Mitologjia ndër Shqiptarë.., Mark Tirta

mitologjia shqiptare

Kulti i Diellit dhe Hënës te Shqiptarët. Besime popullore.


Të dy, Dielli dhe Hëna, janë simbole dhe motive të zakonshme në artin popullor shqiptar, si dhe në tatuazhet. Dihet se ilirët, banorët e lashtë të Ballkanit perëndimor, i përdornin simbolet e Diellit në ornamentet e tyre, megjithëse nuk mund të thuhet me siguri nëse kanë qenë pikërisht këto simbole që kanë trashëguar shqiptarët e sotëm. Edhe peonët, të cilët jetonin diku ndërmjet maqedonasve të lashtë dhe dardanëve, e kishin një kult të diellit, të cilin shkrimtari i shekullit II të e. r. Maximus nga Tiri (Philosophoumena, 2.8, 6) e ka përshkruar si diell në qendër të një disku, majë një shtize të gjatë.

Kulti i Diellit tek shqiptarët pasqyrohet edhe në betë e tyre, dmth. kur bëjnë be e betohen për diellin. Madje, betë me diell e rreze dielli, si 'për atë diell' e 'për këtë rreze dielli', haseshin dikur më shpesh se betë për Zotin dhe dëgjohen edhe sot e kësaj dite.

Edhe në letërsinë gojore shqiptare bie në sy përmendja e rrezeve të diellit, që u japin dritë guvave të thella malore, etj. Festa e Shën Gjergjit, gjithashtu, mund të lidhet me një festë të lashtë të diellit.

Dielli, Hëna, Yjet.


Nga mbijetojat e kulteve të lashtësisë është ruajtur kulti i Diellit. Mbeturinat e tij na shfaqen, qoftë edhe në mënyrë të zbehtë, në shumë fusha të jetës e të veprimtarisë së banorëve të vendit tonë: në kulte bujqësore e blegtorale, në kulte të mjeshtërive, në ritet kalendarike, në krijimtarinë gojore të popullit, në artin popullor të aplikuar, në ciklin e jetës familjare, në kultin e zjarrit e të vatrës, të ujit, të maleve e kështu me radhë.

Nga autortë ndryshëm për këtë kult janë nxjerrë në dritë dëshmi jo të pakta e janë dhënë mendime të rëndësishme. Pashko Vasa që më 1879 vë në dukje se Shqiptarët betoheshin për Diell, për hënë, për qiell, për dhe, në gur e për elementë të tjerë të natyrës e jo për perëndi e shenjtorë të krishtërimit e të islamizmit. Ai këto betime i shpjegon si të lashtësisë shqiptare e me burim vendës. (Vaso Pasha Effendi, "E vërteta mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët", Tiranë, 1935, fq. 42-43)

Franc Nopça që nga fillimi i këtij shekulli ka vënë re se Shqiptarët i faleshin Diellit sipas besimit pagan dhe se nderimi i majave të maleve, i disa vendeve të larta në Shqipëri ka të bëjë me kultin e diellit. (F. Nopçe, "Shqipëria. Pikëpamjet fetare", Arkivi i Institutittë Historisë, fq. 46). Në zbukurimet e xhubletës së Malësisë së Madhe, në shtroje e gjëra të tjera të qëndisura në Malësi të Gjakovës, është i pranishëm motivi i diellit në formë kryqi grepç (svastika), dhe kjo duhet konsideruar si trashëgimi e lashtë e popullit tonë.

Shtjefen Gjeçovi konstaton mbeturina të forta të besimit në diellin të shprehura në të falurit e diellit e në të dhëna të tjera religjioze, duke i lidhur këto me kultin e diellit e elementë të tjerë të mitologjisë në llirë e Trakë. Mbi të gjitha është me vlerë shqyrtimi që M. E. Durhami i bën kultit të diellit të shfaqur në tatuazh në Bosnjë, në Hercegovinë dhe diçka në Shqipërinë Veriore, duke u përpjekur të shpjegojë origjinën ilire e trake të kësaj dukurie.

