Frederik Rreshpja, një princ i poezisë

Frederik Rreshpja lindi më 19 korrik 1940, në Shkodër. Frederiku njihet si poet lirik, eseist, publicist dhe botues. Në vendlindje kreu arsimin fillor dhe të mesëm, këtë të fundit pranë gjimnazit "29 nëntori". Studimet universitare i ndoqi pranë Pedagogjikut në Tiranë me korrespondencë. Punoi në gjendjen civile në Dajç të bregut të Bunës, më pas nëpunës si përgjegjës kulturor pranë Kombinatit të Drurit në Shkodër. Arrestohet dhe dënohet disa herë gjatë regjimit komunist si "... një person që paraqet rrezikshmëri shoqërore e që synon në minimin, dobësimin dhe përmbysjen e pushtetit popullor...". Në vitin 1991, ishte kryeredaktor i gazetës "ORA" si edhe kandidat për deputet i Partisë Socialiste. Në vitin 1992 shpërngulet nga Shkodra në Tiranë, ku ai ishte themelues e pronar i shtypshkronjës dhe shtëpisë botuese "Evropa" dhe drejtor i revistës kulturore-letrare me po të njëjtin emër. Pas vitit 2000 përjetoi një varfëri të skajshme e më pas pësoi një hemoragji cerebrale më 2001. Vdiq në Shkodër më 17 shkurt 2006.

Po sjellim për lexuesit një artikull të Dr. Moikom Zeqo të datës 15 dhjetor 2003, tre vite përpara se poeti të ndahej nga jeta.

FREDERIK RRESHPJA, I VETMUARI I MADH

Frederik Rreshpja është një miku im i vjetër, por jo si të gjithë miqtë e tjerë, që unë kam patur në jetë. Një mik pak i vështirë, tepër i çuditshëm dhe megjithatë një mik i vërtetë deri në fund.

Frederik Rreshpen e kam njohur në mesin e viteve '60 të shekullit XX. Qemë të dy të njëkohshëm në botimin e poezive dhe të librave të parë poetikë. Mbaj mend diskutimin e librit të tij "Rapsodi shqiptare", libër, që mua më bëri një përshtypje të veçantë. Keshtu nisi rrugëtimi imazhinist i poetit Frederik Rreshpja në letrat shqipe.

Që në zanafillë ai spikati për artin e tij delikat dhe intim. Sa herë që unë shkoja në Shkoder, takohesha me Frederik Rreshpen te Kafja e Madhe, apo në mjediset ekzotike, gati veneciane të Turizmit të Vjetër, që sot është rrënuar dhe nuk është më.

Gjithnjë pas mesnate rrinim duke diskutuar për poezinë dhe artet. Ahere Frederiku qe i ri, qe energjik në të folur dhe jashtëzakonisht interesant.

Në verën e vitit 1971, pas mbarimit të Universitetit, unë shkova në Shkodër për të bërë 5 muaj stazh në ushtri në Koorparmatën e Veriut. Qe një kohë e artë për mua për të njohur më mirë Shkodrën, monumentet e kulturën e saj emancipuese. Shkodra, ky kryeqytet i Ilirisë se Motshme, ka patur një forcë tërheqëse magnetike të pashembullt për mua në të gjitha moshat. Padyshim që kam patur edhe një arsye substanciale, vetiake. Në Luftën e Reçit, më 1943 im atë Zihniu (ndjesë pastë!) u plagos për vdekje. Nuk mund ta harroj kurrë që tim atë partizan e mori dhe e mjekoi ilegalisht, duke i shpëtuar jetën pikërisht një familje nga Shkodra. Im atë u plagos përsëri në luftën e Tiranës dhe u bë përfundimisht invalid i luftës.
Vdiq më 1960, në moshën e kërthndesët 40 vjeçare, si pasojë e plagëve të luftës. Unë isha 10 vjec, kurse 2 vëllezërit e tjerë qenë më të vegjël se sa unë. La nënën time vejushë 33 vjeç. Gjithçka që vazhdoi më pas qe një rikujtim i përhershëm i imazhit të babait tim. Pikërisht në Shkodër unë kam njohur njerëz të mrekullueshëm, intelektualë të ndritur. Nuk mund të harroj kurrë dijetarin filolog Kolë Ashta, dijetarin tjetër Jup Kastrati, përkthyesin e mrekullueshëm, helenistin e papërsëritshëm Gjon Shllaku, piktorin Ismail Lulani, dijetarin e bujqësisë Ahmet Osja, spelologun pasionant Gëzim Uruçi (i vetmi shqiptar që ka shkuar deri në Polin e Veriut), shkrimtarët Skënder Drini, Nikolla Spathari, etj.

