Bizneset shkodrane në vitin 1945

Ka vite e vite që në Shkodër sidomos mbas vitit 1990, jo vetëm nga marria 45-vjeçare, por dhe nga një moment anti kapitalizëm dikur, shumë e shumë individë, jo vetëm denoncojnë raprezaljen e komunistëve ndaj zejtarëve, tregtarëve, dhe biznesit të madh shkodran, por thonë dhe deklarojnë, edhe pasurinë dhe zejen e tyre e humbur në kohë. Në titull, unë në fakt them "zbulohet", dhe e kam vënë në thonjëza, sepse ajo është një realitet, dhe po të kërkosh saktë tatimin që qeveria komuniste vendosi, kupton se kush ishin njerzit e dëmtuar. Unë se kam fjalën për këtë pikë. Unë e kam fjalën, se në dosjen e Bashkisë së Shkodrës në vitin 1945, janë disa kopje të regjistrimit të zejeve, emrave të përfaqësuesve dhe lagjeve, apo rrugëve të qytetit të Shkodrës, përpara se të fillonte raprezalja e qeverisë së ardhur vetëm pak muaj përpara në nëntor - dhjetor 1944. Kjo listë dhe emrat e tyre, unë i nxjerr për herë të parë nga Arkivi i Muzeut të Shkodrës, dhe është një ekskluzivitet i gazetës "SOT".

fabrika e sapunit dhe parfumerise Hoti
Në këtë kohë kemi akoma emrin dhe vulën e Bashkisë së Shkodrës në këtë dosje. Po, janë kuintancat e pagave të institucionit dhe vula në muajt e parë të vitit 1945-së me emrin akoma Bashkia e Shkodrës. Por më interesantet janë pikërisht listat e emrave dhe rrugëve, por dhe bizneseve-zeje, dhe biles dhe taksat në disa raste në këto lista, të paguara për muajt në vazhdim. Është kapërcimi nga 1944-tra në vitin 1945-së, dhe normalisht momenti i një vendosjeje të një rendi të ri dhe patjetër të ideve të reja. Ka pasur pushkatimet e para, dhe raprezaljet e para, por nga Bashkia janë bërë dhe llogaritjet e zejeve dhe atyre që sot ju thonë biznese. Disa nga zyrtarët e vegjël kanë vazhduar të punojnë deri në mars të vitit 1945, por shumica e tyre u larguan përfundimisht ne qershor të atij viti. Në këto lista, janë emrat e njerzve të rëndësishëm të Shkodrës. Taksapaguesve të rëndësishëm, por dhe të vegjël. Janë bizneset e shumta në rrugët e Shkodrës, në qëndër dhe lagjet më periferike. Por janë rreth 789 biznese të Shkodrës si qytet dhe lagje të tij, dhe 706 nga Pazari dhe deri në Bahçallek. Një sasi marramendëse zejesh dhe tregtie, që nuk kishte të krahasuar në Shqipëri. Asnjë lloj krahasimi as me Tiranën, për nga vendosja dhe sasia.

Interesante janë faktet e zejeve dhe momentit të të shkruarës, por dhe përcaktimit të pikërisht biznesit. Ka një dyshim të madh se mungojnë disa emra, por gjithsesi duke i besuar listës së përpiluar, dalin pronarët ligjorë dhe mungojnë një sasi e madhe e njerëzve të bashkëpronësisë, shumëpronësisë, por dhe drejtimit në bizneset e mëdha. Megjithatë kjo listë nga ana historike, ka të veçantë të dihet se kush ishte në vitin 1945, një pronar, një biznesmen, një person apo subjekt, që paguante taksa, dhe kishte aktivitet. Çfarë aktiviteti kishin, dhe kush ishte volumi i madh i asaj kohe i tregtisë. Dakort, dhe kjo është më e rëndësishmja për të gjithë, për të parë gjëndjen reale të pasurisë, aktivitetit tregtar dhe prodhues në Shkodër. Në këto lista janë emrat e tregtarëve, biznesmenëve të Shkodrës. Normalisht që mbi 60% e listës e përbën klasa e tregtarëve. Pastaj janë me rreth 30% shërbimet dhe vetëm me 10% janë bizneset prodhuese. Por kapaciteti i prodhuesve, dhe pasuria janë tepër të mëdha. Po kështu dhe taksimi.