Në gunën shqiptare, në variantet e saj si veshje gruaje në trevën e Mirditës, Pukë, Malësi e Lezhës, Mat e Krujë, ndeshim dendur simbole të diellit në formë kryqi, në ngjashmëri të svastikës, në rrathë koncentrikë, spirale dyfishe etj. Në xhubletën e Malësisë së Madhe, të Dukagjinit dhe të Malësisë së Gjakovës (Nikaj - Mertur) ndeshim zbukurime me simbole të diellit, të hënës, të gjarpërit, nga më të ndryshmet. Meqënëse këtë petk e kemi me origjinë të lashtë ballkanase e mesdhetare, gjë që na dëshmohet edhe nga zbulimet arkeologjike të trevës ilire e më tej, mendojmë se edhe zbukurimet me karakter mitologjik në të, pa mohuar shtresa të ndryshme e ndikime të mëvonëshme, si origjinë duhet t'i kërkojmë te koha, te një kohë e lashtë ballkanike.

Është kuptimplotë fakti që në ciklin e kreshnikëve dielli e hëna marrin pjesë aktive në drejtimin e ngjarjeve. Në këtë cikël flitet për Bjeshkët e Diellit, si vende ku veprojnë kreshnikët. Në "Martesën e Halilit" (Q. Haxhihasani. vep. cit. fq. 75) Dielli e Hëna bashkë me Orë e Zana e zogj të malit ndihmojnë kreshnikun për të realizuar synimet e tij.

Po thot dielli: "A ndorja e eme!"
Ka than hana: "A ndorja e eme!"
Kanë thanë orët: "A ndorja e jonë!"
Zotafletdhijanëmal!
Ça ka qitun e ka thanë?
- Sa të bajë dritë ka ndoren dielli,
T'errmen natë, ka ndoren hana,
Armët e brezit ja rue Zana!

Në legjendën popullore me natyrë mitike ndonjëherë dielli e hëna paraqiten si vëlla e motër e njëkohësisht si burrë e grua ashtu si edhe në popujt e tjerë indoeuropianë.

Në popullin tonë me fazat e ndryshme të hënës lidhej çdo veprimtari bujqësore, blegtorale dhe nga ato që kishin të bënin me zeje e mjeshtri të ndryshme.

Kudo ndër Shqiptarë, në malsi më tepër, kur në të marrë të diellit del hëna e re, fëmijtë dhe vajzat e rritura i drejtoheshin hënës me lutje e formula të veçanta magjike, për fat « mbarësi në jetë ». Ja njëra nga këto formula magjike, me të cilën vajzat i drejtoheshin hënës: "Hënë e re, / vashë e re! / Unë në punë, ti në gjumë, / Unë shëndet e ti gërshet". (J. Nushi. Mitologji e besime në Myzeqe, "Etnografia Shqiptare", V. 1974, fq. 336).

