Klubi Sportiv Vllaznia

Gjurmët më të vjetra të futbollit në Shqipëri datojnë që nga viti 1905. Kishte njoftime të disa ndeshje jozyrtare të Top-Kambe (siç u quajt futbolli në atë kohë).

klubi sportiv vllazni shkoder
Debutimi i parë i futbollit në Shqipëri u arrit rreth vitit 1913 me themelimin e "Indipendenca Shkodra" nga Palokë Nika, që konsiderohet si pionieri i futbollit shqiptar. Ky ekip u përball me një ekip të ushtarëve austriakë "Austro Hungarian Imperial Navy" që ndodhej në Shkodër në shtator të vitit 1913. Në sajë të famës së fituar nga kjo ndeshje, ekipi zhvilloi një turne nëpër të gjithë Shqipërinë duke u bërë kështu shkak në formimin e ekipeve të tjera. Në disa qytete si Shkodër, Vlorë, Korçë e të tjera filluan të zhvilloheshin ndeshje të tilla futbolli.

Shkodranët që në fillim krijuar një interesim të veçantë ndaj futbollit, lagje të vjetra shkodrane filluan të ndesheshin ndërmjet tyre duke afruar rreth vehtes shumë admiruesa.

Duke parë këtë entuziazëm të madh ndaj këtij sporti filluan të krijoheshin shoqata të vogla sportive si "Mustafa Pasha" dhe "Vaso Pasha" të cilat më vonë, më 16 shkurt 1919, do të bashkoheshin duke krijuar një shoqëri të vetme të quajtur "Vllaznia" që kishte si synim integrimin jo vetëm sportiv të rinisë po dhe në fushën letrare, kulturore, teatrit, muzikës e gjimnastikës.

"Vllaznia" në vitet më pas do të bëhej një emër i njohur jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjerë. Ndër themeluesit e shoqërisë kishte njerëz të famshëm si Hilë Mosi kryetar, Hysen Draçini nënkryetar, Jonuz Tafili sekretar, Kolë Margjini kryetar i degës së gjimnastikës, etj. "Shoqëria Vllaznia" luajti gjithashtu një rol të rëndësishëm në krijimin dhe zhvillimin e sporteve të ndryshme në vendin tonë. Pikërisht në Shkodër e kanë zanafillën sportet si futbolli, çiklizmi, atletika, hipizmi, etj.
Kjo ishte e para shoqëri e këtij lloji në Shqipëri e cila edhe sot ka lënë të skalitur në historinë e sportit shumë emra të personazheve që kanë të bëjnë pikërisht me këtë klub dhe me sportin shqiptar në përgjithësi. Histori emocionuese që kalon përmes aventurash dhe suksesesh që kanë lënë mbresa.

Në vitet në vazhdim sporti i futbollit në shqipëri u bë më i popullarizuar.
Zhvilloheshin ndeshje amatoriale ku Vllaznia ishte një ndër promotoret e këtij evenimenti të ri. Më vonë u krijuan edhe shoqëri të tjera si në Korçë, Tiranë, Vlorë, Durrës, Elbasan, etj.

Shkodra ka meritën se më 1920 përmblodhi botimin e rregullores së parë të futbollit. Rëndësia e kësaj rregulloreje tregonte qartë dëshirën dhe nevojën për të organizuar më së miri këtë lojë të dashur e të mirepritur nga të gjithë në Shqipëri.

Në vitin 1929 klubi ndryshon emrin dhe quhet "Bashkimi Shkodran".

Në vitin 1930 të gjitha ekipet e krijuara do të themelonin Federaten Shqiptare të Futbollit. Po në këtë vit u zhvillua edhe Kampionati i parë Shqiptar i futbollit profesionist në të cilën moren pjesë 6 skuadra ku padyshim Vllaznia ishte iniciatorja dhe një ndër pretendentet.

Në vitin 1935 klubi rimerr emrin e vjetër, "Vllaznia".

