Im vëlla Milloshi

migjeni millosh gjergj nikolla
Unë e mbaj mend tim vëlla Milloshin qysh në moshën kur na pështillnin në pelena. Me këtë nuk dua të them qysh në djep, por qysh atëherë kur ne ishim në gjendje t'ecnim dhe të flisnim, por për shkak se shtëpia ishte e ulët dhe dilej kollaj n'oborr mua edhe Milloshin, që ishte dy vjet më i madh se unë, na vishnin trashë, na lidhnin në mes edhe një pelenë që të mos ftoheshim. Në këtë moshë, në kohën e dimrit, lodra jonë e pëlqyer ishte që të fshiheshim prapa derës së hapur t'odës dhe me krehrin e shtëpisë të krehnim njëri tjetrin duke u bërë flokëve një vizë nga prapa dhe pastaj të dilnim dhe ta pyesnim gjyshen se kush e kish krehur shokun më mirë.

Kur qemë pak më të rritur, po akoma jo për shkollën fillore, lodra jonë e preferuar bëhej në mbrëmje dhe përpara syve të babait, i cili pasi vinte nga puna dhe lante duart, zinte vendin e tij të zakonshëm në minder, në një anë t'odës. N'anën tjetër t'odës shtroheshin dyshekët ku flinim ne, fëmijët më të vegjël, me gjyshen. Dyshekët shtroheshin përpara darkës dhe ne, dy më të vegjëlit, menjëherë fillonim të mateshim mbi dyshekët se kush ishte më i fortë. Babait i pëlqente shumë kjo lojë dhe qeshte, sidomos, për disa majmunllëqe të lezetshme që dinte të bënte Milloshi. Sa për motrën e vogël, ai e rrëzonte "me një gisht", po kur hynte në lojë motra pak më e madhe se ai, atëherë ai skuqej në lojë dhe kur delte i mundur thoshte se desh vetë të rrëzohej.

Një lodër tjetër që bënim në sytë e babait, kur ne të dy qemë akoma në moshën parashkollore, ishte kjo: pasdrekeve, në verë, me urdhërin e babait, flinim njëri më një anë të tij dhe tjetri në anën tjetër, në dhomën e mirë, ku zakonisht flinte babai me vëllain e madh. Kur zgjoheshin dilnim në korridorin e vogël të shtëpisë, ku babai ulej mbi një karrigë të mbathte këpucët. Me gjithë që këpucët ishin fshirë dhe lustruar që më parë, ne të dy merrnim dy furça dhe secili nga një këpucë dhe lustronim e lustronim duke thirrur nganjëherë "lustra!", gjë që babanë e bënte të qeshte shumë.

Më vonë, kur Milloshi hyri në shkollën fillore, lodrat e tija u bënë më të rralla në shtëpi. Ai kish një kushëri të moshës së tij dhe me atë shoqërohej shumë, por ky banonte pak larg shtëpisë sonë dhe Milloshi nuk e kishte afër për çdo orë, prandaj delte e lozte edhe me shokët e mëhallës që ishin katolik. Dihet se n'atë kohë, në Shkodër, njerëzit dalloheshin sipas fesë edhe fëmijët gjithashtu shoqëroheshin sipas fesë. Sa herë dilnin fëmijët e një feje në grupe te pusi dhe prisnin grupet e fesë tjetër kur përlesheshin midis tyre! Shpeshherë, pas këtyre përleshjeve, ata vinin në shtëpi të goditur me gurë dhe duke qarë. Për çudi Milloshi asnjëherë nuk erdhi në shtëpi i goditur dhe as që u ankua ndonjëherë për një gjë të tillë. Edhe kur u larguam nga shëpia ku kishim lindur dhe shkuam nëpër dy tri shtëpi të tjera, prapë Milloshi u shoqërua me shokët e feve të ndryshme dhe gjithmonë shkonte mirë me ta.