Të gjithë emrat e lartpërmendur janë të rëndësishëm për mua, e kështu do të mbeten përgjithnjë. Të tërë këto figura të kulturës kombëtare ripërtërinin traditën polifonike të penave të mëdha të shekujve: të Gjon Buzukut, Pjetër Bogdanit, Marin Barletit, Ndre Mjedës, Gjergj Fishtës, dhe sidomos gjeniut më të madh konceptual të letërsisë sonë Migjenit të pavdekshem. Në këtë bashkësi emrash unë nuk kam parë shkëlqime të fishekzjarshme por kam ndjerë agime të mëdha të kulturës.

Shkoj shpesh në Shkodër, në këtë "Dashnore të shekujve" sipas klithmës drithëruese migjeniane. Por nga të gjithë miqtë e mij të gjallë e të vdekur, padyshim më i çuditshmi, më enigmatiku dhe më fatkeqi ka qenë dhe është Frederik Rreshpja.

Miqësia ime 30-vjeçare me të, ka qenë e pastër dhe pa kontradikta. Kjo gjë është vërtet rekord dhe duket si e pabesueshme, sepse tipi dhe karakteri i Frederikut nuk është pa paradokse. Njeri me botë tmerrësisht të ndjeshme dhe delikate, ai shpesh në jetë duket krejt ndryshe. E nënvizoj "duket", sepse në vetvetë ai është i njëjti njeri.

Ai është krijues e njëkohësisht vetvetja në formën e një sinteze të pazakontë prej mishi, gjaku dhe imagjinate. E njoh mirë Frederik Rreshpen, ashtu siç njoh mirë vëllezërit dhe motrat e tij. Ashtu siç kam njohur për një kohë të gjatë edhe babanë dhe nënën e tij.

Nëse kanë rëndësi biografitë e shkrimtarëve, ne nuk mund të rrimë pa patur një vëmendje dhe dashamirësi për këto jetë. Jetët njerëzore janë nga më të paparashikueshmet, kurse jetët e talenteve janë akoma nga më të paparashikueshmet.

Frederik Rreshpja ka patur një jetë paradoksale dhe tragjike. Rebel dhe krenar, ai nuk mund të pajtohej brenda ideve të shtrënguara të kohës. Kështu jeta e tij u rrokullis nëpër burgje gjatë regjimit komunist për gati 17 vjet. Ndryshe nga të burgosurit e tjerë politikë, ai kurrë nuk e ka përdorur këtë certifikatë as për t'u hakmarrë dhe as për të kërkuar diçka, që në fund të fundit i takon. Ka qenë tepër i shkujdesur në këtë pikë.

Më 1991, kur unë isha Kryetar i Komitetit të Kulturës dhe të Arteve të Shqipërisë më vjen një letër nga Frederik Rreshpja, që më kërkonte takim. E prita menjëherë. Ishte si gjithmonë ai miku i vjetër, që unë njihja pa mëdyshje. Përsëri rebel dhe i papritur. Atë kohë ai nisi të punonte si kryeredaktor i gazetës "ORA" në Shkodër, madje pranoi të ishte edhe kandidat për deputet i Partisë Socialiste. Ai fare mirë nga të gjitha pikëpamjet mund të anonte nga e djathta. Tragjedia që i kish ndodhur atij në komunizëm, megjithatë nuk e kish bërë "të djathtë", sepse ai shpresonte tek një e ardhme e politikës shqiptare, ai ngulmonte me bindje në ndryshimin e kohërave.

Shkrimet e tij, të botuara në gazetën "ORA" spikasin për një talent të madh, sidomos në rrafshin eseistik dhe në skicat dhe tregimet humoristike nga më të bukurat që unë kam lexuar në letrat shqipe. Përsëri i zhgënjyer dhe harrakat, Frederik Rreshpja qe ndër të parët, që mori në pronësi një shtypshkronjë dhe krijoi një shtëpi botuese të quajtur "Evropa". Befas Rreshpja u bë pronar dhe u pasurua. E mbaj mend kur drejtonte shtypshkronjën, njerëzit e pafund që hynin e dilnin tek ai. Përsëri paradoksal dhe i çuditshëm. Milionat e tij u tretën dhe humbën. Ai nuk pati fatin e një veprimtarie të vazhdueshme, përherë i pakujdesshëm dhe shpërfillës, ai gati i humbi të gjitha. Shpenzonte shumë dhe kot, ndërmerrte botime gazetash dhe revistash të bujshme, por që patën një jetë shumë të shkurtër.