Mendojmë se hyjnizimi i hënës në popullin tonë në një masë kaq të madhe ka të bëjë me ndonjë hyjni të lashtë ktonike vendëse me atribute të bujqësisë dhe të jetës familjare. Po Hëna na del edhe si e lidhur me Zanën, me natyrën e virgjër, pra si hyjni e natyrës, është ndërkohë edhe mbrojtëse e grave.
Kuptohet qartë se këto mbeturina besimesh në hënën, në diellin e në elementë të tjerë të natyrës ishin shprehje e atij kompleksi të besimeve pagane që lidhej me natyrën.
Në lidhje me kultin e Diellit do te përmendim se ka ekzistuar ndër Shqiptarë në malësitë e Jugut e të Veriut, kulti i disa vendeve të larta ose maja malesh që adhuroheshin; njerëzit u faleshin në mëngjes me të lindur dielli. Në shumë raste këto ishin vende ku në data të caktuara të vitit zhvilloheshin ceremoni që kishin të bënin me diellin, po dhe me elementë të tjerë të natyrës.
Kështu vendësit ngjiteshin në majën e malit Rumia (Rumia: mal në 1 perëndim të liqenit të Shkodrës, në trevën e Malit të Zi), me nga një gur në dorë që e hidhnin në vendin e shejtë në majë, ditën e Rushajave pa rënë dielli dhe me të lindur i faleshin atij. Kështu veprohej edhe në Gjallicë të Lumës në një ditë të caktuar të gushtit. Veprime të tilla rituale bënin në Majë të Pashtrikut banorët e Malësisë së Gjakovës e të Rafshit të Dukagjinit. Të tilla rite bëheshin edhe në maja të tjera malesh në Shqipëh. (Majat më të njohura ku bëheshin pelegriazhet e zhvilloheshin ceremoni kushtuar diellit në ditë të caktuara të vitit, në disa vende Ditën e Verës, diku për Shën Gjergj, diku më 20 korrik, diku në gusht a data të tjera të vitit, ishin këto: Mali i Këndravicës në Labëri, Çuka e Tomorrit në Berat, Sarisalltiku të Krujë, Gjallica e Lumës, Rumia afër liqenit të Shkodrës, Pashtriku në Malësi të Gjakovës. Maja të nderimit pagan kemi shumë në Shqipëri. Maja e Shëlbuemit afër Lezhës; në Alpe: Maja e Shkëlzenit, Maja e Hekurave, Maja e Koritnikut. Të tilla ishin edhe Maja e Sukaj në Grudë, Maja e Runës, maja e Dervishës në Macukull (Mat). Në pelegrinazhe rituale në majat e maleve nuk mungonin asnjëherë: të falurit diellit, ndezje zjarresh të mëdhenj (e kjo bëhej më tepër për Shën Gjergj dhe në Shën Mëri të gushtit), kurbane, përveç ceremonish e veprimesh të tjera.

Që këto shfaqje të kultit të Diellit tek ne kanë origjinë të lashtë, s'ka asnjë dyshim. Mund të përmendim me këtë rast ekzistencën e këtij riti te Peonët në majën e Malit të Pangjeut. (N. Svoronos, Journ international d'Archeologie Numismatique, dirigé et publié par svoronos, Paris-Athenes, 1919, fq. 78-79 dhe 127). Sipas Eskilit, Orfeu ngjitej para agimit në majën e Pangjeut (Po aty. fq. 1 78-79, dhe 127) për t'iu falur diellit në dukjen e tij të parë, sepse për të dielli ishte perëndia më e adhuruar.

Livi (T. Livi., "Urbe Condita", Libi XL, fq. 21-22) na dëshmon se në vitin 181 p.e.sonë në majë të Malit Hem (afër Peonëve) kishte një altar kushtuar diellit e një kushtuar Jupiterit, te të cilët bëheshin flijime kushtuar diellit. Edhe Maja Shelbuemit, afër Lezhës, ku arkeologët tanë (F. Prendi, K. Zheku, "Qyfc ilir i Lisit, origjina dhe sistemi i fortifikimit të tij". 1971, fq. 156 dhe 166 kanë gjetur shenja muresh të kohës së llirëve, në këto kohët e fundit del si vend i kultit pagan e pikërisht i kultit të diellit nga llirët e deri në kohën tonë, një dukuri e përgjithëshme e lashtësisë Ballkanike.

