Zef Deda

Zef Deda, aktor i teatrit Migjeni
Zef Deda lindi më 27 korrik 1950, në Shkodër. Zefi rrjedh nga një familje që artin e kanë në gen. Babai i tij ka qënë piktor dhe merrej nga pak edhe me aktrim. Daja i babait, po edhe gjyshi, kanë qënë artistë, shkrimtarë. Gjithashtu, shumë prej të afërmve kanë pasur lidhje me artin.

Talenti i tij spikati që në moshë të vogël me imitime, interpretime e duke kënduar dhe ishin pikërisht këto gjëra që e vendosën Zefin në zbatimin e ëndrrës së tij të skenës, një ëndërr e kahershme, që në vegjëli.

Zefi është shkolluar në qytetin e tij të lindjes, dhe në politeknikumin e ndërtimit në Tiranë. Fillon shkollën e lartë për gjuhë - letërsi, por nuk e mbaron dot për arsye shëndetësore. Ka punuar për më shumë se 40 vjet në Teatrin Migjeni të Shkodrës dhe ka krijuar një galeri prej disa qindra karakteresh me një mimikë e shkathtësi të shkëlqyer. Prandaj dhe është mjaft i dashur për publikun shqiptar, sidomos atë shkodran, të cilët e kanë cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë.

Artisti i Merituar, Zef Deda është një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë që vazhdon duke ushtruar me sukses profesionin e aktorit. Është i martuar me Rozina Dedën dhe ka dy fëmij Julian Deda dhe Marjan Deda. Ndjehet krenar që stafetën e artit e ka kaluar tek dy djemtë e tij të talentuar.

Lexo më shumë: Zef dhe Julian Deda, dinastia e të qeshurës

COMMENTS