Vllaznia gjithashtu do të jetë finaliste në edicionin e parë të Kupës së Shqipërisë në vitin 1938, ku do të ndeshej me Tiranën e cila triumfoi.

Gjatë luftës së Dytë Botërore aktivitet sportive në Shqipëri ndërpriten për të rifilluar pas luftës.

Në vitet 1945-1946 Vllaznia fiton dy herë rradhazi Kampionatin Shqiptar. Por jo vetëm kaq, në vitin 1946 fiton të gjitha ndeshjet duke marrë maksimumin e pikëve të mundshme. Në këto vite nuk mund të lemë pa përmendur lojtarët me famë si Loro Boriçi, Muhamet Dibra, Xhelal Juka, Bimo Fakja, Met Vasija e shumë të tjerë.

Në vitet që vijojnë Vllaznia paraqitet gjithmonë si pretenduese duke qenë i vetmi ekip nga rrethet që do të konkurojë treshen e ekipeve të kryeqytetit.
Në 1950 klubi u quajt "Shkodra" ndërsa në vitin 1951 mori emrin "Puna Shkodër".
Nga viti 1958 e deri më sot do te njihet me emrin KS Vllaznia.

Në vitin 1961 Vllaznia fiton kupën e Gazetës "Sporti Popullor".
Në vitin 1965 Vllaznia do ti kthehet trofeut duke fituar Kupën e Shqipërisë kundër skuadres korçare Skënderbeu.
Në vitet 1966, 1968 dhe 1970 Vllaznia do të jetë sërisht protagoniste duke shkuar në finale, këtë herë kundër ekipit Partizani të Tiranës, por do ti humbi që të tre.

1971-1972 Vllaznia është fituese si e kupës po ashtu edhe e kampionatit. Në këto vite spikasin emrat e njohur të futbollit si Medin Zhega, Sabah Bizi, Paulin Ndoja, Ramazan Rragami, Ismet Hoxha, Esat Rakiqi, etj.

1972-1973, po ai brez lojtarësh i dy viteve më parë do ta shpallin Vllazninë përsëri kampione të vendit.

1977-1978 Vllaznia do të jetë kampione e Vendit. Po në këtë sezon Vllaznia do të marrë pjesë në kupat europiane ku do të ndeshet me ekipin Austria Wien. Ndeshjen e parë e cila u luajt në Shkodër do e fitojë Vllaznia me rezulatatin 2-0 me gola të Zhegës dhe Ballgjinit, ndërsa ndeshjen e kthimit do e humbi me rezultatin 4-1.

Një vit më vonë Vllaznia do të fitoje Kupën e Shqipërisë kundër ekipit Dinamo të Tiranës.

1980-1981 Vlaznia shpallet për herë të katërt fituese e Kupës së Shqipërisë kundër ekipit Besa të Kavajës.
1982-1983 Vllaznia fiton kupën e gazetës "Bashkimi" si dhe kampionatin shqiptar. Në këto vite spikasin emrat e njohur të futbollit si Ferid Rragami, Hysen Zmijani, Astrit Hafizi, Hysen Dedja, Ferid Borshi, Seit Çanga ,etj.

1986-1987 Vllaznia fiton Kupën e Shqipërisë kundër ekipit Flamurtari të Vlorës.

Vllaznia në vitet me pas i ka shkuar disa herë afër fitores duke arritur në gjysëmfinale dhe finale, por duke u mundur gjithnjë nga ekipet e kryeqytetit.

Në vitin 1992 Vllaznia shpallet përsëri Kampione e Shqipërisë. Ndër lojtarët më të spikatur të atij edizioni kujtojmë Avenir Dani, Astrit Premçi, Hysen Dedja, Brikeno Bizi, Zamir Shpuza, Edi Martini etj.

Nga viti 1995 president i KS Vllaznia do të bëhet Azem Hajdari. Në këto vite Vllaznia nuk pati shumë sukses.

