Boga Bogë Shkodër

Boga ndodhet në Rrethin Malësi e Madhe, në pjesën e sipërme të Përroit të Thatë, rreth 48 km në veri të qytetit të Shkodrës dhe 37 km larg qytetit të Koplikut. Rruga për në Bogë bëhet kryesisht nga segmenti Shkodër - Koplik - Bogë. Udhëtimi për në Bogë zgjat rreth 1 orë.

boge boga shkoder
Boga ka një histori jete prej qindra apo mijëra vitesh. Në trojet e Bogës janë gjetur dëshmi arkeologjike të vendbanimeve të hershme Ilire, (të kohës romake fundi i shekullit II, shekulli III mbas lindjes së Krishtit). Sipas arkeologut të njohur Skender Anamali në Tumulin Koder Boga janë gjetur: Një unazë ari, karfica argjendi, dy monedha: një e perandorit romak Setimo Severi dhe një e Maksimilan Darës. Kjo histori përveç dokumentave të shkruara nga studiues të ndryshëm, ka ardhur deri në ditët tona edhe nëpremjet gojëdhënave të trashëguara nga banorët autokton të Bogës. Boga, grup - vendesh në Luginën e Sipërme të Përronit të Thatë, të vendosura në lartësi 900-1000m mbi nivelin e detit. Banorët i përkasin fisit të Kelmendit të zbritur në luginë nga vendbanimet fillestare të Cemit. Famullia (arkidioqeze e Shkodrës) e themeluar kohët e fundit (gjysma e dytë e shekullit XIX) dhe Kisha famullitare gjenden në Precaj, në qendër të flamurit ose bajrakut të Bogës.

Boga si vendbanim njihet të paktën që në shekullin e XV. Defteri i regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485, fq.128 (përpiluar nga pushtuesi Otoman për qëllime taksash) e regjistron Bogën si fshat me dy shtëpi, dhe të përfshirë në Nahijen (Komunën) e Pipërve. Ndërsa një burim tjetër tregon se Boga kishte tetë shtëpi dhe të gjitha ishin të besimit Kristian. Në organizimin e Bajraqeve (fundi i shekullit XVII), Boga shkruhet se është një ndër katër Bajraqet e Kelmendit. Sipas gojëdhënave Boga ishte emri i djalit të dytë të Klementit (të parit të Kelmendit). Nga djali i dytë rrjedh fisi i vogël i Bogës, që bënë pjesë në Fisin e Kelmendasve, dhe është vendosur ndërmjet maleve të Shkrelit, Kastratit, Shalës dhe Kelmendit.

Lugina e Bogës, që për nga origjina është akullnajore, ka formën e një rrethi ku malet që e rrethojnë formojnë kolona me lartësi mbi 2000m. Nga malet që e rrethojnë, kur shkon për në Bogë, nga e djathta shtrihet maja e Rabës (2222m), vazhdon më tej me malin e Çardakut (2250m) dhe me majën e Shtegut (2083m) ku lidhet me malin e Radohinës dhe me malin e Arapit që e ndajnë nga lugina e Thethit, ndërsa në krahun e majtë, shtrihen Mali i Pultinzes, më pas mali i Dragomirit, mali i Bridashës (2187m) e pastaj maja e Vuklin ku lidhet me Radohinën.

Boga për arsye të karstit ka shumë shpella dhe galeri nëntokësore të cilat i plotësojnë kërkesat e eksploratorëve të ndryshëm duke ia shtuar kështu vlerat turistike kësaj zone. Origjina akullnajore e Bogës e bën këtë vend të veçantë, fundi i luginës që është 700m mbi nivelin e detit dhe majat mbi 2000m lartësi, ajri i pastër, uji i ftohtë, peisazhi alpin e malor, të gjithë këto janë të veçanta, të rralla dhe mbi të gjitha janë mjaft atraktive për zhvillimin e turizmit.

Nje rol të veçantë për një ajër të pastër e të pasur me oksigjen, si dhe për krijimin e një mikroklime me vlera për Bogën kanë luajtur e luajnë masivet e pyjeve drunorë (Aheve, Bredhave etj.), si dhe bimësia njëvjeçare që lulëzon në stinët e Pranverës, Verës e Vjeshtës, në Luginën, shpatet dhe majat e maleve që e rrethojnë. Gjithë ky gjelbërim është një mrekulli piktoreske e natyrës.

Përveç bukurive natyrore që lugina e Bogës ofron me bukuri alpine, peisazhet shkëmbore, pyje, lëndina, mund të përmendin relievin karstik që është shumë i theksuar dhe i shprehur me një numër të madh të shpellave dhe galerive karstike. Shpërndarja e shpellave karstike është e larmishme dhe me interes shkencor dhe turistik. Ndër shpellat kryesore mund të përmendim: Shpella e Puçit është shpella më e madhe në Shqipëri dhe ndodhet në të djathtë të majës së Çardakut, kjo shpellë shkon deri në 200m thellësi, vazhdon me një galeri të gjatë që shkon deri në 1 km dhe përgjatë saj gjënden disa puse, në fundin e së cilës rrjedh edhe një perrua i vogël.

