Kupe Danja.., Arshi Pipa

arshi pipa kupe danja
Kupe Danja (Jakup Ramadani, mendohet të jetë emri i vërtetë), një figurë e njohur në Shkodër përmendur për gjestin shumë fisnik që kreu në kohën e pushtimit osman. Kur Kupe Danja pa udhës dy asqerë (ushtarë) osmanë që po ngacmonin një grua katolike, edhe pse i besimit mysliman i doli zot zonjës dhe pasi përplaset me ushtarët turq i vret të dy! Pra Kupe Danja edhe pse i të njëjtit besim me osmanët, kreu dy vrasje për një grua të një tjetër besimi! Sepse ishte shqiptare! Arshi Pipa i ka kushtuar poemën që vijon:

Kû bân brryl kah Arra e Madhe
rruga e Tepes n'për livadhe
kishin ndenjë tue pí duhan
nji çaush, nji djál azgan,
bashkë me j tjetër mâ të rí,
turq të dy dhe suvarí.
Vjen nji grue me branavekë.
Fluturon, thue me i prekë
n'tokë pashmânga; posi krahë
letë shkon kindat tue ja rrahë
era e mbrâmes, degermís,
fjolla flokësh prej shamís
neper báll i janë përdarë...
« Mbrâmja e mirë oj nusja e mbarë!
Kam nji shoq, âsht pak qyqár!
Fort maraku n'ty e ka kapë:
lidhja sŷtë e bâ seváp! »

« Pse më lodhë, moj, kish ta dishe,
shega e âmbel devedishe!
Pse më lodhë e pse më bjerrë!
Bâhem gjarpën n'u - bâfsh ferrë!
Bâhem zog n'u - bâfsh qershí
fluturoj, mbi gem të rrí!
Ato duer, mori sulltanë
s'janë për vegjë e për gjylpânë!
Në mi dhânsh, moj, gjinj e gushë
me florinj kam me t'i mbushë,
me florinj e me inxhí,
e kam babën Kujunxhí
ja grabis, t'i bâj dhantí! »

Nalt n'minare thrret akshami;
vjen tue hjekë tespijt imami.
Ngjiten burrat prej pazari,
vijnë te pusi bri çinari.
N'patalok kû losin fmija
te bakalli, simiçija
ndrrohen gjindja tash e parë;
shkon talim nji tubë ushtarë.

Kupe Danja n'ato fjalë
vên tarabat, shkon me u-falë.
E qet rruga andej me rá,
shef me sŷ, nuk don me pá.
Shef me sŷ, vjen tue u-ndezë:
« Turp e mârre! faqe e zezë!
Kaq u-bâna, kët hatá
s'e kam ndie as s'e kam pá! »
Kupe Danja llafepaku
tha nji fjalë, e ndjeu sokaku:
« S'âsht për búrr me ngucë çarçafë,
me i rá kot të vorfnit n'qafë! »
Nuk pat sosë kur briti grueja:
« Mjera vetë qi ndodha e hueja!
Mjera vetë ndër gjithkta njerz
qi m'la turku sot pa erz! »
Kupe Danja hodhi krahun:
« Mosni burra, pashë Allahun! »
« Dashke gjobën ti daí?
Kthen çaushi si n'mahí:
Kû po t'hiqet ashkel tye? »
Gjimon trimi tue shpërthye:
« Páç nishane, ngrì qofsh n'ár
i thonë erz, s'blehet n'pazár!
I thonë erz, nuk i thonë krande...»
« Kupe Danja, n'dore tânde!»
Kupe Danja doren n'brez:
« A po shkoni, faqezez? »
Vrret çaushi shokut t'vet:
« Bjeri qenit se na mbet! »
Mâ s e ngjati, i hoqi gisht...
« Ndihmo Zojë e Jezu Krisht! »
Krisi pushka, u kuq kalldrâmi:
Kupe Danes i mbet nami.

Kupe t'dalshin mendt e krés,
çka t'u-desht ty kjo ngatrresë!
Báne hasmin tánd me qeshë
vrave turk për nji kaurreshë!
« Agallarë, ju mos u-idhnoni!
Feja, fé... por âsht zakoni!
âsht kanuni qi la i pari:
mârre e dhunë nuk bân shqiptari.
Më rá ndore, ndodhi grue...
Kush e kah s âsht punë për mue.
Se qilloj për katolik:
i ndihmoj kur âsht n'rrezik,
e kam shoq s e kam anmik.
I ndihmoj si m'ka ndihmue:
sot atij e neser mue.
Ndryshe kém Bajram e Pashkë
besë e nderë i kemi bashkë!
Kët rrezik s e deshta i ngrati,
borxh m'u bâ.... qilloj sahati.
Nuk jam trim qi bâj trimní,
nuk kam emën, pasuní.
Jerevi më ka lanë baba
kam dugâjë me trí taraba.
Po s e thot as robi as Zoti
me u-poshtnue kotnasikoti,
me durue qi n'votër tande
kur t'i teket kur ti kande'
nji kopuk prej Anadollit
me t'i ba paçaver sqollit
gjithshka ma për zemër ké,
qi pa to, e bafsha bé
kot me bâ hije mbi dhe! »

Mori fjala mal e kodër.
Qofsh e parë gjithmone, o Shkodër!
Të lumtë pushka, Kupe Dane!
Kânga jote m'katër ane!

Nget bimbashi, nji harap:
« Do ta rrjepi posi sqap!
Zênje Kupen gjallë a vdekë:
ka guxue n'asqer me prekë! »

Thrret kasneci, bie nji lodër:
Qitni Kupen mori Shkodër!
S e qet Shkodra kurr Jakupin
se vrau t'flligunin, magjupin!
Mbos e mbajshin ana e vet
e mban prifti njizet vjet
me fërrlik e me sherbet!

U-çue pasha e prej inati
i muer gjindt ja hallakati,
i vû zjarmin me çka pati.
U-çue prifti, vendi mbarë,
shehërlij e katundarë,
me t'ungjillit e t'islamit,
turrevrap ju gjegjen dâmit.
Po n'at plâng e n'ato troje
mâ të bukur mbi rrenoje
ja goditën nji konak
me nji qoshk përmbi çardak.

Arshi Pipa - Burg i Gjirokastrës, 1950

Arshi Pipa, Kupe Danja

COMMENTS