Martin Camaj intelektual erudit

martin camaj
Martin Camaj lindi në Temal, Dushman të Dukagjinit, më 21 korrik 1927 (në disa shënime shkruhet si viti i lindjes 1925) në vendin e quajtur Telumë-Kllogjena. I biri i Kolë Camës, njëherësh bari e bujk, dhe Terezës, nga Prekali, lindi i pari ndër shtatë fëmijë. Famullitari i zonës, Atë David Pepa, shquajti tek ai tipare për të cilat e nisi në Shkodër kur ishte 7 vjeç, në Kolegjin Saverian mori edukatë klasike. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u fut në Kolegj. Mësues ndër fshatrat të Veriut mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës e prandej edhe të shkollave e të seminareve të Françeskanëve e të Jezuitëve. Themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm, më 1947. Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë me çetën e kapidan Gjon Destanishtës dhe mbas një kohe qe i detyruar të jetojë në ilegalitet deri sa ia arriti me ikë në Jugosllavinë bashkë me Atë Daniel Gjeçajn o.f.m. Kështu nuk pati më rast të kontaktojë me familjen, një vëlla i tij bëri 30 vjet burg. Në Beograd studioi romanistikën, sllavistikë, albanologji dhe letërsinë popullore shqiptare (1949-1955). Filloi të punojë disertacionin mbi Buzukun.

Në verën e vitit 1956 largohet edhe nga Jugosllavia dhe shkon në Itali për studime pasuniversitare, ku dhe kreu temën për Buzukun më 1960. Në Romë doktorohet dhe drejton revistën "Shêjzat" si kryeredaktor, nën përkujdesjen e Ernest Koliqit. Këtu njihet më afër me botën arbëreshe, dhe jep leksione shqipeje në katedrën e Universitetit La Sapienza në Romë. Në Romë ndoqi rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë balltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër. Në janar 1960 vendoset në Mynih të Gjermanisë falë një sistemi shkëmbimesh akademike. Bëhet lektor pranë Universitetit "Ludwig Maximilian" të Münich-ut, më 1964 u bë Privatdozent. Më 1969 martohet me Erikën. Më 1970 bëhet Profesor, e deri më 1990 jepte Albanologji në të njëjtin universitet. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindë. Vdiq më 12 mars 1992 në Mynih.

Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.

Kërkimet akademike të Camajt u përqëndruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhandër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza. Vëllimi i tij i parë me varg klasik "Nji fyell ndër male", Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe "Kânga e vërrinit", Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t'u kthyer. Këto u ndoqën nga "Djella", Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive "Legjenda", Romë 1964 dhe "Lirika mes dy moteve", Munich 1967, kishte disa poezi nga "Kânga e vërrinit", që u ribotuan në "Poezi" 1953-1967, Munich 1981. Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti (1888-1970). Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij. Një përzgjedhje e poezive të tij e përkthyer në Anglisht nga Leonard Fox në vëllimet "Selected Poetry", New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe "Palimpsest", Munich & New York 1991.

