Drisht, Drishti

drishti drisht shkodra

Drishti është një fshat në Komunën Postribë në Rrethin e Shkodrës, Qarku Shkodër. Drishti përmendet në histori që në shek. IX. Në drisht, shkohet duke dalë nga Shkodra për nga Ura e Mesit. Në këtë zonë, gërshëtohet harmonishëm peisazhi lumor me atë kodrinor duke ofruar mjaft variacione. Elementët që krijojnë një ofertë të pasur natyrore janë valët e rrëmbyeshme të lumit Kir me lartësinë e kodrave të Drishtit, me qetësinë e Zallit të Kirit dhe me pamjet e mrekullueshme të bjeshkëve të larta ndërmjet Cukalit e Maranajt e bëjnë këtë zonë mjaft të veçantë në llojin e vet. Lumi Kir buron nga Alpet, dhe përbën një pasuri të vërtetë natyrore. Lugina ku kalon dallohet për shkallëzime, zgjerimet e ngushtimet të cilat krijojnë kushtet e nevojshme për zhvillimin e sporteve ujore të tilla si kanotazhi për të apasionuarit e sporteve aventureske. Ekziston mundësia për shfrytëzimin e ujrave të tij edhe për plazh dhe zbavitje të ndryshme.

Nga ana tjetër përmendim ekzistencën e shumëllojshmërisë dhe pasurisë të kateve bimore dhe florës në përgjithësi. Lugina e Kirit ka mikroklimë të mirë dhe është pjellore në përmasa të habitshme. Në pjesë të mbrojtura të saj rriten madje edhe drurë të veçuar ulliri. Zona e Drishtit njihet për rëndësine e saj ekonomike dhe kulturore që në kohët e hershme. Historia është e errët, nuk ekziston ndonjë dokument që të tregojë kohën e themelimit të saj. Duke u mbështetur në gërmimet arkeologjike mendohet se Drishti ka themel ilir ose romak. Nga ndërtesat e lashta dhe të rëndësishme të asaj kohe kanë mbetur rrënoja me vlerë që ia vlen të shihen.
Elelementet me karakteristikë kulturore që i kanë rezistuar kohës janë:
- Kalaja e Drishtit
- Ura e Mesit

DISA ASPEKTE HISTORIKE

Nëse i referohemi Milan Shuflait, Drishti u ngrit prej pjesëve të rrënuara të qytetit të madh të Diokles romake pas shkatërrimit të saj nga dyndjet barbare. Nga dokumentet kishtare Drishti përmendet qytet seli ipeshkvnore që në shek.IX. Në dokumenta përmendet shtëpia e Peshkopit në 1251. Deri nga vitet 70-te kanë qenë të ruajtura në gjëndje të mirë rrënojat e kapelës trikonshë brenda në Kala, dhe një kishë një nefshe në rrugën që të ngjit për në Kala. Prandaj mund te themi me siguri se familja e Engjëllorëve që ka qenë sundimtare në Drisht në periudhën Venedikase mund ta ketë rindërtuar dhe jo themeluar qytetin. Edhe Drishti provoi sundimin sllav si e gjithë pjesa tjetër e Shqipërisë së Veriut. Nën mbrojtjen e dinastisë sllave ishte dhe abacia e Benediktineve dhe kisha e Shën Gjonit në Rashën e poshtme të cilat ishin nën juridiksionin e Ipeshkëvisë së Drishtit. Kjo kishë përmendet në një dokument të vitit 1166. Drishti për disa kohë qëndroi dhe nën zotërimin e Mikel Komneinit (1143-1180) në periudhën kur ky ngriti provincën e Durrësit dhe u përpoq të ringjallte në Ballkan Perandorinë Bizantine. Nga fillimi i shek.XIII qyteti ra në duart e Despotatit të Epirit dhe përsëri u ripushtua nga serbët. Pas shpërbërjes se mbreterisë së Stefan Dushanit Drishti ra në duart e Dinastisë së Balshajve. Gjergji II duke mos qenë në gjendje ti bëjë ballë osmanëve ia dorëzoi në vitin 1396 Rep. së Venedikut bashkë me qytetin e Shkodrës pas një shpërblimi prej 1000 dukatësh në vit. Luftën për marrjen e Drishtit do ta rifillonte i biri i Gjergji II. Është tashmë e njohur dhe e dokumentuar kryengritja e vitit 1405. Gjatë kësaj kryengritje banorët vendas dëbuan magjistratet venedikas. Venedikasit u detyruan të marrin masa të menjëhershme dhe pas disa muajsh, në Gusht të vitit 1405, e rimarrin qytetin. Qyteti i Drishtit do të ribinte përsëri në duart e Balshajve në vitin 1418 pasi Balsha III nuk e reshti luftën asnjëherë. Balsha III ia la trashëgimi qytetin despotit serb Stefan Lazareviç më 1421.