Duke ditur se në përgjithësi majat e kultit të diellit kanë shërbyer të tilla që nga lashtësia, atëhere duhet menduar se ky kult mund të ruhej vetëm nga banorët që jetuan për shekuj të tërë në afërsi të këty majave. Për kultin e majve të diellit te llirët e Trakët kanë shkruar autor të ndryshëm antikë. Edhe arkeologët kanë gjetur materiale të ndryshme, altarë, rrënoja, tempuj, monedha, të cilat lidhen me kultin e majave diellit te llirët. Nga Heroditi na dëshmohet se në luginën e Vjosës (Herodot., vep. cit. I., IX-93, fq. 444) mbaheshin në një shpellë një tufë dhenësh "të shenjta", kushtuar diellit. Kjo ndodh pikërisht në një vend siç është Malësia e Labërisë, ku kulti i diellit me maja të larta është shumë i dukshëm. Në të mirë të origjinës ilire të kultit të majave të larta na flasin dhe disa dëshmi arkeologjike.

Arkeologët Z. Milter e V. Shmid kanë zbuluar në Norik, në dy maja, dy tempuj ilirë me altarë flijimesh kushtuar diellit. Svoronos na paraqet disa dëshmi për Pangjeun si "mal i shenjtë" kushtuar kultit të diellit (J. Svoronos, vep. cit., f. 78-79 dhe 126-127) në Peonët. Këtë e vërtetojnë ndër të tjera koleksionet e monedhave me motivet e diellit të gjetura në këtë mal dhe altarë kushtuar diellit. Dhe Taloci (Thallooczy, "Historia e motshme", "Agimi", 1919, Nr. 4, fq. 528) na thotë se llirët e Trakët, tempujt e tyre kushtuar diellit, i kishin të rrumbullakët e të ndërtuar në vende të larta.

Të shumta janë motivet e diellit e të hënës në ornamentikën popullore. Si elementë shumë të qartë të mbeturinave të kultit të diellit janë svastika, rrathët koncetrikë dhe motive të tjera të diellit në objektet e kulturës lëndore, në zbukurimet e veshjeve popullore, në punime të ndryshme tekstili; në gdhendje në gurë (në dyert e shtëpive, në oxhaqet e vatrës, në kryqe e gurë të varreve), në punime druri nga më të ndryshmet (djepa, hambarë, furka, tryeza, arka, enë ushqimi e vegla muzikore, karrige e tavane shtëpish, në vezë të ngjyera rituale, në tatuazh e kështu me radhë).

Në përgjithësi, mendojmë se në paraqitjen artistike të këtyre motiveve kemi të bëjmë me veçori vendëse për faktin se diellin e rrezatuar, rrathët koncentrikë, vijat e valëzuara, paralele e të thyera, hënën, të gjitha këto të kombinuara, i gjejmë si elementë shumë të dukshëm si tek ilirët, në Kulturën e Arbërit në Mesjetën e Hershme dhe tek Shqiptarët e, aq më tepër në forma të thjeshta e arkaike. Lidhja e kultit të hënës me shumë dukuri sociale ekonomike të traditës vendëse e sqaron më së miri këtë gjë.

Është e vërtetë se motivet e hënës në ornamentikë, në një masë të dukshme të tyre, janë rrjedhim i ndikimeve të islamizmit, por kjo natyrisht e mbështetur në një traditë të fortë vendëse. Këtë e vërteton dhe fakti se të tilla motive të hënës i gjejmë me shumicë në zona që ishin nën ndikimin krishtere ku nuk kanë depërtuarshumë elementëte islamizmit.

Edhe vendet ku janë gdhendur motivet e diellit, si oxhaku i vatrës familjare, gurët e derës së shtëpisë, djepi i fëmijës, tryeza e bukës, gurët e varreve, dëshmojnë për karakterin religjioz, magjik, mbrojtës që kishin dikur këto zbukurime.

Motivet e ndryshme na e paraqesin diellin dhe në pozicione të ndryshme: në lindje, në zenit e në perëndim; në rrugë në vijë eliptike e lineare. Në legjendat e përfytyrimet e vjetra religjioze dielli e hëna në shumë raste paraqiten bashkë me zbukurime veshjesh, në kryqe varresh, në tatuazh etj. Në dëshmitë etnografike këto motive na paraqiten në forma nga më të thjeshtat e deri te më të ndërlikuarat, (forma floreale, zoomorfe dhe antropomorfe etj).