Vepra letrare

  • 1953 Në Prishtinë boton vëllimin e parë me poezi me titull "Nji fyell ndër male".
  • 1954 Del vëllimi i dytë me poezi "Kanga e vërrinit". Më vonë, autori distancohet prej dy vëllimeve fillestare dhe konvencionale.
  • 1958 Në Romë botohet "Djella", roman me intonim poetik dhe i përshkuar me vjersha.
  • 1964 Në Romë del vëllimi poetik "Legjenda".
  • 1967 Në Munih dalin, si botim i autorit: Lirika mes dy moteve, kryesisht vjersha të përpunueme nga faza e mëparshme "Rrathë", roman "Njeriu më vete e me tjerë", poezi.
  • 1981 Poashtu si botim i autorit dalin në Munih: Shkundullima, novela dhe një dramë.
  • Poezi 1953-67, vjersha të zgjedhura; Dranja, Madrigale. Prozë poetike.
  • 1985 Me titull "Poesie në Palermo" botohet përkthimi italisht i librit "Njeriu më vete e me tjerë", prej Francesco Solanos.
  • 1987 Në Munih, Camaj boton librin Karpa, në të cilin eksperimenton me elemente të romanit fantastik.
  • 1990 New York. Në edicionin shqip-anglisht (përkthyesi: Leonard Fox).
  • Selected Poetry botohen për herë të parë dy ciklet poetike "Nema" dhe "Buelli".
  • 1991 New York-Munih: Palimpsest, poezitë e fundit të botuara prej Martin Camajt, prapë si botim dygjuhës shqip-anglisht me përkthimin e Leonard Fox.
  • 1991 Në Munih del vëllimthi Gedichte, botimi i parë në gjermanisht, përkthyer prej Hans-Joachim Lanksch.
  • 1993 Në Cosenza (Kozencë) të Italisë botohet drama Kandili Argjandit, në të cilën Martin Camaj punonte akoma në shtratin e vdekjes.
  • 1994 Në Prishtinë del Djella, version i përpunuar prej Camajt i romanit të vitit 1958.
  • 1996 Në Tiranë botohen pesë vëllime me një pjesë të veprave të Martin Camajt. Edicioni është paraparë të përfshijë nëntë vëllime. Botimin e përkrah Ministria e Kulturës. Kështu merr fund anatemizimi i disa dekadave i Martin Camajt. Mbas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare më 1997 thuhet se "Martin Camaj nuk botohet më".
  • 1998 Në Munih del përkthimi gjermanisht i Palimpsestit, përkthyer prej albanologut prof. Wilfried Fiedler.
  • 1998 Në Tiranë, Martin Camajt i jepet post mortem nderimi më i lartë letrar i Republikës së Shqipërisë, Penda e Artë. Çmimi Penda e Artë jepet prej Ministrisë së Kulturës dhe Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Një ditë para dhënies solemne të Çmimit njoftohet tërhekja e tij, d.m.th. se Çmimi nuk i jepet Martin Camajt.
  • 1999 Në Klagenfurt, me titull Weißgefiedert wie ein Rabe, del përkthimi gjermanisht i vëllimit "Njeriu më vete e me tjerë", përkthyer prej Hans-Joachim Lanksch.
  • 2000 Në Pejë, redaktuar prej Rexhep Ismajlit, del vëllimi "Lirika", botimi gjer më tani më i plotë i poezive të Martin Camajt, përfshir edhe poezi prej trashigimisë letrare të Martin Camajt.
  • 2002 Në Tiranë, Çmimi letrar Penda e Artë i akordohet Martin Camajt.

Vepra Shkencore

  • Il "Messale" di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi, Shêjzat, Roma 1961.
  • Albanische Wortbildung. Die Bildungsweise der älteren Nomina, Harrassowitz, Wiesbaden 1966.
  • Lehrbuch der albanischen Sprache, Harrassowitz, Wiesbaden 1969.
  • La parlata albanese di Greci in provincia di Avellino, Leo Olschki, Firenze 1971.
  • Racconti popolari di Greci (Katundi) in provincia di Avellino e di Barile (Barili) in provincia di Potenza, "Studi Albanesi" pubblicati dall'Istituto di Lingua e Letteratura Albanese dell'Università di Roma, Vol. III, Roma 1972.
  • Albanische Märchen. Herausgegeben und übersetzt von Martin Camaj und Uta Schier-Oberdorffer, Diederichs, Köln-Düsseldorf 1974.
  • Die albanische Mundart von Falconara Albanese in der Provinz Cosenza, Albanische Forschungen 16, Trofenik, München 1977.
  • Cuneus Prophetarum a Petro Bogdano, Patavii, MDCLXXXV (Mit einem Beitrag von Giuseppe Valentini und Martin Camaj), München 1977.
  • Albanian Grammar with Exercises, Chrestomathy and Glossaries (Collab. on and translated by Leonard Fox), Harrassowitz, Wiesbaden 1984.
  • La parlata arbëreshe di San Costantino Albanese in provincia di Potenza, Centro Editoriale e Librario dell'Università della Calabria, Rende 1991.

Krahas me këto monografi, në periodikun shkencor Martin Camaj botoi mbi 150 kontribute për gjuhën dhe letërsinë shqipe.

Martin Camaj, gjuhëtari e letrari që lartësoi gegërishten


Nga Prof. Dr. Tomor Osmani, gusht 2015

Martin Camaj, ky intelektual erudit, shkrimtar, gjuhëtar, albanolog, me dëshira të gjithanshme për të kontribuar në zhvillimin e kulturës shqiptare, radhitet në plejadën më të zgjedhur kryesisht të shkrimtarëve dhe gjuhëtarëve tanë. Lindi më 21 korrik 1925, 90 vjet më parë, në Temal të Shllakut, një zonë e egër malore, siç shkruan autori, "ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit".

Kjo figurë poliedrike, i cili edhe larg atdheut prej afro gjysmëshekulli, nuk e harroi vendlindjen, Temalin dhe Shkodrën, gjeti vend ta kujtojë atë natyrë përrallore dhe magjepse të saj, por mbi të gjitha, duke përdorur një gegërishte letrare të pasur, tërheqëse dhe të zhdërvjelltë. Ndonëse emri i tij i lënë në harresë për kaq e kaq kohë, mbeti si legjendë gjatë regjimit monist, duke e kujtuar në mendjen e tyre vetëm shokët e fëmijërisë, por jo atdheu i tij.

