Zogaj - Shkodër

zogaj shkoder albania
Vetëm 12 km larg qendrës së qytetit të Shkodrës, rrëzë malit të Taraboshit, në brigjet e liqenit të Shkodrës, shtrihet Zogaj, e përfshirë në vijën e verdhë të qytetit. Ajo vjen menjëherë pas Shirokës dhe bashkë me të janë ndër zonat më të bukura të Veriut. Zogaj ka një sipërfaqe prej rreth 843 metër katror bashkë me bregun pranë pjesës së liqenit që ndodhet aty. Ndërsa Shiroka është shfrytëzuar së tepërmi para viteve 90-të, Zogaj u frekuentua pas këtyre viteve, pasi më parë ishte zonë kufitare dhe nuk shkonin dot pushues. Aktualisht, Shiroka shfrytëzohet si pikë ndaluese dhe më pak si plazh, ndërsa më i frekuentuari është plazhi i Zogajt. Këtu ndodhen mbi 100 shtëpi me rreth 500 banorë. Ato janë shtëpi me shkallë prej guri në hyrje të oborreve e të banesave, me pargje guri, kryesisht dykatëshe. Në stinën e verës, disa prej shtëpive vihen në dispozicion të pushuesve.

Për të shkuar në Zogaj kalon urën e Bunës, kthehesh djathtas dhe udhëton në rrugën rrëzë Taraboshit e cila të çon fillimisht në Shirokë e pastaj në Zogaj. Rruga nga Shiroka deri në Zogaj është e ngushtë, por lokalet e shumta buzë liqenit, një pjesë e të cilëve me shkallë që zbresin nga rruga, kanë bërë zgjerime të pjesshme dhe vende parkimi për makinat. Rruga e ngushtë njëkalimëshe krijon një problem akoma më të madh sidomos për lëvizjen e autobusëve me turistë të cilët mbërrijnë deri në Shirokë dhe e kanë të vështirë të lëvizin më tej drejt Zogajve vetëm për shkak të mungesës së infrastrukturës së duhur.

Një ndër plazhet e preferuara jo vetëm për shkodranët, Zogaj ka një plazh të mrekullueshëm që laget nga uji i liqenit të Shkodrës. Relievi i ulët kodrinor, prania e mjaft gjireve të vegjël shkëmbor, plazhet me zhavorr e gjelbërim, klima shumë e shëndetshme e ndikuar nga prania e liqenit dhe malit, e bëjnë Zogajn një plazh të pëlqyeshëm. Plazhi i Zogajt, duke qenë më pak i shfrytëzuar, afron mjedise deri diku të virgjëra dhe të pëlqyeshme.

Pozita gjeografike e zonës turistike të Zogajt pranë shpatit të Taraboshit dhe të liqenit të Shkodrës ndikojnë në formimin e mikroklimave. Duke qënë buzë liqenit të Shkodrës përveç dritës direkte përfiton edhe nga reflektimi i thyerjes së dritës në sipërfaqen e ujit dhe asaj që thyhet nga shpatet e maleve. Sasia e reshjeve mesatare vjetore është rreth 1800 mm, temperaturat maksimale të ajrit janë 40°C dhe të ujit 27°C.

Në zonën turistike të Zogajt jetojnë në harmoni shumë lloje bimësh, peshqish, shpendësh dhe kafshësh. Ka mjaft lloje bimësh subendemike në formë shkurresh. Dallohet, gjithashtu, si zonë e pasur me bimë mjekësore si: trumza, balsami, primula (aguliçja) e verdhë dhe e kuqe e në veçanti është e pasur me sherbelë, me të cilën është e veshur pjesa më e madhe e malit të Taraboshit.
Fauna, si ajo tokësore ashtu dhe ajo ujore, është mjaft e pasur. Ndër llojet e kafshëve që gjenden këtu dhe që shfrytëzohen për gjueti janë derri i egër dhe lepuri. Gjithashtu gjendet ujku, dhelpra dhe disa zvarranikë. Pjesa më e madhe e faunës tokësore përbëhet nga shpendët. Numërohen rreth 240 lloje shpendësh, si: bajukla, shaptorja, karabullaku, fëllanza, zhytërrat, pata, rosa, etj. Tipike dhe shumë të bukura këtu janë pulëbardhat. Fauna ujore ofron rreth 52 lloje peshqish, si: krapi, gjuhca, ngjala, karasi, kubla, qefulli, skorta, njila, etj. Kjo pasuri e faunës dhe florës, e bëjnë këtë zonë një ekosistem shumë të veçantë dhe tërheqës.

