqnia e Shën Jozefit themelue, me 9.XII.11792
Shoqnia e Shën Pjetrit e Sh'Palit, themelue 27.III. 1791
Shoqnia e Shën Markut, themelue me 10.IX.1795
Shoqnia e Shejtes Trini
Shoqnia e Shejtit Sh'Jozef
Shoqnia e të Shelbuemit
Shoqnia e Shën Krygjës
Shoqnia e Sh'Filipit e Jakobit
Shoqnia e Shën Lorencit
Shoqnia e Shën Mëhillit
Shoqnia e Shnjonit

COMMENTS