Velipojë, Velipoja

velipoja velipoje shkoder
Velipoja është një fshat në Komunën Velipojë në Rrethin e Shkodrës, Qarku Shkodër.
Emri Velipojë mendohet se vjen nga sllavishtja e vjetër (Velikopoje - Fushë e Madhe). Zona turistike shtrihet në një sipërfaqe 300 ha dhe kufizohet në veri me rezervatin e Menaxhuar të Velipojës, në jug me detin Adriatik, në lindje me rrethin e Lezhës dhe në perëndim me lumin Buna.

Derdhja e Bunës në veri të vendit shënjon drejt jugut vijën bregdetare shqiptare. Ranishtja më veriore e vendit është ajo e Velipojës, që gjendet rreth 25 km larg qytetit të Shkodër. Këtu ka mbi 250 ditë me diell. Gjatë verës temperaturat arrijnë mbi 20 °C. Pranë ranishtes të Velipojës ndodhet edhe laguna e Vilunit me një sipërfaqe prej rreth 130 hektarë. Ky është një ekosistem i rëndësishëm për folëzimin e shpendëve ujorë, me 183 lloje; ndodhet edhe një rezervat gjuetie prej 700 hektarë.

Velipoja është një qendër turistike mjaft e këndshme, me peizazh të larmishëm, ku ndërthuren hijeshim det, ranishtja, lumi, delta me ishuj, kodra, pylli, laguna, fusha, ligatinat; vendi më i përshtatshëm për të vrojtuar zogjtë e Adriatikut Lindor në dunat e rërës dhe pellgjet e cekta të ujit; trevë me popullim të hershëm, tradita të pasura etno-folklorike, me fermerë dhe peshkatarë të zotë, mikpritës të njohur.

Velipoja u ofron pushuesve mundësinë për të kaluar pushime në një vijë bregdetare me ujë të pastër dhe me rërë të imët, por jo vetëm kaq, ajo është e pasur me vlera unike natyrore, në të cilat dallohen: Ranishtja e madhe me gjatësi 14 km dhe gjerësi 50-200 m me rërë të imët dhe të pastër, e cila quhet nga banorët "râna e dermanit" për vetitë e saja kuruese.

Plazhi ripërtërihet çdo vit nga baticat dhe zbaticat. Rëra e bregut të të gjithë ranishtes ka përqindjen më të lartë të jodit në të gjithë bregdetin shqiptar. Plazhi rrethohet nga pylli me drurë të lartë pishe e drurë të tjerë halorë e fletor, me shkurre përherë të blerta, lugina plot me bimësi ujore, duna, etj.

Fshati bregdetar, ranishtja e madhe dhe qendra turistike shtrihen në jugperëndim të Shkodrës, relievi është gati tërësisht fushor, nga 1-3 metra mbi nivelin e detit deri ne 550 metra.

Velipoja ka një klimë të butë (temperatura mesatare 6-7 °C), vera është mjaft e nxehtë (temperatura mesatare e Korrikut, 24 °C deri ne 48 °C píku në periudhën Korrik-Gusht). Periudha e përshtatshme për banjo dielli fillon ne muajin qershor dhe vazhdon deri në fund të shtatorit. Bien rreth 1400 mm reshje në vit, kryesisht të përqendruara në gjysmën e dytë të vjeshtës, dhe dimrit.

velipoje velipoja shkoder
Kjo zonë turistike ka status, sipas vendimi Nr.682, datë 2.11.2005 të K.M, për shpalljen e lumit Buna dhe të territoreve ligatinore përreth tij "Peizazh ujor dhe tokësor i mbrojtur". Këtu përfshihen zona e lumit Buna, së bashku me deltën dhe ishullin e Franc Jozefit, rezervati i Velipojës, laguna e Vilunit, plazhi i Baks-Rjollit dhe këneta e Domnit. Gjithashtu sipas vendimit nr. 683, datë 2.11. 2005 të K.M., kjo zonë shpallet zonë natyrore veçanërisht e mbrojtur dhe përfshihet në listën e konventës "Ramstar", "Për ligatinat me rëndësi ndërkombëtare, veçanërisht si habitate të shpendëve ujorë" të territorit natyror të kompleksit ligatinor të liqenit të Shkodrës duke përfshirë ishullin e Franc Jozefit, rezervatin e Velipojës, lagunën e Vilunit, plazhin e Baks-Rjollit dhe kënetën e Domnit.

COMMENTS