Muho Asllani dhe letra anonime ku kërcënohej me vdekje Enveri

muho asllani enver hoxha
Ka lëvizur me "plaçka në krah", nga Shkodra në Kukës, Burrel, Durrës e Tiranë. Asnjëherë nuk ka pasur një shtëpi të tijën. Edhe pse kudo emërohej në krye të vendit, qeranë e banimit e paguante çdo muaj në shtet. Apartamenti lëvizte çdo 2-3 vjet, e gjithashtu ndërrohej zyra, tavolina e punës, aparatet e telefonave, stafi, truprojat dhe makina. Në fillim një "BÇ" sovjetike, më pas një "Aro" rumune, një "Shavrolet" amerikan e së fundi një "Mercedes Benz 380 Sel". Vetëm hallet e njerëzve ishin po të njëjtat; punësim, strehim. "Kishte njerëz që donin punë të lehta, të tjerë që i kishin dhënë luftës kërkonin të lëviznin nga fshati në qytet. Disa dhjetëra letra në ditë më duhej t'i lexoja vetë. Për çdo gjë duhet një përgjigje", rrëfen Muho Asllani. Ai thotë se fati i ka rezervuar të punonte në rrethe të cilat kishin probleme të mëdha ekonomike dhe mosrealizim të planit. Por shton se nga puna e tij e përkushtuar në të gjithë këto rrethe gjithçka ka filluar të eci mbarë, edhe pse jo gjithçka kërkohej prej tij mund të realizohej.

Për Enver Hoxhën nuk pranon t'i thuhet asgjë negative. Thotë se nuk niset nga një urdhër i veçantë, ku Enver Hoxha e motivoi: "Simboli i urtësisë dhe i mirësisë, punëtor i palodhur, aksionist i përhershëm, talent i veçantë në metodën dhe stilin e të drejtuarit dhe komunikimit me njerëzit". Ai shton se duke i njohur këto cilësi, Enver Hoxha e ka thirrur herë pas here në zyrën e tij në KQ të Partisë, për t'i komunikuar vendimin e radhës të marrë nga Byroja Politike: "Muho, partia ka menduar të të emërojë në..." Fronti ishte gjithmonë i vështirë.

Ishte ambicia juaj për të qenë në kupolën e Partisë?

Jo aspak. Mbaj mend që për mua anëtarët e Byrosë Politike ishin idhuj dhe as që më shkonte ndër mend që do të bëhesha dhe unë ndonjë herë. Kur më emëruar në Shkodër e kundërshtova Enver Hoxhën duke i thënë "Gjeni një njeri tjetër, jo mua që jam Shkodran, sepse kam rreth të gjerë nga familja dhe shumë të njohur që do të më rrinë ditë e natë tek dera e zyrës për t'u zgjidhur ndonjë hall". Por Enver Hoxha qeshi e më tha: "Ti do t'u zgjidhësh problemet vetëm atyre që kanë hall vërtet".

Po Durrësi ku gjithashtu do të ishit i pari i rrethit si e kishte gjendjen?

Vetëm 3 ditë pas emërimit tim si Sekretar i Parë i Durrësit, i kërkova Enver Hoxhës një takim, ku i shtrova disa propozime që kishin të bënin me ngritjen e kompleksit të viçave në Spitallë, të kompleksit të derrit në Xhafzotaj dhe të kompleksit të gjelave të detit në Kavajë. Në atë kohë Durrësi nuk ishte mirë me ekonominë. Për të thënë realitetin kishte varfëri. Ndërsa shifra e të papunëve arrinte në 3000 vetë. Edhe pse shteti kishte një plan të miratuar, Enver Hoxha më dëgjoi me kujdes. Pastaj mori në telefon, kryeministrin Adil Çarçani dhe e urdhëroi të më ndihmonte. Dua të them se Enver Hoxha kishte një zemër të madhe. Dhe nëse strehimi në Durrës u zgjidh në një farë mënyre falë një aksioni të madh ndërtimor, për çështjen e punësimit mblodha të gjithë drejtorët e ndërmarrjeve duke u vënë si kushte që secili prej tyre, brenda buxhetit e fondit të pagave të miratuar nga lart, të merrnin dhe nga 5-6 punonjës të rinj në punë, për të zbutur papunësinë. Pjesën tjetër të të papunëve i angazhuam në kodrat e Durrësit, të cilat i kthyem në parcela të mbjella me pemë frutore.

