Ernest Koliqi - Një çuterr në Helveti

Një çuterr në Helveti


A e njef ti, or vëlla, atë dobësim shpirtnor që me një fjalë të përditëshme quhet mërzi? Idhnia e trishtimi janë pjellorë. Ta shporojnë shpirtin, por edhe nxjerrin prej si visare ashtu si plori nga bucat e tokës së thyeme. Mërzia të veshkë ndiesit ma të njoma, të thanë fuqit ma të thella. Asht e shterpë. Mërzia në mars m'a breu kreninë e më plandosi shpirtnisht në një amti që shtrihej mbi mue si një qiell pa hyj, si një qiell nate që nuk pret agim. Për me qenë poet, duhet të jeshë krenar. Duhet të keshë guximin me thanë: - Unë këndoj për ata njimijë vetë që heshtin e presin me u shprehun nëpër za tim. Mëkat asht krenia, por mëkat i nevojshëm për poetin. Mëkat pjellor si idhnia e trishtimi. E në mars, or vëlla, ky mëkat i stërfuqishëm u zhduk prej shpirtit tim, i dëbuem nga një mërzi dërmuese që më kapërthei unji edhe më bani të përbuzi kujtimet e përvojën ma të çmueshme të kalesës dhe të shikoj pa kurrnjë shpresë ardhmëninë. Jetoja në një të tashme pa shkas.

Prilli më shpëtoi. Ky muej plot hir më gjeti në Helvetì. Kisha bri meje një mik vëllaznor. Ai s'u kujtonte për perëndimin e çdo lakmie në mue, por fjala e tij padashtas mërzisë sime i caktoi megje dhe s'e la me u zgja aqë në shpirt sa me më tretë çdo hije gjallese. Në ato male blerojnë livadhet ma të bukura që përmban kjo botë. Endeshim me vëllanë shpirtnor maje në maje, por syni im, rrethue si prej një mjegulle tymtuese, nuk e shijonte gjith' atë bukuri. Më dermonin netët pa gjumë, tue m'a topitë mpreftësinë e shqisevet. Më lodhte nata, jo dita me ecje të pandame. Rrija tue pritë driten me sy në tavan, lëshue në një rrymë mendimesh pa ngjyrë, të kota, të amullta, që as nuk më qitnin ke bregu i shpresës. Por një natë më mori gjumi me lehtësi porsa mbështeta kryet në kultër: një gjumë i randë, i thukët, pushues si ai gjumi që kapë çilimijt mbas lojnave zdritë prej synit të nanës vërejse. E, në mëngjes, më zgjoi Prilli i Helvetisë tue trokllitun në dritore të mia me tinguj gazmorë trokesh.

Kërceva nga shtrati e hapa kapakët. Drita që hyni m'u derdh mu në shpirt dha m'a mbushi me hare të lehtë. Në paqin e qartë të mëngjesit kulloste një kope lopësh të larme në shpat gjelbëror aty ku rrezet e para shkonin me pushue mbi barin ma të kandshëm që panë kurdoherë këto sytë e mi, prorë dashamirë, besnikë të ngjyrave dhe të flakimit të tyne në lojna të dritës. Në atë mëngjes helvetian Prilli më pajtoi me Poezinë. Kush e përshkruen bukurinë stërmahnitëse tande, o kopësht i lulëzuem mollash, që më vezullove para syve në të dalme nga praku i shtëpisë së mikut? Përtej mrekullit të bardhë të atij kopështi, valët e lumit në dritë, diku në hije pasqyronin kthielltinë e një qielli të lum. Pyjet maleve kishin nisë me u njethë dhe dalkadalë me ndërrue ngjyesinën e ufullt dimnore në një blerim flakues. Bletët banin darsëm e zhumhurë tue vlue nëpër gardhiqe, plym mbi bula shpërthyese. Nëpër ajër ajër lëvizte si një amë mjalte. Ishte mjalta e prillit, mjalta e Poezisë që ngjyente shpirtënt tanë. U futem në një shteg dredha-dredha e u ngjitëm nëpër një pyll brèjsh. E befas, në atë të ngjitun, një gazmim i çuditshëm m'u dikue përmbrenda. Erdh tue m'u derdhun në gjak një freski e panjoftun.

Gjaku m'u shndërrue në një musht prendveror. Mrekullia bimore e metamorfozave pagane më pushtoi gjithunji. Paganizmi i pyllit ngadhënjemte në mue. Për një çast e ndjeva veten bimë, landë, brè... Ah, jo brè i atij pylli helvetian por e ndjeva veten lis malesh tona. Hija ime shkruhej aty në atë tokë të huej, por trupi im i vërtetë kishte rranjët e veta shumë larg, shumë larg andej, të thellueme në një shkamb të Malësisë. Erna të paprituna më rrethuen e më shkunden. Majet e mia të blerta u valviten në qiell shqiptar. Langjet e dheut shqiptar u ngjiten e rrëshqiten gjatë mishit tim. Isha pjesë e pandame e shkambit arbnor. Qe vetëm një çast por zgjati sa krejt jeta. E arritem me shokun ke një lug vallue prej brejve të pyllit që veç paksa linin me depërtue dritën e ditës.

