Riza Dani, veprimtar i çështjes kombëtare

riza dani veprimtar i ceshtjes kombetare
Riza Dani lindi në vitin 1887 në Shkodër. Mbaron shkollën Ruzhdije dhe studimet e larta në Stamboll, zotëronte gjuhët turqisht, italisht e gjermanisht, me profesion nëpunës e pastaj si pronar. Qëndrimi në Stamboll e kontaktet me mjediset patriotike shqiptare t'atjeshme e lidhën me lëvizjen kombëtare. Pati njohje personale me Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin, Mati Logorecin, vëllaznit Kraja dhe do të jetë një ndër 166 pjestarët e klubit "Gjuha shqipe" themeluar nga Kel Marubi. Ishte shumë aktiv për ngritjen e flamurit më 1913 në Shkodër. Malazezët u përpoqën ta arrestonin më 1914, por iku në Mirditë. Po kështu i shpëtoi internimit nga austro-hungarezët më 1916, si një nga organizatorët e revoltës popullore që u zhvillua tek "Xhamia Plakë". Dha një ndihmesë të fuqishme në komitetin për "Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës" duke bashkëpunuar me Hasan Prishtinën, Hoxha Kadrinë. Së bashku me Luigj Gurakuqin e Ndoc Çoben mori pjesë në Kongresin e Durrësit (25 deri më 27 dhjetor 1918). U zgjodh deputet i parlamentit të parë shqiptar, dhe bëri pjesë në grupin e 12 deputetëve shkodranë së bashku me Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Maliq Bushati, etj. Deputet i Parlamentit të parë më 1924 dhe Kryetar i Prefekturës së Durrësit në Qeverinë e Nolit. Nga shtëpia e tij lëshohet gjëma për mikun e familjes Plakun e Maleve Bajram Curri dhe në krahët e tij jep frymën e fundit "Vigani liberator" Luigj Gurakuqi i sapo dalur nga restoranti "Cavour" në Bari të Italisë, i cili ishte arratisur në Zarë të Jugosllavísë e më pas në Itali sepse regjimi i Ahmet Zogut e kishte dënuar me vdekje.

Më 1939 u kthye në atdhe, më 1940 vendos të marrë pjesë si Kryetar i Këshillit të Shtetit së bashku me Xh. Kortshën, etj. Lidhet me Lëvizjen Nacional Çlirimtare dhe në vitin 1943 u zgjodh Kryetar i Këshillit NÇL të Qarkut të Shkodërs dhe në fillim të vitit 1945 u emërua Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Qarkut të Shkodrës. Në votimet e 2 dhjetorit 1945 u zgjodh deputet në Asamblenë Kushtetuese. Në parlament ku nuk kishte anti-grupime u bë udhëheqës jozyrtar i opozitës. Më 10 janar të vitit 1946 hapet Asambleja Kushtetuese ku në një sallë të përbashkët ishin mbledhur përfaqësuesit e parë të popullit shqiptar të dalur nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945. Me 12 janar 1946 - mbahet mbledhja e katërt e kësaj Asambleje e cila drejtohet nga Tuk Jakova dhe si pikë të dytë të rendit të ditës ka zgjedhjen e Presidiumit të Asamblesë. Riza Dani kundërshton listën e propozuar në emër të pesë deputetëve të Beratit nga Kahreman Ylli. Mbas shumë debatesh fiton të drejtën të paraqes edhe ai një listë të re. Riza Dani ka futur në listë Ibrahim Karbunarën, Aleksandër Xhuvanin, Kolë Kuqalini etj. nacionalist e patriot në vend të disa komunistëve. Në atë listë mungonte emri i Enver Hoxhës. Më 21 janar 1946 diskutohet projekt-rregullorja e Asamblesë. Riza Dani me guxim replikon me Koçi Xoxen dhe Enver Hoxhën, ai kërkon që proçesverbalet e plota të botohen e të shpallen në Gazetën Zyrtare. Më 6 mars 1946 mbledhja e nëntë e Asamblesë Kushtetuese. Diskutohet projekt-statuti. Më 6 mars 1946 mban një fjalim për statutin (projekt-kushtetutës), i cili ishte jo kombëtar dhe i ngarkuar me frymë ideologjike komuniste. Riza Dani që nuk deklarohet "as pro, as kundër projekt-statutit".

Në realitet ai shfaqet kundër. Me ton ironik vazhdon fjalën e tij duke thënë shprehimisht:

"Në këtë rast që bisedojmë projekt-statutin dua të them dhe unë mendimin e përshtypjet e mia mbi këtë çështje themeltare me rëndësi vitale për shtetin e kombin shqiptar. Do të mundohem për të folë me pak që të jetë e mundun, e para pse due t’i baj qefin rregullores sonë që s’ia do hatri fjalët e shumta, e dyta pse fjalët nuk peshojnë kurrgja kur fakti asht i kryem. Për statutin tonë ka dy anë të shëndosha, të çkëlqyera, e plot heroizëm. Lufta çlirimtare në njërën anë e Fronti Demokratik në anën tjetër. Kjo bazë dyshe pa dyshim na ka diktue projekt-statutin. Por lufta çlirimtare dhe Fronti Nacionalçlirimtar kanë pasur dhe kanë akoma ma tepër karakter kombëtar sesa karakter ideologjik. Populli pa ndryshim klase e ideje ka luftue. Prap populli pa ndryshim ideje e partie ka bërë qëndresë në Frontin Demokratik. Fronti s’asht tjetër veçse bashkim njerëzish, partish e tendencash për luftën çlirimtare e për rindërtimin. Çdo lloj ngjyre ideologjike që mund të marrë Fronti, ai do të ketë për pasojë xhdukjen apo transformimin e tij në nji parti të thjeshtë me ngjyrën e saj esenciale. Statuti pa dyshim asht ba me frymë ideologjie dhe politikisht ashtu dhe nga pikpamja social-ekonomike. Unë vetë personalisht jam në nji demokraci të lirë. Do të votoj për statutin, por natyrisht do të dëshiroja që dhe statuti jonë të inspironte nga ky parim. Prandaj kërkoj nga Asambleja që Republika jonë të konsiderohet Republikë Socialiste Popullore."

Më 16 mars 1946 Asambleja Kushtetuese kthehet në Kuvend Popullor. Që këtu e tutje Riza Dani është në epiqendër të kritikave e goditjeve.

Më 23 dhjetor 1946 Riza Danit dhe tre deputetëve të tjerë u hiqet mandati i deputetit. Po atë ditë në seancën tjetër, sipas rendit të ditës merret në shqyrtim ligji "Mbi dispozitat e përgjithshme penale", kreu i tretë i të cilit "Mbi dënimet e masat tjera" do të sanksiononte dënimin me vdekje (Varje e Pushkatim).

Më 14 maj 1947 vjen vendimi i Byrosë Politike i firmosur nga Enver Hoxha, Nako Spiru, Hysni Kapo dhe Shefqet Peçi, ku urdhërohej arrestimi i 10 deputetëve, që me vendimin e datës 30 gusht 1947 dënohen me vdekje dhe ekzekutohen. 17 vetë u dënuan me vdekje, midis tyne edhe tre emra të njohur: Shefqet Beja, Riza Dani dhe Selahudin Toto. Një tjetër akuzë i shtohet dënimit, organizator i Lëvizjes së Postrribës.

Riza Dani me indinjim i përgjigjet akuzës në gjyq:

"Me 9 shtator më ka vdekë vajza, fëmija i vetëm, e ju mendoni se tue pasë kyt rast në shpi do merresha me Lëvizjen? Paçi hijen tuej!".

COMMENTS