Në vitin 1994 unë mblodha poezitë e tij në dorëshkrim dhe përgatita librin poetik "Erdhi ora të vdes përsëri". Ky libër bëri përshtypje të madhe tek të gjithë. Por shëndeti i Frederikut qe rënduar, jeta e ç'rregullt dhe jo familjare ndikuan keq për ta shkatërruar atë. Diskutimin e librit "Erdhi ora të vdes përsëri" e bëmë në Durrës, darkuam deri natën vonë buzë Adriatikut, në Currila. Për fat të mirë, e kam të filmuar në video këtë mbrëmje të paharruar.

Para dy vjetësh (2001) Frederiku erdhi në zyren time për t'i cituar në kompjutër Tinës, sekretares, një esse që kish shkruar për një librin tim. Pas mbarimit të kompjuterizimit të tekstit të tij, të shkruar në disa letra të zhubravitura me stilolaps, ai e ndjeu veten shumë keq. Unë mora në telefon Dr. Pandeli Cinën dhe e shtruam urgjentisht në spital. Frederiku qe goditur nga një hemoragji cerebrale në kokë, pothuaj ishte në cakun e vdekjes. Unë i bëra të tëra përpjekjet e mia së bashku me mjekët dhe ai shpëtoi nga vdekja. Por shëndeti i tij kishte marrë një goditje gati të frikshme. Ai nuk ishte më si më parë. Kaq shumë u rëndua saqë nuk kishte ku të flinte dhe jeta iu bë e vështirë, një vështirësi gati e pakonceptueshme. Më merrte vazhdimisht në telefon kur nuk kishte pothuaj asnjë lek. Së bashku me shokun tim, shkrimtarin Enver Kushi e ndihmonim në çdo rast.

Më në fund vendosëm që ta çonim në një azil privat. Dokumentin e nënshkrova unë. Meqenëse sipas një kontrate të noterizuar ata që kishin marrë në përdorim shtypshkronjën e tij i paguanin një sasi parash në muaj, të mjaftueshme për të jetuar. Isha unë që vendosa për ta çuar në këtë azil. Azili ndodhej në një nga kodrat e Tiranës dhe qe një vilë e bukur plot gjelbërim. Aty Frederiku ndenji ca kohë dhe e mori veten. Unë shkoja vazhdimisht për ta takuar dhe për të biseduar me të. Por ai ndihej tragjikisht i vetmuar. Vazhdimisht shkruante, por tashmë shkrimi i tij, dikur i kuptueshëm, qe bërë gati i palexueshëm.

Pas disa muajsh në azil, Frederiku përsëri u rebelua. Më mori në telefon dhe mu'u lut që ta largoja përfundimisht nga azili. Ai kërkoi që unë ta çoja tek familja e tij në Shkodër, tek Pashka, e motra dhe tek Gjoni, vëllai. Nuk do ta harroj ditën kur unë e çova në Shkodër Frederikun. Para nisjes për Shkodër, lëvizëm me makinë në disa hotele të Tiranës, ku kishte buajtur dikur Frederiku, ku gjetëm disa qese të pluhurosura me dorëshkrime dhe sende të tij vetiake, që ai i mori me vete.

Pas kësaj ngjarje unë mendova që jeta e tij u bë më e qetë. Ndërkohë unë i dërgova një letër Kryeministrit të Shqipërise që t'i jepej një pension i posaçëm Frederik Reshpjes. Përgjigjja erdhi pozitive. Ndërkohë shkoja përsëri në Shkodër duke u gëzuar që e shihja Frederikun në familjen e tij. Shtëpia e tij në Shkodër është e moçme dhe në oborr është një shegë e vjetër që quhet e Hil Mosit, për shkak se aty pranë ka qenë shtëpia e këtij poeti. Përsëri në Shkodër Frederiku shkruan. Botoi cikle poetike nëpër gazeta që tregonin se talenti i tij nuk qe zbehur. Por përsëri ai u rebelua, iku nga Shkodra dhe erdhi në Tiranë, duke u endur nga një hotel në tjetrin, i stërlodhur nga sëmundja dhe shpenzimet pa kuptim që u bënte parave, duke mbetur përfundimisht në një gjendje të pashpresë.

