Serafin Fanko

serafin fanko aktor teatri dhe kinematografi
Serafin Fanko lindi më 24 maj 1937, në Shkodër. Aktor, regjisor, skenograf dhe kostumograf. Një nga ikonat e Teatrit Migjeni dhe e artit skenik shqiptar.

Studimet e larta i kreu në Akademinë e Arteve në Pragë dhe në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.
Fillimet artistike i nisi me mësimet e pianos, më pas ndoqi një kurs pikture, u mor me balet, dhe pastaj me fushën e artit skenik që e bëri të njohur edhe jashtë kufijve.

Vepra e parë e vënë në skenë nga regjisori Serafin Fanko është opereta "Me ne është gëzimi", në vitin 1984. Është fituesi i shumë çmimeve në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombetare, ndër të cilët spikat çmimi për dramën "Quo vadis". Në veprimtarinë e tij artistike ka bashkëpunuar me Teatrin e Shkodrës, Durrësit, Tiranës, Laçit, Lezhës si dhe me Teatrin e Shkupit, Podgoricës, Malit të Zi dhe të Turqisë.

Një nga personazhet që ai interpretoi me gjithë zellin e tij ishte personazhi i Zekthit. Është aq reale figura e Zekthit e sjellë nga Fanko, sa të duket sikur flet me vetë personazhin dhe jo me aktorin që e interpreton. Filmi i tij i parë është, "Fije që priten" me regjisor Muharem Fejzon, në rolin e Klarkut. Të tjerë filma ku ai ka interpretuar janë; "Shembja e idhujve", "Yje mbi Drin", "Emblema e dikurshme", "Qortimet e vjeshtës", "Pranvera s'erdhi vetëm". Në të gjitha personazhet e Fankos bie në sy ngrohtësia, që ai i jepte personazheve e lidhur kjo me talentin dhe intuitën e tij prej artisti të mirëfilltë. Çdo figurë e krijuar nga ai ka individualitetin e saj, dhe njëherazi vërtetësinë e personazhit.

Serafin Fanko, i dalluar për modesti të skajshme, është shprehur disa herë se suksesi i tij qëndronte në bashkëpunimin e qëndrueshëm të tij me njerëz të skenës dhe të artit. "Kam punuar me mjeshtra të mëdhenj të dramaturgjisë dhe në Teatrin "Migjeni" jam mbështetur në aktorë të njohur si Tinka Kurti dhe Ndrek Prela, Preng Lëkunda dhe Adem Kastrati, Bep Shiroka, etj. Por unë jam munduar të punoj edhe me të rinjtë, ndërkohë që të vjetrit i kisha në krah", ishte shprehur një herë artisti i njohur. Gjithashtu thonte se, "në se kam një pëllëmbë vlerë, këtë e kam në sajë të bashkëpunimit me artistë, dramaturgë, regjisorë dhe piktorë, duke përmendur, Fadil Krajën dhe Agim Zajmin.

Janë të njohur nga të gjithë dramat e vëna në skenë, nga ai si regjisor si "Gjaku i Arbërit", "Baca i Gjetajve", "Çmurosja", "Quo Vadis", "Këshilli i Ndrikullave", "Rozafa", "Pse", "Çifti i Lumtur" etj.

Fanko numëron rreth 125 role në teatër dhe kinematografinë shqiptare. Për kontribut të shquar në artin skenik shqiptar është nderuar me titullin "Artist i popullit". Ndërroi jetë më 29 shtator 2007 në Tiranë, në moshën 70-vjeçare.

*****

Fanko: Ne vetëasgjësohemi


Intervistë e dhënë për ATSH-në disa vite më parë

Aktor dhe regjisor, skenograf dhe kostumograf, Artisti i Popullit, Serafin Fanko, ishte i integruar prej vitesh në një hapësirë të gjerë mbarëkombëtare me veprën e tij shumëdimensionale. I lindur në Shkodër në vitin 1937, regjisori i mbi 140 veprave duket se ai nuk e ka pasur të lehtë rrugën e karrierës. Fillimet artistike i nisi me mësimet e pianos, më pas ndoqi një kurs pikture, u mor me balet, dhe pastaj me fushën e artit skenik që e bëri të njohur edhe jashtë kufijve.

Vepra e parë e vënë në skenë nga regjisori Fanko është opereta "Me ne është gëzimi" në vitin '84. Është fituesi i shumë çmimeve në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare, ndër të cilët spikat çmimi për dramën "Quo vadis". Në veprimtarinë e tij artistike ka bashkëpunuar me teatrin e Shkodrës, Durrësit, Tiranës, Laçit, Lezhës si dhe me teatrin e Shkupit, Podgoricës, Malit të Zi dhe të Turqisë.

ATSH: Keni vënë në skenë një numër të madh dramash. Cilat janë prirjet tuaja dhe ku synoni?

