Myfarete Laze

myfarete laze
Rrugëtimi i saj drejt suksesit ka nuancat e një tregimi që na mëson se si me guxim, pasion dhe vendosmëri mund të kthehet në realitet një ëndërr, duke u bërë të renditesh ndër ikonat e muzikës shqiptare.

Myfarete Laze lindi në vitin 1958 në Shkodër. Prindërit e saj, me orgjinë nga Saranda, në vitet '47 dëbohen nga vendlindja për arsye politike dhe u vendosën në Shkodër. Shkodra e artit, e kulturës, e sportit, e këngës, e barcaletës dhe e humorit, shumë shpejt u bë për ata një vendlindje e dytë. Këtu lindën tre fëmijë. Prindërit, me problemet e vështirësitë e shumta që ata të dy kalonin, rritën fëmijët me përkujdesje dhe me shumë dashuri. Myfarete duke qënë fëmija më e vogël ishte edhe më e përkëdhelura. Lidhjet më të forta i ka me motrën e madhe e cila e trajtonte Myfareten e vogël si "kukull", dhe me babain që e thërriste "kanarina e babës". Kur ajo këndonte nëpër shtëpi, ai këndonte e kërcente bashkë me të.

Që kur ishte e vogël ëndërronte të këndonte dhe të bëhej një mësuese e mirë. Prindërit, duke e parë pasionin dhe prirjet që ajo kishte për muzikën në përgjithësi dhe kanton në veçanti, e nxisin që të frekuentojë Shtëpinë e Pionierit ku dhe spikati talenti i saj.

Myfarete Laze ishte vetëm 10 vjeç kur u ngjit për herë të parë në skenë në një festival për fëmijë që u zhvillua në Shkodër, pikërisht në vitin 1968, me një këngë të kompozuar nga Xhavit Ujkani.

Babai i saj në vitin 1972 u pushua nga çdo punë shtetërore prej regjimit komunist pёr arsye politike. Vetëm se ishte shumë i zgjuar dhe i përmbajtur iu shpëtoi arrestimeve e burgut. Familja jetonte me një rrogë të nënës. Kjo gjë rёndoi fёmijёrinё dhe adoleshencёn e Myfaretes si nga ana shpirtёrore dhe nga ana materiale. Sa e sa darka pa bukë, me vetëm 2-3 gota ujë. Mbrëmjet e gjata dhe pa televizor, familja i kalonte duke diskutuar për festivalet që i shihnin te komshija, për librat, teatrin, estradën, për ndeshjet e basketbollit, pasi babai e merrte në Pallatin e Sportit me i pa ndeshjet e basketbollit e volejbollit.

Përveç talentit dhe pasionit, suksesi i saj u ndihmua shumë nga jeta artistike dhe kultutore qё karakterizonte qytetin e Shkodrёs. Myfarete Laze u rrit mes njerëzve me shpirt e humor të madh, mes bylbylave të këngës si Marie Kraja, File Gjeloshi, Luçie Miloti, Naile Hoxha, Bik Ndoja, Ibrahim Tukiçi, Xhevdet Hafizit, Klotilde Shantonja që intërpretoi në teatrin veror operën e parë shqiptare, "Mrika", dhe plot të tjerë.

Kujtojmë që Shkodra në vitet '75-'90 ka pasur tre orkestra simfonike, ka qënë Pallati Punëtori, Klubi i Rinisë, Estrada, Shtëpia e Kulturës, Teatri "Migjeni", Shkolla Artistike "Prenkë Jakova", etj. Prandaj nga gjiri i saj burojnë gjithnjë talente, sepse ajo fal veç dashuri e vlerë.

Në vitin 1979, pas shumë suksesesh në Shkodër, merr pjesë për herë të parë në Festivalin e Këngës.
Është Festivali e 19-të i Këngës në RTSH, Leti (kështu e thërrasin të afërmit dhe miqtë) ishte akoma një vajzë e re e cila do të përballej me gjiganten e këngës shqiptare Vaçe Zela dhe me shumë këngëtarë të tjerë të talentuar. Këndon këngën "Shoqet tona ilegale", të kompozuar nga z. Agim Prodani,orkestruar nga Alqi Kareco dhe shkruar nga Xhuliana Jorganxhi, ku ishte partnere skene e Vaçe Zelës. Kënga fitoi Çmim të Parë. Po në këtë festival këndon "Nën kurorën e ullirit" të kompozuar nga Enver Shëngjergji, shkruar nga Xhuliana Jorganxhi. Kjo këngë fitoi Çmim të Tretë. Për të ishin dy gëzime në një festival.

Duke qënë një soprano shumë e mirë dëshira e saj ishte të vazhdonte studimet për kanto por, për atë "njollë" që kishte në biografi nuk i jepet e drejta. Kështu studion për Gjuhë-Letërsi. Përsoni që e ndihmoi dhe iu përkushtua më së shumti talentit të saj ishte profesori i kantos në shkollën artistike "Prenkë Jakova", z. Ferit Bala.

Myfarete Laze ka bashkëpunuar me kompozitorët dhe poetët më të mirë të vendit, ndoshta këtë dhe për veçantinë e zërit të saj. Ndër kompozitorët përmendim Tish Daija, Avni Mula, Agim Prodani, Limoz Dizdari, Kujtim Laro, Flamur Shehu dhe poetët Zhuljana Jorgaxhi, Xhevahir Spahiu, Gjok Beci, Agim Doçi, etj.

Fal talentit të saj dhe pasurive artistiko-kulturore që i dhuroi qytetaria Shkodrane, Myfarete Laze në çdo festival që ka marrë pjesë është nderuar në çmim. Ka marrë pjesë në 17 festivale dhe ka fituar 13 çmime, ka qënë pjesëtare e Koncerteve të Pranverës, në Festivalin e Interpretuesve dhe gjithmonë është vlerësuar nga juritë. Është nderuar me çmimin "Çesk Zadeja", "Naim Frashëri", etj.

Është e martuar me z. Zenel Vekshari, trajner basketbolli shumë i suksesshëm, dhe ka dy vajza, Resana dhe Erida.

Myfarete Laze cilësohet ndër këngëtaret më të suksesshme të viteve '60-'80. Ajo vazhdon të jetë pjesë e skenës duke na dhuruar emocione dhe kënaqësi. Kohët e fundit ka bërë disa krijime dhe bashkëpunime të bukura për aktivitete të ndryshme si artistike dhe sociale. Një prej tyre, që tashmë është kthyer në traditë në qytetin e shkodrës, është "Dita e luleve". Në këtë grup pune përfshihen edhe persona të njohur si Isa Alibali, Ritvan Karakaqi dhe Ahmet Osja.

Dashamirësia e publikut, vlerësimet dhe duartrokitjet e shoqërojnë kudo, në Shqipëri dhe përtej kufijve.

Përditësim, 8 mars 2017: Myfarete Laze nderohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Bujar Nishani, me Titullin "Mjeshtër i Madh" me motivacionin:

"Me mirënjohje këngëtares dhe interpretueses mjaft origjinale të muzikës së lehtë shqiptare, e cila me talentin dhe profesionalizmin e saj të rrallë është shndërruar në njërën prej përfaqësueseve më të vlerësuara e të dashura të artit bashkëkohor shqiptar".

shkodradaily.com

COMMENTS