Kultura e Shkodrës për Kombin Shqiptar

tradira dhe zakone shkodrane
Në qoftë se bëjmë fjalë për një kulturë shkodrane, ketë do ta marrim në një vështrim më të gjanë, tue përfshi gjithë Shqipërinë e Veriut dhe më përtej. Sepse Shkodra ndër shekuj ka qenë një pikë referimi, si në pikëpamje politike ashtu edhe ekonomike, tregtare e kulturore për arsye edhe të pozicionit qe ka zanë e zen edhe sot me male, me fusha e me ujna që e rrethojnë.

Na ka ndodhë, edhe ne këta vjetët e fundit, që kosovarë të ardhun prej Gjakove, Prizrendi e krahinave të tjera të Kosovës, të na shpreheshin pa mëdyshje dhe me bindje të plotë se kryeqyteti, kryeqendra edhe e Kosovës, gjithmonë ka qenë dhe mbajnë Shkodrën, e cila në të gjitha kohët qe frymëzuese e aspiratave të të gjitha trevave që formojnë hinterlandin e saj.

Tue pasë parasysh ketë rol të rëndësishëm, të luejtun gjatë rrjedhës së shekujve, e pse jo të mijëvjeçarëve, nuk âsht pa vend të theksohet me të madhe se jo vetëm Veriu i Shqipërisë, por edhe krejt Shqipëria, mbrenda kufijve të vet etnikë, i detyron Shkodrës çdo shfaqje të tipareve të veta shpirtnore, e joshpirtnore, që e kanë bâ të njohun në botën e lashtë, të mesme e të soçme.

Detyra e jonë âsht që, tue hy sa më thellë në të kaluemen, të krijojmë premisat për ta kuptue më mirë ketë njimendësí të historisë sonë.

Qysh në kohën e shfaqjes së krishtenimit në Ilirinë e lashtë, mbas afro dy shekujsh pushtimi romak, në të cilin qenë përndjekë me egërsinë më të madhe ndjekësit e kësaj feje, të së mirës, të dashunisë midis njerëzve, Shkodra pati përfaqësuesit e vet në Koncilet e para. Dhe qenë ipeshkvijtë e parë të Shkodrës që, me formimin e tyne filozofik e teologjik, përfaqësuen me aftësí e denjësisht dioçezet e veta në areopage aq të cilësueme. Vetëm kjo na bân të mendojmë se shkalla e zhvillimit të vendeve që përfaqësojshin ishte e atillë sa me përligjë nji shfaqje të tillë personalitetesh me randësí botnore. Për çka kuptohej si botë në atë kohë.

Zhvillimin kulturor të Shkodrës prej mesjetës e këndej mund ta ndajmë në tri periudha, të cilat kanë ndikue në mënyrë të posaçme në jetën e qytetit, të rrethit të tij dhe të viseve përtej. Në qoftë se periudha e parë kufizon, në skajin e saj të fundit, me pushtimin turk, periudhë në të cilën lulëzuen emnat e mëdhaj të humanistëve tonë, kryesisht shkodranë si dhe të viseve që gjindeshin në rrethinën e saj; periudha e dytë pëson befas nji ramje e cila ka me u ndie për nji kohë të gjatë, dhe që mujti të shkapër-cehej, ndonse me vështirësí të mëdha, vetëm prej atdhetarisë e kambënguljes së nji kleri katolik që, tue i ndejë afër popullit të vet, e përkrahte në përpjekjet që bante për të mos iu nënshtrue pushtuesit aziatik. Periudha e tretë përfshin Rilindjen si dhe kohën e Pavarësisë kur, me formimin e Shtetit Shqiptar lulëzuen lirisht gjurmimet, studimet, krijimtaria letrare, kur, me nji fjalë, patëm ringjalljen shpirtnore të shqiptarëve, e cila merr fund me pushtimin e Shqipnisë prej komunizmit internacionalist e antishqiptar.

Tue lanë mënjanë periudhën në të cilën Shkodra shkëlqej politikisht e historikisht, kur ilirët ishin vetsundimtarë të kësaj njimendësie të quejtun Ilirí, para pushtimit romak, gjatë pushtimit romak e mbas vershimit të fiseve barbare, na do të shohim se pak a shumë në ato çaste kur fillojnë të përmenden arbënorët si banorë autoktonë, trashigimtarë të drejtpërdrejtë të ilirëve, por me nji emën të rí, kemi shfaqjen e nji vargu dukunish në jetën mendore me njerëzit e Kishës, me filozofët, me njerëzit e ligjës. Këta u përhapën, tue u nisë prej trevave tona, në krejt bregun dalmatin me përfaqësues të denjë të kulturës humanistike, por edhe me artistë, gdhendës të gurit, ndërtues kishash e ngrehinash të tjera të përdorimit qytetës.