Cilët nga ish udhëheqësit e Partisë së Punës vlerësoni më shumë?

Nga ish-udhëheqësit kërkoja të isha më pranë Hysni Kapos. Ai ishte njeri i ditur, me zemër të madhe, që i donte dhe respektonte kuadrot, i këshillonte dhe nuk ishte i nxituar. Megjithatë, mbi Enver Hoxhën nuk vë asnjë. Ka qenë viti 1964, kur shoku Enver erdhi në fshatin tonë të Bërdicës dhe takoi punëtorët e kooperativës. Ai nisi të bisedonte njerëzishëm, shumë thjesht me babanë tim e bashkëfshatarët e tjerë, me veteranët, të rinjtë e të rejat dhe të gjithë i bënte për vete. Tani shumë thonë që Enver Hoxha ka qenë një përbindësh që vetëm dënonte njerëzit, por kjo nuk është e vërtetë. Ai kur të thërriste pranë të jepte mësime, të këshillonte, por edhe të kritikonte kur ishte e arsyeshme. Edhe pse e kam njohur në vitin 1964, afrimitetin më të madh do ta kisha në vitin 1979, kur ra tërmeti në Shkodër. Atëherë e njoha atë sikur të kishte qenë vëllai im.

Pse pikërisht në këtë periudhë?

Në tetor '79 ai erdhi për vizitë në Shkodër, kur pasojat e tërmetit ishin zhdukur të gjitha. Qëndroi rreth një javë, ndërkohë që bashkëshortja dhe fëmijët e tij qëndruan vetëm 3 ditë. Thuajse 12-15 orë në ditë rrinim bashkë, duke diskutuar për të gjitha problemet. Bisedonim në shtëpinë e partisë ku rrinte, në mbledhje, por edhe në autoveturë. Në një miting në fshatrat e Shkodrës më tha: "Më duket sikur u bëra shkodran dhe më mbajtët shumë". Teksa e vija re se me sa seriozitet ai takohej me fshatarët dhe qytetarët e Shkodrës, në konfidencë i them: "Shoku Enver, në disa biseda intime që pata me komunistë e veteranë të luftës, por edhe intelektualë e të rinj më pyetën se si është e mundur që Shkodra nuk ka ministra, ambasadorë apo përfaqësues të tjerë të lartë në qeveri. A mos vallë Shkodra është lënë pak mënjanë për shkak se i është kundërvënë Partisë Komuniste qoftë në vitin 1945 me lëvizjen e Koplikut, apo në 1946 me atë të Postribës". Ai më pa me vërejtje e më kërkoi t'i thosha se si u përgjigjesha këtyre njerëzve. I thashë se u paraqes gjithë atë punë që ka bërë partia si në Shkodër, ashtu edhe në të gjithë Shqipërinë, i vë përballë veprat industriale, elektrifikimin, rrugët, etj. Atëherë më kërkoi që t'i bëja një listë dhe t'ia dërgoja se cilin mendoja unë për ta dërguar në organet më të larta të pushtetit dhe partisë. Aq doja dhe pa i thënë askujt, pasi më tha ta mbaja sekret, nisa të bëj propozimet një nga një.

Po me Mehmet Shehun keni punuar?