Gjatë periudhës së sundimit të despotëve serb gjatë viteve 1421-1442 Drishti pat si sundimtar një vojvod. Në periudhën Venedikase vojvoda në Drisht ishte një prijës ushtrie. Gjatë sundimit të dinastisë Balshaj qyteti njohu zhvillim të madh ekonomik saqë arriti të nxirrte në qarkullim edhe monedhën e vet me mbishkrimin latin "Civitas Drivasti".

Për sa i përket të drejtës qytetare Drishti vetëm në shek.XIV cilësohet si një qytet autonom me statut që njihet si "antiqua statuta". Për qytete si Shkodra, Tivari, Ulqini egzistenca e statuteve dokumentohet po ashtu që në shek.XIV. Në vitin 1442 pasi despotati serb u pushtua nga osmanët Drishti ra përsëri nën Rep. e Venedikut. Në vitin 1448 Skenderbeu hyri në lufte më Venedikun për qytetin e Danjës. Nipi i tij Hamza Kastrioti që ndodhej në Balëz rrethoi Drishtin por u zbraz nga komandanti Kont Andre Engjëllori. Kont Andre Engjëllori rridhte nga një dere fisnike ashtu si edhe ajo e De Angjeli. Dihet që Engjëlloret ishin një familje patricësh të Durrësit po ti referohemi dhe një dokumenti të vitit 1352. Engjellorët kishin nën sundim Tivarin e Drishtin. I biri i Andreas, Pali u bë dhe ipeshkev i Drishtit, më vonë kardinal në Durrës dhe këshilltar i ngushtë i Skenderbeut për politikën dhe lidhjet me jashtë. Duke iu rikthyer historisë mbi qytetin e Drishtit, me 1478 ndërkohë që Shkodra ishte e rrethuar nga Sulltan Mehmeti II një pjesë e ushtrisë turke iu versul Kalasë së Drishtit. Me 11 gusht të 1478 Sulltani dërgon Pashain e Azisë me gjithë ushtrinë e tij për të rrethuar Drishtin, dhe më 13 Gusht topat osman filluan të rrahin muret e Drishtit. Për 16 ditë parreshtur qyteti ndjeu sulmet e Osmanëve derisa me 1 Shtator të 1478 Mehmeti II hyri në qytet. Në ndihmë të osmanëve erdhi dhe murtaja që ra në këtë kohë në qytet. Osmanët e shkretuan krejtësisht qytetin. Disa qytete dhe kështjella të lulezuara siç ishte Drishti, apo dhe Deja, Shurdhahu, Sfetigradi u rrënuan thuajse krejtësisht nga vala e luftës me osmanët, ndërsa qytetet e medha si Shkodra, Kruja, Lezha, Durresi, Berati, Gjirokastra u kthyen gati në gjëndje fshati. Burimet dokumentare na pershkruajnë mjaft qartë gjendjen e mjerueshme dhe rrënimin e qyteteve në prag dhe gjatë fushatës pushtuese të osmanëve. Në vitin 1485 disa vite pasi kishte rënë nën sundimin osman Drishti numëronte vetëm 15 shtëpi. Banorët e varoshit të Drishtit ishin ngarkuar që të mirëmbanin dhe meremetonin Kalanë. Nën zotërimin e osmanëve në Drisht u vendosën familje turke dhe të ardhur nga krahinat përreth. Sipas një dokumenti të Marin Bolizzes të vitit 1614 i cili e përshkruan Drishtin si një fortifikim por jo shumë i banueshëm.

kalaja e drishtit drisht castle
Kalaja e Drishtit - Drisht Castle
Kështjella e Drishtit ka qenë një pararojë e Kështjellës së Shkodrës. Në kohë lufte luftëtarët në Kështjellën e Drishtit merreshin vesh me mbrojtësit e Shkodrës me anë të shenjave të zjarrit. Drishti ka qenë një qytet me shumë kisha, me tregun e vet, doganën. Madje një nga rrugët më të rrahura të Veriut ka qenë pikërishte ajo Shkodër-Drisht-Plavë. Sipas dokumenteve të kohës Drishti përfshinte brenda autoritetit të vet fshatrat e Gruemirës, Rrjollit, Boksit, Dragoçin,Vorfën, Mesin, Myselimin, Ura e Shtrejtë, dhe deri zonën e Shllakut e Mazrekut. Në një dokument të vitit 1709 thuhet se pronat e Drishtit shtriheshin nga Vraka deri në malet e Cukalit e Maranajt. Sot kudo përreth kështjellës të zë syri grumbuj rrenojash të banesave dhe lagjeve të dikurshme të qytetit mesjetar dhe banesa të reja që janë ngritur mbi themele të ndërtimeve të mëparshme.