Para disa ditësh me mori dikush në telefon dhe më tha se Frederik Reshpja gjendej shumë i sëmurë, i rrëzuar mbi një tavolinë të lokalit "Lux". Por nuk pranoi të vinte dhe kur u ktheva përsëri nuk e gjeta më aty. Tani jam unë i shqetësuar se ku ndodhet.

Nuk kam njohur kurrë në jetën time një njeri kaq të talentuar dhe njëkohësisht kaq fatkeq. Nuk dua t'i shtjelloj arsyet pse ka ndodhur kjo gjë. Ndoshta kemi të bëjmë me tiraninë e Rastit, ose me pashmangshmërinë e Entropisë. E them me plot gojën që Frederik Rreshpja është një nga poetët më të mrekullueshëm të letrave shqipe. Ai e shkruan prozën shkëlqyeshëm, është mjeshtër i përrallave dhe i humorit. Duket sikur arti i tij fshihet nën maskën e jetës së rëndë. Letërsia dhe shoqëria shqiptare i detyrohen Frederik Reshpjes për ta ndihmuar.

Atij i duhet dhënë jo vetëm pension i posaçëm por duhet çuar në ndonjë spital jashtë shtetit për të realizuar një operacion të kushtueshëm në zemër. Ai duhet të jetojë sepse e meriton pafundësisht jetën. Ai është një personalitet i kulturës, ndonëse si rasti i Artur Remboit në France, qe krejt i pakujdesshshëm dhe nuk e çau kokën fare për krijimtarinë e tij. Për poezinë e Frederik Reshpjes do të flitet gjithmonë, ai është një nga prijetarët e modernizimit të poezisë dhe të lirikës shqipe, një imazhinist delikat dhe i pashlyeshëm.

Po jap për botim poezinë e fundit që më solli në zyrën time, në Muzeun Historik Kombëtar:

KTHIM NË VENDLINDJE


Ja u ktheva përsëri në Shkodrën e mbretërve
ngritur gurë-gurë
mbi supet lakuriq të një gruaje
nga vëllezërit tradhëtarë.
Mbi degët e shirave këndojnë zogjtë
Nën pemën e madhe të mesditës
Gjethe të verdha bien mbi shpirtin tim.
Pastaj,
unë i hedh drejt qiellit për të bërë një vjeshtë
Ah, kur ishim të rinj dhe të bukur
Nuk na vajti mendja kurrë të bënim një vjeshtë
Por ti tani nuk je më...
Tani
ti je në fillim të stinëve
Ndaj nuk më intereson loja e ajrit dhe e diellit
Që ngrihet mbi re si mbi një sofër paganësh.
Shfaqen
në muzg trëndafilat e thurrur me diell
Ah tani edhe trendafilat na kujtojne kamionët me djemtë e vrarë,
sa të bukur dhe të rinj ishin o Zot!
Mirupafshim o djem në një planet pa diktaturë.
Në ajër
shfaqen patriarkët e poezisë shqipe
Bogdani, Fishta, Mjeda dhe Migjeni
Etërit e mij sillen në ajër se varret ua kanë thyer.
Tani
edhe mermeri i zërit tim është i thyer.
Tani
që erdhi mbrëmja statuja e natës troket në dritaren e vjetër xhamthyer.

*****

Poezia e mësipërme nuk ka nevojë për koment. Në Shkodren e mbretërve ilirë, Frederiku është një princ i poezisë. Vetmia e ka rrethuar përherë jetën e tij, por jo emrin e tij.

Frederik Rreshpja dhe Dr. Moikom Zeqo

Në shoqërinë tonë të demonizuar nga politika, harrohen mjerueshëm krijuesit me vlera të veçanta. Ndihma dhe përkujdesja ndaj tyre duhet të jenë të institucionalizuara. Frederiku e meriton nderimin tonë. Ai nuk e kërkon vetë këtë nderim. Duke qenë i shqetësuar seriozisht për jetën e tij po i shkruaj këto rreshta për opinionin publik shqiptar. Ky shkrim nuk është thjesht një apel, sepse dashuria njerëzore nuk ka nevojë për asnjë lloj apeli. Amen!

COMMENTS