Mehmeti kishte emër shumë të mirë, nga lufta e Spanjës, që e kishte kthyer në komandant legjendar. E kisha idhull jo vetëm sa u përket problemeve ushtarake në të cilat ishte drejtues i përkryer, por edhe për problemet e bujqësisë, të cilat i njihte mirë pasi kishte mbaruar edhe shkollën e Fullsit në Golem të Kavajës. Megjithatë, Mehmet Shehu ishte i gjithanshëm. Po u jap një shembull. Kur mendoja se ai do më vinte për vizitë në rrethe, të them të drejtën frikësohesha pak. Gjithmonë thosha: "Ishallah nuk më bie shansi që të punoj me Mehmetin". Por nuk më eci. Në 1979, dy javë pasi Enver Hoxha u kthye nga Shkodra në Tiranë, më thirrën dhe më komunikuan se do të punoja pranë Këshillit të Ministrave, ministër pa portofol. Aty do të mbuloja problemet e Bujqësisë, Këshillave Popullorë, etj, dhe do të isha direkt në varësi të kryeministrit Mehmet Shehu. Për orë pune, sakrifica dhe devotshmëri nuk më dilte kush përpara, se isha djalë i ri, tip sportiv dhe shumë iniciator. Por kur shkova pranë Mehmet Shehut, them se u ç'vlerësova. E shihja se isha shumë i vogël pranë atij strategu të madh. Ai ishte ushtarak i egër, por njeri shumë i butë. Dosjet i shkonin me male, por të nesërmen në mëngjes i kthente me shënime, këshilla, vërejtje, ose dhe lavdërime. Nuk dinte ç'ishte pushimi. Kur ishte puna për të ndëshkuar dhe dënuar njerëz, Mehmet Shehu ishte zemërgjerë. Thoshte: "Dale, ka eksperiencë, e bëri gabimin, nuk e realizoi detyrën, por ta këshillojmë njëherë, ta lëmë në të njëjtën detyrë dhe pas 6 muajsh ta shohim prapë".

Së fundi nuk i mbeta borxh kërkujt. Askujt s'i kam rënë në qafë, por jam munduar të punoj me përkushtim e të zgjidh hallet e njerëzve. Nuk dija se ç'ishte pushimi dhe pse si anëtar i Byrosë Politike kisha një apartament në vilat e plazhit. Shtëpinë e kisha si zyrë pune, ku telefoni binte deri pas mesnate. Kur isha Sekretar i Parë në rrethet kufitare si Kuksi e Shkodra, ky telefon tringëllinte më shpesh pasi postat kufitare njoftonin instancat sa herë që binte kloni, madje dhe kur aty kalonin kafshë të egra.

Komunisti kërcënon shefin e Partisë


Letrat anonime është një gjë e zakonshme, në diktaturë e demokraci. Por vite më parë, askush nuk merrej me gjetjen e letërshkruesit, por vetëm me problemin apo fenomenin që përshkruhej në të. Megjithatë, kishte edhe përjashtime. Letrat armiqësore ku flitej për udhëheqjen e lartë nuk mund të shpëtonin pa gjetur autorin dhe ndëshkuar atë. Një rast të tillë ka hasur edhe ish-anëtari i Byrosë Politike, Muho Asllani, thotë se njëherë në Komitetin Qendror, nga Shkodra, kishte vajtur një letër anonime, por e shtypur me makinë shkrimi. Menjëherë vihen në alarm gjithë punonjësit e aparatit dhe kryetari i Degës së Brendshme për të gjetur autorin. Sipas Muho Asllanit, në letër trajtoheshin disa probleme që nuk qëndronin, por kryesorja ishte se bëhej presion dhe kërcënim deri në vrasje të udhëheqësve të Partisë dhe mes tyre edhe Enver Hoxha. Strukturave u janë dashur shumë kohë para se të zbulojnë autorin. Ata kanë grumbulluar të gjitha makinat e shkrimit "Oliveti", që ishin në atë kohë nga ndërmarrjet, kooperativat dhe godinat e tjera shtetërore. Siç tregon vetë Muho Asllani, pas shumë lodhjesh dhe kërkimesh rezultoi se letra ishte shkruar nga një institucion qendror në rrethin e Shkodrës. "Letërshkruesi e hiqte veten më komunist se Lenini, më proletar se çdo njeri tjetër, por realisht ai e kishte hartuar atë letër. E thirrëm dhe e pyetëm, por ai nuk pranoi asgjë. Pastaj e ballafaquam me provat dhe nuk pati se çfarë të bëjë tjetër, veçse ta pranojë autorësinë, për të cilën edhe mori dënimin sipas ligjit", tregon Muho Asllani. Por, sipas tij, nga letrat anonime janë shpëtuar shumë njerëz. Edhe pse mund të akuzoheshin shumë individë, asnjë prej tyre nuk ndëshkohej në rast se nuk vërtetohej nga një ekip i posaçëm për këto çështje.