Në fshatin e lindjes nuk qëndroi gjatë, pasi prindërit, duke parë zgjuarsinë e të birit, nuk deshën ta bënin çoban lopësh si shokët e tij, por e dërguan në Kolegjin Saverjan në Shkodër, një shkollë ku kishin ndjekur mësimet shumë personalitete të kulturës shqiptare, si Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci, Gjon Sinishta etj. që drejtohej në atë kohë nga historiani, at Zef Valentini. Ai, i pakënaqur nga regjimi i kohës, i edukuar në një rreth mësuesish dhe intelektualësh të dëgjuar të kohës, në prag të 23-vjetorit të lindjes, më 1948, pasi kishte hapur shkollën e parë në Prekal, për më shumë se një muaj do të endej në malet e thepisura të asaj zone, në malin e Cukalit për të gjetur një shteg kalimi që të ikte në mënyrë ilegale në Jugosllavi.

Arratisja e tij bëri që regjimi i kohës autorin, veprën e tij letrare dhe gjuhësore ta fshijë nga çdo botim akademik, qoftë edhe divulgativ. Në Jugosllavinë e atëhershme fillimisht shërbeu për një kohë edhe si mësues në Tuz të Malit të Zi. Një nxënës i tij, tashti i plakur, e kujton me shumë respekt Martin Camajn, mësuesin e shkollës 7-vjeçare të Tuzit. Për nxënësit e tij, Martin Camaj ka qenë një mësues ideal, tejet i kulturuar, që lëndën të cilën e jepte e bënte shumë të këndshme dhe tërheqëse, gjë që ne nxënësit rrinim si të ngrirë kur shpjegonte mësuesi i arratisur nga Shqipëria.

E donte shumë poezinë dhe e admironte poetin e "Juveniljes". Shumë shpesh u recitonte nxënësve poezi nga krijimtaria e Ndre Mjedës, pasi kishte afeksion ndaj tij. Martin Camaj ishte shumë simpatik, me shtat të lartë dhe të bukur si lëndët e bjeshkës, kështu e përshkruan N. Ndoja. I pëlqente të vishej shik dhe me gusto. Gjithnjë e shihje me një kostum blu dhe kravatë që e kombinonte me kostumin. Ishte, siç e quan nxënësi i tij, "bukuran". "Ishte shumë i përpiktë, prandaj ne mësuam shumë prej Camajt", thekson ishnxënësi i tij i shkollës së Tuzit.

Edhe sot në shkollën 9-vjeçare të Tuzit ruhen regjistrat e vitit 1948-1949 dhe 1949-1950 kur ka dhënë mësim Camaj. Sipas regjistrit ekzistues, Camaj ka dhënë këto lëndë: Shqip, Matematikë, Fizikë, Vizatim, Muzikë, Fizkulturë, ndërsa lëndët e tjera i jepte mësuesi tjetër z. Margilaj. Më pas do të qëndronte sa në Jugosllavi, Itali apo Gjermani për më shumë se 40 vjet. I etur për kulturë, e në veçanti për letërsinë, por edhe për gjuhën, në qëndrimin prej 8 vjetësh në Jugosllavi, pasi ndjek Universitetin e Beogradit (1950-1955) ku diplomohet për Gjuhë dhe Letërsi italiane, vazhdon në Sarajevë kualifikimin pasuniversitar nën drejtimin e albanologut të njohur kroat H. Bariç.

Gjatë kësaj kohe do të botojë dy vëllime poetike të titulluara "Një fyell ndër male" (Prishtinë, 1953) dhe një vit më vonë "Kanga e vërrimit", Prishtinë, 1954. Nuk dimë rrethanat e krijuara, por në vitin 1956 e gjejmë në Romë për të vazhduar studimet pasuniversitare, duke u specializuar në Gjuhësi. Në Romë ra në kontakt dhe u mirëprit nga shokët e idealit, por të përndjekur nga regjimit monist, si Ernest Koliqi, Mustafa Kruja, Karl Gurakuqi, Zef Valentini etj. Menjëherë filloi të fitojë emër, por edhe i përkrahur nga Koliqi etj. do të emërohet lektor në Katedrën e Gjuhës Shqipe dhe të Letërsisë në Universitetin e Romës, që drejtohej nga Ernest Koliqi.