Kah fundi i shekullit XIII nëpër Shkodër kalon e përhapet në thellësi të Ballkanit drejt Kosovës nji stil që, ndërsa në Europën Veriore pat ruejt pastërtinë e vet, e kemi fjalën për stilin gotik, në Shqipní u shartue me atê romanik tue i dhanë shkas ndërtimit të nji vargu kishash të cilat kanë me lanë gjurmë në ndërtimet e kësaj natyre. Në Shkodër njihen mbeturinat e kishës së Shirqit, dhe ndërtuesi i saj shkodrani Abat Pjetër Dochne; në kështjellë kisha katedrale e Shën Shtjefnit e në Vá të Dêjës kisha e Sh' Mërisë, e vetmja e ruejtun e plotë që, fatkeqësisht, qe shembë me dinamit prej "mbrojtësve të monumentëve". Skaji mâ i largët i përhapjes së këtij stili qe në kishat e ashtuquejtuna të Rashës, simbol i të cilave âsht kisha e Deçanit.

Sa na kanë mbetë prej këtyne gjurmëve në trollin tonë, të mbulueme nën dhé, e kemi të vështirë ta thomi. Gjetje të rastit, të pakta, na flasin për nji art të zhvilluem, i cili qe shprehje e atyne zejtarëve që patën shkrî krejt dijen e aftësitë e tyne. Këto objekte të pakta e të rralla gjinden sot në muzé të Shkodrës e në ato të qendrave e të vendeve të tjera mbrenda e jashtë Shqipnie, për me dishmue nji të kalueme në shêj kur, para pushtimit turk, Shqipnia ishte pjesë e vërtetë e Europës, në kuptimin e plotë të fjalës, kur në të gjitha shprehjet e veta europiane barazohej me nderë e dinjitet me të gjithë popujt e përendimit e të lindjes të përparuem, në nji kontekst vlerash të shqueme shpirtnore e morale të elementit themeltar të kësaj kulture, siç ishte krishtenimi te këta popuj.

Tashti, tue u kthye te periudha e parë, mjafton të përshkojmë veprat e plejadës së autorëve humanistë të shekullit XVI. Ndonse këta i botojnë veprat e tyne kur në trojet tona kishte zanë vend pushtuesi turk, krejt i huej për mentalitetin europian të Shqipnisë mesjetare, do të bindemi se me kulturën, dijen, filozofinë e teologjinë e krishtenë, i dhanë nji pështetje të vlefshme brezit të ardhshëm të autorëve tonë. Në qoftë se nji palë, sidomos në periudhën e parë, u formue në nji ambjent kulturor rilindas europian, nuk don me thanë, si âsht pohue, se ata tue përdorë edhe latinishten, që ishte gjuhë universale e kulturës europiane, "nuk patën lidhje të tjera me Shqipërinë përveç atyre të krijuara ndoshta nga rrënjët e tyre etnike". Kjo mënyrë interpretimi nuk mund të pranohet sepse vetë veprat e humanistëve tonë shkodranë, Barleci, Beçikemi, si dhe ata që mund t'i mbajmë të tillë si qe Buzuku, e të tjerë që na kanë mbetë të panjohun prej rrethanave e ngjarjeve që përshkuen vendin tonë, trajtuen krejt hapët e shprehimisht çështje e probleme që kishin të bajshin me Shqipninë e Shqiptarët. Kjo lindi prej nji diçkaje që i kapërcente caqet e nji studjuesi apo humanisti të zakonshëm, pa dyshim me nji nivel të naltë kulturor shqiptar ndonse në veprat e tyne kishin atë tharm që i bashkonte me vargun e humanistëve bashkëkohorë të Europës. Por kurrsesi të shkëputun prej botës së tyne shqiptare.

Në qoftë se historiografia shqiptare e ka fillimin e vet te Marin Barleci, si e kemi thanë mâ sipër, këtij do t'i shtojmë Dhimitër Frangun, drishtjan, kushrinin e Imzot Pal Engjëllit, i cili pat shkrue nji historí të Gjergj Kastriotit - Skanderbegut po aq të randësishme sa ajo e Barlecit, megjithse me nji numër faqesh mâ të vogël. Në se e kemi fjalën për nji kulturë europiane te këta humanistë, dalluese për të gjitha këto treva që përbajnë Europën, e në të cilat përfshihej edhe Shqipnia, nuk mund ta shkëpusim prej bazës së vet të krishtenë e cila e formoi. Kulturë europiane pa themele të krishtena nuk ka e nuk mund të ketë.