KALAJA E DRISHTIT: Kalaja e Drishtit gjendet rreth 6 km nga fshati i Mesit. Ajo ngrihet mbi një kodër konike rreth 800 m të lartë. Në kalanë e Drishtit vetëm pak gjurmë janë ruajtur nga ndërtimet prehistorike. Hyrja për në kështjellë hapet në murin anësor të një kulle katërkëndëshe. Një murë me gurë të papunuar me një gjerësi mbi 2m rrrethon majën e kodrës duke zënë një sipërfaqe pak më të madhe nga ajo e kështjellës mesjetare, ndërsa muri tjetër e ndjek linjën e kontureve të shpatit duke u përputhur me murin mesjetar. Ashtu si dhe në rastin e Shurdhahut edhe në Drisht shohim po atë tip kullash të vogla gjysmërrethore, po atë teknikë ndërtimi me mure të holla pa breza dhe me shtegun e rojeve që krijohet nga platforma druri të mbështetura mbi trarë të dalë konsol. Në Kështjellë që ka formën e një katërkëndëshi, dallohen disa faza ndërtimi. Në katër kullat e saj dallohet që kanë parë nga ana e brendshme e Kështjellës, pasi muret periferike janë ngritur mbi një humnerë të pangjitshme. Në fillim Kështjella ka patur tre kulla mbrojtëse dhe më vonë në një kohë të dytë është ngritur një kullë tjetër gjysëm rrethore dhe kjo është e kuptueshme nga teknika e ndërtimit të kësaj të fundit që ndryshon nga të parat. Gjitashtu një nga kullat katërkëndeshe është veshur me një këmishë rrethore dhe në përgjithësi të gjitha kullat janë dhe kanë qenë të veshura në pjesën e poshtme nga mure që bien pjerrtaz mbi terren, siç duket për t'i shtuar mbrojtjen. Njëra nga kullat katërkëndëshe, që ka qenë rrënuar me parë, më vonë është rindërtuar por këtë radhë me gurë të latuar mirë. Nga teknikat e ndërtimit është e dukshme se i përket periudhës veneciane (1396-1478). Kjo kullë dhe ajo e hyrjes janë paisur me frëngji të vogla.

Kalaja e Drishtit, Drisht Castle
Kalaja e Drishtit - Drisht Castle

Kjo kala, brenda së cilës gjenden edhe disa banesa (rreth 11 familje) është e vjetër por përmendet në histori vetëm më 1142. Muret e kalasë krijojnë gjysmërrathë që pasojnë njëri-tjetrin mbi një bazë të përbashkët. Brenda kalasë kanë ekzistuar 5 kisha të periudhës mesjetare, nga të cilat qëndrojnë në këmbë vetëm muret e këmbanës të njërës prej tyre. Elementë karakteristikë që bien në sy, jo vetëm në kala, por pothuajse gjatë gjithë sipërfaqes së kësaj zone janë: grumbuj rrënimesh, gurë të mëdhenj, trofe shtëpish, copa tjegullash, gropa të thella. Nga gërmimet e hershme që janë bërë në këto zona janë gjetur mjaft gjëra të vjetra si: punime argjendarie, enë guri, hekuri, bronzi e dheu të pjekur, elementë këto që dëshmojnë për një qytetërim të lashtë e të rëndësishëm.

kalaja e drishtit drisht castle
Kalaja e Drishtit - Drisht Castle

Në ditët e sotme shihen akoma gjurmët e mureve të vendbanimit prehistorik. Po aq të dukshme janë dhe gjurmët e Kalasë mesjetare. Akoma ruhet porta e hapur në faqet anësore të një kulle katrore. Po ashtu akoma mbahet mirë në këmbë një kullë katërkëndëshe e veshur me këmishë rrethore tipike e shek.XV. Por ajo që bie në sy sot është ripërdorimi i këtyre gjurmëve nga banorët vendas që jetojnë brenda në Kala dhe përreth saj, dhe kjo është evidente kudo nëpër lagjen Kala-Drisht. Vende-vende të zë syri objekte prej guri të latuar apo gjurmë bazo-relievesh të ndërtesave dhe objekteve të dikurshëm, ku bien në sy edhe simbole të dinastisë Balshaj, ndoshta të ripërdorura në ndërtimet e mëvonshme. Nga e gjithë lagjja Kala-Drisht bie në sy një banesë monumentale e përdorur deri nga fillimi i shek XX. Kjo banesë për vetë stilin e saj arkitekturor mund të thuhet me bindje që është mbi 300-vjeçare, dhe nuk përjashtohet mundësia që themelet dhe e gjithë baza e kësaj banese të jenë të një banese tjetër më të hershme, ndoshta e periudhës se lulëzimit të qytetit të Drishtit në mesjetë.