Zona e Zogajve përveç bukurive natyrore ka bukuri të rralla arkitekturore si asnjë zonë tjetër në rajonin e Shkodrës. Shtëpitë janë shumë të veçanta, të veshura me gurë, ato më të vjetrat janë tre katëshe dhe janë quajtur kulla, me puse të thella me ujë të ftohtë. Rrugicat që gjarpërojnë nga lart të ndërtuara me kalldrëm prej guri ia shtojnë hijeshinë kësaj zone. Avantazhë për këtë destinacion turistik përbën fakti që janë bërë shumë pak ndërtime të reja me arkitektura të kohës së fundit, si rezultat i mos investimeve të shumta, çka ka ndikuar në ruajtjen e fizionomisë së tij origjinale.

Popullsia e zonës merret kryesisht me peshkim, si një aktivitet që kjo zonë ka traditë të hershme gjë që lidhet me praninë e liqenit, me blegtori e pak bujqësi. Këtu ka mjaft dru frutorë si fiq, kumbulla, gështenja, mana me trungje të gjëra të cilat qëndrojnë si dëshmitare të lashtësisë së kësaj zone, shega të cilat gjenden kudo gjatë rrugës dhe sidomos në pranverë lulet e tyre të kuqe i japin një hijeshi të rrallë e duke krijuar një pamje të veçantë. Drurë të tjerë frutorë të mbjellur bukur në formë brezaresh që ndodhen kryesisht në hyrje të zonës Zogaj që e bëjnë akoma më të bukur dhe vertetë unik këtë vend janë ullinjtë. Banorët dallohen për përpunimin e tyre dhe nxjerrjen e vajit të ullirit. Ato merren gjithashtu me prodhimin e mjaltit.

Traditë e zonës e cila vazhdon të ruhet edhe sot është punimi i qilimave artizanal. Mjafton të shohësh motivet, harmonizimin e ngjyrave të qilimave për të zbuluar botën e pasur shpirtërore të vendësve.

Përveç shijimit të veçantisë dhe bukurisë së produktit turistik të zonës, turistët mund të vizitojnë atraksionet turistike që zonat përreth ofrojnë, të tilla si: burimin e ujit të ftohtë të quajtur çezme, kishën e Shën Rrokut e cila është e lidhur me festën e Shën Rrokut që festohet me 16 gusht, bare dhe restorante. Lloji i turizmit që zhvillohet aktualisht në Zogaj është kryesisht turizëm familjar.

Si rezultat i sasisë së madhe të sherbelës që gjendet në këtë zonë, Zogaj ka ajër të pastër e shumë shëndetësor që rekomandohet sidomos për fëmijët e vegjël astmatik dhe alergjik. Duke pasë parasysh pozitën gjeografike, pasuritë natyrore e kulturore, veçantinë arkitekturore, jetën e thjeshtë si të një fshati, kjo zonë ka potenciale për zhvillimin e disa lloje turizmi si ai balnear, agro-turizmi, turizëm kurativ, dhe ai i interesit të veçantë.

E gjithë zona përbën një ekosistem delikat dhe zhvillimi i një turizmi masiv do të sillte pasoja shumë negative për të ndaj zhvillimi i turizmit duhet të karakterizohet nga zhvillimi i qëndrueshëm.

COMMENTS