Elementët mâ të spikatun, që e dalluen Shkodrën në kontekstin europian, qenë ata të cilët i dhanë shkas dhe lindën kulturën e humanistëve të mëdhaj, që ndritën në ambjentet e dijtuna të mesjetës e në veçantí të Rilindjes europiane. Marin Barleci, Marin Beçikemi, Gjon Gazulli, tue folë për ata që i përkitshin trevave tona, ndër të tjera qenë priftën. Nuk âsht pa vend të vêhet në dukje përkatësia e tyne klerit katolik, me gjithë propagandën e shfrenueme kundër tyne nga ana e anmiqve të krishtenimit të të gjitha ngjyrave, i cili kishte në vetvete edhe vlerën e patjetërsueshme të përkatesisë kombtare. Kjo pasqyrohet në të gjitha veprat e veprimet e tij, e përveç atyne të karakterit thjesht fetar, e shprehi veten me gjurmime, me mbledhje të traditës kombtare, me studime, me botime që kurdoherë kishin lidhje me vendlindjen, me Shqipninë. Pra "Fé e Atdhé" nuk âsht nji shpikje e vonë dhe demagogjike, por shprehë nji njimendësí pa të cilën sot nuk do të kishim as Shqipní e as shqiptarë, të shkombtarizuem e të asimiluem si do të ishim prej pushtuesit pesëshekullor.

Atë Zef Valentini shkruan: "Prandej bashkësia katolike kishte nji jetë të veten, të mbledhun në vetvete për sa i përket marrëdhanieve me grupet e tjera qytetare, por kurrsesi të mbyllun. Tregtia e mbante në marrëdhanie të vijueshme me të gjithë botën ballkanike jugore, për arsye nevoje; me skelat e Adriatikut, sidomos Venedikun e Trieshtën, për arsye që do t'i quejshim afërsie zgjedhëse; kleri i saj, për çka na rezulton, ndryshe prej atij të maleve, ishte i gjithë shqiptar, madjè shì shkodran; por, që i përkitte në pjesën mâ të madhe familjeve të mira ose fisnike ose të pasuna, i kishte krye studimet rregullisht ose në Romë, ose në Loret, ose në Fermo, e mund të krenohej për nji kulturë jo mâ të pakët se ajo e klerit italian të asaj kohe".

Populli shqiptar kishte në vetvete traditën e lashtë të nji populli trashigues të nji kulture klasike të veten dhe me vlera të pashoqe, mbasi Shqipnia, në kapërcyell midis Lindjes e Perëndimit, jo vetëm u përshkue prej këtyne kulturave, tue u bâ përçuese e tyne, por edhe ia nënshtroi këto nji përpunimi në pajtim të plotë me mënyrën e vet të të menduemit. Qytetet bregdetare të Dalmacisë dhe ato qendra të kulturës në Italinë e Rilindjes në shek. XIV-XVII patën plot njerëz të dijtun që përfaqësuen denjësisht Shkodrën, Drishtin e te tjera qytete shqiptare. Kanonikë, noterë, mësues na dalin në nji varg dokumentash të arkivave mesjetare, tue dishmue me përkatësinë e tyne, zhvillimin e naltë kulturor të trevave e të qyteteve prej të cilave vijshin.

Tue ardhë në kohët mâ të vona historiografia kombtare duhet t'ia dijë edhe nji vargu studiuesish shkodranë si Tefë Curani, Dom Ndoc Nikaj (me dy vëllime) dhe botimeve të posaçme të revistës LEKA kushtue ngjarjeve të mëdha kombtare siç ishin Lidhja e Prizrendit, 25 vjetori i Pavarësisë Kombtare, e dokumenta të tjerë të randësishëm nën drejtimin e albanologut të shquem, i cilësuem ndër albanologët mâ të mëdhaj të shek. XX, Atë Zef Valentinit S.J.

Nji vepër e randësishme, endè sot aktuale për kombin tonë, por që mjerisht mbeti te vëllimi i parë, për ngjarjet që u zhvilluen mbas vitit 1944 me pushtimin komunist të Shqipnisë qe "Të drejtat e Shqipnisë etnike", vepër e dy viganëve të mendimit shkencor historik shqiptar, jezuitit Atë Toldo e Frate Gjon Pantalisë, kosovar, kushrini i Nanë Terezes, i masakruem prej komunistëve. Sasia e panumërt e veprave të konsultueme, mprehtësia e analizës, qëndrimi tejèt atdhetar shqiptar i autorëve, ndër të cilët vetëm njeni shqiptar Kosove, kurse tjetri italian, e bajnë nji vepër të çmueshme dhe që do të ishte tepër e dobishme, sidomos në momentet tragjike që jemi tue jetue (shkrimi âsht përpilue në nëntor 1998, në kohen e zhvillimeve ma të vrudhshme rë Revolucionit Kombëtar në Kosovë. Shën i red "Phoenix") Por si po shohim, historiografia zyrtare, e vetquejtun shqiptare, nuk e njeh ketë vepër, apo nuk don ta njohë, për mos me iu ra ndesh aleatëve të saj ideologjikë antishqiptarë.

