Nikoleta Shoshi

Nikoleta Shoshi
Nga fituese e çmimit të parë, në heshtje të plotë. Këngëtarja që do të shkëlqente që në moshën 14-vjeçare, shumë shpejt do të harrohej, ndërsa kënga u rezistoi viteve.

Çfarë ndodhi me Nikoleta Shoshin, me fituesen e Festivalit të dytë të këngës?


Këngët që dëgjojmë të riorkestruara apo me një farë ripërpunimi, kanë historinë e tyre. "Këngët e Shekullit" u bënë aq të dashura, sa gjendeshin në çdo kompjuter apo makinë. E shkuara u rikthye me disa ngjyra të tjera. Variantet e para të atyre këngëve nuk i mbajnë mend të gjithë, për të mos folur për emrat e këngëtarëve e dublantëve (edhe termi është harruar prej vitesh). Disa prej tyre bënë historinë e muzikës së lehtë shqiptare. Kujtohen e përmenden ende sot. Sa prej nesh qëndrojnë indiferentë sa herë dëgjohet ndonjë lajm për shëndetin e Vaçe Zelës, atje ku jeton, në Zvicër?! Thuajse asnjë. Por jo të gjithë patën famën e saj. Kishte këngëtarë të tjerë, të talentuar mjaft, që nuk e kishin një dorë t'i ngrinte e t'i aktivizonte, megjithatë, qoftë për një herë, zëri iu dëgjua dhe iu dëgjua fort. Edhe pse pakkush mund të kujtojë emrin e këngëtares apo fytyrën e 14-vjeçares që e solli në skenë, këngën "Flakë e borë" e keni fare të freskët. Myfarete Laze e risolli në natën e tretë të Festivalit të 50-të Këngës në Radio Televizion, duke e përfshirë kështu në këngët më të mira në historinë e festivaleve, qysh prej të parit. Nikoleta Shoshi e pat kënduar në Festivalin e dytë të Këngës. E me gjithë ndrojtjen e emocionet e një fëmije të pamësuar me një skenë aq të madhe, arriti ta çojë këngën në krye të klasifikimit, duke e lënë kështu timbrin e zërit të saj në kujtesën e shumëkujt.

Ju vërtet mund të mos jeni aktivizuar me këngën për shumë kohë, ama ende sot, me mbiemrin Shoshi, tuajin pra, ju njohin mjaft njerëz...

E di dhe më vjen mirë, më ndodh edhe në të përditshmen, me njerëz që nuk ma pret mendja, shitësen e rastësishme të dyqanit apo situata të ngjashme. Është përherë kënaqësi, edhe pse nuk isha për një kohë të gjatë pjesë aktive e muzikës. Megjithatë, nëse për nga mbiemri më njohin me Shoshi, nga emri më njohin me Ina, pakkush me Nikoleta. Ime më, donte të ma vinte emrin Jozefina, por nuk arriti dot të fitojë mbi propozimet e tjera, ama nga i veti nuk hoqi dorë asnjëherë. Gjithë kohën, qysh kur kam lindur, më thërriste Ina, ashtu edhe të tjerët pas saj, e kështu ka mbetur.

Sa e vogël ka qenë Ina kur është marrë me këngë?

Aq sa nuk e kujtoj veten. Do të thotë që veten time e mbaj mend gjithnjë kështu, duke kënduar. Se kur kam nisur t'i shfaq shenjat e para, më kanë treguar pak prindërit, por vetë nuk e kujtoj. Bëja lëvizje apo nxirrja zë që ndoshta u tregonte diçka. Më vonë, im atë më tregonte se më merrte në punë, ishte rrobaqepës, më hipte mbi tavolinë, dhe bashkë me shokët e vet më vinin t'u këndoja.

Në Shkodër ku jetonit, kishit edhe favorin e Festivalit të Fëmijëve...

Pa mbërritur deri atje, nisa të aktivizohesha më herët në Shtëpinë e Pionierit, siç ka ndodhur nëpër të gjitha qytetet. Ende nuk kishte nisur Festivali i Fëmijëve, i pari ka qenë në vitin 1961.

Ku morët pjesë... Sa vjeç ishit?

Po, jo vetëm që mora pjesë, por ai ishte edhe suksesi i parë për mua. Isha 12 vjeç dhe mora çmim të parë dhe të dytë. Kështu ishin çmimet atëherë, merrte edhe kënga, edhe këngëtari. Mora pjesë sërish në festivalin pasardhës, në atë të dytin pra, ku fitova sërish vend të parë.

Pjesëmarrja juaj në festival nuk mund të ketë qenë e rastësishme, si ratë në sy?