Më pas në krye të Vllaznisë do të vijë biznesmeni nga Bajza e Shkodrës, Myftar Çela.
Ky njeri i thjeshtë dhe zemërgjerë që në fillim u bë shume i dashtur për tifozët dhe lojtarët. Punën e tij e nisi menjëherë duke nxjerrë ekipin shkodran nga shumë vështirësi. Frutet e punës së tij u panë menjëherë, stadiumi mbushet me më shume tifozë që ndiqnin skuadrën e tyre të zemrës në çdo ndeshje. Vllaznisë gjithashtu ju rindez besimi në vetvehte pasi ishte zbehur në vitet e mëpërparshme në të cilat ekipi kishte kaluar shumë vështirësi.

Në fakt në sezonin 1997-1998 do të vijë edhe gëzimi i parë për presidentin e ri. Falë angazhimit të tij dhe talentëve që kishte ekipi si Edi Martini, Vioresin Sinani, Suad Lici, Armando Cungu, etj, Vllaznia shpallet Kampione e Shqipërisë për të tetën herë duke lënë prapa si Partizanin, rivalin nr.1, ashtu edhe Tiranën. Po këtë vit, në stadiumin "Qemal Stafa" të Tiranës, Vllaznia mund Apolloninë e Fierit 5-4 me penallti dhe fiton kështu Supërkupën e Shqipërisë.

Pas dy sezonesh ku dominoi Sk Tirana, vjen rradha përsëri e Vllaznisë. Eshtë sezioni 2000-2001 dhe Presidenti Myftar Çela investon shumë për ekipin. Ai blen lojtarët më të mirë në treg. Falë cilësive të trajnerit Haxhiosmanoviç dhe të lojtarëve si Sinani, Duro, Martini, Patushi, Zmijani, etj, Vllaznia shpallet Kampione e Shqipërisë për të nëntën herë. Stadiumi "Loro Boriçi" në ndeshjen e fundit kundër ekipit Shkumbini të Peqinit ishte i mbushur plot e përplot saqë edhe në këmbë ishte e vështirë të gjeje vënd. Ndeshja përfundon me rezultatin spektakolar 6-4 për ekipin shkodran. Të dyja ekipet dhuruan emocione të papërshkrueshme për më shumë se 16.000 tifozët e pranishëm në stadium.
Qyteti i shkodrës përfshihet në një festë të madhe, grupe tifozësh vërshojnë në rrugët e qytetit duke valvitur flamurin dyngjyrësh, simbol të qytetit të shkodrës dhe të vllaznisë, kuqë e blu. Padyshim që figura kryesore i këtij suksesi cilësohet presidenti Myftar Çela.

Pas këtij suksesi në Shqipëri për Vllazninë erdhi koha të ndeshej me skuadra europiane. Kundërshtari i shkodranëve në turin e parë eleminator të Ligës së Kampionëve është ekipi islandez FC Reykjavik. Në Islandë ndeshja përfundon me rezultatin e ngushtë 2-1 për vendasit, duke i lënë Vllaznisë shpresën e hapur për kualifikim.
Ndeshja e kthimit luhet në Tirane, në stadiumin "Qemal Stafa" që në atë kohë ishte i vetmi stadium ku luheshin ndeshjet ndërkombëtare në Shqipëri. Ndeshja përfundon me fitoren e Vllaznisë 1-0 me gol të Klodian Duro.

Shorti vë përballë Vllaznisë ekipin turk të Gallatasarait. Vllaznia bëri një lojë të shkëlqyer në Turqi por fati ndihmoi skuadrën kundërshtare e cila fiton me rezualtatin 2-0. Ne ndeshjen e kthimit, në Tiranë, Sinani me anë të golit të parë bëri që të gjithë të besojnë në një përmbysje të rezultatit, por dalja me karton të kuq e Dibrës vështirësoi çdo përpjëkje të Vllaznisë. Ndeshja përfundon si mos më keq, Gallatasarai mundë Vlazninë 1-4.

