Injac Zamputti

injac zamputti historian dhe studiues i shquar
Injac Zamputti, lindi në Shkodër më 12 shkurt 1910. Gjyshi i Injacit quhej Giuseppe Zamputti. Ai ishte mjek në profesion dhe iku nga Italia në vitin 1870 (mbas humbjes së shtetit të Papës në Porta Pia). Jozef -i, siç do ta thërrisnin më vonë gjyshin e Injacit, fillimisht u vendos si mjek bashkie në Kavajë, ku edhe u martua me Luigjian, nga familja e njohur raguziane Raçiç. Më pas u transferua në Durrës dhe vitet e fundit u vendos në Shkodër, ku edhe vdiq në vitin 1900. I ati i Injacit, Romolo, ka lindur në Durrës në vitin 1876. Punoi si nëpunës poste pranë Konsullatës Italiane në Shkodër. Më pas u martua me Nine Temalin, e vejë me një vajzë, familja e së cilës kishte zbritur nga Temali i Malësisë së Dukagjinit. Nga martesa e tyre patën tre fëmijë: dy vajza dhe një djalë (Injaci), i cili ishte i fundit në radhë. Romolo vdiq në mënyrë aksidentale në vitin 1911 duke e lënë Injacin jetim në moshën 1-vjeçare, së bashku me tri motrat. E ëma, Nine, i rriti fëmijët me shumë mundime.

Injaci studioi në kolegjin Saverian të Jezuitëve, bazë elitare edukimi nëpër të cilin kishin kaluar një pjesë e mirë e pendave të ndritura shqipe, ku u dallua për rezultate shumë të mira në mësime dhe mbi të gjitha për një sjellje shumë korrekte. Në shfaqjet muzikore dhe teatrale, traditë kjo e shkollave të asaj kohe në qytetin e Shkodrës, ai ishte mjaft aktiv duke marrë pjesë në pjesën më të madhe të aktiviteteve kulturore, artistike e sportive, bile do shënuar se si amator mori pjesë edhe si violinist pjestar i orkestrës. Qe veprimtar i rregullt i Shoqërisë kulturore Bogdani, në të cilën ai kishte marrë pjesë në mjaft prej shfaqjeve të saj, sikurse ishin melodramat e Dom Ndre Zadejës. Profesorët e atyshëm të Kolegjës, bazuar në paraqitjen e nxënësit të tyre vendosën që në vitin 1931, ta mbajnë aty si mësues të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në moshën 21-vjeçare Zamputti do të ishte kështu koleg me Dom Ndre Mjedjen dhe Atë Zef (Giuseppe) Valentinin S. J, një privilegj që pak kush mund ta kishte në atë kohë. I gjendur ndërmjet këtyre dy personaliteteve më në zë të Akademisë Albanologjike Saveriane, pa lënë mënjanë as At Fulvio Cordignano-n S.J., Zamputti përfitoi jashtëzakonisht shumë prej tyre, gjë e cila u reflektua në formimin e tij solit, i cili prodhoi më pas një punë të cilësuar shkencore gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit të XX në sudimet albanologjike. Injac Zamputti shkrimet e para i botoi në revistën Leka, por edhe në disa organe të tjera të shtypit të kohës si Cirka, Kumbona e së diellës, Lajmëtari i Zemers T' Jezu Krishtit, Shkëndija, kryesisht artikuj kulturorë, letrarë e gjuhësorë, reçensione e kritikë letrare për autorë të tillë si Fulvio Cordignano, Gjergj Fishta, Zef Skiroi, Arshi Pipa, Zef Harapi etj., por edhe poezi, novela, e përkthime etj., duke përdorur, përveç emrit të tij edhe dymbëdhjetë pseudonime të ndryshme të tillësi: Ales, Notarios, Pol-iglota, Rosea, Sila, Sirena, Stal, Z= i Zeta (j), R.N. Modës së asaj kohe të botimit me pseudonim iu shmangën kryesisht kritikat letrare. Në vitin 1937 martohet me Rozën, një vajzë nga familja shkodrane Prela, e cila ishte ngushëllimi më i bukur i mundshëm i jetës familjare, me të cilën pati 6 fëmijë; 5 vajza dhe një djalë. Për dashurinë e thellë që ai kultivoi ndaj familjes, dashuri të cilën ai konsideronte si gjënë më të shtrenjtë, nuk kurseu as atëherë kur vështirësitë jo të pakta që pati në jetë iu bënë "ferrë". Sikurse do e shohim më pas ai mundi të dalë prej andej pa i cënuar virtytet e tij morale aristokrate, të cilat shumëkush në kohën e tij me apo pa dëshirë i la mënjanë.

