Mark Kakarriqi

mark kakarriqi
Mark Kakarriqi u lind në Shkodër më 1884, në një familje qytetare. Ka marrë pjesë në komitetin e kryengritjes shqiptare kundër osmanëve me qendër në Podgoricë, në vitin 1907. Aktiv në kryengritjet e mëdha të viteve 1911-1912.

Në vitin 1912 mori pjesë në ngritjen e flamurit të pavarësisë në Vlorë së bashku me Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin. Ishte në bordin e anijes "Mekong" me flamur anglez, bashkë me Dukën e Monpensier - trashigimtar i familjes mbretnore franceze, Burbonë, kandidat për fronin e Shqipënisë; dhe Princit Albert Ghika (nga familja Gjika e Rumanisë me origjinë shqiptare), që duke u nisur nga Brindisi për me ça bllokaden greke në Vlonë, 1913. Eshtë organizator dhe pjesëmarrës i Kongresit të Triestes.

Më 1913-n u vendos në Vjenë të Austrisë dhe u bë aksioner në "Viena Bank" me një shumë të madhe prej 400 mijë sterlinash ari. Shkëlqen si tregtar gruri, edhe kur Rusia gëlonte nga luftrat civile mes ushtrisë së kuqe e asaj të bardhë, ai shkarkonte grurë në Shën Pjetërburg. Arrestohet në Rusi si antikomunist, lirohet pas pak ditësh, pasi doli garant për të gruaja e ministrit të Brendshëm të Rusisë, me të cilën kishte pasur njohje nga jeta mondane në Vjenë. Në atë kohë Rusia përjetonte një krizë të madhe.

Mark Kakarriqi bleu disa vepra arti, si pikturën "Çifuti shëtitës" që i takon Rembrandit ose shkollës së Rembrandit, por ndoshta edhe Venerën e skulptorit italian Antonio Canova. Mbas shumë aventurash kthehet në Shkodër, ndërton shtëpinë e tij prej 2500 metrash katrorë, si dhe solli që nga Holanda strukturën e një varri monumental për veten e tij, të cilën e vendosi para vdekjes në varrezat katolike të Shkodrës. Në vitin 1929, figuron të ketë themeluar në Londër një kompani birre me kapital 400 mijë paund dhe sipas historikut të Bankës së Shqipërisë, ka qenë iniciator i themelimit të kësaj banke. Marku e mobiloi shtëpinë e tij me vepra arti të artistëve të njohur në Evropë me shumë skulptura, mobilie historike, koleksione porcelani të rralla japoneze dhe kineze.

Në periudhën e mbretërimit të Zogut, Marku ka qenë kryetar i Dhomës së Tregtisë së Shqipërisë. Gjatë pushtimit italian, Marku u bë kryebashkiak i qytetit të Shkodrës.

Mark Kakarriqi vdiq në moshën 52-vjeçare tek shtëpia e motrës së tij, Matilda Çoba (Kakarriqi), në Tiranë. Të afërmit e Markut zbuluan trupin e pajetë të tij në mëngjesin e 24 qershorit 1942. Varrimi iu bë në Shkodrën. Varri i tij monumental më pas u prish dhe eshtrat iu shpërndanë për pasojë të një vendimi gjyqësor (pas vdekjes), i cili e dënonte Mark Kakarriqin me vdekje. Akuzohej se kishte bashkëpunuar me fashistët.

Veprat e artit të grumbulluara prej Markut u shpërndanë, u prishën, ose humbën. Me një fjalë u shkatërrua një muze arti i klasit të parë që do ta nderonte si asnjë muze tjetër Shqipërinë. Më 1967-n, piktori Kujtim Buza, që ishte drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve, bleu në familjen e Valentin Kakarriqit (nip i Mark Kakarriqit, i cili studioi nga viti 1936 deri në 1943, kur vdiq Marku, në Brera të Italisë për Arte të Bukura), portretin e quajtur "Çifuti shëtitës" për 6000 lekë të reja, të barabartë me vlerën e 600 $ amerikanë. Kjo vepër, edhe sot gjendet në fondin e veprave të rralla të Galerisë Kombëtare të Arteve. Koleksionet e porcelanit, mobiliet u ndanë nga ana e pushtetarëve komunistë, por padituria e tyre e frikshme bëri që shumica e tyre të humbasë. Në vitin 1993, Venera u ble nga koleksionisti i njohur shijakas Fahri Kaçanolli, i cili sot e ka në galerinë e tij private të artit të quajtur Galeria F. Shtëpia e Mark Kakarriqit është blerë më 1995-n nga "Sigal", shoqëri sigurimi me qendër në Vjenë.

COMMENTS