Dy vërejtjet nga partia; për stadiumin e Shkodrës e pistën e Durrësit

Nuk është se ka qënë i përkëdhelur në Byronë Politike. Madje në disa raste ka qenë në teh të briskut. Nëse e pyet se sa vërejtje ka marë nga Byroja, të përgjigjet: Dy herë kur kam qenë në Shkodër dhe në Durrës. E para mënyra se ishte harxhuar fondi që na kishte dhënë qeveria për likuidimin e pasojave të tërmetit. Të them të drejtën, me kërkesën e shumë shokëve nisa ndërtimin e stadiumit të futbollit të Shkodrës që nga 12 mijë vende të shkonte në 30 mijë. Pra, më të madh edhe se stadiumi "Qemal Stafa" në Tiranë. Por në kohën tonë bëheshin shumë letra anonime. Dikush vajti dhe e informoi. Atëherë më erdhi Kontrolli i Shtetit me Manush Myftiun, ku u bë verifikimi i fondeve. Nga kjo rezultoi se stadiumi ishte bërë jashtë kritereve dhe vendimeve që ishin marrë nga qeveria. Më pyetën pse e kisha nisur stadiumin, kur nuk ishte regjistruar në inventar për t'u bërë. U justifikova se edhe në stadium kishte rënë tërmet. Rrahman Hanku që ishte ministër i Ndërtimit më tha se stadiumi nuk figuron në inventar, ku ishin të shënuara të gjitha objektet për rindërtimin dhe riparim. Sërish vazhdova duke u justifikuar se nuk ra në mend për stadiumin, sepse njerëzit ishin të plagosur dhe më doli nga mendja. Çështja shkoi deri aty sa Enver Hoxha më thirri së bashku me Hysni Kapon. Pasi më dëgjoi deri në fund, më pyeti pse e bëra stadiumin, kur nuk ishte i parashikuar. Atëherë i thashë: "Shoku Enver unë kam dëgjuar gjithnjë, edhe juve që futbolli ka lind në Shkodër në kohën e austrohungarezëve, çiklizimi në Shkodër, fotografia e parë po ashtu, edhe estrada, teatri, kemi Kishën e Madhe, Kafen e Madhe, Malësinë e Madhe, Bërdicën e Madhe. Ma mbushën mendjen ato kuadrot e Shkodrës dhe e filluam stadiumin". Pasi dëgjoi shpjegimin tim më tha se nuk kisha vepruar mirë dhe duhet të isha më korrekt. Nga ai çast nuk e vazhdova më ndërtimin e stadiumit. Vërejtja e dytë m'u dha për ndërtimi i pistës në plazhin e Durrësit një pistë e futur rreth 250 metra në det. Edhe në ditët e sotme ajo njihet me emrin 'pista Iliria". Kjo pistë është ndërtuar me iniciativën time. Nuk kishte fonde për të bërë një gjë të tillë, por unë kanalizova disa fonde që ishin parashikuar në fushën e mbrojtjes së rrethit. Kur u mor vesh një gjë e tillë, u kritikova ashpër në mbledhjen e Byrosë Politike dhe mora një vërejtje. Megjithatë, pista u ndërtua dhe ajo është ekzistuese edhe sot", rrëfen Muho Asllani.

Nënat mund të lindin rrallë herë njeri si Enver Hoxha, i përkryer, një komunist i vendosur në zbatim të direktivave të partisë dhe të marksizëm leninizmit, por edhe të gjithë ideve të lëvizjes punëtore mbarëkombëtare.

Origjina

Muho Asllani u lind në tetor 1937 në Bërdicë të Shkodrës. "Familja ime ishte e varfër por patriotike. Nëna dhe babai im kanë qenë punëtorë të thjeshtë në fermë, e hynë aty pas reformës agrare. Im atë në kohën e luftës, ka qenë kryetar i këshillit të fshatit. Ai ka punuar herë si karrocier dhe herë si pendër. Me atë karrocë na rriti ne, 6 fëmijë, ku 4 u bënë me arsim të lartë, duke na edukuar të jetonim me djersën e ballit e me ndershmëri. Ai punonte ditë e natë dhe me të hollat që merrte na paguante shkollën", thotë Muho Asllani.