Ardhja e M. Camajt në Itali, sqaron redaksia e revistës "Shêjzat", "e trimëroi E. Koliqin për të botuar një revistë, pasi Martin Camaj vinte në Romë i përgatitur shkencërisht në Gjuhësi, si nxënës i Bariçit dhe i pajisun me veti të nalta letrare. Ai kishte botuar në Kosovë dy vepra letrare. Ky faktor dhe të tjerë ndikuan te Koliqi që të fillojë punën për nxjerrjen e revistës". Kështu, për më shumë se 10 vjet, Martin Camaj do të drejtonte revistën "Shêjzat", një e përkohshme kulturore, shoqërore dhe artistike, që botohej në Romë dhe që qarkulloi nga viti 1957-1974 me një numër përkujtimor në vitin 1978 kushtuar Ernest Koliqit, numër i cili shënon edhe mbylljen përfundimtare të revistës. Camaj qe shumë aktiv, dhe në këtë organ publikoi 54 studime, artikuj dhe recensione me shumë vlerë për kohën.

Në vitin 1965 do të vendoset në Munih të Gjermanisë, ku në universitetin e atij qyteti në gjuhën gjermane do të mbrojë temën "Fjalë-formimi i shqipes. Mënyra e formimit të emrave të vjetër". Punoi 5 vjet nën udhëheqjen e profesorit të shquar, indogjermanistit Wilhelm Wissmann. Mbrojti me shumë sukses laurën. E ndihmoi edhe përgatitja filologjike pasi zotëronte gjuhët klasike dhe neolatine, si dhe sllavishten, gjithashtu kishte njohje edhe për botimet albanologjike të studiuesve gjermanë. Pasi mori titullin, ai do të ftohej nga Universiteti "Ludwig Maximilian" të Munihut si lektor, ku do të themelonte edhe Katedrën e Albanologjisë që do ta drejtonte për 20 vjet rresht (1971- 1990).

Punën e nisur nga Camaj do ta vazhdonte albanologu prof. Wilfrid Fiedler, pastaj prof. Rexhep Ismajli dhe prej 15 vjetësh vazhdon ta drejtojë prof. Bardhyl Demiraj. Martin Camaj vdiq në moshën 67-vjeçare, më 12 mars 1992, në fshatin malor Lenggries në Gjermani nga një sëmundje e pashërueshme, me brengen në zemër se nuk arriti të shohë edhe një herë Shqipërinë, Shkodrën dhe Temalin ku lindi, dëshira që po ia plotëson çdo herë e respektuara, bashkëshortja, dr. Erika Camaj.

Varri i tij është tepër i thjeshtë, një pllakë guri rreth një metër e lartë, e sjellë nga Temali i largët, plasat e të cilit janë mbushur me myshqe. Në të është shkruar me 11 shkronja të arta vetëm emri Martin Camaj. Ai mbushet herë pas here me buqeta me lule nga shokët dhe miqtë albanologë, por edhe nga Shqipëria ku patëm fatin me një grup studiuesish të vendosim edhe ne një tufë me lule në atë pllakë të gurtë të M. Camajt. Momente prekëse dhe mallëngjyese!

*****

Camaj la një trashëgimi të pasur letrare dhe gjuhësore që rroku një periudhë mbi 40-vjeçare. Janë monografi, studime dhe artikuj që i botoi gjithandej në Europë, si në Romë, Mynih, Firence, Palermo, Kozencë, Sofie, Wiesbaden, Dysendolf, Gutemberg, Rende, por edhe në Amerikën e largët në New York etj., shkrime të cilat u botuan në gjermanisht, italisht, anglisht dhe serbokroatisht, pasi i mungonte shqipfolësi. Por në Shqipëri nuk kishte arritur të hyjë vepra e tij si një njeri i padëshirueshëm për regjimin monist.

Ne do të vlerësojmë kontributin e M. Camajt në rrafshin gjuhësor, ku përfshihen monografi, tekste, studime, artikuj gjuhësorë, recensione etj. Ai u mor me probleme të gjuhës shqipe të traditës dhe të sotmes. Ka prekur disa fusha të gjuhësisë, duke dhënë ndihmesën e tij si për probleme të historisë së gjuhës shqipe, të shqipes së sotme, të dialektologjisë, të etimologjisë, të historisë së alfabetit etj. Camaj radhitet ndër hartuesit e gramatikës së gjuhës shqipe, duke zënë një vend të rëndësishëm në historinë e gramatologjisë shqiptare.

