Muzeu i diktaturës dhe krimeve të komunizmit në Shkodër

Muzeu i diktaturës në Shkodër
Muzeu i Krimeve të Komunizmit në Shkodër është drejt përfundimit. Tashmë është radha e kompletimit më objekte që i përkasin kohës së diktaturës. Bashkia e Shkodrës u bën thirrje familjeve që janë persekutuar nga diktatura komuniste që të ndihmojnë duke bashkëpunuar për pasurimin e Muzeut të Vuajtjeve të Diktaturës Komuniste. Për të arritur këtë qëllim duhet që të ketë objekte dhe dokumente nga familjet që janë prekur direkt nga diktatura. Nisur nga ky fakt, Bashkia e Shkodrës u ka bërë thirrje publike qytetarëve të saj që të kontribuojnë edhe ata në realizimin e këtij projekti.

"Ky muze, ndër të tjera, do të ketë edhe stenda ku do të ekspozohen objekte apo dokumente të ndryshme që flasin për periudhën e torturës dhe të dhunës ndaj individit. Të gjitha ato familje dhe individë që ruajnë objekte të kësaj natyre dhe kanë dëshirë që të kontribuojnë në pasurimin e këtij muzeu, janë të lutur të kontaktojnë me ne në Bashki, më qëllim sistemimin e tij dhe pasqyrimin me sa më shumë fakte dhe dokumente autentike që vërtetojnë tmerrin e kaluar në kohën e diktaturës", u shprehën drejtues të kulturës në Bashkinë e Shkodrës. Muzeu ka një galeri hyrëse prej betoni rreth 50 metra të gjatë, prej së cilës mbërrin te zona e ish-burgut, me 40 birucat e tmerrshme, që dikur shërbenin për izolimin e të burgosurve. Pjesë e muzeut janë edhe mjedise të tjera të jashtme, sikurse oborri i ajrimit, anekse të tjera plotësuese, si dhe pajisje, shkrime dhe të dhëna origjinale të asaj kohe, të cituara nga të burgosurit politikë.

Drejtuesi i firmës ndërtuese, Mark Gjeka, thotë se janë ruajtur strukturat e qelive dhe dëshmi të tjera të mbetura nga ajo periudhë.

Ambientet e ish-burgut dhe selisë së Sigurimit që ndodhen në të majtë të ndërtesës janë ruajtur të paprekura. Edhe ndërhyrjet që janë bërë, janë të gjitha në funksion të idesë. Kalimi nga njëri ambient në tjetrin bëhet nga elemente që të kujtojnë prangat apo dhe elemente që kanë shërbyer si pjesë të torturave. Janë ruajtur të paprekura shënimet në mure të bëra nga të burgosurit. Ky muze do të tregojë vuajtjet, torturat dhe ekzekutimet me e pa gjyq të qindra shkodranëve, të cilët në përpjekje për të kundërshtuar regjimin komunist e ideologjinë e tij, ranë viktima të terrorit dhe dhunës komuniste. Godina në qendër të qytetit të Shkodrës i ka ende të qarta gjurmët e torturave që u janë bërë intelektualëve dhe njerëzve të pafajshëm nga regjimi komunist, edhe pse kanë kaluar rreth 50 vite. Kjo ndërtesë ka qenë burgu famëkeq i viteve të pas '44-s. Shkodranët e ruajnë ende në kujtesën e tyre tmerrin e kësaj ndërtese. Madje akoma edhe sot ajo shërben si pikë referimi. "Te ish-Dega e Brendshme", i thonë shkodranët njëri-tjetrit kur duan të tregojnë diçka në afërsi të kësaj ndërtese.

Muzeu i Krimeve të Diktaturës është një projekt i përbashkët mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkisë së Shkodrës. Ai do të jetë muzeu i parë i këtij lloji në Shqipëri, pas Pavionit të Genocidit, të hapur vitet e fundit në Muzeun Kombëtar të Tiranës.

COMMENTS