Shkollimi

Pas shkollës 7-vjeçare Muho Asllani shkon në shkollën e mesme bujqësore në Lushnje, por pas një viti kthehet në shtëpi. "Duhej t'i dilja krah babait për të rritur fëmijët. Por shkollën nuk e ndërpreva. Menjëherë fillova teknikumin bujqësor të Shkodrës, të cilin e mbarova në 1958. Vazhdova punën në fermën "Perlat Rexhepi", si brigadier i vreshtarisë. Në vitet 1968-'69 shkova ushtar në kufi. Pas ushtrisë u ktheva sërish në fermë, pasi kishim edhe një vëlla në Institutin Bujqësorë të Kamzës. Këtë herë nuk punova më si brigadier, por përgjegjës sektori. Ndërkohë isha dhe sekretar i organizatës bazë të dy sektorëve bujqësorë. Do të kalonte kohë kur familja të përmirësonte disi gjendjen ekonomike dhe mua të më mundësohej shkuarja në shkollën e lartë në Institutin Bujqësor në Kamëz në degën e agronomisë. Në të gjitha rastet kam dalë me rezultate të shkëlqyera në mësime".

Rrugë për në Byro

Duke folur për karrierën e tij të gjatë si punëtor partie, Muho Asllani thotë: "Në 1964 emërohem instruktor i komitetit të Partisë së rrethit Shkodër. Mbuloja zonën e Malësisë së Madhe. Këtu e kanë zanafillën punët partiake. Detyrën e mora me tepër pasion, siç e kisha zakon. Arrita të çoja në zonat më të thella, deri në Vermosh, direktivat e Partisë. Me atë punë të palodhur që bëja krijova një emër shumë të mirë. Gjatë asaj kohe fillova dhe Shkollën e Partisë me korrespondencë. Në vitin 1966 kalova nga instruktor i komitetit të Partisë për Malësinë e Madhe, në instruktor të Komitetit të Partisë për sektorin e Statutit. Kur s'kisha mbushur akoma 30 vjeç, u emërova sekretar i Komitetit të Partisë së Shkodrës për problemet e bujqësisë. Nëntori i vitit 1971, në Kongresin e VI të PPSH-së, u zgjodha direkt anëtar i KQ, pa kaluar fare fazën e kandidatit. Ndërkohë e kryeja edhe detyrën e Sekretarit të Komitetit të Partisë së Shkodrës, ku sekretar i parë ishte Prokop Murra. Më 3 janar të vitit 1974 u emërova Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Matit. Nuk do të vononte shumë dhe në korrik të po atij viti, u emërova me detyrën e Sekretarit të Parë të rrethit të Kukësit. Aty zëvendësova Pali Miskën, që u bë ministër i Industrisë. Në maj të vitit 1976 u emërova zv/ministër i Bujqësisë, ku ministre u emërua Themie Thomai. Në mars të vitit 1979 emërohem Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Burrelit, ku zëvendësova Foto Çamin, që kaloi ndihmës i Ramiz Alisë në KQ të Partisë. U ktheva në Shkodër ku kisha nisur karrierën politike, pikërisht, si Sekretar i Parë, pas tragjedisë së 15 prill të vitit 1979 ku tërmetit do të rrafshonte fshatra të tëra dhe krejt lagjja Bahçallëk e Shkodrës dhe do të vdisnin jo pak, por 35 vetë, ku më i vogli ishte 3 vjeç dhe do të plagoseshin 170 të tjerë. Në nëntorin e vitit 1981, pikërisht në Kongresin e Tetë të Partisë unë u bëra anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror dhe u emërova Sekretar i Parë në Durrës. U shkarkova vetëm në vitin 1991 nga Byroja Politike e drejtuar nga Ramiz Alia".

Gazeta "Shekulli"

COMMENTS