Lin Delija

lin delija piktor
Piktori Lin Delija lindi në Shkodër më 3 shkurt 1926, nga Mark Delija (1875-1945) dhe Luçe Zefi (1899-1971). Babai i tij, i cili ishte i ve dhe kishte një vajzë, Roza Delija 9 vjeç, ishte një elektricist. Nga martesa me Luçe Zefi, lindën 6 fëmijë të tjerë, 4 djem, Frano (1921), Lin (1926-1994), Ndok (1931), Sander (1936) dhe 2 vajza, Lezina (1938) dhe Angjelina (1942). Në moshën 10 vjeç, në vitin 1936, Lin Delija futet në shkollën e Fretënve Françeskanë në Shkodër, ku mori hov së pari talenti i tij artistik dhe ku u njoh me At Kabashin, edhe ai pikton, i cili e ndihmoi shumë.

Në vitin 1948 arratiset në Jugosllavi ku studioi së pari në Herceg Novi dhe mandej në Zagreb në Akademinë e Arteve të Bukura.

Më vonë, me ndihmën e Ernest Koliqit siguroi një bursë studimi në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Mjeshtrat e tij të mëdhenj ishin Mario Mafai dhe Amerigo Bartoli, prej të cilëve ai mori njohuritë e teknikave bashkëkohore dhe përsosi më tej botëkuptimin e tij artistik duke ndërthurur në mënyrë harmonike modernen me elementin etnik, shqiptar dhe ballkanik.

Në vitin 1969 Lin Delija themelon Akademinë e Artit "Gjergj Fishta" dhe në vitin 1983 krijon Akademinë e Artit "Carlo Cesi" në vilën Mentuçia në Antrodoko. Në vitin 1981 takohet me Nënë Terëzën dhe realizon një seri pikturash dhe vizatimesh me imazhin e saj.

Piktori Lin Delija ndërroi jetë më 9 prill 1994 në Romë në moshën 68 vjeçare. Sot veprat e tija ekspozohen në Pinakotekën e Artit Modern në Vatikan, në Muzeumin e Artit Bashkëkohor në Romë, në Muzeumin "Lin Delija" në Antrodoco, në Muzeumin Qytetës të Osimo-s, në Qendrën e Studimeve të Artit Modern në Brescia, në Galerinë e Artit Modern në Palermo, në Muzeumin e Shën Anës në Quebec të Kanadasë, në Universitetin e Erlangen-it në Gjermani, në New York etj.

Disa persona që e kanë njohur nga afër flasin edhe për rreth 34 kuadro të përmasave të mëdha disametërshe, që piktori Lin Delija i pati përgatitur për Kishën e qytetit të Shkodrës.

Në qytetin e Osimo-s ekziston një muzeum kushtuar mjeshtrit Delija, ndërsa miqtë e tij të vjetër të Antrodoko-s i kanë ngritur një muzeum në vitin 2002 në qytetin që i dha strehë bujare.

Presidenti i Republikës, Z. Bamir Topi, më 24 maj i akordoi Lin Delisë (pas vdekjes) Urdhrin "Nderi i Kombit" me motivacionin: "Piktorit të madh shqiptar, që me artin e tij pasqyroi lidhjen e fortë me atdheun dhe promovoi vlerat e lirisë dhe të demokracisë".

COMMENTS