Zef Kolombi, Piktor i Popullit

Zef Kolombi, Piktor i Popullit
Zef Kolombi u lind në Sarajevë më 3 mars 1907. Babai Gjon Kolombi qe shkodran, ndërsa nëna e tij Franciska Hajdovnik (Kolombi) qe sllovene, të dy prej familjesh katolike. Gjoni qe pronar i një hoteli të vogël në Sarajevë, ku pat shkuar që i ri. Zefi dhe e motra Vera mbetën jetimë shumë shpejt, pasi në vitin 1910 u vdes babai, dhë një vit më vonë edhe nëna. Për ta u kujdes gjyshja, e cila i solli në Shkodër. Pas vdekjes së gjyshes, për jetimët u kujdes nuni i tyre Sokrat Shkreli, pronar i "Grand hotelit" të vogël në rrugën pranë ish- dispancerisë. Guzhinjere e hotelit qe gruaja e tij austriake Mici, mjeshtre e gatimit. Përvojen e mrekullueshme të saj në gatim e mori Vera motra e Zefit. Për disa kohë me jetimët e vegjël u muar nanëbabja e tyre. Sokrati e regjistroi Zefin 6 vjeçar në shkollën austriake që njihej me emrin "Shylbryder" dhe që drejtohej nga klerikë katolikë austriakë. Në mësime shkonte shumë mirë, por dëshira e tij e hershme qe vizatimi. Qe në moshë të vogël, kur takohet me një dashamirës italian, i cili duke parë talentin e tij, merr leje për ta marrë për studime në itali. Për fatin e keq të Zefit, bamirësi italian vdes në Vlorë, duke e lën Zefin mes katër rrugëve. Një tjetër "bamirës" e shoqëron Zefin për në Itali për të shfrytëzuar talentin e tij. Në vend që ta rregjistronte në ndonjë shkollë arti, ai e mbajti në ndërmarrjen e tij si një nëpunës pa rrogë. Kishte leje ditët e diela për të shetitur nëpër Romë. Këto, siç thoshte vetë ai, qenë ditët më frutdhënëse në ravizimin e veprmtarisë artistike të ardhshme të tij. Pikturat e famshme të Mikelangjelos e të kolosve të tjerë të pikturës italiane, veprat e të cilëve ishin shpërndar në katër anët e Romës, duke filluar nga bazilika e Shën Pjetrit, lanë mbresë të pashlyer tek Zefi i ri. Aq të shpeshta qenë vizitat sa kjo u ra në sy të disa të rinjëve italianë, të cilët folën për një shqiptar të mitur të apasionuar pas pikturës. Ata e këshillojnë Zefin të rregjistrohet në një shkollë nate. Ndërkaq pronari që e mori në kujdestari, u përpoq t'i mbushte mendjen Zefit të merrte për grua vajzën e tij. Për Zefin, kjo ofertë ishte e papranushme pasi ai ishte në kërkim të një "fejuare" tjetër, pikturës. Si kundërpërgjigje pronari e padit Zefin si një njëri i padëshirueshëm. Autoritetet italiane e dëbojnë atë për në vend lindje të tij Sarajevë, duke e rregjistruar në një shkollë edukimi. Në takimin më të parë që ai pati me drejtorin e shkollës, ky i fundit, i bindur se nuk kishte të bënte me një vagabond, e lejoi të largohej prej saj. Në Sarajevë praktikoi për disa kohë talentin e tij duke bërë dhe shitur vizatime. Në moshën 18 vjeç kthehet përsëri në Shkodër, tek nuni i tij Sokrat Shkreli. Kjo është koha kur Zefi jepet plotësisht pas artit të pikturë, ndonëse pa një shkollë arti, ai realizon piktura mjaft të bukura me të cilat zbukuronte hotelin dhe njëkohësish i shiste për të nxjerrë ndonjë fitim sado të vogël me të cilët blinte bojrat dhe penelat, mjete aq të çmuara për të. Dëshira e tij ishte që të merrte një bursë shteti për të studiuar në Itali për pikturë. Mbas shumë përpjekjesh është një grua, e cila e mahnitur nga talenti i tij, pas një portreti që Zefi i bën asaj, i lutet mbretit Zog për t'i akorduar një bursë studimi këtij djaloshi të gjatë, të vrejtur, të sinqertë. Dëshira iu realizua. Më 1920 Zefi rregjistrohet në Akademinë e Arteve të Bukura të Romës, me kusht që të vazhdonte natën shkollën e mesme të cilën nuk pat arritur ta përfundonte në Sarajevë. Qe një periudhë shumë e vështirë për Zefin, të cilit iu desh të ndiqte dy shkolla dhe njëkohësisht të punonte për të fituar parat e nevojshme për jetesë. Qe ndërhyrja e ministrit të arsimit të asaj kohe Hilë Mosit, që Zefi të fillonte të merrte bursën e premtuar. Qe një student i shkëlqyer. Konsullata e jonë në Romë- sipas një letre që Hilë Mosi i dërgonte Sokrat Shkrelit- njoftonte: Zef Kolombi po na nderon. Ai s'din gja tjetër veçse nga Akademia në pension dhe nga pensioni në Akademi...