Lista është shumë e qartë për rrugët kryesore ku ishte i shtrirë dhe aktiviteti më i dëndur. Është bie fjala ajo që është quajtur "Rruga e Madhe" ku janë rreth 85-së emra biznesesh, dhe ku ka avokatë si Sheuqet Bekteshi, por ka shitës, këpuctar, furrtar, hotel i Malo Troshanit, hotel i Kasem Draçinit, duhantore e Ruzhdi Boriçit, fabrikë çorapesh e Mehmet Shazit, Mustaf Pipa, avokat, Ahmet V. Hoti fabrikë sapuni etj etj. Por edhe rruga e gjatë e kryesore Washington (që sot nga Bashkia Shkodër është për të ardhur keq pse nuk mbahet një tabelë për nder të këtij emri të vendosur me unanimitet në Këshillin Bashkiak të Shkodrës dikur) ka plot e plot biznese. Abdyl Djepaxhia ka librari, Luigj Simoni ka farmaci, Haxhi Zaja, ka artikuj elektrikë, Ymer Kraja ka restorant, Guljelm Suma ka kafe hotel restorant, Vllazën Daberdaku kanë njesinë tregtare të tyre, Simon Darragjati ka fabrikë letrash, kurse Lina e Tish Lekës konsiderohet "modiste". Ymer Bushati manifakturë, Ndrek Pistulli tregtar, Angjelin Luka tregtar, Mark Pici fotograf, Tef Pogu parfumeri, Luigj Serreqi orishtar, Nikolla Stojani pastiçeri, Zef Dema hekurishte, Pjetër Bedeni, argjendar, Ndrek Kaçulini tregtar, Adem Nikshiqi librari, Vllazën Muzhani agjenci, Pjetër Çurçia agjenci, Gasper Çurçia garazh, Muhamet Rroji tregtar, Ndoc Pistulli manifakturë. Pastaj Osman Ujkashaj ndërrim të hollash, Kel Marubi fotograf, Nush Topalli tregtar, Teo Amadeo tregtar, Daut Kopliku duhantore. Dalim pastaj te rruga "Justin Godart" me Ndoc Xhanxhafili pijetore, Vllazën Pogu fabrikë të sapunit, Fasli Dervishaga kafe,Luigj Serreqi si biçiklist, Alush Hasani kafe, por ka shumë e shumë zanate të tjera dhe emra të tjerë. Rruga Has Hot me Kol Dema pijeshitës, Riza Rusi fabrikë e duhanit, Fasli Ademi favrikë cigaresh. Rruga e Tuzit me Gasper Pogu argjendar, Rasim Gjyrezi me mulli, Ferhat Beqiri me kafe, Osman Hoxha tregtar etj etj. Rruga Lek Dukagjini me Cuf Dedja furrtar, ose Zenel Kotrri si pemë shitës, Mark Bardeli prestar, Zyhdi Ulqinaku këpuctar, Eljaz Cungu prestar, Tef Daka riparim makinash etj etj. Pastaj Zdralej me Ibrahim Myftari manifakturë, Ibrahim Mema fabrikë xhupash, Januz Dibra me agjenci, dhe vazhdon me të Parruca me shumë emra ndër të tjerë Haki Rehovica me pijetore, Ema Batsi farmaci, Selim Rroji depozitë, Smajl Shurdha sapuntore. Në Gjylej, është Rifat Dibra dentist dhe Reshit Gjyli mulli, pastaj Rruga Qeles me Xheladin Rroji fabrikë tullash, H. Elez Muka tregtar, Malo Rama kafe, Luigj Mjeda kino Glorja. Në K. Helbert, janë Rrok Geci prestar Kel Daberdaku mobilje. Në Hasan Riza, janë Kaduku e djalë dentista. Në rrugën "Bashkimi" është Oso Rrjolli fabrikë duhani. Në Badra, Gjovalin Zef Çoba me pijetore, Frano Lleshi pijetore, kurse te rrugica e Gurazezëve, Nush Çoba pijetore, ose te franceskanët, Kel Arseni, fotograf, Gjon Curani mishtar etj etj. Janë rrugët e Sh Ndout, rruga dhe lagja Arra e Madhe, Jezuitët, At Gjeçov, Dervish Beg, 28 Nëntor, Rrojej, Skandebag, Kadukej, Dervishej, Kiras, Dudas, Ndocej dhe Tepe me qindra emra biznesmenësh. Por fillon dhe rruga Krye Pazar, dhe i pari është Dan Hasani një nga njerëzit më të pasur të Shkodrës, por dhe shumë e shumë emra për lagjet dhe rrugët tashmë nga pazari ku janë rreth 706 taksapagues të rëndësishëm, përgjatë pikërisht pazarit dhe deri në Bahçallek. Janë me qindra tregtarë dhe prodhues të njohur, por dhe emra gjithashtu të njohur në Shkodër.