E para shtypshkrojë qe themelue në Shkodër me 1870. E prunë jezuitët. Në dukje ajo do të botonte vetëm libra të karakterit fetar, por me zgjuetsí aty qenë botue edhe libra të tjerë të karakterit jofetar, në përkrahje të anës kombtare të lëvizjes për pavarësí, tue i maskue keta libra, qoftë tue u dhanë si vend botimi nji emërtim pak të zakonshëm, si ishte rasa e librit të Tef Curanit, që shënohet i botuem në Skenderye, ashtu si e quejshin turqit Shkodrën, apo "Shahiri elierz", me vjersha të Dom Ndre Mjedës e të Dom Ndue Bytyqit, i cili doli i lidhun e në fund të nji libri tjetër me përmbajtje fetare. Ishte koha kur çdo libër në gjuhën shqipe ishte i ndaluem, çdo libër me përmbajtje gjuhësore ose historike ishte e sigurtë se përbante nji rrezik të madh për pushtuesin turk dhe për përkrahësit e tij në vend, të cilët me ringjalljen e shqiptarësisë shihshin rrezikun e humbjes së privilegjeve që kishin gëzue ndër shekuj prej pushtuesit. Dhe hymja e këtyne librave dënohej ashpër tue nisë prej çuemjes syrgjyn në Jemenin e largët e deri me vdekje me helmatisje të atdhetarëve.

Nji tjetër lamë, në të cilën u bâ pikë referimi Shkodra, qe lavrimi i gjuhës shqipe. Qysh me 1716, kur botohet gramatika e parë prej Atë Françesk Maria Da Lecce, gegënishtja përban nji pasuní të pazavendsueshme për kulturën kombtare, dhe këtê e ka tregue në të gjitha kohët. Gjuha e mâ se 2/3 e shqiptarëve, që përcakton nji mënyrë së menduemi, nji mënyrë së shprehuni të ndjenjave e të atdhetarsisë kombtare e ka bazën e vet në Shkodër e në krejt Shqipninë Veriore e Qendrore. Dhe Shkodra, si kemi thanë përfaqësonte vendin ku u lavrue dhe pati zhvillim së tepërmi gjuha shqipe. gegënishtja u bâ simbol. Dhe ketë po e vërtetojmë tue bâ nji analogjí në mes nji të madhi italian e nji të madhi shqiptar, dhe ku shqiptari ia kaloi në kohë atij italian: Aleksandër Manzoni, autori i Të fejuemve, dhe Imz. Pjetër Bogdani, autori i Çetës së Profetëve. Ky, kosovar, pra joshkodran, e kaloi nji pjesë të randësishme të jetës së vet në Shkodër, qoftë edhe në shpella për me i shpëtue përndjekjes së turqve e të ndjekësve të tyne.

Si dihet Aleksandër Manzoni, kur i dha fund librit të vet, e pau të udhës të shkonte në Firence, për me e lá, si thonte, veprën e vet në ujnat e lumit Arno (që âsht lumi që përshkon Firencen). Kjo ndodhte në fillim të shekullit XIX. Ishte nji përpjekje pozitive dhe e dobishme për zhvillimin e gjuhës letrare italiane, tue u pështetë në gjuhën që përfaqësonte të folmen simbol të unjisisë së italishtes së pastër e të lavrueme. Ndërsa, gati dy shekuj para Manzonit, Imz. Bogdani kishte bâ të njajtën punë, si shkruen: "Ashtu ende prej meje bukurin' e giuhësë nuk' e ké ndjerë ndanet; përse tue kjanë unë prej Guri ndë Hast', Sangjakijet së Dukagjinit, Dioçezit së Presërendit; m'anshtë dashunë me djersë të mëdha shumë fjalë me ndërequnë ndë dhé të Shkodersë; e tue kjanë vepëra fort e naltë, e hollë: gjuha jonë qi me Dijet dvuer ende fjalëtë, feshtir mundetë gjithë punëtë ndijerë ndë skanjt me i çtjellë". Vorfëninë e gjuhës së vet erdhi dhe e pasunoi në Shkodër, mbasi ajo kishte humbë bashkë me dijen edhe fjalët, dhe kjo i kishte krijue vështirësí për me shprehë mendimet e nalta që shtjellonte në faqet e së parës vepër originale teologjike e filozofike në gjuhën shqipe.