Ishin pjesëmarrjet e zakonshëm në korin e shkollës apo të Shtëpisë së Pionierit. Megjithatë, kujtoj një situatë kur befas ikin dritat e kënga ndërpritet. Ka qenë kënga "Erë pranverore", të cilën vazhdova ta këndoj për qejfin tim, pavarësisht ndërprerjes. Aq duhej që lajmi të përhapej.

Po ndonjëri nga prindërit a familjarët ka qenë i lidhur me muzikën, pra a ka gisht pjesa gjenetike?

Të them të drejtën, ne jemi fis i madh dhe do gjenden disa mes tyre që këndojnë mirë, por nuk u evidentuan. Kujtoj vajzat e tezes që më thoshin "hë mi se edhe ne mirë këndojmë, nuk këndon vetëm ti". Prindërit, përveçse dashuri për këngën, nuk kishin "marrëdhënie" direkte. Kujtoj që mblidheshim të gjithë së bashku në një dhomë për të dëgjuar Sanremon. Meqë isha fare e vogël, ndodhte që sapo të niste, të më zinte gjumi. Nëna ngulmonte të më zgjonte. Këngën "Non ho l'eta" për shembull e kam dëgjuar dhe e kam riprodhuar të nesërmen.

Kështu, nga Shtëpia e Pionierit ju janë hapur dyert e festivalit më të madh që kishte vendi, apo jo?

Pa dyshim që po. Udhëheqës artistik i Shtëpisë së Pionierit në Shkodër, ishte Tonin Daija, vëllai i Tish Daisë. Përpara festivalit të Tiranës erdhi Tishi në Shkodër dhe më piketoi. Mbaj mend që për 4 orë babai më pat qepur një pallto, sepse duhet të nisesha për Tiranë. Më ka dalë Tishi me biçikletë më ka pritur te autobusi dhe, fill prej aty, edhe pse më kishte mbytur makina, shkuam të bëjmë prova.

U kujdes ai për gjithçka mandej?

Po, po. Kam ndenjur për një muaj në shtëpinë e tij. Qoftë ai, qoftë e shoqja, kujdeseshin deri në imtësi që unë të mos ftohesha e të mos më dëmtohej zëri.

Festivali ku keni marrë pjesë, ka qenë i 2-ti. A kujtoni emra që nuk harrohen ende sot dhe si i shihnit, ju ishit vetëm 14 vjeç?

Po, kemi pasur mjaft këngëtarë të mirë. Mes tyre ishte Vaçja, Besnik Taraneshi, Qemal Kërtusha, dueti Florinda dhe Ndrek Gjergji, Anita Take etj. Nuk kujtoj ndonjë emocion të veçantë përpara tyre. Veç emocionet që më pushtuan kur dola në skenë, nuk i harroj as sot. Më kishin veshur edhe taka që të dukesha një fije më e bëshme, po ku isha mësuar unë me to, s'i kisha veshur kurrë e më dridheshin gjunjët. Vaçja mbaj mend që i thoshte Tishit se kënga ishte shumë e vështirë e unë isha shumë e vogël për ta përballuar, por që në fakt nuk shkoi siç e parashikonte ajo.

Jo vetëm, u vlerësua edhe me çmim të parë...

Kënga po, ndërsa unë, me çmim të tretë, që ishte domosdo shumë për një fëmijë.

Suksesi i madh erdhi, a e pasuan të tjera? Me çfarë u morët pas festivalit?

Pas festivalit më aktivizoi Estrada e Shkodrës, që ishte nën drejtimin e Prenk Jakovës. Edhe pse ishte kënga e përmbyllëse e estradës, pra në një orar jo fort të përshtatshëm për t'u përballuar përditë, merrja pjesë dhe vlerësohesha nga njerëzit aq sa më dilnin përpara e më zinin rrugën për të më uruar tek kthehesha në shtëpi.

Tek ktheheshit në shtëpi krenare, sepse edhe paguheshit, apo jo?

Po, krenare mbi të gjitha. Më dukej gjë e madhe që çoja përnatë në shtëpi 20 lekë.

Po prej festivalit patët përfitime financiare?

Më paguan me 350 lekë për çmimin, pastaj bëra disa regjistrime në Radio Tirana dhe më dhanë 500 lekë.

I përballonte një fëmijë i vogël shfaqjet e përditshme në estradë?

Shumicën e rasteve po. Ime më insistonte të mos shkoja përditë, po ku të linte Prenku. Në një rast i pata thënë se nuk mundesha, isha ftohur e nuk kisha zë për atë natë. Ai vazhdoi të insistonte, duke më thënë se do mund ta nxirrja këngën. Në fakt nuk arrita. Ngela në mes të këngës e në mes të skenës pa zë dhe prej aty i bërtita Prenkut: "A të thashë që nuk mundesha sot?". Publiku nisi të qeshte me të madhe, u argëtua mbase më shumë seç do kënaqej po të këndoja.

