Simon Gjoni, kompozitor dhe ndër dirigjentët e parë të orkestrave tona simfonike

simon gjoni hermira gjoni
Hermira dhe Simon Gjoni
Kompozitori Simon Gjoni lindi në Shkodër më 28 tetor 1925. Talentin e tij e spikati që kur ishte i ri dhe kur kontribuoi si drejtues i shumë formacioneve të ndryshme orkestrale dhe vokale të qytetit të Shkodrës. Me një sensibilitet dhe origjinalitet të dukshëm në kompozicion ai krijoi në vitet 1946-1947 një seri këngësh të paharruara që shquhen sa për ndjeshmërinë e tyre sa poetike aq edhe të sinqerta, të figurshme dhe fisnike si, "Luleborë", "Sy larushes", "Sytë e tu si drita", "Fyelli i çobanit", "Nëna dhe çika", etj. Ishin pikërisht këto këngë të cilat e çuan më tej traditën qytetare të lirikës shkodrane ndërsa u përhapën me shpejtësinë e dritës në Shqipëri.

Në Moskë, në vitin 1956 trio Mula, Athanas, Tukiçi, korri sukses të jashtëzakonshëm me këngën "Lule-bore", në Vjenë në vitin 1961 festivali i rinisë u çel me introduksionin e "Lule-bore". E, sot, ajo këndohet së bashku me publikun dhe në Nju Jork, ku koncertet përfundojnë me himnin e këngës shqiptare "Lule-bore".

Simon Gjoni studimet e larta i kreu në Akademinë e Lartë muzikore të Pragës, në klasën e dirigjimit sinfonik me profesorët V. Smetacek, R. Brook, A. Klima.

Në vitin 1954, ai ishte pjesëmarrës si kompozitor në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës, së bashku me kolosët botërore si Shoporin, Janson, Rihter, Fisher, Fournet, etj.

Në vitin 1956 në sallën "Mestska Knihovna" dirigjon "Rosamunda" të Franz Schubert dhe "Perr Gynt" të Edvard Grieg. Po në këtë kohë dirigjon veprën "Pygmalion" të kompozitorit Jiří Benda. Në vitin 1957 në sallen "Dum Umelco" ai drejtoi "Simfoninë orkestrale për violinë e kontrabas" të Carl Ditters von Dittersdorf.

Suksesi i këtij koncerti pasohet nga ai i pjesës simfonike të Franc Listzi-it "Les Preludes". Simon Gjoni, është një ndër dirigjentët e parë të orkestrave tona simfonike të Teatrit të Operas dhe Baletit dhe të Radio-Televizionit Shqiptar. Në vitin 1958, kur u emërua dirigjent i Teatrin të Operas dhe Baletit (TOB), shumë vepra të shquara e gjetën interpretimin e "parë" tek dirigjenti i ri, i cili i interpretoi ato duke zbuluar ngarkesën emocionale të tyre me një ndjeshmëri të lartë. Përmendet baleti "Lola", "Laurencia", operat "Berberi i Seviljes", "Françeska da Rimini", "Paliaçot", "Pranvera", "Don Paskuale", etj.

Për herë të parë nën kujdesin e tij incizoi krijimtarinë e deriatëhershme të kompozitorëve shqiptarë; Zadeja, Gaci, Nova, Grimci, opereten "Lejlaja" të Tish Daisë, opereten "Agimi" të K. Konos, Koncertin nr.1 për violinë të Zoraqit, Rapsodinë për piano dhe orkestër të Tonin Harapit, gjithashtu edhe muzikën e disa filmave shqiptare. Nga autorët e huaj ekzekutoi për herë të parë në Shqipëri Beethoven "Simfoni nr.8", Mendelson "Uverture", Beethoven "Eleonora", Uverture K.M. Veber "Gjuetari Magjik", Liszt "Prelude", Dvorzhak "Valle simfonike".

Në vitin 1959, Simoni sapo ishte kthyer nga studimet në Akademinë e Lartë Muzikore të Pragës në Çekosllovaki, ku dhe ishte diplomuar, njihet me pianisten Hermira Fico, që do të bëhej më pas bashkëshorti i saj dhe kolegu më i mirë në jetën profesionale.

Në maj të vitit 1960 kompozoi oden lirike "Pranvera jonë", me tekst të Ismail Kadare, dhe një suitë simfonike me katër kohë. Një vit më pas kompozoi "Poema e rapsodit" për bas-celo-piano. Balada "Lufton shqipja" u këndua menjëherë nga basi i papërsëritshëm Lukë Kaçaj.

Në 1962 ai kompozoi vallen e parë simfonike shqiptare, e pasuar më pas me 10 valle simfonike të tjera që paraqesin një gërshetim të mrekullueshëm të muzikës së kultivuar me muzikën popullore. Secila nga vallet është një vepër më vete krejt e veçantë dhe e ndryshme nga të tjerat. Si pedagog Simon Gjoni, dha nje kontribut të çmuar deri në çastet e fundit të jetës, duke përgatitur me dhjetëra studentë.

Ai ishte një ndër pedagogët e parë në themelimin e Konservatorit Shtetëror të Tiranës së bashku me Çesk Zadenë, Tonin Guraziun, Ymer Skënderin. Shumë muzikantë e cilësojnë Simon Gjonin si një shembull të rrallë ku gjeneratat mund të mësojnë për kërkesat sistematike, këmbënguljen dhe disiplinën e lartë artistike.

Simon Gjoni vdiq më 31 tetor 1991. Emri i tij, siç e ka cilësuar Zadeja i madh, "do të mbetet i skalitur në pentagramin e muzikës shqiptare, së cilës i shërbeu me dashuri dhe respekt".

COMMENTS