Për origjinën ilire të këtyre motiveve flet fakti se ato i gjejmë në forma më të ndryshme në dëshmitë arkeologjike të Mesjetës së Hershme, pastaj tek llirët e Protoilirët, në objekte që konsiderohen thjesht vendëse. Me rëndësi të veçantë paraqitet një koleksion i tërë monedhash nga Peonia (i shekujve V-IV para Kr.) që na i paraqet motivet e diellit që nga më të thjeshtat e deri tek më të ndërlikuarat. (Svoronos, vep. cit., fq. 1 -37 dhe 19 tabela në fund të veprës).

Natyrisht, duke qenë i pranishëm kulti i diellit, me përfytyrimet përkatëse dhe në popujt e tjerë të Ballkanit, të Europës, të Mesdheut e të Lindjes Aziatike, duhet të jemi të matur në zanafillën e tij në një etni të veçantë. Material me vlerë në këtë vështrim japin edhe punimet e arkeologëve e ilirologëve të ndryshëm, për artin ilir e për svastikën tek llirët. (Aleksandër Stipçeviq, "Svastika", (crux gammata) kod starih lliria, "Gjurm Alb.", Prishtinë, 1970, nr. 1 -2, fq. 109-127). Kurse për Mesjetën e Hershme ata i venë re në mënyrë të veçantë këto dukuri në stolitë prej metali të Kulturës së Komanit.

Një element me rëndësi për kultin e diellit e të hënës është edhe tatuazhi, i cili na dëshmohet pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Midis motivesh të tjera, në të na paraqitet dhe dielli dhe hëna. M. E. Durhami, që ka bërë kërkime të posaçme në lidhje me këtë në Bosnjë, në Hercegovinë e diçka në Shqipërinë Veriore, ka vënë re se në tatuazh, në mënyrë të rëndomtë na paraqiten dielli e hëna bashkë. (M.E. Durham, vep. cit. fq. 101 -142). Autorja mendon se këtu kemi të bëjmë me kultin e lashtë të diellit e hënës ndër llirët e se tatuazhi s'ka të bëjë fare me Grekët, as me Romakët e as me Sllavët që erdhën më vonë në këto anë. Ky mendim gjen mbështetje te Herodoti, te Straboni, Ciceroni e Plutarku, të cilët na bëjnë të ditur se tatuazhi ishte një zakon i Japodëve e i gjithë fiseve të tjera ilire e trake të cituar prej saj.

Ballafaqimi i motiveve të ndryshme të diellit e të hënës që na japin dëshmitë etnologjike, me ato që na jep arkeologjia dhe autorë antikë, na lejojnë të mendojmë se këtu kemi të bëjmë me një vazhdimësi të simbolikës së diellit e të hënës që nga llirët, në Mesjetë e deri në ditët tona dhe se kjo simbolikë dikur është përdorur në funksion magjik, mbrojtës, fatsjellës. Po nga ana tjetër kjo duhet parë si një traditë mbarëballkanike e mesdhetare e nga kjo vërejmë një mjegullsi në rrënjët e lashta të kësaj dukurie.

Mitologë të ndryshëm të kohës sonë, duke u mbështetur në dëshmitë e lashta, pohojnë se në Greqi dhe në Romën klasike dielli e hëna nuk kishin ndonjë farë kulti të dukshëm në panteonin e tyre. Platoni pohon, që në kohën e tij, fqinjët e Grekëve, barbarët, e adhuronin diellin, ndërsa Grekët, thotë ai dikur do ta kishin adhuruar, por, nga ana tjetër, shton se në kohë të tij, në Greqi s'kishte ndonjë kult, veçse në ishullin Rodi, ku ndoshta ishte me origjin të huaj (Plato, Cratylua, p. 397, C. cituar: M.P Nilson, The Origin of Belif amog dhe grecke in the Divinity of the Heavenly Bodies. The Harvad Theological Revievv, 1940, f. 1). Mendojmë se këtu është fjala për llirët e Trakët si adhurues të diellit. Maksimi prej Tiri na dëshmon se fisi ilir i Peonëve e kishte diellin perëndinë më të adhuruar dhe e paraqiste në formën e një disku të vendosur mbi një purtekë. (Svoronoe, vep. cit., fq. 18).

