Zef Jubani

zef jubani
Zef Jubani lindi në Shkodër në vitin 1818. Ideolog i Rilindjes, ekonomist, folklorist e shkrimtar, themelues i organizatës së shegertëve "Shoqëria ndihmëtare" në Shkodër.

I biri i Ndok Illisë, djali i tretë i tij, i cili kishte marrë pjesë në luftime krahas me forcat e Kara-Mahmut Pashës, që u zhvilluan kundër ushtrisë osmane në vitin 1786. I ati i Zefit, Ndok Illia qe dërguar në shërbime zyrtare prej anës së Vezirit të Shkodres, Mustafa Pashës, herë në Vjenë, herë në Serbi, herë në Trieste etj., vise të jashtme. Ndoka qe martuar me një italiane të strehuar në Shkodër. Nga kjo martesë lindi Zefi, i cili meqenëse dajat i kishte në Maltë, qe dërguar për studime atje, ku kreu shkollën e mesme tregtare. Zefi me kohë, ra në kontakte tregtare me anglezë e italianë dhe, i ndikuar nga idetë e kohës, nisen t'i ngjallen ndjenjat patriotike që me kohën ia forcuan dashurinë për vendin e dëshirën për lirinë e atdheut nga zgjedha e huaj. Mbasi iu vra i ati, Zefi në vitin 1841 u kthye në atdhe dhe në Shkodër qe ngarkuar me detyra të ndryshme nga ana e qeverisë; për një kohë qe ngarkuar me dëtyrën e furnizuesit të drithit për popullsinë e vendit dhe gjithë Rumelisë.

Në vitin 1848 Zef Jubani hyri në shërbim të konsullatës franceze. Konsulli Hecquard e kishte Zefin në patronazh. Duhet të konsiderohet ndër të parët pararëndës të Rilindjes, personalitet i kulturuar dhe i pajisur me ide patriotike e përparimtare. Qe kurdoherë një kundërshtarë i klerit katolik të huaj. Që më atë kohë ai e kishte psikologjisë mirë popullin e Shkodres. Veprimtaria patriotike e tij nuk përkonte me mendësinë e shtresës feudale, prandaj përbuzej; veprat e tij për shumë kohë mbeten në heshtje, kontributi i tij në lamën historike, folklorike e letrare u vlerësuan me rezerva në presionin e disa qarqeve konservatore e antikombëtare.

Më 1862 bashkëpunoi në organizmin e lëvizjes antiosmane të Mirditës. Autor i veprave: "Përmbledhje këngësh popullore dhe rapsodi poemash shqiptare", "Aktualiteti i popullit të Shqipërisë së Veriut", "Kundrime mbi gjendjen morale dhe intelektuale të popullit shqiptar", etj.

Më 1871, botoi në Trieste "Përmbledhje këngësh popullore dhe rrapsodish shqiptare". Rëndësia e këtij libri qëndron në atë se është përmbledhja e parë e folklorit nga një autor shqiptar brenda vendit. Këngët historike me temë patriotike e kanë vlerën e vet të veçantë, të cilat frymëzonin masat e gjëra popullore për çlirimin kombëtar. Në libër autori ka përfshi edhe disa krijime të autorëve tjerë, si dhe një poezi të bukur nga një autor anonim me titull "Zâni i kasnecëve"; kjo vjershë ishte një kushtrim kundër pushtuesve turq, e ndërtuar bukur artistikisht dhe me porosi të qarta atdhetare. Ishte e përkthyer edhe frengjisht dhe kishte pasur ribotime. Prej saj u frymëzua edhe Pashko Vasa dhe shkroi poezinë "O moj Shqypni".

Zef Jubani shkroi edhe libra tjerë me tema historike e ekonomike, por edhe librin "Histori e Gjergj Kastriotit", që i mbeti i pa mbaruar dhe pa botuar. Më 1878, në Venedik botoi vepren "Projekt lundrimi me avulloret italiane në Adriatik, tregtia e Venedikut me Shqiperinë". Jubani ishte për zhvillimin ekonomik të vendit, për ndërtimin e rrugëve dhe të hekurudhave, për krijimin e shoqërive ekonomike, për themelimin e ndërmarrjeve publike, për zhvillimin e mëtejshëm të tregtisë së jashtme. Kërkoi që mësuesit të ishin vendës, që arsimi të kishte karakter kombëtar, demokratik e laik.

Zef Jubani njihet si krijues i një alfabeti të posaçëm me bazë latine. Si atdhetar dhe mendimtar i dha një ndihmëse të vyer Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, dhe pak para se të ndërronte jetë i jep testamentin e tij mikut Pjetër Gurakuqit.

U nda nga jeta më 1 shkurt 1880, në Shkodër.

COMMENTS