Shpella e Husit, gjendet pranë asaj të Puçit. Edhe kjo shpellë ka shumë galeri me një thellësi mbi 130m por për arsye të dëbores dhe akullit të përjetshëm që përmban nuk ka qenë i mundur eksplorimi i plotë i saj. Ndër shpella të tjera përmendim gjithashtu: Shpella e Gjek Markut, Shpella e Silikokave, Shpella e Zanave e cila ka një pjerrësi në zhytje dhe Shpella e Madhe.

Temperaturat gjatë muajve të Dimrit janë fare normale për një vend malor si Boga, ku minimalja zbret vetëm për pak ditë nën minus 6 apo rradhë minus 8 gradë nën zero. Temperaturat në Verë janë disi të "përziera" mesdhetare-kontinentale. Maksimalja e temperaturave gjatë ditës në muajin Korrik nuk i kalon 19-20 gradë, ndërsa natën temperatura mesatare kap vlerat 12-15 gradë celcius. Gjatë muajve Qershor apo Gusht temperaturat gjithnjë kanë shënuar vlera më të ulta. Rreshjet në Bogë kanë një mesatare vjetore rreth 1900-2100mm (rreshje), ku bie në sy një shpërndarje më e "drejte" për stinën e Verës, gjë që ka influencuar në rritjen e lagështirës ajrore dhe freskisë per muajt e nxehtë.

Flora dhe fauna është shumë e pasur dhe shquhet për biodiversitetin e saj të lartë. Përgjatë luginës së Bogës takohen këto kate bimore që janë: shkurret, ku mbizotëruese është lajthia dhe dëllinja. Kati tjetër është ai drunjëve të lartë ku mbizotërues është ahu dhe kullota alpine. Në këtë zonë po ashtu mund të gjejmë bimë endemike të rralla si: Eulfenja e Baldacit, që gjenden në shteg të dhenve, në qafë Shtogu si dhe Crekus i Dalmacisë që gjendet në Bjeshkët e Namuna, Radohinë etj. Fauna gjithashtu është e pasur ku ka mbi 25 lloje gjitarësh, të tilla si: dhia e egër, macja e egër, vjedulla e zardafit dhe mbi 40 lloje shpendësh ku nga këto janë të rralla: gjeli i egër, shgiponja e malit dhe pula e pyllit.

Turizmi në zonën e Bogës ka patur një zhvillim të hershëm dhe është frekuentuar më së shumti nga qytetarët e Shkodrës. Natyra dhe pozita gjeografike e saj, e bëjnë këtë zonë lakmuese për ofertën turistike që paraqet. Vlen për t'u theksuar se Boga dhe zonat përreth, shquhen në fushën e prodhimeve blegtorale, të artizanatit, të prodhimeve artistike me dru me karakter kombëtar të cilat e pasurojnë dhe e bëjnë më të larmishme tregun e produktit turistik të kësaj zone. Po ashtu popullsia e kësaj zone trashëgon traditat më të mira shqiptare si: mikpritjen, besnikërinë, bujarinë dhe vlera të shumta morale.

Duke qënë se në afërsi të kësaj zone ndodhen edhe pika të tjera turistike siç është ajo e Razmës dhe e Thethit, ndërthurja e këtij destinacioni me zonat përreth në paketat turistike, përbën një mundësi më shumë zhvillimi të turizmit.

Në Bogë është e mundur të zhvillohen sporte natyrore siç është alpinizmi i cili mund të aplikohet me ngjitje në majat që janë përreth kësaj zone. Larmia e relievit krijon mundësi për ngjitje alpine të kategorive të ndryshme si për fillestarë ashtu edhe për profesionistë. Shtrirja e majave me lartësi mbi 2000m në këtë zonë i jep mundësi zhvillimit të alpinizmit sidomos me malin e Rabës.

Ndër sportet e tjera që mund të zhvillohen janë: gara me kuaj (hipizëm), shëtitje me biçikleta (këto mund të zhvillohen në pjesën e sipërme të luginës në fushën e Okolit), sporti i gjuetisë etj.

Për zhvillimin e sportit të skive, nuk plotëson kushtet e nivelit të lartë, por për pista amatore ka vende mjaft të përshtatshme.

Kjo zonë ofron interes të veçantë gjithashtu edhe për zoologët, sepse numri i shpendëve dhe kafshëve të egra është mjaft i madh si në lloje ashtu edhe në sasi. Në këte zonë mund të gjenden nga llojet e shpendeve thellënza e malit, shqiponja e malit, shepka, gjeli i egër, pula e pyllit, pëllumbi i egër dhe mullizeza. Nga kafshet mund të gjenden dhia e egër, derri i egër, ujku, vjedulla, dhelpra, macja e egër etj.

COMMENTS