Sa kohë vazhduat kështu?

Deri sa erdha në Lice, në Tiranë. Faza e konkursit u kapërcye, sepse i kisha dhënë provat, kështu që erdha drejt e në Lice.

U aktivizuat në vitet e Liceut?

Jam aktivizuar me "Dekadat e majit" e me ndonjë aktivitet tjetër, por nuk pati më interesim nga askush që të mund të vijoja në linjën e festivalit. Një fëmijë krejt i vetëm në Tiranë, po të mos e përkrahte a drejtonte njeri, nuk kishte për të shkuar larg.
Kështu mbeta në hije.

Pastaj vinte emërimi...

Më emëruan në Pukë, në Shtëpinë e Kulturës.

Ç'ishte ky vendim kaq i largët, apo ishte ndonjë njollë në familje, që binte mbi kurrizin tuaj?

Me sa dija atëherë, askush nuk ka pasur probleme. Kur e kam menduar më vonë, kam thënë që diku ka ngecur sharra në gozhdë, por jo që unë të kem marrë vesh. M'u duk e çuditshme mbi të gjitha, sepse edhe Shkodra atë kohë kishte nevojë për mësues muzike apo vende të tjera që kishin të bënin me këngën, por jo, duhet të shkoja në Pukë.

Ashtu bëtë?

Për disa muaj nuk më la familja, nuk e pranuan vendimin, por nuk mund të bëje rezistencë shumë gjatë në atë kohë. Në krye të gjashtë muajve u nisa për Pukë.

Atje do mësonit të tjerët, me aktivizimet vetjake kaq ishte?

Së pari, atje ishte një jetë krejt tjetër. Kam shkuar në Pukë një ditë të hënë, nëpër borë e nëpër akull, pa njohur kurrkënd. Shoqet e dhomës ende nuk ishin kthyer, sepse ishin në shtëpi për festa, kështu që isha fare vetëm. Por shpejt do mësohesha. Jeta ishte e bukur edhe atje, shumë të tjerë ishin si unë, kishte edhe më keq.

Aty u njohët edhe me atë që do të bëhej bashkëshorti juaj. Si, në ç'rrethana?

Edhe me Ylberin më lidhi muzika. Ai i binte shumë mirë kitarës dhe njihte shumë mirë muzikën e huaj. Me italianen ishim njohur disi edhe ne, por Rey Charlsin prej tij e kam mësuar qysh në atë kohë, e Stivi Wonder, Tina Turner e me radhë. Me profesion ishte mjek, por i lidhur shumë me muzikën. Jam dashuruar me të që në momentin e parë që e kam dëgjuar t'i binte kitarës.

Këndonit bashkë?

Po, këndonim shpesh këngë angleze, unë në piano e ai në kitarë.

Në ç'cep i këndonit këngët angleze, nuk besoj që haptazi...

Në shtëpi domosdo, kishim sinjale që nuk ishim fort të dashur që kishim mbërritur të dy aq larg, nuk do guxonim më shumë.

Po Ylberi pse?

Po akuzohej hera-herës si modernist, shumë i emancipuar për kohën. Më vonë, në '83-shin, u hap lajmi madje edhe që u arrestua si bashkëpunëtor me serbët. Ylberi është kosovar e kaq duhej, por nga ana tjetër ai s'mund të ishte kurrsesi bashkëpunëtor me ata që i kishin shkrumbuar familjen, që i kishin lënë fisit 23 fëmijë jetimë. Po ç'mund të bëje asokohe. Kush kishte zë për të ngritur?

Familja juaj ishte dakord me këtë lidhje?

Jo, nuk ishte. Problem kryesor ishte feja. Edhe sikur familja ime të ishte e hapur më shumë se ç'duhet, e vriste opinioni. Për sa kohë i kanë thënë mamasë "Si ia dhe vajzën myslimanit?!". Problemi i fesë ishte shumë i theksuar në Shkodër, një ortodokse nuk mund të martohej me një mysliman. Daja im për kohë të tëra nuk na ka ardhur në shtëpi, paçka se tani nuk rrinë dot larg njëri-tjetrit, janë miq shumë të ngushtë.

Deri kur keni qëndruar në Pukë?

Deri në '84-n. Në këto 16 vite, 11 i kam kaluar në Pukë e 5 në Fushë-Arrëz. Të mos ishte për martesën me Ylberin, do kisha ardhur në Shkodër pas 2 vitesh, por ja që kështu shkuan gjërat. Kur gjithçka mbaroi, ishte si një ëndërr për mua të vija në Tiranë, ndonëse njerëzit atje na kanë dashur e respektuar fort të dy.

Ku u emëruat këtu?

Më emëruan mësuese muzike, ashtu punova për vite.

Nga Ani Jaupaj

COMMENTS