Vinçenc Prennushi

vincenc prennushi
Vinçenc Prennushi lindi në Shkodër më 4 shtator 1885. U rrit në një familje modeste, në Lagjen Rus, në rrugicën e Makajve. Prindërit e tij ishin Gjon e Drande Prennushi. Është pagëzuar me emrin Nikollë (Kolë). Mësimet e para i mori në vendlindje dhe i vazhdoi në seminarin e njohur të Troshanit, ku, iu kushtua Urdhërit Françeskan (O.F.M.) më 1900.

Më 25 mars 1908, shugurohet meshtar i Urdhërit Françeskan O.F.M. duke marrë dhe emrin Át Vinçenc. Shkollën për teologji e filozofi e kreu në Tirol të Austrisë. U bë njohës i mirë i shumë gjuhëve dhe kulturave evropiane, sidomos asaj gjermane. "Kangët" e Prennushit u bënë themeli mbi të cilin më vonë do të ngrihej vepra monumentale kombëtare; "Visaret e Kombit". Ky botim pati një jehonë të gjerë në vend, por sidomos në emigracionin shqiptar.

Me të ardhun në Atdhe përjetoi një nga ngjarjet më të rënda të qytetit të vet të lindjës, së Shkodrës së rrëthuar nga malazeztë dhe pushtimit të saj të përkohshëm në vitin 1913, ku preku me dorë "lugën e urisë" së cilës, pak ditë mbas fitimit të Lirisë dhe bashkimit të qytetit me Shqipërinë e Pavarun, do të ishte pikërisht At Vinçenci, që më 14 mars 1914, kur në Kështjellën Rozafat u ngrit me brohoritjen e mbarë popullit të Shkodrës Flamuri Kombëtar, do të ishte Ai frati i zgjedhur që do të mbante fjalimin e rastit aty.

Në vitin 1917, ishte anëtar i "Komisisë Letrare Shqipe" në Shkodër ku u përcaktuan rregullat e para të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Më 1918 botoi "Fjala e Zotit" si dhe "Grueja shqyptare" e para vepër letrare e tij e botuar në shtypshkronjën françeskane. Më 1919, botoi dhe shfaqi në Shkodër dramën "E tradhtuemja", një përshtatje e goditur nga T. A. Rolando. Në vitin 1921, në moshën 36-vjeçare, boton përmbledhjen e njohur poetike: "Gjeth' e Lule". Poezi të bukura, të ëmbla e delikate. Ai ishte pendë letrare dhe shkencore ndër fletoret më në zë të klerit, ishte një drejtues i "Hyllit të Dritës", "Lajmtari i Zemrës së Krishtit", "Zani i Shna Ndout" por, ai ishte edhe një ndër thëmeluesit e bashkëpunëtorët e grupit më me rëndësi të Opozitës Shqiptare, që në vitin 1923–24 formuan edhe fletorën e tyre "Ora e Maleve", ku, At Vinçenci, është ndër penat më me vlerë të demokracisë që posa kishte lindë në Shqipëri. Më 1924 boton broshurën "Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë", At Vinçenci jep mendime të sakta për një shtet të ëndërruar demokratik të tipit Përëndimor. Botoi përkthimin e bukur "Fabiola" apo "Kisha nën dhe e mbi dhe" e Kardinalit Visseman. Përktheu, gjithashtu, disa vepra nga Dante Alighieri. Në vitin 1933, përktheu e botoi romanin "Quo Vadis" (Ku po shkon?) të E. Sienkievicz-it. Në vitin 1939, përktheu dhe botoi romanin e Silvio Pelico-s "Burgjet e mia". Në vitin 1940, u emërua Argjipeshkëv i Durrësit. Më 19 Mars 1936 Selia e Shenjtë e emëron ipeshkëv i Sapës, detyrë që e mban deri në vitin 1940, kur emërohet Argjipeshkën Metropolitan i Dioçezit të Durrësit, duke pasë nën administrim kryeqytetin Tirana.

Mbas vdekjes së Imzot Gaspër Thaçitm, në Shkodër më 26 maj 1946, dhe arrestimit të Don Mikel Koliqit, famullitar i Shkodrës, Imz. Prennushi ngarkohet me detyrën e Primatit Katolik të Shqipërisë. Nuk duhet lënë pa theksuar se mbas vitit 1940, kur është edhe administrator i Tiranës, ai kishte përkrah Imz. Luigj Bumçin, Don Shtjefën Kurtin, At Pjetër Meshkallën, At Anton Harapin, At Mati Prennushin, Don Lazër Shantojën, të cilët kanë lënë mbresa të pashlyeshme në jetën e kryeqytetasve. Gjendja e keqe shëndetësore e Bumçit, në vitin 1945 ndoshta, rëndoi punën e Imzot Prennushit, por fatmirësisht ky jo vetëm e kreu me nderë detyrën e klerikut të devotshëm, por edhe nuk i la asgjë mangët Imzot Bumçit edhe në fushën politike dhe, pikërisht, në fazën më delikate të historisë përballë pushtimit fashist italian, atij gjerman dhe së fundit, atij sllavo-komunist jugosllav e rus, të vitit 1944.

Gjithnjë, duke ndjekur mësimet e Gjergj Fishtës, me fjalë të tjera, duke i pranuar modelet popullore, ai bëri që nëpër shkrimet e tij të rrjedhë gjuha e ëmbël e qytetit të tij të lindjes. Me një stil të hijshëm ai arriti të krijojë një radhë shkrimtarësh që e imituan. Prennushi mblodhi këngët e vallet e "Dasmës Shkodrane" dhe pikërisht këtu ai tregoi më mirë se askund tjetër kumbimin e ëmbël të fjalës shkodrane. Në fakt, trajtat janë me të vërtetë shkodrane, por, përmbajtja është mbarëkombëtare.

Në vitin 1945 Enver Hoxha, i kërkon një takim Imzot Prennushit dhe ky e pranon. Në atë takim ka qenë i pranishëm edhe Imzot Gaspër Thaçi.

Më 19 maj 1947 Imzot Prennushi, arrestohet dhe si të tjerët fillon kalvarin. Më 18 dhjetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit hapi gjyqin. Vëndimi i Gjykatës së Durrësit përcillet për shqyrtim në Gjykatën e Lartë të Tiranës, bashkë me një relacion të prokurorit të Durrësit. Gjykata e Lartë Ushtarake Tiranë, me datë 23 shkurt 1948, mbasi shqyrtoi çeshtjën e të pandehurve... "refuzon kërkesën e tyre".

Më 19 mars 1949 vdes nga torturat në burgun e Durrësit.

Shpallet "Martir i Demokracisë" më 8 maj 1993.

Më 26 prill 2016 shpallet i Bekuar - së bashku me 37 klerikë të tjerë katolik. Bekimi u festua në Shkodër më 5 nëntor 2016.

COMMENTS