Lazër Shantoja: Prendush Gega, poeta i Kabashit

Poeta i Kabashit


"I Kabashit?". Po çka âsht Kabashi, e kû rri? A thue kûnd më ndoj skâj të Misirit?

Jo, zotní: me pasë kênë n' Afrikë o mâ lerg, ja kishim ndíe zânin, pse na gjeografín e huej e dím mâ mirë se t'onen; por t'a dini se Kabashi â nji ner bajrakë të Pukës, e prandej nuk kena faj... në mos dishim mirë se kû gjindet.

Kabashi â nji ner bajrakë mâ të parë, e motit ner lufta, fillë mas bajrakut t' Oroshit prîte aj i Kabashit. Katundi rri në skâj të Qelzes, shtrîhet per të giatë të Gominës, qi âsht nji ujë i rrmyeshem fort i perbâm prej ujit të Blinishtit e ujit të Bhotit të perpjekun në fushë të Shenkollit.

Kâ për kufi Palamicajt, Shkallen e Arstit, Lum Shtyllë (pak permî Shkozë), e âsht dá në kto mahallë: Lushajt, Bicajt, Bhoti, Kokejt, Micojt, Mecajt, Çafalija e Hadrojt. Gjithmarë bàhen nja 130 shpì.

Pik mâ së parit u patne ngulë në Kabash 4 vllazen: Kok Leka, Lush Leka, Djegë Leka, Hadar Leka, të krishtênë. Lushi e Djega mohuene fén e të parve e diqne. Hadari desht me bâ edhè ky si vllaznit besthyesa, por ju vûe mrapa i vllaj Koka, i cilli e ndoq deri në Vá të Spasit, e si e pau Hadarin andej vaut, ja lshoj në pushkë të giatë e e la dekun në tokë bri kalás. Kshtû të krishtênët e soçem të Kabashit vinë prej Kok Lekës, i cilli vetun ndej në fé të parve. Edhe sot vêndasit flasin për burrní të Kokës, e un prej gojës së tyne i kam marrë kto pak shenime qi po rreshtoj pse nuk do t' i lamë me hupë sêndet qi pak a shum mûnden me vjeftun per ata qi herët a vonë kan me shkrue historín e Shqypnís.

Me i pvetë se ç'fisit janë, thonë se vín prej Kolonjet (Toskëní). Kabashas gjêjm edhe në Prisrênd, në Dardhë, në Hajmel e n' Iballe (zotnít e Halles).

Kishtarisht sot Kabashi shkon me famullí të Qelzes. Në kohna të para qela e famullís ká kênë në Kabash; veç mâ vonë, si met nji vllá i vetun, ky së mujt me e majtë meshtarín, e kshtû u ngreh qela në Qelzë. Sot aty gjindet nji kishë kushtue Shêjtit Sh' Pàl. I zellti zotní D. Gasper Thaçi, qi ndej 8 vjet famullitàr n' ato ana, kû me veprim të vetin të palodhshem si fetàr ashtû edhe atdhetàr fitoj nji simpatì të jashtzakonshme, u mundue me grrye bashkë me ata malcorë per brî t' asajë kishë, e kan dalë do mure të gjana e të forta; por masi gropimi nuk u krye, nuk mund të caktohet mirë cilltija e asajë ndertesë të moçme.

Gojdhana difton se Sh' Pali njiherë kishte pasë perpjekë në Kabash e nji herë në Sh' Pàl të Mirditës (vêndi i kuvêndeve, për fûnd t' Oroshit). Kallxohet edhe guri i Sh' Pàlit e donë me thanë, se u gjet gjurma e mushkut kuer i Sh' Pali ndjekë prej Gjudhive kcej prej Kishës të Kabashit e duel në Zezë të Pukës, kû endè sot â guri me gjurmë, si thonë malcorët. Por âsht e ditun se kjo gojdhane âsht pa temel.

Banorët e Kabashit janë burra të naltë, të fortë e të pashem kah trupi, e të ndershem, beset e të meçem fort. Per me diftue se janë të meçem e veleta thohet aty edhe nji fjalë popullore qì âsht: në Kabash pjellë delja pa dash.

Me gjithket njerzt e panafakë do t'i kén pasë edhe Kabashi, pse ata vetë thonë: mos kênke Koca, Kica, Gjura e Batica (katër shpí) Kabashi kjè t' u bâ Vezir në vedi.

Ky Kabashi. Po e poeta?