Përmenda edhe njëherë se në shtëpinë tonë ishte rregull që në verë, të paktën ne, të vegjëlit, të flinim pasdrekeve. Doemos, kjo nuk u pëlqente fëmijëve, ashtu siç nuk i pëlqente as Milloshit e as mua, po ç'të bënim? - ishte urdhri i babait e ne bënim çmos për babanë. Po, për sherr, n'oborrin e shtëpisë ku banonim, përveç pemëve të tjera kishte një zerdeli dhe një kumbull bardalike. Këto piqeshin tamam atëherë kur bënte zhegu më i madh dhe kur ne duhej të flinim. Kokrrat e pjekura binin përdhe më shumë në zheg. "Tak! bënte zerdelia dhe Milloshi ngrinte kokën nga jastëku ku ishte mbështetur dhe shikonte motrën për të kuptuar nëse ajo e kish dëgjuar. "Tak... tak..." - binin kokrrat e rënda të zerdelisë dhe të kumbullës herë pas here. Ne numëronim "Një-dy-tri..." dhe na zinte gjumi me shpresë se do t'i gjenim kur të ngriheshim. Por kishte fëmijë të tjerë që nuk i detyronin të flinin si ne dhe i hanin zerdelitë pa na pritur. Babai bënte sikur s'dinte gjë, por kur vinte mbrëmja ai sillte shpesh në shtëpi edhe zerdeli, edhe kumbulla bardalike.

Pasdrekeve, pas zhegut, ishte zakon në shtëpi që gjyshja të punonte leshin në korridorin e shtëpisë ku ishte më fresk. Për këtë ajo mobilizonte tri motrat tona më të mëdha... Të vegjëlit duan të bëjnë shpesh si të mëdhenjtë, prandaj edhe unë bashkë me Milloshin rrinim dhe shprishnim lesh. Nganjëherë Milloshi merrte edhe shtizat e çorapit në dorë dhe gjyshja me durim e mësonte për të thurur. Një komshie, që e donte Milloshin, kur qëllonte që e shihte duke punuar, e ngacmonte duke i thënë se ajo s'ishte punë për të dhe se do t'u thoshte shokëve që Milloshi bën punë grash. Por Milloshi nuk tundej fare dhe vazhdonte punën deri sa mërzitej.

Në shtëpi kishim një qen "Biser", që njihej nga kushdo si qeni i Milloshit, sepse i shkonte kudo pas. Biserin Milloshi e donte shumë. Edhe gjyshja për hatrin e Milloshit e duronte qenin kur ia shpërndante leshin andej e këndej dhe sidomos kishte kujdes që të mos i shpëtonte ndonjë thërrime pa ia dhënë Biserit, se për këtë Milloshi e porosiste gjithmonë. Sa për vetë Milloshin, ai nuk harronte kurrë që çdo mëngjes ta ndante simitin me të; bile shpesh ia njomte simitin edhe në salep. Qeni rrojti shumë edhe pasi Milloshi u largua nga Shkodra për në shkolllën e mesme. Ai, gati në çdo letër, pyeste për të. Kur ngordhi Biseri nuk guxuam t'i tregonim menjëherë.

Milloshi ka qenë në shtëpi fëmija më i privilegjuar. Babai e mbante veten dhe nuk ia shfaqte, po gjyshja këtë e tregonte hapur. Milloshi ka qenë nga shëndeti delikat qysh në vegjëli. Ai vetë tregonte edhe në ditët e fundit të jetës së tij se si kur ishte 2-3 vjeç ishte sëmurë aq keq nga pleviti sa nuk besonin se do të shpëtonte dhe bile ia porositën edhe arkivolin.

