Shyqyri Alushi

kengetari shyqyri alushi
Këngëtari i shquar i këngës popullore dhe i ahengut qytetar shkodran Shyqyri Alushi lindi në Shkodër më 10 maj 1934.

Trashëgon pasionin për muzikën popullore nga babai i tij Alushi, i cili ishte këngëtar dhe muziktarë popullor në fyell dhe zumare. Shyqi bëhet këngëtar në ambjentet muzikore të shtëpive dhe lagjeve të Shkodrës duke dëgjuar drejtpërsëdrejti ose nga pllakat e gramafonit mjeshtrat e ahengut si Sadik Spahija, Shuk Prifti, Sait Hoxha, Hasan Preza, Marku i Kranjanes etj. Që në moshën 10-vjeçare këndon me shokët e lagjes.

Më 1956 këndon këngët e para popullore në koncertin e organizuar me rastin e inagurimit të "Kinema Republika" në Shkodër. Për një kohë të gjatë këndon si këngëtar nëpër dasma në Shkodër dhe fshatrat përreth, lokale të ndryshme si dhe në shtëpinë e oficerave. Në "Lulishte 1 Maji", Shyqyriu shoqërohej nga orkestra popullore e Adil Ujkashit. Në vitin 1974-1986 këndon si këngëtar profesionist pranë Estradës së Shkodrës deri sa doli në pension. Ka marrë pjesë në të gjitha festivalet dhe koncertet e organizuara në Shkodër si dhe në të gjitha përfaqësimet e folklorit muzikor shkodran në festivalet folklorike kombëtare dhe në Kosovë. Ka marrë pjesë gjithashtu në shumë turne ndërkombëtare si në Rumani, Portugali, Turqi, Francë, Gjermani, Mali i Zi etj.

Shyqyri Alushi mbahet si këngëtari i fundit i ahengut shkodran. Në Shkodër të gjithë i thërrasin "Mjeshtri i ahengut shkodran".

Regjistrimet e tij muzikore janë kryesisht pranë "Radio Tirana" dhe "Radio Shkodra". Ndër këngët e arta të repertorit të tij përmendim: "T'parën herë kur jena pa". "Kur natyra kenka veshur", "Thotë lulja për lulen", "Larg të pash e mirë të njofta", "Pranvera filloi me ardhë", "Nëpër fusha në kodrina", "Eni more shokë", "Sa e bukur je natyr" etj.

Të shumta janë çmimet dhe dekoratat që ka marrë gjatë gjithë karrierës së tij artistike.

Në vitin 1984 i jepet titulli "Artist i Merituar"; në vitin 1996 në festivalin e këngës popullore qytetare i jepet "Çmimi i Karrierës"; në vitin 1999 me rastin e 65 vjetorit të lindjes, Bashkia e Shkodrës i jep titullin "Krenaria e Qytetit", etj.

COMMENTS