Bie në sy se në Shkodër, jo vetëm bëhej tregti e madhe, dhe kishte volum të jashtëzakonshëm tregtar, por edhe prodhohej shumë. Ishte vërtetë dhe në atë vit të vështirë të 1945-së një qytet ekstremisht në lulëzim dhe tregti të madhe. Padyshim, kishte një zejtari të madhe dhe manifaktura të shumta, përveç rreth 60 fabrikave të ndryshme dhe karroceri riparues të njohur, por dhe riparuesve të mëdhenj deri te çimento. Por më i interesantja nga ana studimore është shpërndarja e zejeve nga qëndra drejt periferive. Shpërndarja e jashtëzakonshm e shërbimeve të shumta, duke filluar nga "cërriktarëve", prestarëve, rrojtoreve, duhan punues, prestarëve, elektriçistëve, riparues makinash dhe qerresh e biçikletash, mbathtarëve, kundraxhinjëve, furrtarëve dhe riparuesve të shtëpijave e shumë e shumë të tjera. Unë përmenda disa emra ashtu të zgjedhur rradhazi, por janë më tepër se 1495 biznese të cilat u kapën menjëherë në vitin e largët 1945, u tatuan, dhe më vonë shumë prej tyre dhe u gjobitën dhe dolën përpara gjyqeve të shumta. Sidomos bizneset e mëdha dhe tregtarët e pasur. Disa u burgosën, dhe disa u pushkatuan politikisht, disa u falën më vonë, dhe disa ishin bashkuar me komunistët, duke e pësuar disi më pak. Dakort, por këtu janë emrat dhe mbiemrat dhe padyshim dhe zejet e tyre. Në një farë mënyre, në këtë listë, duket qartë se çfarë trashëgoi Shkodra në vitin 1945-së dhe sa e zhvilluar ishte, duke parë se kishte rreth 18 shoqëri të mëdhaja tregtare dhe gjashtë banka nga qëndra në Pazar me aktivitet të madhe ndërkombëtar. Kishte agjenci të shumta udhëtimi të cilat u mbyllën dhe sekuestruan më vonë. Por u sekuestruan dhe bizneset e mëdha të cilat nuk kishin shoqe në Shqipëri. U mblodhën miliona franka ar dhe miliona e miliona mall deri në tetor të vitit 1945-së. Shkodra edhe për këtë vit ishte ekonomia më e madhe e qëndrueshme e Shqipërisë jo vetëm për frymë të popullsisë, por për pasurinë e saj të jashtëzakonshme në total.

Emrat e njerëzve të zejeve, janë më pak se 1495, ose afro 1300 persona, por në të vërtetë faktet treguan se banka e shtetit të atëhershëm dhe financat u plotësuan nga raprezalja e kohës mbi biznesin shkodran. Por sesa ishte kjo shumë reale, ose e përafërt, normalisht që do të jetë pjesë e shkrimeve që do të vijnë, dhe që duan të sqarojnë historinë e biznesit të madh në Shkodër përpara viteve 1944. Tani lista e zejeve, emrave dhe subjekteve tregtare dhe biznesmenët e fuqishëm, është e hapur për studim të veçantë në Arkivin e Muzeut të Shkodrës.

Nga Besi Bekteshi

COMMENTS