Kur në dimen qi shkoj u nisa per Pukë, kû ndêja 5 javë pritun krejt vllaznisht prej të Nd. fam. Dom Nikoll Dedës, kishe marrë me vedi porosín e kshillin m' u perpjekë me poeten e Kabashit. Kishe ndî edhè parandej se kângët mâ të bukura na vîn prej Puket, e tash me shkue shi në Pukë e m' u pa shi me at burrë qi me nji dhantí natyret t' bindueshme amshon trimnít e burrave t' onë, me ndî ket zâ të gjallë të lahutës shqyptare, ishte per mue, si thonë tash në Shkodër "il colmo!".

Si mrrîta në Qelë, e lypa, e kerkova, por së mujtá me e pá kerkund. Kúr nji ditë tuj ndêjun në Komandë të Pukës, po më thotë nji zâ: qe, kqyr, tuk â Prêndush Gega, poeta i Kabashit! Sillem e shof nji burr të giatë, endè të fortë, sado plak 70 vjeç; ballin e gjanë e si të vrantë: mî sŷ do vetlla të shpeshta; sŷt e mdhaj e si xhixha; gojen si në të qeshun nermjet të fjeshtit e t' ironikut. Kjo pershtypja e parë. Masi së paçë kohë me ndêjë aty, nuk u ndala me tê, veç se i dhamë doren shoqishojt (me thanë u prezantueme, kishte me kênë tepër elegant per Pukë), e masi m' dha fjalen se do të vite në krye t' javës me më pá në Qelzë, u dame.

U dame, por fizionomija e tí nuk u da prej fantazís s' ême. Nuk dishe me e kuptue! Ishte për mue si nji rebus, si nji kashë e lashë!

Më ka ndollë me pá disa pinakoteka e me metë para ndoj shtatues o kuadrit porsí i shtangun, pa bâ zâ e pa luejt aspak, kaq e madhe e e fortë ishte pershtypja qi më bâne ato vepra hartit. Me thanë se pershtypja qi më bâni aj të pám i parë e i shpejtë i ftyres të Prendush Gegës, i giet krejt asajë pershtypje të sprovueme ner pinakoteka të München -it e në Galleria Pitti të Firenze -s, ndokush kishte me qeshë; e prá nuk kje ndryshej. Shkndija e hartistit qi të ndezë prej nji gurit të dekun e prej nji pelhurës pà shpirt, pse s'ká mujtë me më ndezë mênden tuj e pá para vedit nji nieri të gjallë? E, vên oroe! M' nji nieri natyret, Narturmensch, si thonë Alemant, m' nji nieri qi së din me shkrue as me kndue, qi nuk njef as Omerin as Vergilin as Dantin, m' nji nieri qi së din as çka âsht vjerrsha as rrokja, m' nji nieri per të cillin tetrrokshat e njimdhetrrokshat janë shati e vanga, tamra e lahuta.

Prá mûndet m' u marrë vesht sà fort m' u ngiat deri sà të vîte ajo ditë e premtueme. E erdh! Hin Prendush Gega me buzë në gaz n' odë, m' a puthë doren, e i tham me ndejë. Ulet e më thotë: Erdha Zotní, por drue se po të bezdisi pse kam nji kangë me m' a shkrue se do të ja çoj dikuej në Naraç.

Un me mzi ç'prita me e kondendue; e mandej nisa me e pvetë, e tuj e pvetë çuditej e nuk dite me i dhanë arsye vedit për gjith ato të pvetuna të mija.

Leu prá ky poetë (e êmni poet mâ fort se askuj i perket ktyne poetë krejt të natyrshem) në Kabash sot nja 70 vjet o aty pari. T'et i thoshin Gjek Paloka, e s'amës Lenë Prendja prej Qerretit të Poshtë.

Më diftoj se edhè i ati ishte kênë bejtár, e qi aj vetë bejtat e para i pat qitë kuer ishte 30 vjeç. Âsht i martuem, por fmí së kà per posë dy nipa. Kuer e pveta se si qittëte bejtat, më diftoj se së mund t'i qittëte kuerdo, por kuer t'i vite ajo terezija e vet (estri poetik). Mâ e shuma e kângve të qituna prej tí janë kângë trimninash. Kishte me kênë nji punë shum e vjefshme e e interesantshme me i mledhë të tana kto kângë e me i botue veças me nji komentim letrar-psikologjik.

Nji palë thonë se na Shqyptarët së kena çka me shkrue!... Kan shkrue të tjerët para nesh gadi gjithçka.