Uji i kulluet, në atë lug, rrëzohej nga një shkrep me gufime të borta shkumbe. Ma poshtë ai ujë qetohej e, para se me rrjedhë si çuterr nëpër pyll kah fusha, mblidhej e pushonte në një gropë picigjate shtrue me guraleca të imët. Brejt lëshonin të tanë blerimin e tyne në atë gropë të qartë në gjysmaterr të lugut. Aty pashë fytyrën time. Në atë pasqyrë unë vërejta një Narçiz të lodhun, me një rrudhë dyshimi në ball. Kishte humbë, dashunori i krojeve, kreninë e dikurshme. Tashti iu lexonte, në fytyrë të tretun e të zymnueme, mëshira për atë qëndresë të një drite andrrimesh gjithnjë zbetas vetuese në bebet e syve në skaje të gojës. E i thashë vetvetes:
- Ku shkoi dalldia e rinisë së parë? Ç'u ba krenia e buzëve kangatare, shkëlqimi i syve plot fuqi andrrimi? Si mbaroi besimi me gjetë në vetvete një bukuri të pashoqe saqë mos me pasë nevojë për gëzim tjetër? Fytyrën ta ka bre dyshimi. Iku njomësia agimore. Përkulju ligjeve të Urtisë së zakonshme, o kryengritës i mujtun. Arratia prendverore dështoi. Mbushja menden vetes se je si të gjithë tjerët, me një vlerë ma të pakët se shumë tjerë. Shporrju ndërlikimeve shpirtnore e jeto jetën e gjithkuj. Kërko një lumni të përvujtun e mos andrro ma lavdinë e larit. Kapa një gur e ia turbullova sipërfaqen asaj pasqyre tepër të drejtë.

Por fatlumsisht Prilli prap ngadhënjei atë ditë në mue. Sa kthei i qetë uji, tue u shikue rishtas në të, zbulova në fytyrë time bukurinë e një misteri të vjetër. E Prilli foli e tha:
- Sa pare ban fytyra juej e brishtë me do vija ndërrojse që deka shpejt do të shlyejë? Kreni e falisun, o Narçiz, ajo që me kërkue në qarkun e ngushtë të vetvetes një bukuri ngushulluese, burim kangësh e frymëzim veprimesh të shqueme. Po, një bukuri ju të gjithë e keni në vete. Por s'asht jueja. Asht e gjakut trimij-vjeçarë që ushqen gjallninë e zemrës suej. Lëshoju në ndiesi të freskët që pak para t'a përshkoi trupin. Kërkoi fijet e rranjëve tueja në atdhe, atje ku tingullon e kuptueme kanga jote. Mbas rrudhave që lanë në fytyrë vjetët e shkimuna, mbas vijave të lodhuna që skalitë dyshimi e fatkeqësia, duhet të gjejsh rininë e amëshueme të gjakut stërgjyshor, prendverën e pasosme që lulëzon në thellësitë e rracës arbënore.

Kështu më foli mue Prilli.

lazer shantoj dom
Dom Lazër Shantoja
E rishtas unë ndjeva një freski të panjoftun tue m'u derdhun në gjak. Paganizmi bimor i pyllit më pushtoi edhe një herë. U bana prè e bindun e shortisë prendverore; u shndërrova në bimë e në gur; jetova njëmijë jetë të ndryshme njerëzore. Njofta njëqind gëzime, njëmijë mjerime. Zemra m'u zmadhue për bind e u njëpërnjësue me një zemër të madhe, vigane, që rreh bujarisht tash trimijë e ma vjet. Kur syni im kthei me u kundrue në pasqyrë të ujit të huej, unë s'e njofta ma veten time: një mijë fytyra përmblidheshin në fytyrë time. Ishin ato të të parvet në të cilat gjatë mija vjetësh shkëlqei gjaku shqiptar.

Nga Ernest Koliqi - Kushtue kujtimit të Dom Lazër Shantojës.

__________

çuterr: curril, rrëke.
Helvetì: Zvicër.
bucë: qeleshe, plis.
kultër: mbështetësja e krevatit tek koka.
zhumhurë: zhurmë e mbytur.
plym: plot.
brèjsh: bredha (bredh - dru halor.)
gjithunj: gjithandej.

COMMENTS