Fillimisht në vitin 1960 Camaj mbrojti temën "Meshari i Gjon Buzukut. Kontribute linguistike me një studim për origjinën e tyre". Është monografia e parë e Camajt me karakter gjuhësor, shkruar në italisht. Camaj transkriptoi me anë të shqipes një namë mallkimi që e ndeshim në komedinë "Epirota" (1483) në latinisht të autorit venecian Tommaso de Mezzo (1422-1488), që sot nga shumica e gjuhëtarëve shqiptarë konsiderohet si dokumenti i dytë ose i tretë i shkrimit të gjuhës shqipe.

Në krijimtarinë gjuhësore të Camajt, me vlerë është botimi në anglisht i veprës "Gramatika e gjuhës shqipe", Wiesbaden, 1984. Ajo u ribotua, 11 vjet më vonë, më 1995, në Kozencë, përkthyer në italisht nga studiuesi Ardian Vehbiu. Në parathënien e shkurtër të përkthyesit, Martin Camajn e konsideron një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare të pasluftës. "Gramatika e gjuhës shqipe" është një vepër e plotë, e hollësishme, që i kalon caqet e një manuali gjuhësor, e cila pasqyron formimin shkencor të Camajt.

Mund të themi se kjo gramatikë është një kod i pëlqyeshëm për gegërishten letrare. Për mendimin tim, vepra është me vlerë në disa aspekte: së pari, një gramatikë që e paraqet gjuhën shqipe me gjithë potencialin, funksionet dhe aftësinë shprehëse, duke e dhënë atë në tri variantet. Ideja e autorit ishte e tillë, se gramatika do t’u shërbente shqiptarëve me prejardhje nga trojet të ndryshme; së dyti, është një model për gegërishten letrare, por me prirje afruese me toskërishten.

*****

Me interes janë konsideratat që ka pasur Camaj për gjuhën letrare. Në letrën që i dërgonte nga Beogradi publicistit dhe kritikut Krist Maloki, në tetor të vitit 1953, i shkruante: "Për sa i përket gjuhës dhe formës, më duket më e drejtë me shfrytëzue shkrimtarët e kaluem, pse pa traditë nuk mund të krijohen vepra të mëdha". I adhuronte ato. Për të, pikënisja e studimeve shkencore fillon me gjuhën e tyre. Ai mbron tezën se gjuha e mirëfilltë letrare shqipe fillon me veprën e Pjetër Bogdanit "Çeta e Profetëve", me poezinë popullore dhe fetare të veprës së Pjetër Budit, me "Gjellën e Shën Mërisë së Virgjër" të Jul Varibobës.

Problemin autori e çon edhe më tej duke kërkuar që normalizimi i gjuhës letrare duhet ta kërkojmë që në shekullin XVI me Gjon Buzukun. Cili qe kodi në të cilin u mbështet autori ynë për të shkruar një gegërishte mjaft të zbutur dhe me prirje afruese? Në radhë të parë zbatoi me përpikëri rregullat e vendosura nga KLSH në Shkodër, si në rrafshin drejtshkrimor, edhe morfologjik, por arritjet e së cilës i çoi edhe më tej.

Kohë më parë, prof. T. Topalli na informoi se në Beograd familja Imami ruante dorëshkrimin e një vepre albanologjike, transliteruar me alfabetin e sotëm nga M. Camaj, me titull "Fjalor i gjuhës shqipe, përpilue nga Kostandin Kristoforidhi me germa greqisht". Vepra e Camajt ka një leksik shumë të pasur, pasi ishte pasion i autorit. Ai ka bërë një punë të veçantë për të vënë në lëvizje mjaft fjalë të fondit pasiv ose krahinor të shqipes, gjë që përbën një domosdoshmëri për ta studiuar dhe vlerësuar leksikun e veprës së tij dhe pjesën më të madhe për ta përfshirë në standardin e sotëm.

Ishte shumë fanatik në përdorimin e fjalës shqipe. Ai ndiente një dhimbje të madhe kur një fjalë e gjuhës shqipe zhdukej ose zëvendësohej me një të huaj, gjoja moderne. Për raste të tilla deklaronte: "Kur vdes një fjalë në gjuhë shqipe, vdes diçka në trupin tim". Kështu Camaj e çoi në një stad më të lartë gegërishten, duke kodifikuar disa trajta të mbarë shqipes dhe duke i rrafshuar në gjithë rrafshin gjuhësor, por njëkohësisht duke mënjanuar trajtat e ngushta dialektore, si në fonetikë, strukturën gramatikore dhe në drejtshkrim dhe sipas studiuesit B. Gjoka "me veprën e tij në prozë, poezi apo studime e ngriti ligjërimin e shqipes në nivel bashkëkohor me ligjërimin letrar perëndimor". Ai ishte mjeshtër i fjalës dhe kështu mbetet sot e gjithë ditën.

COMMENTS