Luçie Miloti

lucie miloti
Luçie Miloti lindi në Shkodër, më 11 maj 1930. Rrjedh nga një familje me tradita muzikore.
Për herë të parë doli në skenë në moshën 12-vjeçare dhe çuditi spektatorët shkodranë duke kënduar përkrah me Bik Ndojën, File Gjeloshin, Pjetër Gjergjin, Xhevdet Hafizin etj. Rruga e saj artistike do të niste në Radio Shkodra dhe më pas do të angazhohej në shtëpinë e Kulturës të qytetit të Shkodrës, nën drejtimin e Prenkë Jakovës. Në vitin 1946, në moshën 16-vjeçare vjen në Tiranë, ku fillon karriera e saj si në skenat kryesore të vendit, ashtu dhe në festivalet kombëtare dhe ndërkombëtare. Transferimi i familjes në vitin 1946 do ta afronte në jetën artistike kryeqytetase. Ai që krijoi figurën e saj të plotë si këngëtare është profesori i saj, Paulin Pali. Fillimisht emërohet si soliste në Radio Tirana nën drejtimin e Paulin Palit dhe një vit më vonë emërohet si soliste në filarmoninë shqiptare me krijimin e institucioneve të tjera kulturore artistike profesioniste të kryeqytetit, Luçia u aktivizua në Estradën e Tiranës dhe në vitin 1957, emërohet soliste në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Gjatë kësaj periudhe do të jenë të shumta këngët që do të kompozohen për zërin e saj. Do të vazhdojë si soliste në Ansamblin Popullor deri në moshën 45 vjeç, kur del edhe në pension. Që nga kjo kohë u shkëput nga skena.

Në kujtimet e artistëve bashkëkohës me të, Luçie Miloti vjen si një këngëtare e veçantë. Skenën e pushtonte vetëm me zërin e saj, sepse asnjëherë nuk i përdorte gjestet shoqëruese. Në repertorin artistik numërohen 500 këngë të cilat këngëtarja i ka përcjellë edhe në botën e huaj. "Ç'u çue Rushja", "Çila sytë, due me të pa", "Bishtalecat palë-palë", "Për mue paska kenë kysmet", "Shpend ma i parë i bukurisë", "Me zaman asaj furije", "Zanusha", etj., do të ishin disa nga këngët që dëgjoheshin nëpërmjet Radio Tiranës. Në formimin profesional të mëtejshëm do të këndonte këngë si "Kaçurrelat e tu", "Synin tënd larushe mij çike", "Me t'shi hajtshamos", etj.

Disa nga kompozimet e dedikuara kësaj artisteje të mrekulluesme janë: kënga nga Pjetër Gaci, me titull: "Qytetit tim" , që e ka kënduar më vonë Sali Brari; Rud Gurashi, këngën me titull: "Shpend ma i parë i bukurisë"; Zef Leka, me këngën: "Synin tand larush moj çike", të Xhevat Lishit; me tekst të Lah Mema: "Zani yt, na sjell pranverë" dhe e këndon Meri Zefi. Në fund të 2004 nga kompozitori lezhjan, Agim Velaj: "Lauresha e Shkodrës".

Luçie Miloti në karrierën e saj ka marrë pjesë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, si në skenat e shume kryeqyteteve të Ballkanit dhe madje të botës. Në Varshavë është vlerësuar me titullin "Bilbili i Ballkanit", ndërsa në Bullgari muzikologët e kanë cilësuar si "Bilbili me zë kristalor". Për kontributin e saj muzikor, më 1961 ka marrë titullin "Artiste e Merituar" dhe Urdhrin "Mjeshtër i madh" nga ish-Presidenti Rexhep Mejdani.

Në maj të vitit 2006 në Tiranë pas një sëmundje, Luçia ndërroi jetë pak ditë pas ditëlindjes së 76-të të saj.

Me vendimin e Bashkisë së Tiranës, një rrugë e kryeqytetit merr emrin Luçie Miloti.

COMMENTS