Studioi në Universitetin e Triestes për Shkencat Politike ku mbron temën "700-a Veneciane dhe Shqipëria". Është akoma në fazën e parë të veprës e cila deri në fund të Luftës së Dytë Botërore i përket krijimtarisë letrare. Bashkëkohës i Ernest Koliqit, Migjenit, Myzafer e Arshi Pipës, shkroi publicistikë në "Hylli i Dritës", "Leka" dhe në "Kumbona e së dielës". Botoi vëllimet me novela "Zemra njerëzish", "Atje, nën hijen e Rozafës", melodramën "Damiani himariot". Pas luftës, më 1945, punon si drejtues i Shtëpisë së Kulturës në Shkoder e më pas, 1946-48, dërgohet në Gjirokaster si mësues letërsie në liceun e atij qyteti. Me hapjen e Institutit të Shkencave (më pas Instituti i Historisë) thirret në Tiranë ku i caktohet dega e historisë së mesjetës. Në Institutin e Historisë Zamputti punoi për rreth 40 vjet me radhë duke transkriptuar, përkthyer dhe komentuar mijëra dokumente të rëndësishme për historinë e Shqipërisë falë njohjes shumë të mirë të latinishtes dhe italishtes mesjetare, paleografisë dhe arkivistikës.

Ndër punimet e para është zbërthimi i alfabetit të dorëshkrimit të quajtur "Anonimi i Elbasanit", transkriptimi e komentimi i tij duke e çuar së paku në shek. XVII lëvizjen e ritit ortodoks për një liturgji në gjuhën shqipe. Po kështu zbërthen alfabetin e panjohur të shek. XIX të një poezie me përmbajtje bektashiane. Më pas boton librin "Perpjekjet e shqiptarëve për liri e pavarësi në shek. XVI-XVII". Në atë periudhë fillon të pergatisë kuadrin e ri për dokumentacionin e periudhës së mesjetës, u jep drejtime se ku të shkojnë për ta kërkuar në arkivat e ndryshme të Venecias, Vatikanit, Raguzës etj. Konkluzionet e studimeve të dokumentacionit botoheshin në formë artikujsh në revistën "Studime historike". Nga dokumentacioni i kohës zbulon e studjon mjaft hollësi të shkrimtarëve të vjetër shqiptarë Buzuku, Bardhi, Budi, Bogdani e të humanistëve shqiptarë Barleti e Beçikemi. Të periudhës 1960-1990 janë:
  • Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore e të Mesme në shek. XVII - vëll. I (1963)
  • Idem - vëll. II (1965)
  • Dokumente të shek. XV për Historinë e Shqipërisë - pjesa e I (1967)
  • Idem - pjesa e II (1979)
  • Regjistri i kadastrës dhe i koncesioneve për rrethin e Shkodrës 1416-1417-(1977)
  • Dokumente të shek. XVI-XVII për Historinë e Shqipërisë - vëll. I (1989)
  • Idem - vëll. II (1990)
  • Idem - vëll. III (1989)
  • Idem - vëll. IV (1990) (bashkautor Selami Pulaha).
  • Dokumente për Historinë e Shqipërisë të shek. XV - 1400-1405 (1987) (bashkautor Luan Malltezi).
Të gjitha këto vëllime janë botuar me transkriptimet origjinale, përkthimet përkatëse, me indekset e emrave të personave e të vendeve dhe me shpjegimet e duhura. Vetëm në këto vellime dokumentash numërohen më shumë se 5000 faqe. Në vitet '50 e fillimet e viteve '60 merret edhe me letërsi. Shkruan tri drama, një melodramë, dy tregime të gjata, një poemë për luftën e Himarës 1481, por nuk lejohen te botohen e, kështu heq dorë nga letërsia e i kushtohet vetëm historisë e paleografisë. E vetmja dramë që arriti të dëgjohet vetëm një herë në radio e inçizuar nga studentët e ILA më 1965 qe drama "Guri i themelit" me temë mbi Kalanë e Rozafatit. Në fundin e viteve '80 e ndjen se do të ndodhnin ndryshime të mëdha. Fillon e zgjeron aktivitetin e tij duke përkthyer më 1989 "Burgimi im" të Pashko Vasës të pajisur me parathënie e shënime të ndryshme. Të vitit 1988 janë punimet e tij me shumë interes për leximin e "Mbishkrimit të Arbërit" e "Mbishkrimit të Brarit" të cilët lexohen për herë të parë në mënyrë të plotë dhe që vendosin gurë themeli në historinë e popullit shqiptar. Të periudhës së viteve të para të demokracisë janë dy librat e tij: "Fishta - koha, njeriu, vepra" dhe "Ekskursion në dy vepra të Kadaresë" (1993). Në vitin 1993 Injac Zamputti riatdhesohet në Itali nga ku, në vitet 1995-97 boton artikuj e studime me shumë interes në revisten "Hylli i dritës" për çështje të fillimit të letërsisë në gjuhën shqipe dhe, i fundit, për aksionin kolonizues të Dionisit e luftrat iliro-romake.

Më 1995 nga Presidenti i Republikes i jepet dekorata "Punonjës i shquar i shkencës dhe i teknikës" me motivacionin "Për kontribut shumë të shquar në zhvillimin e shkencave albanologjike".

Vdiq më 28 shkurt 1998 në Tivoli (Itali) dhe, sipas porosisë së tij të fundit, eshtrat e tij prehen në varrin e familjes në Tiranë.

COMMENTS