Te Bogdani, që âsht pararendës kundrejt Manzonit, në vlerësimin pa paragjykime të qendrës mâ të randësishme që përfaqëson djepin e gjuhës së lavrueme shqipe, kemi nji paraprijës të lëvizjes për zhvillimin e kodifikimin e gjuhës shqipe.

Dy shekuj mâ vonë, me 1908, në Monastir, mblidhej Kongresi i Alfabetit, dhe aty u panë edhe delegatët e qytetit të Shkodrës: Atë Gjergj Fishta, që do të ishte edhe kryetar i Komisionit të alfabetit, D. Ndre Mjedja, Luigj Gurakuqi, i cili ndonse shkodran n'atë rasë përfaqësoi Arbëreshët e Italisë, Mati Logoreci e Hilë Mosi. Aty u paraqitën tri alfabete: i Bashkimit, i Agimit dhe i Stambollës. Me ndryshime u pranue i Bashkimit, alfabet latin i përshtatshëm për propagandën kombtare, si alfabeti mâ praktik për botimin e librave kudo në shtypshkrojat e botës, gjâ që nuk mund ta realizonte nji alfabet si ai i Agimit, që, me të vërtetë ishte shkencor, por jo praktik për qëllimin e përhapjes së letërsisë kombtare, po ashtu sikurse ishte edhe alfabeti i Stambollës.

Alfabeti i Stambollës qe pranue, mâ shumë për të mos i prishë qejfin palës që e kishte përdorë për njifarë kohe, por, për të njajtën arsye të mungesës së prakticitetit, humbi rrugës dhe nuk u botue mâ gjâ me tê. Ndërsa për alfabetin turko-arab as nuk bahej fjalë sepse, për ambjentet atdhetare myslimane, ortodokse e katolike ishte antikombtar, sikurse ithtarët e tij, ishte shprehje e nënshtrimit ndaj pushtuesit turk, e gjithashtu nuk përfaqësonte prejardhjen indoeuropiane të gjuhës shqipe. Nji tjetër fushë e dijes ishte ajo e traditës popullore, e mbledhjes së folklorit dhe në veçantí të ciklit të Kreshnikëve, me bukurinë e vet të posaçme, dhe me pasuninë e spikatun të gjuhës së përdorun. Edhe këtu qe Shkodra ajo që e mblodhi ketë pasuní të madhe të Kombit, me folkloristë të shquem si Frang Bardhi, si mbledhës i parë te fjalëve të urta, apo Imzot Vinçenc Prenushi. Atë Donat Kurti e Atë Bernardin Palaj, Filip Ndoc Fishta e Karl Gurakuqi qenë mbledhësit e vëllimeve të para të Visareve të Kombit, serí e cila qe nji ngjarje me randësí për kulturën shqiptare, çmue jashtëzakonisht edhe në botën shkencore të huej. Në atë serí qenë përfshi edhe katër vëllimet e botueme prej revistës Leka, dy nga të cilat patën si mbledhës Atë Gjon Karmën e Kolë Kamsin. Me nji vëllim të çmueshëm u paraqit edhe mësuesi Kasem Taipi. Nji vëllim që pati vlerësimin e lexuesve dhe i cili qe prî nga nji parathanie e Ernest Koliqit.

Fatkeqësisht kemi disa "historianë" të cilët po përpiqen të shkruejnë nji historí në të cilën mohohet Shkodra, sidomos ajo katolike. Edhe mâ keq kur këta mendojnë se nuk ka dokumenta që t'u kundërvehen falsifikimeve të tyne. Ka dokumenta dhe nji letërsí mjaft të pasun për me pohue të kundërtën e për me rivlerësue kulturën shkodrane, me shfaqje të shumta e me vetje që punuen e u përpoqen për rilindjen e saj mbas pushtimit turk, por edhe të atij komunist. Kemi shkapërcye shumë ngjarje e shumë emna për mos me bâ nji rreshtim të randë e të mërzitshëm.

Sidoqoftë kemi bindjen se pa trysní të mendeve e të zemrave e vullnet të mirë nuk ka me marrë epërsinë e të ringjallet kultura e Shkodrës që të ndrisë përsërí në krejt trojet arbnore, ashtu si thotë Fishta ynë i madh: "Për inat të djallit e të anmikut".

Nga Willy Kamsi

COMMENTS