Po, kan shkrue, por Shqypnija âsht edhe mjeftë e panjoftun, sidomos në letratyrë të vet, mâ fort se në gjeografi. Kângët popullore janë pa dyshim nji visàr komtàr, si bukur mirë pat shenue i permênduni e i vlerti shkrimtàr P. A. Vinçenc Prendushi, i cilli edhe na e botoj nji blé të pàr të kti visarit. Prandej letrarve t' onë nuk u mungon lânda, por shpesh herë... vullneti!

Mjaft pàç dishirë me i mledhë vetë kto kângë, por n' ato pak orë qi mujta me ndejë me ket poetë, si mund të mlidhshe permî 60 kângë të qituna prej tí? Së mujta me shkrue veç se kângen e Gjin Lekës, të Gjok Dodës, të Esad Pashës, të Islam Hajdarit e të Zek Jakinit.

Kângët e Prendush Gegës, më sà ndjeva un, janë kallxime të fjeshta me të tana rrethanet me do thanie të forta e krejt shqyptare. Ka 'i herë âsht lakonik e si i thonë italjant: scultorio; së mundesh as me i shtue as me i hjekë fjalë, per pà prishë bukurìn e poezîs.

Kuer nji natë në Bicaj shtrîmun në firi e në dushk e ndjeva tuj kndue nji kângë të veten percjellun me lahutë, m' u perqêth krejt shtati, e m' u duk se kishe bâ në jetë t' ême nji të kthyem mbrapa 4000 vjetësh... I delshin fjalët kaq natyrisht, kndote kaq me ndjesì, i bite asaj lahutë kaq me shijim, qi meta fare i shtangun e i knaqun.

Ky prà âsht poeta i Kabashit!

Me ju thanë se nuk â i pasun, nuk âsht nevoja. Poetnit e pasun janë të rrallë si mizat e bardha e së gjinden kollaj, animâ në Pukë! Ndonsè bejtat qi i porosisin i qet me pare (e tash mêrrte 60 k. serm, per nji bejtë) me gjithket i shkreti Prendush Gegë së kà mujtë endè me vûe në brêz livore me dorcë t' argjanët, a me vjerrë qestek sahatit t' argjanët. Âsht edhe ky i shkûndun si vllaznit e vet poeten; por prep mâ mirë â ky se poetnit e shkrimtarët tjerë në Shqypní, pse aj sadopak 60 kr. i merr per nji bejtë, por shkrimtarët tjerë 60 bejta me shtypë, nuk i fitojnë 6 pare, por mâ të shumen dalin borxh.

Jam mûndue me e prekë n' anë humoristike e u knaqa tuj gjetë në tê nji humorist si lypet. Nuk u bâte darsem o gostë pà tê, e së të lshote kurr me gjithnduer prrallash e kallxime gazit m' u habitë. Âsht e ditun se shum herë ndokuej nuk i bishin per shtat të gjitha, e kshtû me kto kallxime e lojna i ngrehte vedit edhè anmiksina e mnina.

Oh natyrë e poetës! Si kênke gjithkûnd nji! Çka don me thanë qi poetnit janë kaq fort të kundershtuem gjithkund e gjith herë? Ja kà gjetë arsyen poeta i ynë A. G. Fishta qi shkruen:

.... letrarve të ngratë
Jau kà lanë lija zanatë
Me i thirrë sêndet të gjitha me êmen
Mashkllin mashkull, fêmnen fêmen. (Ânxat e Parnasit)


prendush gega poeti kabashit
Qe prà ritrata e poetës së Kabashit. Në mos pastë dalë mirë ajo qi e bâna me makinë fotografike, për arsye të shiut qi bite, mâjë uzdajë se me kto dý faqe shkrimit ritrata e tì morale do të kén dalë.

Vjeftë ky shkrim i êmi me shtye ndoken m' u perkujdesue per nji të mledhun t' unjishem të visarit komtàr, e porsi nji shêj miradijet e nderet per të pritun të dashtun qi poeta më bâni ne shpì të vet.

Të falem o poeta i Kabashit, e zâna shqyptare mas sodit të ndimoftë me amshue në kângë jo mâ ata qi derdhen gjak vllaznuer, por vetun atà të ndershem qi me vepra burrnijet e perparimit orvaten me i dhanë atdheut ndér e lulzim.


Dom L. Shantoja (1921)

__________

Misirit: Egjiptit
livore: revole

COMMENTS