Po në vitin 2001 Vllaznia fiton Supërkupën e dytë.
Presidenti Çela në vitin në vazhdim vendosi të investojë përsëri për stadiumin "Loro Boriçi". Pas shumë punimeve dhe restaurimeve stadiumi mori një pamje madhështore dhe ishte brenda standarteve për tu luajtur ndeshjet ndërkombëtare. Tani e tutje Vllaznia mund të luante cdo ndeshje ndërkombëtare në Shkodër, ky ishte edhe qëllimi i Presidentit Çela. Duhet thënë që stadiumi "Loro Boriçi" ka fushën më të mirë në Shqipëri. Kjo gjë është deklaruar edhe nga ish-trajneri i kombëtares Hans-Peter Briegel.

Myftar Çela kishte premtuar se do të krijonte një Vllazni të fortë por fatkeqsisht, më 14 qershor 2003 ai vritet në qytetin Tuz të Malit të Zi. Endrra e tij për të parë Vllazninë duke luajtur ndeshje ndërkombëtare në Shkodër nuk u realizua. Vdekja e tij tragjike shkaktoi dhimbje në mbarë qytetit.

Pas kësaj ngjarje ekipi i Vllaznisë gati sa nuk rrezikon të shkrihet për arsye të problemeve financiare. Nën drejtimin e mjeshtrit të madh të futbollit Medin Zhega, edhe ndihmës të disa biznesmenëve shkodranë, Vllaznia ngrihet përsëri në këmbë. Në sezonin 2003-2004 klasifikohet në vendin e dytë dhe bëhet gati për sfidën e Kupës Uefa. Përballë do të jenë skocezët e Fc Dundee. Vllaznia humbet në Shkodër 0-2 dhe në Dundee 4-0.

Në sezonin 2004-2005 pretendimet e Vllaznisë ishin serioze por gjërat nuk rrodhen siç duhet, klasifikohet në vendin e katërt duke humbur edhe shansin për të luajtur në Kupat e Europës.

Vllaznia në sezonin 2005-2006, nën drejtimin e donatorëve Agron Çela, Xhevdet Amulli dhe Valter Fushaj, zhgënjen tifozët e shumtë shkodranë duke u renditur në vendin gjashtë, vetëm 3 pikë larg nga kategoria e dytë, ndërsa në Kupën e Republikës arrin në finale por duke e humbur atë kundër Tiranës me rezultatin 1-0.

2006-2007, President i Vllaznisë zgjidhet ish-zv.presidenti Valter Fushaj i cili premton një Vllazni të madhe, të denjë për emrin që mbart, por pa arritur të sigurojë fitimin si të kampionatit ashtu dhe të Kupës së Republikës.

Në sezonin 2007-2008 Vllaznia zhgënjen përsëri në kampionat por arrin të shkëlqej në Kupën e Republikës ku arrin ti marrë "hakun" e edicionit të kaluar Tiranës.
Fiton me rezultatin 2-0 duke kthyer mbas 10 viteve Kupën e Republikës në Shkodër.

Në vitin 2008 Vllaznia merr pjesë në Kupën Uefa ku arrin të kualifikohet në turin e parë.
Në turin e dytë Vllaznia luan me skuadrën italiane të Napolit me të cilën humbet të dyja ndeshjet.

Në sezonet në vazhdim Vllaznia merr pjesë rregullisht në Kupën Uefa ku bën paraqitje dinjitoze duke kaluar turin e parë eliminator.

Gusht 2011, jep dorëheqjen presidenti i Vllaznisë Valter Fushaj.

Më pas Bashkia e Shkodrës kthen klubin Vllaznia në SH.A, ku të gjitha aksionet i kalojnë Bashkisë Shkodër. President i klubit emërohet Kryetari i Bashkisë Lorenc Luka.

Burimi: fkvllaznia.net

COMMENTS