Serafin Fanko: Vërtet, janë bërë mbi 140 vepra që kam vënë në skenë, ku përfshihen këtu opereta, opera, drama, komedi, estrada, koncerte të mëdha festive. Puna ime nuk ka qenë vetëm e regjisorit. Unë kam interpretuar edhe ne rreth 40 role në teatër dhe spektakle, por kam shkruar edhe 12 drama, të cilat janë vënë në skenë, madje disa prej tyre kanë marrë edhe çmime. Mjaft shfaqje të miat kanë edhe skenografinë dhe kostumografinë time.

Jeni quajtur nga kritiket e artit "një autoregjisor". E pëlqeni këtë rol në realízimin e dramave tuaja apo preferoni të bashkëpunoni me artistë të tjerë?

Për artistët është më mirë kur bashkëpunojnë me piktorë të nderuar, me skenografë të mirë që të kuptojnë mendimin dhe sjellin mendimet e tyre për të plotësuar këtë mendim regjisorial. Unë kam pasur fatin të bashkëpunoj me skenografë shumë të mirë, si me Piktorin e Popullit Agim Zajmi, Shaban Hyseni, Ksenofon Dilon e shumë të tjerë, por nganjëherë bashkë me dramën dhe me konceptin regjisorial në skenë të lind edhe mendimi individual. Kam realizuar rreth 20 skenografi, ndër të cilat në dramën "Çmurosja", që mori çmimin e parë në festivalin mbarëkombëtar të teatrove në vitin 1994, skenografinë e dramës "Tetë për darkë", e Stefan Çapalikut, e vlerësuar edhe kjo me çmim në festivalin mbarëkombëtar të teatrove të vitit '95, "Urdhri i fundit", etj.

Cilat janë mesazhet e dramave tuaja ku ju vetë jeni autor?

Po të shohësh gjithë repertorin tim në një farë mënyre është dramë kombëtare. Shumë pak janë pjesë të huaja. Ndoshta në dramën kombëtare kam gjetur edhe vlerat (në qoftë se mund ti kem). Unë nuk i jam shkëputur tabanit dhe jam përpjekur që përmes mesazheve që sjell vet drama të jap edhe mesazhet e mia si qytetar, mesazhe që shkojnë drejt ruajtjes së vlerave kombëtare. Është një thirrje që i bën autori spektatorit dhe kohës për të përballuar dhe zgjidhur një problem, për të ruajtur vlerat e mirëfillta që kemi trashëguar si dhe për t'i çuar më tej ato. Ndoshta më tepër këtu mund të gjendet ajo që kam bërë diçka, kam thënë diçka, sigurisht një fjalë e vogël, sepse janë shumë njerëz të artit, që kanë folur me zë të bukur dhe kanë hedhur mendime të qarta. Unë jam një ndër ato që e plotësoj këtë thënie.

Drama që keni vënë në skenën e teatrit të Durrësit, "Qyteti pa dashuri", nga pikëpamja regjisoriale zë një vend të rëndësishëm në krijimtarinë tuaj...?

Kur kjo dramë më shërbeu për ta vendosur në skenë, plotësonte disa kushte estetike të miat, i përgjigjej kërkesave të brendshme që kisha si krijues dhe si artist, plotësonte ato vizione të reja për të cilat unë kam luftuar me kohë dhe që ndoshta kanë krijuar edhe fizionominë time si regjisor. Shpesh kam kërkuar të eci me kohën, me shije dhe në pamundësi për të vënë në skenë një teatër alternativ, krijova teatrin poetik që me shumë vështirësi... mori dëftesën e pjekurisë dhe u quajt nga kritika letrare "teatri poetik e filozofik i Serafin Fankos". Në fakt ky teatër në krijimtarinë time filloi me shfaqjen "Kënga e dhimbjes krenare" në vitin 1981, një inskenim poetik i veprës së Migjenit në tërësi. Kjo mori 'biletën e udhëtimit', u pranua nga kritika, dhe vazhdova me dramat e tjera si "Hetimi", e autorit gjerman Petër Vajc, "Tregimi për Makbethin" formuluar mbi veprën e Shekspirit dhe të autorëve Meri e Carl Lamb dhe të introduktes se Nolit etj. Këtij teatri i përkasin edhe "Çmurosja" si dhe "Urdhëri i fundit". Edhe drama "Qyteti pa dashuri" është vazhdim i këtij teatri ku unë jam edhe regjisor, skenograf, kostumograf, përcjellës i muzikës dhe mendoj se drama ka një ndër elegjitë më të mira që mund të kem bërë, pavarësisht nga vlerat që mund të jenë edhe të diskutueshme, mbasi përsosja në art nuk ekziston.

Çfarë e mundon më shumë Serafin Fankon?

Ajo që më mundon është se shpesh ne si ballkanas jemi viktimë e ruajtjes së një psikologjie arkaike, e mbrojtjes së saj vetëm për hir të zakonit, e kjo e çon në vetasgjësim, duke shkatërruar vetveten.

COMMENTS