Kur nisi rrethimi i Shkodrës, Milloshi sapo kishte mbushur vitin. Si të gjitha familjet e tjera, edhe familja jonë pati vështirësi materiale. Vdekja e nënës, lufta, pleviti, rritja me mungesa bënë që Milloshi të mbetej delikat nga shëndeti. Megjithëkëtë, ai u rrit me një trup të gjatë, u muar me të gjitha sportet që luheshin atëherë. Jeta e internatit ku banonin me qindra nxënës dhe ku s'bëhej dallim për atë që ha pa oreks, sigurisht, që s'i bëri mirë. Në vitin 1931 internati, sipas këshillës së mjekut, e dërgoi në shtëpi për një muaj çlodhje. Mbasi shtëpia jonë n'atë kohë nuk ekzistonte, se kishin vdekë me radhë babai, gjyshja dhe vëllai i madh, ai e kaloi atë muaj te motra e madhe në Tivar.

Në mësime Milloshi ka qenë shumë i mirë qysh në fillore. Mësuesit e lëvdonin gjithnjë për punën e mirë dhe urtësinë që kishte. Kur Milloshi ndiqte shkollën e mesme unë dhe ai ishim larg njëri tjetrit dhe shiheshim njëherë në vit ose njëherë në dy vjet, gjatë pushimeve verore. Por ne i shkruanim njëri tjetrit shumë shpesh. Në letrat e tija ai shkruante për mësimet, për notat që kishte marrë, sidomos në hartime, për librat që kishte lexuar, etj... Në hartime merrte nganjëherë edhe çmime. Nga letrat kuptoja se ai lexonte shumë. Kur kishte para shkonte edhe në kinema e në theatër edhe më tregonte në letër çka kishte parë, natyrisht, gjithmonë me shokët.

Libri ka qenë për Milloshin shok i pandarë. Në shumë fotografia ku ka dalë edhe befas, pa u përgatitur, e shikojmë me libër në dorë. Unë nuk mund ta harroj kurrë atë qoshen në dhomën e motrës, në Shkodër, më 1933-34, ku Milloshi të dielave ose kur kthehej nga shkolla e Vrakës ulej dhe lexonte e lexonte vazhdimisht, pa u shqetësuar fare nga zërat e fëmijëve që shkonin e vinin nëpër dhomë. Lexonte me vëmendje të madhe dhe kishte zakon të nënvizonte fjalët që i bënin përshtypje, fjalët që kishin një kuptim të thellë ose ato që s'i njihte. Shumë libra, nga ato që na kanë mbetur e dëshmojnë këtë.

Milloshi nuk fliste shumë dhe jepte përshtypjen e një djali të mbyllur, por kur binte fjala midis shokëve për ndonjë temë interesante, mbi të cilën ai kishte njoftime të sigurta, zbërthente një bisedë të zjarrtë. Në këto biseda ai ka qenë kurdoherë i sinqertë, por nuk i mungonte ironia kundër njerëzve që mbronin me këmbëngulje pikëpamje të gabuara.

Shëtitjet i pëlqenin shumë, sidomos shëtitjet në natyrë, jashtë qytetit, në shoqëri por edhe vetëm. Kënaqej kur shihte pemët në lulëzim, kur shihte bagetitë në kullotë ose njerëzit në lëvizje e në punë.

Në korrespondecën e letrat që na kanë mbetur prej tij, ne kemi shumë fotografira që ia kanë dërguar shokët e tij me autograf e për kujtim të miqësisë që kishte lidhur me ta në shkollë. Prej këtyre dorëshkrimeve, ne shohim se shokët e tij e kanë dashur Milloshin për frymën e tij socialiste dhe për ndihmën që ishte gati t'u jepte atyre. Ne na pikëllohet zemra, kur kujtojmë që e humbëm aq shpejt, po ngushëllohemi kur shohim se la diçka të mirë si trashëgim për shoqërinë, për të cilën ai s'kurseu asgjë. Ne gëzohemi, sidomos, kur shohim që rinia shqiptare çmon dhe përfiton nga puna dhe nga karakteri i tij i lartë.

Nga Ollga Nikolla (Luarasi)

COMMENTS