Herodoti na sjell një legjendë maqedonase sipas së cilës, Perdika (ilirian) i ardhur në Lebias, nga viset e llirisë, e adhuronte diellin si perëndi qendrore dhe kishte besim në fuqinë fatprurëse të tij. Ai i falej diellit dhe e vizatonte në tokë në formë rrethi. (Herodoti, vep. cit. VIII -137, fq. 413).

Disa mitologë të kohës së sotme mendojnë se Apolloni grek në disa cilësi të perëndisë së diellit dhe si emër ishte me origjinë iliro-trake. Praninë e kultit të diellit në ishujt Lipari të Siçilisë dhe në Majë të Etnës në antikitet, Bonfante e shpjegon si të origjinës ilire.

Dukuritë e kultit të diellit, të hënës, të yjeve, ashtu si dhe të dukurive të tjera mitologjike ndër Ballkanas dhe vazhdimësinë e tyre ndër Shqiptarët, nuk mund t'i marrim të shkëputura e të veçuara nga ndikimet reciproke me botën greke e romake dhe më vonë nga vala e dyndjeve të fiseve barbare që erdhën në Mesjetën e Hershme nga Veriu e nga Lindja e Ballkanit. Në kultin e hënës, mendojmë se, pavarësisht nga shtesat e ndryshimet, fijet e lidhjes së kulteve ilire me ato shqiptare në përgjithësi janë të pashkëputura, e sidomos kur është fjala per diellin. Nga ana tjetër, duhet menduar me arsyetim, shfaqjet e ndryshme të kultit të diellit kanë te thuash natyrë universale.

Faltoret e Diellit.


Disa vjetë më parë u zbulua n'Austri kryeqyteti i krahinës Norikum që banohej prej Ilirësh. Thirrej Noreia dhe gjëndej në malin Lugenboden. Ndër ndërtesa të tjera u zbulua edhe pallati mbretror dhe, jo shumë larg këtij, një tempull i goditur në të tretin shekull p.e.s. Ky tempull është i rrumbullakët, me tetë metra diametër dhe i rrethuar me një postrehë, pullazi i së cilës mbahej, si duket, me shtylla të drunjta. Në mes ishte altari, i përbërë prej katër rrasash të mëdha e të rënda, të latuara e të ngritura mbi tokë. Nën altar ndodhej vatra e zjarmit për flit që truheshin. Ndonjë statujë Perëndije nuk u gjet në këtë vënt të shënjtë, pse besimi i Ilirvet ishte pa ikona. Por mënyra e ndërtimit të kujton me një herë tempujt e vjetër të Romës ku nderohej dielli.

Në majë të një kodre që gjëndet pranë katundit Igls në malsi të Tirolit, Zonja Miltner ka zbuluar një tempull tjetër Ilir, në mes të të cilit u gjet shtrirë një rras’ e madhe që përbënte altarin. Në mëngjes, kur dielli dilte për të parën herë në buzë të malit, rrezet e tij binin mu në mes t'altarit duke kaluar nëpër një gallustër të hapur, për këtë qëllim, në pullas. Që kjo ndërtesë është faltore nuk duhet të kemi asnjë dyshim; varret rreth e rrotull sajë vërtetojnë se, një soj si sot, edhe Ilirvet të moçëm i u pëlqente t'i varrosnin të dashurit e tyre afër tokës së bekuar.

Mark Tirta (etnolog) - Mitologjia ndër Shqiptarë

COMMENTS