Lec Shllaku

lec shllaku
Lec Shllaku lindi në Shkodër më 3 nëntor 1921. Mbeti jetim nga babai që kur ishte 4 vjeç. Bashkë me nënën dhe dy vëllezërit u rrit në shtëpinë e dajës, i cili ndonëse me profesion rrobaqepës, kishte hobi skenën, bejtet, karnavalet e sportet. Aty Lec Shllaku do të ndiente për herë të parë, joshjen ndaj arteve të bukura. Aty do të takohej me një pjesë të lëvizjes së pasur artistike amatore të Shkodrës. Në kohë karnavalesh shtëpia kthehej në prapavijë teatri. Bëheshin prova recitimesh dhe 34 makina qepëse punonin kostumet. Daja nisi ta merrte në premierat e teatrove. Kureshtja e Lecit për skenën bëri që ai të merrte pjesë dhe vëzhgonte provat e shfaqjeve që bëheshin në kinemanë-teatër "Shkodra".

Shkollën fillore e kreu në "Shkollën Fretnore" dhe të mesmen në gjimnazin "Illyricum", si kolegjial. Më pas përfundon shkëlqyeshëm Institutin Pedagogjik, 2-vjeçar, të Shkodrës dhe studimet e larta në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi.

Fillimet e tij artistike i përkasin teatrit amator, para dhe sidomos pas Luftës së Dytë Botërore. Nga viti 1945 - 1949 ai vë në skenë me amatorët, disa pjesë të suksesshme, ku angazhoi një sërë aktorësh amatorë, që më vonë u bënë bërthama e Teatrit Migjeni, që u krijua në vitin 1949. Të kësaj kohe janë pjesët "Agimi", "Kopraci", "Jeta fillon përsëri", "Shërbëtori i dy zotnive", "Tirani i Padovës", etj, pjesë që patën suksesin e vet, të vëna në skenë në harkun kohor 1945-1960. Për një vit, 1949-'50 punon në Teatrin Qendror të Ushtrisë. Prej vitit 1951 deri në 1960 punon pranë teatrit të Shkodrës, i cili deri m'at kohë udhëhiqej prej Andrea Skanjetit. Në Shkodër punon me aktorët e mirënjohun Zef Jubani, Tinka Kurti, Antonjeta Fishta, Lec Bushati, Vitore Nino, Preng Lkunda, Adem Kastrati. Fryt i këtij bashkëpunimi gjenial është edhe vënia në skenë e "Kopracit" me aktorin Zef Jubani në rolin kryesor. Së bashku me regjisorin tjetër të këtij teatri "Artistin e Popullit" Andrea Skanjeti, Lec Shllaku ka merita në konsolidimin e këtij teatri, të cilët i dhanë atij një fizionomi kombëtare dhe u bë teatri i dytë me rëndësi në Shqipëri, që për vite krijoi vlera të mëdha dhe që u ballafaqua me sukses edhe me teatrin kombëtar, apo ata të rretheve.

Në vitin 1962 me urdhër të ministrisë ngarkohet të themelojë teatrin e Elbasanit. Një punë që ai e nisi nga fillimi e që për mëse 8 vjet pune të palodhshme si autor dhe regjisor, bëri një punë të madhe regjisoriale, krijoi një trupë të suksesshme dhe e ngriti teatrin "Skampa" në rangun e teatrove më të mirë kombëtare. Një nga pjesët që vuri në këtë skenë ishte "Njeriu që pa vdekjen me sy". Autori i saj, Viktor Eftimiu, i shoqëruar nga drejtori i Teatrit Kombëtar të Bukureshtit, pasi e panë punën e bërë nga Shllaku, u shpreh: "Që nga viti 1928 kur e shkrova këtë dramë ajo është luajtur nga 30 teatro të ndryshëm, por pa dyshim më e mira është kjo e juaja. Edhe ndryshimet që regjia i ka bërë finales janë një gjetje e përsosur që unë dua ta përdor si mbyllje zyrtare përfundimtare në botimin e veprave të mia të plota".

Gjithashtu vuri në skenë dramat: "Linda", "I pesti u zu gjallë", "Udha e gjatë", "Udha e zavalinajve", "Firmat e vogla", "Skënderbeu", "Shqetësimet e Sokratit", "Rrethimi i Bardhë", etj. E kanë cilësuar si regjisori që shtroi bazamentin e shëndoshë të një trupe cilësore teatrale profesioniste.

Interpretoi në shumë filma artistike si: "Skënderbeu", "Para agimit", "Plumba Perandorit", "Ngadhënjim mbi vdekjen", "Qortimet e vjeshtës", "Larg barbarëve", "Yjet e netëve të gjata" etj.

Lec Shllaku vdiq më 5 gusht 2007, në Shkodër.

La mjaft vepra, dorëshkrime, punime artistike, romane, tregime, novela, monografi, kujtime. Në pesë vitet e fundit të jetës botoi 7 libra, ndër të cilët librin me përshtypje udhëtimi "Dy hapa në Perëndim", i cili është botuar në italisht dhe greqisht.

Për vlera dhe kontributin që dha, Lec Shllakut i është akordua titulli "Artist i Popullit" dhe, nga Bashkia e Elbasanit titulli "Qytetar Nderi".

COMMENTS