Pas përfundimit të Akademisë, kthehet në Shqipëri dhe me dekretin e Ministrit të Arsimit nr. 90 datë 28.10.1933, të firmosur nga Dr. Mirash Ivanaj emrohet profesor i vizatimit në Normalen e Elbasanit, detyrë të cilën e fillon me 2 nëntor 1933. Në Elbasan martohet me mësuesen Liri Papamihali, e cila vdes shpejt duke lënë Julianin jetim. Me ndërhyrjen e motres Vera, që kishte miqësi me familjen Kol Koleka në Durrës, Zefi martohet me Tonine Demen, mbesa Kolës dhe e bija e zanatçiut Gjokë Dema, fisi i të cilit njihet për meshtarët dhe ipeshkvijtë që ka nxjerrë në vite. Me Toninen pati një fëmijë Gjovalinin. Në vitet e fundit të banimit në Elbasan Zefi mori një të ftohur të rëndë. Gjendja e tij qe mjaft e keqësuar, kur ai transferohet në Gjimnazin e Shkodrës, në fillimet e viti 1944. Pasi ndryshoi dy herë banesën, Zefi vendoset në rrugën e Gurazezve, në ish-shtëpinë e familjes Guraziu. Në Shkodër ai vazhdoi të japë mësim në gjimnaz dhe në pedagogjike. Në kujtimet e nxënësve të tij ai mbetet mësuesi i talentuar dhe i respektuar i vizatimit që gjente me të rinjtë gjithnjë gjuhën e përbashkët. Megjithëse lënda e vizatimit ishte jo aq e rëndësishme, qe Zefi që e bëri atë të respektohej dhe të ndiqej me andje nga nxënësit. Mësuesi Zef Kolombi të impononte seriozitet me mënyrën e zhvillimit të mësimit, me të folurën e tij të ngadaltë dhe shumë tërheqëse. Përvojën e tij si mësues i vizatimit e sintetizoi në librin: "Prespektiva vijësore e projektueshme", libër nga i cili fatkeqësisht, kanë mbetur vetëm disa faqe. Shtëpia ku jetoi familja e Zef Kolombit ishte përdhese me dhoma të mëdha. Në oborr qe një pus i bashkëpërdorur me familjen e Kolë Shanit. Pran pusit qe një lug guri për larje rrobash. Në oborr ndodhej edhe një mand i madh, nën hije të cilit Zefi vazhdonte të pikturonte. Të asaj periudhe qenë portreti i të birit Gjovalinit dhe Julianit.

Skënderbeu në luftë me persët - Zef Kolombi, 1927
E ftohura e rëndë që Zefi pat marr qysh në Elbasan nuk e la rahat edhe në Shkodër, madje sa vinte gjendja e tij shëndetësore keqësohej. Antibiotikët akoma nuk ishin futur në vendin tonë. Një ditë nëntori të vitit 1948 shkon në zall të Kirit, pranë kodrave të Renzit që të pikturonte sfondin për tabllonë e fundit të tij "Masakrat". Duke qëndruar për orë të tëra në erën e fortë të grykës së Kirit mori goditjen fatale. Që nga ajo ditë shëndeti i tij, megjithë kujdesin e jashtëzakonshëm të gruas së tij Tonines, veçse përkeqësohej. Në mbrëmjen e datës 23 janar 1949, pasi u rrëfye dhe u vojue nga Pater Benardin Palaj, mbylli sytë. Qe një rrëfim i jashtëzakonshëm - i pat thënë ky i fundit kunatit të Zefit, përkthyesit të Eneidas së Virgjilit, Prof. Mark Dema.

Per meritat e mëdha të tij në fushën e arsimit dhe të pikturës pas vdekjes Zef Kolombi është nderuar me titujt "Mësues i Merituar" dhe "Piktor i Merituar" dhe pas viteve '90 ai mori titullin "Piktor i Popullit".

Gjovalin Kolombi/shkodradaily.com

COMMENTS