kalaja e drishtit drisht castle
Kalaja e Drishtit - Drisht Castle

URA E MESIT: Ura e Mesit ndodhet në fshatin Mes, 6 km larg qytetit të Shkodrës. I përket shek. XVIII. Përbën urën më të rëndësishme, më të madhe e më të mirëruajtur nga periudha turke në Shqipëri. Ajo përbën një shembull të mrekullisë të ndërtimtarisë osmane. Ura ka një gjatësi 108 m dhe një gjerësi prej 3,4 m. Mbështetet në 13 harqe, më i madhi i të cilëve ka një diametër prej 21.5 m. Harqe të tjera mbështetëse janë shembull i artit dhe i funksionimit bashkuar në harmoni të përsosur. Ura e Mesit është një monument kulture me vlera të mëdha arkitektonike dhe teknike. Bashkë me Kalanë e Rozafës, ajo është objekti më i vizituar nga të huajt por edhe nga shqiptarët. Ajo ka tërhequr dhe studiues të huaj të cilët e kanë quajtur një ndërtim elegant dhe të guximshëm. Ura me kurriz është ndërtuar mbi lumin Kir në lindje të qytetit të Shkodrës, 8 km larg tij. Ajo lidhte krahinat e Drishtit, Shllakut e Shoshit me Shkodrën dhe përmes rrugës së vjetër lidhet me monumente kulture të tjera, si Ura e Pashës në Kukës, xhamia e Prizrenit etj. Ndërtimi i saj ka filluar në dy faza. Në fazën e parë është ndërtuar harku kryesor me hapësirë drite 21,5 metra dhe tri harqe anash tij, dy në anën e djathtë dhe një në të majtën. Në këtë fazë janë përdorur gurë të latuar me fuga të rregullta horizontale dhe vertikale. Në të dy anët e harkut kryesor janë hapur dy dritare të vogla shkarkuese me hark "majë lundre", ndërsa tek këmbët përballë rrjedhës së lumit, janë ndërtuar pila në trajtë prizmi me bazë trekëkëndëshi. Traseja e kësaj pjese të urës është shtruar me gurë pllakë të vendosur këlliç, ku çdo një metër ngrihet 5 cm rreshta tërthorë, që i japin pendencës së kurrizit të harkut kryesor trajtën e shkallares. Më vonë meqë prurjet e mëdha përmbytnin pjesët e pjerrëta në hyrje e dalje të urës lindi nevoja e zgjatjes së saj. Kështu urës i shtohen pesë harqe nga e majta dhe katër harqe nga e djathta, duke e kthyer atë në një urë me 13 harqe të mbështetur në terrenin shkëmbor dhe në përshtatje me të. Ajo është ndërtuar me gurë dhe qemer dhe në të nuk është përdorur çimento.

ura e mesit mes bridge shkodra
Ura e Mesit - Mes Bridge

Harqet janë të harmonizuar dhe me kubaturë të lartë. Ajo është vendosur në aksin rrugor Shkodër - Drisht - Cukal, në drejtim të rrugës së vjetër që të çon tek Kalaja e Drishtit. Duke u ndërtuar në një drejtim me lumin, ajo i ka shpëtuar goditjeve të tij, megjithëse kjo nuk mund të evitohet plotësisht. Vlerat urës ia shton dhe terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe lumin e kaltër. Paralelisht me këtë urë është ndërtuar një tjetër, e cila përdoret për udhëtim. Duke u kthyer në një nga simbolet e qytetit, ajo është e pranishme në telajot e piktorëve, në studio fotografike, në kartolina, kalendarë e katalogë, në punime me bakër etj. Gjatë vitit 2001 shumë objekte si Kalaja e Rozafës, 2400-vjeçare, rruga në qendër të qytetit e shpallur "Rrugë muze" rruga Kol Idromeno, e njohur për vlerat e saj arkitektonike, kisha e Shirqit rreth 8 km larg qytetit dhe xhamia e Plumbit e ndërtuar në afërsi të lumit Drin në vitin 1720 u vunë nën kujdesin e Insitutit të Monumenteve të Kulturës. Midis këtyre veprave është dhe Ura e Mesit, Muzeu Kombëtar i Fotografisë 'Marubi' dhe Biblioteka Marin Barleti.

COMMENTS